Niko Ligori: Dritëro Agolli, frymëzim për brezat

709
Sigal

Si e kujtoj poetin e madh që e kisha në klasë në vitet 1948-52, në gjimnazin “ Asim Zeneli”

 

DRITERO AGOLLI “jeton” dhe “ecën” brezave me hapin e kohës

 

– Ai në rini ëndërronte që të behej veteriner, por zoti i kishte dhuruar si talent penën

“Dhe ky plis shkoi në Evropë,

brodhi në Azi

Po kudo, nga, flokët deri në këmbë,

mbeti Devolli…”

Të madhin e të pavdekshmin DRITERO, (ish-bashkënxënës, në një klasë e bankë,1948-1952, në Gjimnazin “ Asim Zeneli”- Gjirokastër), me këtë shkrim homazh përkujtojmë, jo pa dhimbje e “ lot” shpirti, përkulemi me respekt, mirënjohje e krenari para emrit dhe veprës së Tij letrare në shërbim të brezave, në të cilën Shqiptari i madh, ish-Akademiku DRITËRO AGOLLI, “Nderi i Kombit”- rron e do të jetojë brezave, ndaj dhe do të këndohet:

“- Shqiptari kudo në botë

Si bleta që del prej zgjoit

Me krenari do të thotë:

 -Jam nga vendi i DRITEROIT!

Për të shprehur respektin, dashurinë e mirënjohjen ndaj Dritëroit, menkularët, bashkëfshatarët e tij, që në vitin 2002, vendlindjen e tyre e emërtuan jo pa qëllim “Menkulasi i Dritëroit”, ndërsa ne ish-bashkënxënës asimzenelas, themelues të pedagogjikes brenda gjimnazit, në vitin 2007, kur festuam 55 vjetorin e maturës tonë, e quajtëm: Klasë –maturë “DRITERO”.* * * …Djaloshi adoleshent, Dritëroi pasi pati mbaruar uniken në Bilisht, në vitin 1948 erdhi në Gjirokastër me bursë shteti, për të vijuar shkollën e mesme. Ishte moshatar me ne, por me horizont njohurish përtej moshës. I veshur thjesht dhe ende në trup kishte aromën e tymit të barutit, si korrier terreni në LANÇ-in partizan. Në Argjiro erdhi si poet i lindur, “ hapin e parë” e kishte hedhur që në Devoll, në krijimet poetike e recitimin e tyre në fshat e shkollë, që afishoheshin në gazetën e murit të klasës të shkollës 7-vjeçare, por dhe pati botuar në gazetën letrare të kohës. Në trastën që mbante krahut, më shumë kishte fletorka, fije letrash (të zhubrosura) me poezi, se sa kishte tesha. Në Gjirokastër u afirmua si poet, poezia ishte në çdo qelizë të trupit. Ai në çdo kohë e vend, edhe në mësim, por dhe në mes të natës thurte poezi. Hartimet i kishte tregime poetike ose thjesht poezi. Në gazetat Rinia dhe Letrari i Ri, Dritëroi me botimet e tij, u bë i njohur.

Vlerësimi nga mësuesit

Oh. sa e vlerësonin talentin poetik të Dritëroit profesorët tanë, sidomos Thoma Papapano e Vehbi Bala! Dritëroi, që ende s’ia “matim” dot lartësinë me lavdi të veprës së tij, “muzën ” e frymëzimit poetik e zuri në Menkulas e Bilisht, në Gjirokastër si “ Vendlindjen e dytë” pa të cilën si asimzenelas, siç thoshte vetë, nuk do arrinte përmasat e një Ajsbergu në letërsinë Shqipe…

Sa e donte vendlindjen Dritëroi!

Për të përgjërohej e çmallej duke i vajtuar e duke thurur poezi dhe vargje pambarim. Prindërit, në tre fëmijët e tyre, që në fshat, zbuluan talentin e prirjen e DRITIT për të lexuar, shkruar e kënduar, ndaj dhe vendosën që të arsimohej në profilin e tij, dhe që fëmijë se ngarkuan me punë bujqësie , ndonëse djali i tyre e donte bujqësinë dhe blegtorinë, çmendej për natyrën, lumin, në veçanti donte kafshët shtëpiake dhe në rini ëndërronte që të behej veteriner. Kalin , kaun, qenin e tij. I shihte si të shenjta, e kurrë për to nuk thoshte” ngordhën” por”vdiqën”, një lloj si për bletën. Babai i tij, një bujk pasionant, vinte e shikonte djalin në shkollën e Bilishtit dhe në Gjirokastër erdhi. Dhe nëna një kolonjare fisnike ndikoi në arsimimin, edukimin e në lartësitë që arriti DRITI.

