Nga Vepror Hasani – Todo Vaso: Ju rrëfej fëmijërinë time të futbollit, imazhet e telave me gjemba

198
Sigal

Ndahet nga jeta Teodor Vaso, Mjeshtri i Merituar i Sportit

Telegraf.al / “Ah, telat me gjemba, nuk kam për t’i harruar kurrë”, tregon Mjeshtri i Merituar i Sportit, Theodhor Vaso, i dekoruar me Medaljen e Artë për merita të shquara në sport; futbollist nga vitet 1957-1973 dhe trajner nga viti 1973 e deri më sot.. “Nuk e di pse më kanë mbetur kaq gjatë në kujtesë. Ndoshta ata tela me gjemba janë fëmijëria ime. Gjembat e telave më shfaqeshin çdo të diel. Ishte kjo ditë kur unë nisesha me vrap drejt këndit sportiv të qytetit të Korçës, ku zhvilloheshin ndeshjet mes Skënderbeut dhe skuadrave të tjera të vendit. Në atë kohë fushën e futbollit e thërrisnin “terreni”. Kështu e kishin quajtur për herë të parë që nga viti 1925. Ajo pjesë fushe ishte e rrethuar me tela me gjemba. Vrapin e ndaloja vetëm kur mbërrija para telave. Ne fëmijëve nuk na lejonte askush të hynim brenda, por mbeteshim me shpresë se dikush do të na ndihmonte. Përveç telave, rojet e fushës i vinin rreth e qark atij territori dhe hyrja në “terren” ishte e vështirë. Ishte njëlloj si të kaloje kufirin. Çdo të diel gjendesha aty dy orë para fillimit të ndeshjes, por gjithçka ishte dëshpëruese. Në atë kohë isha vetëm 9 vjeç. Ishte viti 1950. Rrija dhe prisja aty. Jo shumë para fillimit të ndeshjes shfaqeshin të rriturit. Ata hynin drejt e brenda, nuk i ndalonte askush. I shikoja me zili. Doja që atë çast edhe unë të isha i rritur. Ndonjë prej tyre merrte ndonjë fëmijë për dore dhe e fuste brenda. Pikërisht në këtë kohë lutesha edhe unë: “Xhaxhi më merr edhe mua me vete, xhaxhi më merr edhe mua…”, por ata merrnin vetëm ndonjë fëmijë që e njihnin. Unë mbetesha përsëri aty. Tortura e qëndrimit prapa telave në shumë rase do të më ndiqte deri në moshën 16 vjeç.

Babai im

“Babai im nuk vinte në sport, sepse i duhej të punonte për të mbajtur familjen. Pas çlirimit ekonomia jonë kishte filluar të rrënohej. Jetonim kohën e varfërisë, ushqeheshim me bukë misri. Veshjet tona ishin rroba të arnuara e këpucë të vjetra. Unë vishja dhe opinga, sepse rronin vite më shumë. Skamjen e shtynim me sot e me nesër. Babai paguante rregullisht tatimet e dyqanit, ku shiste çikërrima, ndërsa për vete nuk na mbetej asgjë. Jetonim duke bërë ekonomi në varfëri. Racionet e bukës i ndanim me kët. Koha kalonte duke shtyrë ditët një nga një, në pritje ankthi ç’na sillte e nesërmja. A mund të imagjinohet në ç’varfëri jetonim! Në shtëpinë tonë bëhej nami, kur unë ose vëllai kishim humbur ndonjë kopsë. Më pas im atë e braktisi edhe dyqanin, sepse nuk lanim dot tatimet. Nisi punë si bojaxhi në një ndërmarrje shtetërore. Pas kësaj sikur nisëm të ndiheshim më mirë. Përpiqeshim të kullandriseshim që të mos dukeshin të varfër. Me gjithë varfërinë që na ndrydhte ruanim si sytë e ballit një palë petka për sebepe. Në atë kohë kur shikoja babanë midis burrash qenia më lumturohej. Ashtu si vishej dhe si mbahej, tregoheshin me gisht burrat në atë kohë. Për festat fetare, familjare e kombëtare ose në rast vdekjeje, kishte vetëm një kostum: atë që veshi kur vuri kurorën e martesës në kishë. Coha e kostumit kishte ngjyrë pak më të lehtë se kapela republikë, me ngjyrë blu të errët, kur drita nuk ishte e plotë ajo dukej si e zezë. Mbante një kravatë me fushë, ku dallonin shirita të hollë, kuq e zi. Babai në atë kohë hynte në sërën e burrave që mbanin kravatë dhe republikë. Kjo mënyrë veshjeje i kishte mbetur nga koha e paraçlirimit. Që të gjitha këto i sillja ndërmend në ato çaste duke qëndruar prapa telave. Lojën mund ta vështroja vetëm që andej. Në fillim zija vend afër dhomave të zhveshjes. Ato ndodheshin në cepin juglindor të fushës së vjetër, (terrenit), prej aty lojtarët dilnin për nxehje dhe për lojë”.

Para ndeshjes 

“Qëndroja prapa telave dhe vështroja që aty se si shumë njerëz hynin e dilnin. Vështroja me zili se si punëtorët e fushës, punonjësit e klubit “Skënderbeu”, gjyqtarët, zyrtarët, policët, kryetari i bashkisë, shefi i policisë dhe shumë të tjerë lëviznin kaq lirshëm në brendësi të “terrenit”. Vetëm unë nuk isha atje. Por nuk ishte vetëm kjo. Kishte dhe ditë kur ndihesha shumë më keq. Kjo gjë ndodhte në ndeshjen e parë të sezonit. Në të tilla raste shihja se si një grup djemsh dhe vajzash me lule në duar hynin në “terren” për t’u dhënë lule gjyqtarëve dhe lojtarëve. Në këto raste mendoja: “Si nuk e kam edhe unë këtë fat”. Fëmijët që sillnin lule ishin të përzgjedhur. Kjo gjë më linte të çuditur. Unë isha një nga nxënësit më të mirë në mësime dhe kisha filluar të shfaqja talentin tim në lojën e futbollit dhe në atletikë. Përse emri im nuk u bënte ndonjë përshtypje! Kisha një dëshirë të papërmbajtshme që edhe unë t’u çoja lule lojtarëve, t’i prekja me duar dhe pastaj kur të dilja nga “terreni” t’u tregoja shokëve se çfarë më kishin thënë ata, dhe çfarë u kisha thënë unë. Ëndërroja. Nuk ishte gjë e vogël të ishe brenda “terrenit”, veçanërisht kur një pjesë e lojtarëve dilte për nxehje dhe prisnin që t’u vinin edhe shokët e tjerë. Ky ishte një moment i veçantë: dëgjoheshin thirrje, përshëndetje, bëhej zhurmë, shtoheshin lëvizjet, futbollistët takoheshin me rivalët e tyre, me shoqëruesit, me vendasit, gjyqtarët, etj. Ishte një gjë shumë e bukur. Pas nxehjes lojtarët i jepnin dorën e fundit rregullimit të uniformës së ndeshjes dhe të rreshtuar në dy kolona, me 3 gjyqtarët e lojës, bënin poshtë fushës së lojës, sepse “terreni” ishte 5-6 metra nën nivelin e sheshit përpara godinës së zhveshjes. Vetëm fishkëllima e parë e bilbilit të “referit”, siç e quanim ne korçarët gjyqtarin në atë kohë, shuante atë zallamahi tunduese. Pas kësaj nisnin emocionet. Lum ai që kishte kapërcyer telat me gjemba”.

Ndeshja

“Vazhdoja të qëndroja prapa telave. Të ishe i pranishëm në momentin e fillimit të ndeshjes ishte edhe më bukur. Sa herë kishte raste për gola, ose kur ekipi ynë shënonte, atëherë nga turma që rrethonte fushën në formë elipsi shpërthente një oshtimë që të krijonte ndjesinë e një uragani. Oshtima dëgjohej në çdo cep të qytetit, sepse jehona e saj e dallgëzuar shtrihej fushës, përplasej tutje faqeve të kodrave pranë qytetit dhe vetëm pasi kalonte një farë kohe gjithçka binte në heshtje. Vetëm po të ishe në brendësi të “terrenit” mund t’i shihje nga afër “gjigantët”, kështu i quaja unë ata njerëz që luanin futboll. Për mua, pasimet, trillimet, krosimet dhe veçanërisht gjuajtjet që herë-herë përfundonin në portë më dukeshin një mrekulli e vërtetë. Gjëra të tilla mund t’i bënin vetëm jashtëtokësorët. Shpesh herë e përfytyroja veten duke luajtur me ta. Më dukej sikur kisha marrë topin dhe po sulmoja drejt portës… “Mendimet e mia ndërpriteshin me fishkëllimën e “referit”. Pikërisht ky ishte momenti, kur që të gjithë fëmijët nisnin të lëviznin, ndihej një farë shqetësimi mes tyre. Ishte koha kur ndeshja sapo kishte filluar. Fëmijët vështronin ku ndodheshin rojet dhe përpiqeshin të gjenin një vend nga ku mund të hynin. Ata që ishin më guximtarët, pasi kalonin telat me gjemba duke u zvarritur poshtë tyre, sapo dilnin që andej, vraponin së paku 10-15 metra për të hyrë mes njerëzve që rrethonin fushën. Kishte roje që nxitonin të kapnin “shkelësin e kufirit”, por turma i fuste fëmijët brenda vetes dhe i zinte çdo shteg rojës për të kontrolluar. Vetëm unë nguroja ta merrja këtë lloj guximi. Nuk kisha frikë nga ndonjë shpullë as nga ndonjë shkelm, por hyrjen pa leje në “terren” e konsideroja gabim. Rregullat i mendoja si tabu. Përpiqesha të mos i shqetësoja prindërit dhe të bëhesha nxënës i mirë. Më kujtohet si sot, librat i mbanin në çantë prej rrobe, i quanim “pece”, ndërsa shkruanim me perikolle, lapsa grafiti, në pllaka grafiti me kornizë dërrase në madhësinë e një fletoreje shkolle. Isha një nga nxënësit më të mirë të shkollës “7 Nëntori” në Korçë”.

Lojtarët 

“Qëndrimi prapa telave po më bëhej edhe më i vështirë, veçanërisht kur fillova të mësoja emrat e lojtarëve. Ai që mbante numrin 2 ishte Veriga, në portë ishte Kita. Pastaj do të njihja edhe lojtarët e tjerë: Xhuvi Mborjen, R.Shollën, P. Milen, N. Andrean, G. Stratin, V. Prodanin. dhe më pas R. Shëllirën, K. Koçen, Z. Çelën, E. Dvoranin, G. Laron, N. Kolën, M. Prodanin etj. Të rriturit thoshin vetëm fjalë të mira. Flisnin me pasion dhe i zbukuronin “bëmat” e tyre, krosimet, fintet dhe veçanërisht golat. Edhe në sofatet e portave flitej veç për ta. Rrija i dëgjoja kur flisnin për futbollistët dhe gati hutohesha me ato që tregonin. Ata e dinin që shumë gjëra i zmadhonin, por i besonin edhe vetë ato që thoshin. Për të parë ndeshjen vinin edhe banorë të fshatarëve të fushës, por më të përkushtueshmit vinin nga Arrëza, Dardha, Selca, Strelca, Sheqerasi, Lozhani, Podgorija etj, të cilët detyroheshin të bënin 5-6 orë rrugë në këmbë. Kjo gjë e kthente futbollin në një legjendë të madhe për mua. Ndërsa humbja e “Skënderbeut” vlerësohej si një gjëmë. Lexohej në sytë e të gjithëve. Pas ndeshjes tifozët dilnin në rrugë krejt të heshtur, disave u ikte goja, ecnin kokulur drejt shtëpive të tyre. Kishte dhe nga ata që shanin: “Po e kam thënë unë, nuk është futbollist ai, bën mirë të lërë topin dhe të shkojë të shesë peshk”. Në rastet që nuk arrija të hyja dot brenda terrenit, gjeja mundësinë të merresha dhe me kujtime të tilla.”

Futbolli 

”Edhe kur nuk arrija të hyja brenda fushës, vazhdoja të qëndroja aty deri në përfundim të ndeshjes. Në të vërtetë futbolli më pëlqente shumë. Në atë kohë nuk e dija që do të bëhesha futbollist që do të luaja në ekipet e kryeqytetit dhe me kombëtaren. Kur isha i vogël luaja në fushat e lagjes. Më e vogla ishte sa një fushë volejbolli, më e madhja afër sanatoriumit, ishte sa një fushë hendbolli. Para nesh kishte luajtur një brez më i madh, Ndreçi Marjani, Angji Pilika, K. Kace, Zhani Pilika, Pandi Osmanlli, Jani Monosapi, Guri Trebicka. Edhe ne luanim kur sheshet ishin të lira. Më pas kur të vjetrit u larguan, ishim zotër të fushave të futbollit. Bënim “maçe” kështu i quanim ndeshjet mëhallë me mëhallë për zonat në kufi. Luanim me top lecke, sepse top llastiku dhe topa lëkure i shikonim me dylbi. Topat i sajonim me shirita plaçke të vjetër në gjerësinë e një gishti. Plaçkën e merrnim fshehurazi nga e zonja e shtëpisë. Shiritat i mbështillnin rreth një plaçke që krijonte bërthamën. Për ta bërë kompakt e për të forcuar e shtrëngonim fort. Bënim një lidhje speciale për ta bërë sferike. Me këtë zanat merreshin shumë nga djemtë. Erdhi një çast që u detyrova të futem edhe unë në valle. Tashmë isha një nga fëmijët që spikatja në lojën e futbollit dhe të atletikës, por gjithnjë kisha menduar se talentin tim askush nuk e vinte re. Ndoshta nuk u interesonte”.