Vargjet për baba-Rizanë

“Im atë e donte token shumë

siç donte nënën dhe gruan

Për token gdhinte netët pa gjumë

nën shpat, nën breg, nën krua…

Për të mirën e të bukurën nënë –Hatixhe, citoj vargjet e tij:

“…E vërtet nën qiellin me re e pa re,

lërova ara e kapërceva pragje,

dhe për nënën time, të urtën Hatixhe,

ngrita këngë e thura vargje…”

Dritëroi, poezitë për shtëpinë në fshat, për gjyshërit që prehen atje, për lumin e Devollit që e donte shumë e që frymëzohej prej tij, si një burim i pashtershëm, i ka derdhur në veprën e tij. Poeti “kuvendon” me lumin Devoll:…

“Nuk e di se ç’dreq Poet më beri,

balta jote,bari yt i dendur,

…dhe në vargje mbeti ajo baltë,

mbeti ai bar, ai tërfil,

mbeti ai fyell,ai mjaltë

mbeti ai gjemb, ai trëndafil…”

Dritëroi, nga poezia e parë, e botuar në vitin 1948, “Prej Tirane gjer në det” dhe në veprën letrare pa fund, do mbetet një Devolli emërmirë, që brezave u mesazhon: “Ta doni e nderoni Atdheun e vogël-vendlindjen, ku janë rrënjët e fisit, e ku prehen të parët tuaj. Ai do të mbetet një Shqiptar i madh që i ka kënduar e shërbyer me zjarr Nënës Shqipëri.

Ja disa vargje për të:

‘…Shqipëri jam bir i gjirit tënd,

Kam hedhur rrënjë në malet e tua të larta,

E qumështin tënd në gurrat e tyre pi”,

sepse poetit, Shqipëria siç thoshte Naimi…i dha nder, i dha emrin Shqipëtar… Penë-arti e vargjezjarrti Dritëro, për Devollin e krejt vendin do mbetet i ri e flamurtar frymëzues. Dritëro Agolli, “jeton” dhe ecën brezave me hapin e kohës, kurdoherë i përflakur, i “pa plakur” që në trëndafilishtën e tij–Veprën letrare,- do të mbetet rini- siç thonë vargjet Lapidar të Tij : “S’mbaron rinia ime, ajo rrjedh,

dhe rruga larg si bir i saj më thërret,

më thërret në gërxh, më thërret në bar e në gjeth,

më thërret në fushë në fshat apo qytet…”

…Dhe sa herë ta lexojmë AGOLLIN, njëzëri do të themi : -Mirë se vjen Poet!…

 

Nga: Niko Ligori

***

“Dalëngadalë” quhet poezia e fundit e Agollit që Elona e ndau me të tjerët.

Dalëngadalë

Mbaruan të gjitha gjërat që kishte shtëpia:

Në oborr u tha në fillim një dardhë,

U shter dhe pusi i madh tek avllia,

Ku kishte koliben qeni i bardhë.

Dhe vdiqën njëri pas tjetrit;

Im atë, vëllezërit e tij, së fundi dhe nëna;

Tani kam mbetur veç unë këtu nga të vjetrit

Tek bulevardi zvarris këpucët e ngrëna.

Kështu, më i vjetri nga fisi jam unë

Gëzohem që rroj me miqtë e mi të hershëm të rrallë,

Por ka edhe të tjerë, madje edhe shumë,

Që thonë: “Ende ky gjallë!”

Këta që vdekjen ma ndjellin janë poetët,

Poetët me njëri-tjetrin nuk duhen kurrë!

Kur gripi më zë i ngrenë veshët

Dhe bëjnë sikur u vjen keq: “Vërtet i sëmurë?!”