Fillimet

”Kur ende nuk i kisha mbushur 16 vjeç nisa punë si kamerier te bar- bufe “Republika”.
Lokali nuk kishte shumë punë. Gjatë gjithë ditës gati rrinte bosh. Një pasdite qershori në lokal erdhën dy burra. U drejtuan drejt meje dhe më thanë: Kemi ardhur për ty, nëse pranon, kërkojmë të përfaqësosh ndërmarrjen tonë në kampionatin tonë të atletikës. Thellë nga shpirti u shkëput një shkëndijë që elektrizoi gjithë qenien, më ngacmoi sedrën. Ishte sfida e parë në jetë: një banke- provë e aftësive të mia sportive. Udhëhoqa garën 800 m me të rritur në moshën 16- vjeçare. 5 metrat e fundit më kapi e me kaloi atleti Pandi Nika. Kalova finishin, duke u rrëzuar në tokë, por u çova shpejt. U çudita. Tek unë u turrën trajnerë, atletë dhe sportdashës. I fundi erdhi Pandi, më kapi për dore e më tha: “Më more titullin kampion”, – pastaj qeshi e vazhdoi, – do të shihemi në kampionatin kombëtar. Për të gjithë kishte qenë befasuese se si një adoleshent mund të udhëhiqte garën deri në fund. Pas kësaj, në vitin 1957 mora pjesë në kampionatin kombëtar të atletikës për të rinj. Megjithatë, mendja më kishte mbetur te futbolli. Gjithnjë i kujtoja ndeshjet prapa telave me gjemba. Po atë vit u nisa për studime në Tiranë në politeknikumin “7 Nëntori”. Kishte qenë Tirana ajo që do të më jepte emrin që kam dhe sot. Megjithatë, tashmë sa herë u kthehem kujtimeve të fëmijërisë, nuk e di pse më dalin para syve telat me gjemba. Ndoshta ato kanë mbetur si pjesë e jetës time”

Për here të pare në botën e magjisë

Pedagogun dhe trajnerin Osman Caslli e njoha kur fillova shkollën në rezervat e punës së Tiranës. Karriera futbollistike e tij pati qënë e mbrojtësit të majtë me Punën e Tiranës. Mësuesi im i edukimit fizik, Çaslli do ta ndryshonte rrjedhën e jetës time. Ai do t’i jepte rrugë aktivizimit tim në ndeshjet e futbollit. I jam shumë mirënjohës. Gjatë orëve të mësimit të fiskulturës ai mësoi se nxënësi i tij korçar Theodhor Vaso është një sportit i aftësuar në shumë lloje sporti. Mbasi mora pjesë në krosin masiv të shkollave të mesme, gjithë shkolla ime u njoh me suksesin tim të parë. Gjyqtarja e parë e krosit më dha çmim të parë dhe një komplet të thjeshtë sportiv. Në kampionatin e shkollave të mesme të Tirtanës në volejboll, basketboll dhe futboll isha kapiten skuadre i përfaqësueses së shkollës. Luaja dhe ping-pong dhe shah. Përpara se të bëhesha konviktor, në verën e vitit ’57, përfaqësova në garat 400-800 m të atletikës ekipin korçar në kampionatin kombëtar të vendit tonë. Isha 16 vjeç. Garoja me 17- 18- vjeçarë. U klasifikova i dyti në 400 metra, dhe i treti në 800 metra. Administroja gjithë bazën materiale sportive dhe organizoja ndeshje basketbolli, volejbolli dhe futbolli me klasat. Shkolla kishte një fushë shumë të mirë për atë kohë. Skudra e futbollit të shkollës në vjeshtën e vitit 1957 luante futboll me disa grupe djemsh më të rritur se ne nga lagjet afër shkollës. Kolektivi pedagogjik dhe i nxënësve na përgëzoi për titullin kampion në futboll në kampionatin ndërmjet shkollave të mesme të Tiranës. Praktika në prodhim, sipas programit të shkollës, bëhej në disa ndërmarrje industriale të Tiranës. Si praktikant në ofiçinën e parkut automobilistik, trajneri im më prezantoi me drejtuesit e parkut. Magazinieri më pajisi me inventarin sportive.

Stërvitje me ekipin e të rriturve

Fillova për herë të parë stërvitjen me një ekip të rritur. Luaja qendërmbrojtës me shkollën dhe me parkun automobilistik. Fituam titullin kampion me ndërmarrjet e Tiranës. Stëviteshim në fushën e aviacionit prapa I.K.F  “Vojo Kushi”, sot Akademia. Afër nesh stërvitej Dinamo e Tiranës. Dinamo, kampione e vendit, çuditërisht stërvitej në një fushë pa anë e fund. Nga ana lindore e fushës së aviacionit piketohej me mjete portative, terreni ku stërvitej Dinamo. Atje gjej Dinamon në vitet 1950-1957.  Më pas ajo u vdendos në stadiumin “Dinamo”, sot stadiumi “Selman Stërmasi”. Pas stërvitjeve, mekanikë, shoferë, punëtorë, nëpunës, inxhinierë, burra e të rinj më ftonin të pinim ndonjë gotë çaj, arançatë, ndonjëherë edhe ndonjë birrë. Tiransit më ftonin në shtëpitë e tyre, më afronin bukë e ç’të mundnin. Duke veçuar familjen Çaslli, respektin tim e ruaj për vëllezërit Rruço. Me më të voglim, Armandon, luajta me të rinjtë e Tiranës. Sa ngrohtë ndihesha! Sa fisnikëri më ofronin ata njerëz. Nga shkolla, Vedat Bozgo, Gëzim Sali Musaj, Hysni Skënderi më qëndronin afër. Stëvitjet në park më çuan në ballafaqim me Dinamon e madhe. Në atë kohë qëndërmbrojtësi luante njëpërnjë me qendërsulmuesin. Ashtu duhet. Të gjitha aksionet në futboll finalizohen në qendër të mbrojtjes.  Shumë kush pyeste: “Cili është ai djali i vogël bjond që keni në qendër të mbrojtjes, i fortë dhe këmbëngulës. Ai na bën një qëndresë të çuditshme”. Kështu dinamovitet hynë në diskutime me përgjegjësit e skuadrës së parkut. Në dhjetor të vitit 1957, disa muaj pasi kisha mbushur 16 vjeç u gjenda i rreshtuar për stërvitje përpara usta Zihni Gjinalit. Veshur me kostumin sportiv, simpatik, flokëzi. Flokët e tij të krehur shtruar dhe paksa të shndërritshëm feksnin nga shkëlqimi i brilantinës. Trupatletik, shpatullgjerë, me shikim depërtues, krenar, autoritar dhe imponues me logjikën e tij. Para tij nuk lëvizte miza. Qëndroja në fund të krahut të djathtë përpara trajnerit.

Legjendat e “Dinamos”

Përballë Gjinalit radhiteshin legjendat e Dinamos: S. Jareci, S. Begeja, Q. Alluni, S.Lubonja, Talushi, Xh. Shaqiri, B.Velo, Dashi, Bonati, Sh.Reli, M.Bushati etj. Me ushtrimet dyshe ose treshe praktikohesha me Th. Gjikuria vlonjat, S.Karaosmanin, elbasanas, A.Xhurda, tiranas e lojtarë të tjerë që formonin 11 lojtarët e grupit të dytë të Dinamos. Shikoja, ndjeja, por edhe kuptohej lehtë se rrjedha e jetës sportive më kishte çuar pranë një plejade famoze të futbollit shqiptar. Esat Beliu, Leonidha Dashi, Gole Sheshi, Dhimitër Gjyli, Alfred, Bonati etj, të kontigjentit bardh e blu përbënin gjithë ekipin dinamiot. Nga ai kontigjent delte një pjesë e ajkës së futbollit kombëtar. Ata ishin ustallarë të topit. Kështu kishte dëshirë t’i quante maestro Gjinali, “Usta”, me ketë emër dëshironte dhe ai ta quanin edhe tjerët, veçanërisht lojtarët që stërviste. Dinamo dhe Partiza ishin ekipe ku bëhej banko-prova për cilësi. Aty vinin dhe iknin futbollistë nga klubet e rretheve. E vërteta është se aty provoheshin pak. Dihej shumë mirë që hyrja në 11-shen e lojës së Dinamos kushtëzohej nga fakti që vlerat duhej të ishin shumë të veçanta. Duhej të spostoje mjeshtra të kalibruar. Një kontigjet me vlera të tilla më mbante mes tyre, më stërviste, më afronte. Duke qënë adoleshent, synimi ishte perspektiva. Si unë, në moshën time në Tiranë kishte me qindra të rinj. Vlera dhe dukuria paraqiteshin qartë. Luaja qendërmbrojtës me skudrën e dytë. Tek ndeshesha me S. Jarecin, S. Lubonjën, Th, Duron, Tallushin dhe mesfushorët, që herë –herë dilinin në qendër ku luaja unë, përjetoja suksesin në ballafaqim. Reflekset e reagimit, shpejtësia, shkathtësia, qendrueshmëria efikase dhe konkuruese me elitën e Tiranës, i jepnin vlera preferuese. Dinamo më dha stërvitjet e para cilësore, komplekse të futbollit, veçanërisht atë të bagazhit teknik.

 

 

Ngazëllimi i kampionit të parë

Të rinjtë e futbollit shqiptar në vitin 1959 do të luanin në dy grupe: A dhe B. Ekipi veteran i të rinjve të Tiranës me trajner Xhavit Demnerin ishte ekipi që kishte dalë 5 vjet kampion kombëtar. Një vit më parë, në vitin1 958, titullin e kishte fituar Skëndërbeu i Korçës. Për të siguruar vendin e pare, klubi 17 Nëntori mendoi që në grupin më të dobët, që konsiderohej grupi B, të luante ekipi i Xh. Demnerit. Ekipi nga kishin dalë futbollistët e famshëm P.Pano, S.Merja, F. Frshëri dhe të tjerë, u titulluan 17 Nëntori A. Duhej të kaloja në stërvitje me ekipin e sapoformuar të të rinjve të 17 Nëntorit A. Bërthama e ekipit përbëhej nga lojtarët e shkollës të rezervave të punës. Trajner ishte mësuesi im. Një vit e gjysëm stërvitje me Dinamon u ndërprenë. Stërvitjet me ekipin e ri kishin një përspektivë të re dhe joshëse. Do të luaja në ndeshje kampionati. Me Dinamon vetëm stërvitesha. Dinamo në atë kohë nuk kishte ekip të të rinjve. Më 30 gusht të vitit 1959, në Tiranë u organizua mbyllja e kampionatit për të rinj. Në emër të Komitetit Drejtues, Luan Omari, përgëzoi 4 finalistët: 17 Nëntorin A dhe B, Partizanin dhe Skënderbeun e Korçës. Të dy me trajnerin Çaslli shkuan te tryeza e trofeve dhe morën në duar diplomën ku shkruhej: “17-Nëntori A, u shpall kampion kombëtar për të rinj në vitin 1959”.

 

Ëndrra për t’u matur në garë sportive

Ëndrra për t’u matur në garë sportive me moshatarë mori jetë gjatë viteve 1957-58 në garat 400 dhe 800 metra. U klasifikova i dyti bashkë me vrapuesin shkodran, kur kampionati i vitit 1958 u bë në Shkodër. E dorëzuam shkopin e stafetës së madhe 800-400-200-100 njëherësh. Aftësitë i mata kur isha 16-17 vjeç. Kur do të mbushja 18 vjeç, në verën e vitit 1959, do të përgatitesha të fitoja titullin kampion në dy garat 400-800 metra për të thyer dhe rekordet kombëtare. Ëndrra u këput. Kampion u shpalla në futboll. U gjenda i mrekulluar në majë të futbollit të të rinjve shqiptarë me shokët e ekipit të Tiranës. Djemtë tiranas më vunë në krye të skuadrës, të bindur se së bashku do të ecnim drejt suksesit. Gazeta “Sporti popullor” e datës 2.09.1959 shkruan: “17 Nëntori A- 17 Nëntori B 1-0. Në 25 minuta 17 Nëntori A, kaloi në avantazh me anë të Gëzim Salimusaj, i cili i dha fitoren e kampionatit. Sulmuesit e 17 Nëntotrit B, luajnë me topa të gjatë dhe në thellësi, por ndeshen në një mbrojtje të fortë të udhëhequr nga Vaso. Ishte një gjuajtje e bukur, e fortë, e befasishme nga distanca rreth 25 metra, gjuajte që bëhet vetëm nga mjeshtra. G. Salimusaj, me një të majtë të shkëlqyer e dërgoi topin në rjetën e ekipit legjendar të të rinjve të Tiranës. Duhet thënë se të gjithë të pranishmit u befasuan. Nuk pritej përmbysja e madhështisë së 17 Nëntorit B, i cili pati dalë për 5 vjet rresht kampion kombëtar. 15 lojtarë që nisën rrugën e kampionateve për herë të parë nga një fushë futbolli- shkollë u bënë kampionë brënda një viti. Ata ishin: T. Josja, portier. E.Meta, Th, Vaso, S. Dynjaja , T. Hasimi. Sh Ibro, D. Dollaku, H. Skënderi, G. Salimusaj, S. Zemja, dhe rezervat D. Shtiza, B.Gina, S. Kacangjeli, R.Bathorja.

Shtypi shkroi pak për ndeshjen finale 

E papritura ishte arsyeja që shtypi shkruajti pak për ndeshjen finale 17 Nëntori A – 17 Nëntori B. Nuk  u shkrua as për çastet tejet dranatike, kur 17 Nëntori B kërkonte të barazonte dhe vetëm në minutën e fundit ndodhi çudia. Sulmuesi i majtë i ekipit B, E Çaslli, vëllai i trajnerit tonë, e kërkon topin për t’u futur në portë. Florudha përshkoi një rrugë 16-17 m. Erdhi nga krahu i djathtë dhe kaloi mbi duart e portierit T. Josja që kishte dalë pak përpara portës, tek 5 m. Në një pamje të tillë, me një vendim shumë të shpejtë, sapo kishte marrë udhë florudha, parashikova se shpresa e vetme e pozicionit të krijuar ishte dublimi i portierit. Topin e arrita pa kaluar vijën e portës. Ishte në gjysëm lartësi. E godita me të brendshmen. Topi ishte në vijën anësore “aut”. Nga shpejtësia maksimale unë rashë në rjetë. Ky ishte çasti kulminant, i cili paraqiti dukurinë e një topi që barazonte lojën. Topat prej lekce, lojtarët në sheshet e vegjël, stërvitjet, mësimet, përvoja e fituar nga jeta e futbollit në parkun automobilistik me të rinjtë dhe veçanërisht cilësitë e fituara me Dinamon e madh, u bashkuan aty tek diploma e titullit kampion. Kapiteni i formacionit të 17 Nëntorit A, Theodhor Vaso, Eqerem Çaslli, i 17 Nëntorit Bejkush Gjoni i Partizanit dhe Dhimitër Pema i Skënderbeut, u cilësuan katër më të dalluarit e finaleve që u zhvilluan në Tiranë në fund të gushtit 1959. Fotot e 4 të dalluarve janë në gazetën “S. popullor”, dt. 2.9.1959. Nuk munda t’i takoj djemtë e lagjes, aty banonin sipër shkollës sonë

Në fushën e futbollit të shkollës

Zbrisnin nga kodrat në fushën e futbollit të shkollës. Jetonin në shtëpi të ndërtuara nga italianët pas vitit 1939, në një kodër në perëndim të qytetit të Tiranës. Çdo mbremje, ne shihnim dritat e shtëpive të tyre që llamburisnin në një reliev të errët. Ato dukeshin si thëngjinj të vegjël vezullues, të flakur në mënyrë të çrregullt nga një dorë rastësore mbi kodrën aty sipër. Takoheshim me ata mbasditeve pas stadiumit çdo të dielë dhe ditëve të pushimit. Nuk mund të thuash që ata ishin vetëm një partner për të luajtur futboll. Sjellja dhe angazhimi i tyre na edukonte e na frymëzonte. Ata parandalonin çdo incident dhe krijonin situata të një loje korrekte e gare. Luanin bukur, të shkujdesur, ishin miqësorë e kërkues. Më të mëdhenj se ne, tek ata dallohej lojë më e fortë. Ne luanim më të organizuar dhe kishim disa individë të talentuar. Veçanërisht ditëve të pushimit nga qyteza e tyre zbrisnin banorët, fëmijë, burra dhe gra. Aty ishin dhe konviktorët tanë. Në gjendjen e krijuar të dukej sikur ishte një ndeshje kampionati. Djemtë e lagjes frekuentonin vazhdimisht fushat dhe stadiumet e futbollit. Luajta shumë vjet në Tiranë dhe në shumë qytete të Shqipërisë. Kujtoja se rasti do të më bashkonte me ndonjë prej tyre. Jo, nuk ndodhi kurrë. Kësisoj malli për ata më mbeti i gjallë bashke me çastin e fundit, ditën kur dolëm kampion. Disa prej tyre ishin aty, tek fusha e Punës. Kur gjyqtari fryu vërshëllimën e fundit u bë qetësi. Më pas erdhën thirrjet: “Vaso…Vaso… Vaso… U lumtë! Bravo!” Ata që bërtisnin më shumë ishin djemtë.  Ishin të urtë e të qetë siç ishin në të vërtetë. Më pas, me sytë ku u shndërisnin nga gëzimi u larguan bashkë me kënaqësinë që ndjenin për atë fitore, sepse aty gjendej dhe ndihmesa e tyre.

5 vjet më vonë

5 vjet më vonë dëgjova nga shkallët e stadiumit shpërthimin: “Bravo Vaso!”. Thirrja erdhi pas një ankthi me heshtje, drithërimë, në prag të një gabimi. Çdo zë u mbyt në gjoksin e mijëra tifozave shkodranë. S’ka mundësi të përshkruhen me qindra situata dramtike që krijojnë aksionet futbollistike përpara portës, por kjo që do të tregoj ndodh jashtëzakonisht rrallë, sepse aty brenda lashë dhe një enigmë. Një duel me ekipin famoz të Vllaznisë kur po i afrohej përfundimit, njëri nga mbrojtësit e ekipit tonë Partizani, nga mesfusha ia kthen topin prapa portierit. Mikel Janku që gjendej 5-6 metra përpara zonës së 16 metrshit. Selaman Dani, i ulur me gju të mbështetur në tokë, për të lidhur këpucën e futbollit, qetësisht pranon topin e dhurur. Janku ishte afër pikës së 11 metërshit. Nga krahu i majtë ku luaja, hapësira për të ndaluar S. Danin ishte absurditet. Para se topi të kthehej mbrapa, klitha: “Mos!”. Me një llogaritje intuitive, sprintova mbrapa shpinës së M. Jankut. Më ndihmoi veprimi i sulmuesit shkodran. Ai nuk e sulmoi portierin, por e ngriti topin në formën e “palexhos” dhe e harkoi me shumë mjeshtëri mbi duart e portierit tonë. Pas një kërcimi gjysëmrrafishatë e godita topin me trinën e jashtme. Topi nuk kaloi “kufirin gol”, hyri trupi im duke u pllatitur për tokë. Një sekondë më përpara, kur isha duke goditur topin përballë pashë shtyllën pingule e sipër saj atë horizontale

Nga Shkodra për në Tiranë

Nisja nga Shkodra për në Tiranë bëhej menjëherë mbas ndeshjes. I fundit në autobus hyri përgjegjësi i ekipit, Besim Tafa. Ai tha:

– Sot, një pikë e keni nga Vaso

Pas këtyre fjalëve, i them shoferit: (nisa t’i tregoj ku ishte enigma). Ai top i kthyer në mënyrë aq të çuditshmë mbrapa nga një mbrojtës ynë i Partizanit.

– S’është çudi e madhe, kompromise.

Çudia ishte tjetërkund. Luanim në stadiumin “Q. Stafa”, u ngrita lart, godita me kokë një top. Në sekondë, mbrojtësi i djathtë i Kavajës, godet kokën time me kokë. Goditja ishte shumë e fortë. Lojtari i Kavajës erdhi në një kërcim tre-hapësh. Rashë përtokë. Humba vetëdijen 4-5 sekonda

– Budalla je ti, – më tha miku im, Foto Andoni, djalë i sinqertë, i dashur, i çiltër, më shikonte shpenguar, të kujtonte nëse ishte vërtetë fakti që dija apo s’dija gjë unë

– Pse o Hamlet? i them unë. Foto interpretonte me forcë e afsh vargje nga Hamleti

Ndeshja pa nisur ishte kopsitur 3-0. Ne asisoj e kishim të fituar një ndeshje pa shumë zor.

– Faleminderit artist, të kam mik të vyer. I shtrëngova dorën dhe e çukita në ballë me kokë

Pati dhe ndonjë apo dy-tre raste të tjera, por unë isha në grupin e laojtarëve që nuk duhej të dinin kompromiset. Vera e vitit 1959 ishte larguar bashkë me jetën e konviktorit. Në xhep kisha diplomën e shkollës. Ku lexohej vetëm një katër në rusisht. Notat e tjera ishin 5-a (nota më e mirë e asaj kohe), kisha dhe diplomën e titullit kampion kombëtar për të rinjtë në futboll. Vera e atij viti priti në Tiranë Hrushovin. U bënë dy mitingje: një në sheshin Skënderbej dhe tjetri në kombinatin e tekstileve “Stalin”. Konvikti mund të më lejonte të qëndroja deri sa të fillonte dita e parë e sezonit të ri. Duhej të merrja një vendim urgjent. Zgjidhja erdhi shpejt dhe krejt papritur. Më kërkoi M.Alla, trajneri i të rriturve të punë së Tiranës, që një vit më parë mori emrin “17 Nëntori”.

 

Kush ishte Myslim Alla?

Trajneri që u shpall kampion me Partizanin më 1954. Ai do të ngrinte lart shtatoren e Tiranës kampion, do t’i kthentë titullin e fundit kampion të vitit 1934, pas afro 20 viteve. M Alla i dha dorën e fundit brumit të Xhavit Demnerit, mjeshtrit të artë në formimin e futbollistëve të rinj. Alla kishte hedhur sytë poshtë në ekipet e të rinjve, piketoi dy lojtarë: Eqerem Çasllin dhe nga të rinjtë e ekipit B të Tiranës dhe T. Vaso nga Tirana A. Koha dhe mosha më kishin ngritur pak nga pak lart. Por pragun e magjisë së ëndërruar nuk e kisha kapërcyer asnjeherë. Nuk kisha luajtur asnjë minutë me ekipet e të rriturve. Ishte viti 1959. Në stadiumin “Q. Stafa” luhej ndeshja Dinamo- 17 Nëntori për spartakiadën e parë kombëtare. Stadiumi ishte mbushur plot. Atë që kIsha ëndërruar nuk erdhi natyrshëm, por krejt papritur: “Zhvishu”, më tha M. Alla. U shtanga i hutur. S’u besoja veshëve. Përpëlitja qerpikët dhe tundja kokën lehtë për porositë që po më jepte ai. Nuk isha provuar as në stërvitje, as në ndonjë ndeshje tjetër. Do të luaja për herë të parë përpra publikut në një ndeshje me të rritur. Fjalët e trajnerit më mobilizuan. Kuptova se ai kishte besim te loja ime. “Si ke luajtur mbrojtës me të rinjtë, luaj edhe sot. Je në krahun e majtë, por ndihmo edhe qëndrën”. Nga loja doli qendërsulmuesi Bedri Stërmasi. Në qendër u vendos S. Halili, vendin e tij e mora unë. Në gazetën e “S. Poullor”, dt 23.09.1998 jepet formacioni: Metani, Frashëri, Stërmasi, (Vaso) Halili, Baçi, Bylyku, Rada, Reçi, Shehu, E. Çaslli, Pano. Në të 2’, pas pushimit, 17 Nëntori barazoi me anë të dy lojtarëve të rinj (juruntive), Vaso  e kalon topin në drejtim të portës rivale, një habitje e Bekut dhe E. Çaslli e përcolli topin në rjetë

 

XI

Ndeshja përfundoi 1-1 dhe mbas shtesës 3×15’ Dinamo fitoi me korne. Dalja ime në ndeshje me Dinamon i befasoi korçarët. Kampi korçar i futbollit, i parkuar në Tiranë, filloi të interesohej. Vetë loja ime filloi me një aksion të jashtëzakonshëm. Krosimi i gjatë, i futur në zonën e portierit, në hapësirën mes tij dhe shtyllës e çoroditi. Topi pa u prekur nga ndonjë lojtar do të përfundonte gol. Shoku im, Çaslli, e shoqëroi dhe e rigoditi. Me këtë aksion shumë të bukur u bë prezantimi im në stadiumin “Qemal Stafa”.

Malli që më kthehu në qytetin e lindjes. Erdhi çasti për të vendosur. Pak ditë pas përfundimit të spartakiadës së parë kombëtare u gjenda ballëpërballë me usta Zini Gjinalin. U përshëndetëm shpejt e shpejt. Më befasoi. Më bëri të ditur se unë kisha shkuar me të rinjt e Tiranës, sipas një marrëveshje që kishte bërë me trajnerin B. Çaslli. Më porositi për një takim që duhej të bënin dy trajnerët. Unë ia përcolla kërkesën ish-trajnerit tim të të rinjve. Dinamo nuk kishte harrur se kishte të drejtën e pronësisë ndaj meje. 17 Nëntori kishte zyrtarizuar federimin tim në ndeshjen Dinamo-17 Nëntori, në dt, 23.09.1959. Pas kësaj ndeshje erdhi oferta e tretë. Korçarët ofruan versionin e tyre. Ishin ditët kur banoja, në një dhomë i thënçin, hotel në parkun automobilistik të Tiranës. Dy krevate marinari me asnjë komoditet tjetër. Nga mëngjesi në mbremje ditët i kaloja në shoqëri me Skënder Halilin, qëndërmbrojtësi më i mirë i kombëtares shqiptare në shekullin e XX-të dhe më pas. Banonte pranë fushës së Punës. 17 Nëntori i Tiranës kishte me dhjetra futbollistë të rinj, Halili u afrua me mua dhe zgjodhi shoqërinë time. Skënderi që e kishte pasur dikur mbiemrin Merja, e ndërroi sepse në kohën e tij luante një tjetër me emrin Merja. Gani Merja.

 

XII

Futbollisti i Partizanit, Ganiu, kishte një performancë të kompletuar të një futbollisti modern për kohën e vet. Ishin farefis me Skënderin. Koha kalonte dhe unë u binda se partneri im ishte djalë bujar, shumë i thjeshtë dhe po aq i talentuar. Teksa zoti Alla dhe elita e 17 Nëntorit diskutonte për të ardhmen time, Halili ishte më i preokupuar që unë të qëndroja në ekipin e 17 Nëntorit. Atë mbasdite kishim mbaruar stërvitjen. Ishte kujdesur si gjithmon në kërkesat. Halili më thotë:

– Vaso, do të shohim diçka bashkë. Më prit sa të pij pak ujë dhe dalim.

Kaluam prapa godinës së fushës së futbollit, quhej “fusha e Punës” dhe ishte në territorin ku më pas u ndërtua ekspozita “Shqipëria Sot”. Ndërtesa e shërbimeve prapa saj kishte një derë njëkantshe, kur e hapi pash një dhomë 2.5×2 m, duke qeshur më tha:

– hë more, ja tek e kemi dhomën! Do heqim këto kazma, lopata… Aty tek qoshja do të vendosim një krevat… këtu një komodinë… tregoi me dorë krahun tjetër të dhomës

– Sipër komodinës do të vendosim një pasqyrëkë, siç thoni ju korçarët, vijoi të fliste miku im. Kadalë- kadalë, do marrim dhe një tavolinkë. Do luajmë një dorë letra apo jo?

Qënia në klubin Dinamo më frymëzoi, më rriti me tjetërsoj si futbollist dhe si njeri. Në atë klub njerëzit silleshin me dashuri, me përkujdesje. Komoditeti ishte më i dukshëm. Veç meje që isha adoleshent, të gjithë të tjerët ishin burra. Kalimi te ekipi i 17 Nëntorit të Tiranës më vuri në garë me të rriturit, sepse vetë isha bërë i rritur. Aty gjeta: P. Pano, M Metanin, (portier) Frashërin, B. Stërmasin, S. Merje, T. Baçi, Rada, E Shehu, M. Bylykun, O.Reçin, Çasllin, C. Petrela u rikthye për të luajtur përsëri, por nuk doli me sukses. Gjendesha në klubin 17 Nëntorit, në agim të epokës së rishkëlqimit historik, i cili vazhdon edhe në shekullin e ri.

Plejada tiranase ndriçoi me pionirët e parë të lavdisë

Atë kohë plejada tiranase ndriçoi me pionirët e parë të lavdisë. Fillimisht me P. Pano, S. Halili, F. Frashëri, G. Kasmi. L. Bytyçi, P. Buloriku, A.Mema, M.Xhaçka, O. Mema, B. Ishka, S.Hyska, J.Kazanxhi. Brënda grupit të madh tiranas isha i vetmi i huaj. Natyrshëm lindi pyetja: “A duhet ta mbajmë Vason?” Kishte dy probleme: rivaliteti dhe akomodimi. Pata bërë dy-tre muaj stërvitje me grupin dhe një ndeshje kundër Dinamos. Ustallarët shikonin perspektivë të qartë. Më propozuan garë me P. Pano, me atë që ishtë bërë yll i shkëlqyer i futbollit shqiptar. Garuam në distancë 30-35 metra. U çudita kur kalova i pari topin që ishte si shenjë finishi. Pano ishte shumë afër trupit tim. U bë një zallamahi. Mezi po orientohesha. Gjithçka ishte diskutuar më parë për meritat e mia në shpejtësi. Ishte diçka e papritur për mua. I gëzuar shkova pranë S. Halilit, i cili po qeshte. Mua afrua trajneri M. Alla: “Mirë Vaso, – foli ai dhe duke hedhur shikimin në mesfushë shtoi, – duhet të bëjmë dhe një garë tjetër,- e kërkojnë shokët tënd. Distanca u rrit shumë nga vija fundore deri te vija e 16 metërshit. Në zonën tjetër të rreptësisë, Pano më la 3-4 metra më prapa. Afër fundit ai u kthye dhe bëri me dorë shenjën si për të më thënë: “Eja me kap”. Ishte gushti i vitit 1959 dhe unë nuk kisha mbushur moshën 18 vjeç. P. Pano 21-vjeçar ishte në kulmin e lulëzimit të cilësive fizike. Dinamo, 17 Nëntori dhe Skëndërbeu prisnin fjalën e fundit.  Nuk u mendova, sepse fati po më servirte një të ardhme të jashtëzakonshme. Tirana apo Korça? Adhuroja futbollin virtuoz të shumë futbollistëve të Tiranës. Veçse idenë “afër detit afër mbretit nuk e vlerësova”. Në botën e brendshme të njeriut here – herë veprojnë efekte të çuditshme. Pas vitesh ato të duken qesharake, megjithatë dikush nga brenda qënies më thoshte: “Nëse jeton me ndjenja, me zemër, zgjidhja që bëre është më e mira”.

 

Jashtë frynte erë

Jashtë frynte erë. Skoda ishte e re. Në kabinë bënte ngrohtë. Nga brenda meje diçka më trazonte. Sa më lart ngjiteshim nga lindja bënte më ftohtë. Teksa i afroheshim majës së Qafë-Kërrabës, fluturashkat e imta të dëborës bëheshin më të dendura. Atë ditë nëntori të vitit 1959 po largohesha nga qyteti që u bë mit për mua, qyteti që më foli dhe më nxiti pasionin e lojës së madhe, që më hoqi nga loja në rrugë dhe sheshe dhe më nxori në fushë të madhe. Më ofroi kënaqësinë e jehonës që vinte nga zërat entuziaste të sportdashësve. Gjithsesi po shkoja.  Shikoja asfaltin e pastër të Qafë- Kërrabës shtruar me aq cilësi nga mjeshtërit itaianë të asaj kohë. Shpejt filloi të më bezdisë mendimi, ngarkuar me përfytyrimin e rrugës, Librazhd-Përrenjas. Rruga me kurriz-gungë, ulej deri anëve të xhadesë, vende vende dukej asfalti i plasaritur dhe i gërryer, kthesa të forta, ura të ngushta, pjerrësi të rrezikshme në dimër, të gjitha me të paparitura. Urave të rrugës Librazhd- Përrenjas koha i etiketoi si “urat e vdekjes”. Udhëtonin kujtimet tiranase. Largimi më nxiste kujtimet, çka po lija pas. Rruga po më largonte nga vatra që ishte për mua thuajse prindërore. Kur po ndaheshim, mësuesi O, Çaslli më tha: “Do të shihemi në një futboll tjetër”. U përqafuam. Pashë në fytyrën e tij sikur tha fjalët: “Ec, jeta vazhdon”. “Mirëupafshim!”

Një ditë më përpara u ndava me mjeshtrin Demneri tek dyqani i tij. Megjithse unë isha një nga protagonistët kryesorë që i hoqa titullin kampion të ekipit të tij, ai asnjehëre nuk shfaqi më të voglën mërzitje. Një javë pas ndeshjes finale shkova te dyqani i tij. Edhe pse ishim rivalë, kur kishin liridalje nga konvikti unë shkoja të dyqani i tij. Të shtunave e të dielave kaloja disa orë aty.

Imagjinoja

Para se të mbërrija te dyqani, imagjinoja si do të hyja brenda, si do të përballesha me të, si do të kalonte ai takim. Mirë apo keq? Duke iu afruar dyqanit, me mendje fola: “Nuk qenka te hyrja”. Ishte duke prerë një xham me gjysëm shpine nga hyrja. Mbeta në këmbë. Pak çaste më vonë, pasi kisha thënë “mirëmëngjes”, qëndroja i dyzuar. Të flisja diçka tjetër, po çfarë të thoja? Ajo që ndodhi më ngrou zemrën. Dy burra që qëndronin para meje, morën xhamat në dorë dhe u larguan. Ai u kthye në çast. U befasova. Nuk e kishte ndjerë se unë e kisha përshëndetur: “A u çlodhe, more djalë”, – më pyeti. Ai duke vendosur me kujdes në tavolinë një vizore druri një metrshe: “Ulu, ulu, boll më, së paku, pak kohë duhet me pusho”. “Ndaj kam ardhur,- mora zemër unë, më duhet të shkoj të pushoj 2-3 ditë pranë familjes. Desha të përshëndetesha me ju.

Demneri ishte të paktën një dekadë më i madh se trajneri im O. Çaslli. Mosha e tij

ishte aty-aty me atë të prindërve të mij. Rrinte i mbështetur me kurriz nga tavolina e tij e punës. Unë gjendesha deri në 2-3 metra larg tij. “Ke nxehur kokat e trajnerëve të dy ekipeve, – finalja pati një përfundim të meritueshëm. Pas ndeshjes të kërkonin dy trajnerë: M. Alla, Z. Gjinali, Dinaoms i është bërë e ditur se ke fillur stërvitje më të rriturit tanë. Gjithsesi ka kohë kjo punë… “Kam ardhur të të falenderoj. Më ke pritur dhe përciellë me zemër të hapur. Dëshiroja të merrja ndonjë këshillë nga ju. Në dorën e djathtë mbante elmazin. Krahët i kishte kryqëzuar në gjoks, u koll pak dhe foli ngadalë, sikur fjalët t’i pengoheshin diku nëpër gojë: “Vështirë të kërkosh e të gjesh më të mirën”. Mbasi i lëshoi duart pranë kofshëve, hoqi mësallën: “Dua dhe unë të pinim bashkë një kafe këtu pranë. – u përgjigj ai.

Pas pak ishim në kafe “Të zakonshmen?”- pyeti profesorin kamarieri. Unë mora një arançatë. Brenda një kohe shumë të shkurtër dy- mujore fillova të jetoja joshjen time miklues. Afër fushës së stërvitjes shihja djem të rinj që në dorë tregonin se kush isha unë.

 

I ngazëllyer

Fëmijë, që kur kaloja në afërsi të tyre më thërrisnin nga mbrapa: “Vaso!”. Unë ktheja kokën dhe ata fshiheshin. Profesor Demneri nuk po nxirrte asnjë fjalë nga goja. Kuptoja se ai thellë në zemër do të ndjente keqardhje nëse unë do të largohesha nga Tirana. Profesor,- ia nisa unë, – jam në situatë të vështirë,  më jep të paktën një këshillë, si e mendoni ju? Ai mbasi hapi buzët që ishte duke i shtrënguar sikur ato do të nxirrnin mendimin, tha: “Futbolli i madh luhet këtu në Tiranë. Nëse do të rrish me ne, ku do të jetosh? Punë do të të gjejë klubi i Tiranës, por a të mjafton rroga e një fillestari? Ja pra problemi dhe goxha i vështirë për t’u zgjidhur.

Në fytyrën në e pamjem e atij burri shikoja shpirtin e tij, botën e tij fisnike. Duke

folur me zë të ulët dhe ngadalë përfundoi me fjalët: “Këshillohu me prindërit, le të vendosin ata.

Sa qindra adoleshentë dhe të rinj ai burrë i mëkoi me dashuri për lojën me top. Nuk e lodhën atë vitet pranë fushës së lojës. Ai ishte dhe mbetet ikona e brezit të ri të Tiranës. Ndërkohë mes kujtimeve të mia kisha mbërritur në Korçë. Te shtëpia ime u mblodha vetëm me nënë dhe babanë. Gjergjji, im vëlla kryente shërbimin ushtarak diku në afërsi të Tiranës, motra vazhdonte gjimnazin. Jetonim vetëm me rrogën e babait. Që të tre rrinim ulur brenda në dhomë. Shkollën e kisha mbaruar. Kisha luajtur me ekipin e të rriturve të 17 Nëntorit. Na mbante të ngritur shqetësimi do të kthehsha në familje ose jo. Me zërin dhe fjalët e tyre, ndjej pasiguri dhe frikë. Shumë vjet ishin rropatur për të jetuar, për të rritur fëmijët. Dhe atëherë kur unë mund të bëhesha krah në jetë, doli ai dreq futboll. Kështu mendonin ata. Bota e futbollit ishte e huaj për ta. Babai nuk ndihej fare dhe shikoja nënën. Ajo na kishte dhënë gjithë jetën rrugë për të ecur. I vetmi rast në jetën time që e pashë atë grua të fortë si shkëmb me sy të ngarkuar

Nëna ime

Tregonin se nëna ime, dikur vajzë fshatare i ngrinte vetë thasët me grurë dhe i ngarkonte vetë në samërët e kafshëve. Atë çast ajo burrneshë u dorëzua. Ngashërimi i ishte mbledhur në grykë, duartë i lëvizte duke prekur gishtrinjtë, duket sikur kërkonte t’i futet diku në boshllëkun para syve të saj. E dëshpëruar ajo u mek. Mjaft ishte një zë që u shkëput nga thellësia e shpirtit. Qenia m’u gufua. Nuk prita më, brofa në këmbë. U afrova te këndi ku rrinte ajo. Mbështeta kokën në gjoksin e saj. Ajo nuk foli asnjë fjalë. Në vend të buzëve i flisnin sytë: “Tani do të në braktisësh… ne të prisnim si ujët e ftohtë…”.  Nesër do të shkoj të filloj punë në trikotazh. Kaq fola. Babai u ngrit rrëmbimthi: “U bë për pishë ky zjarr, – foli im at dhe bëri për nga bashta e shtëpisë. “Nënë, veç dardhës, ju nuk keni asnjë pemë tjetër në bashtë, e pyeta Ajo nuk upërgjigj. U ngrit të rregullonte zjarrin. Foli duke belbëzuar: Nuk kishim lekë për drutë e dimrit, i premë ato një nga një. Edhe dardhën do ta prisnim, por babi mori disa lekë nga kisha në Voskopojë, sepse bëri disa piktura kishtare…