(Me rastin 72 vjetorit të vrasjes së tij)
Nga Dr. Ndue Bardhi.*:
Bardhok Biba- viti 1949
Në rrjedhën e viteve të pasçlirimit të vendit tonë nga pushtuesit nazistë-gjermanë, në krahinën e Mirditës ndodhen disa ngjarje të çuditshme dhe të bujshme, jehona e të cilave ka ardhur deri në ditët tona.
Në çdo kohë, por sidomos në vitet e para të pasçlirimit të Shqipërisë, Mirdita është konsideruar si një ndër zonat e prapambetura dhe të varfra të vendit tonë. Në poemën e shkrimtarit të njohur Kol Jakova,“Heronjtë e Vigut”ai do ta përshkruante varfërinë e zonës, të asaj kohe, me këto vargje: “Tre pëllamë tokë varur në bri, tre muaj bukë ma e mira shpi”.
Në vazhdimësinë e saj historike të mëparshme, trashëgonte edhe një prapambetje të madhe arsimore e kulturore. Vepronin shumë zakone e doke të vjetra e fetare, që vinin nga mesjeta, duke vazhduar me Kanunin e egër të L.Dukagjinit, që nxiste e mbante të gjallë prej shekujsh vëlla-vrasjen dhe gjakmarrjen, të cilat bënin kërdinë dhe i shtonin më shumë hallet, vuajtjet dhe varfërinë e popullit të zonës.
Pas çlirimit të krahinës nga Brigadat Partizane, si kudo në vendin tonë, në çdo fshat dhe qytezë të zonës u vendosën Këshillat Popullore në formën e Kryepleqësisë- Kryeplakut, të zgjedhur nga vetë populli. Në këtë mënyrë në Mirditë u ngritën nga themelet organet e reja të Pushtetit të Popullit, me rregulla e ligje të reja, e të ndryshme nga ato të mëparshmet, që ishin të“Bajraqeve dhe Bajraktarëve ”.
Në të njëjtën kohë, tashmë është bërë e njohur se, në zonën e Mirditës etnike dhe administrative, vepronin në aktivitet të plotë disa grupime të rëndësishme ushtarako-politike dhe paramilitare, të cilat në fjalorin historik të kohës u emërtuan “Banda”.
Ato me veprimet e tyre terroriste kudo që ishin në vendin tonë, por kryesisht në Mirditë të favorizuar edhe nga terreni i thyer malor dhe kodrinor i zonës, kërkonin të ngjallnin frikë dhe pasiguri në popull, madje kaluan edhe në përplasje luftarake me armë kundër forcave ushtarake të Reparteve të Ndjekjes dhe të Sigurimit të Shtetit shqiptar, duke shkaktuar jo në pak raste viktima të pafajshme. Me veprimet e tyre kishin si qëllim rrëzimin e pushtetit popullor dhe komunist të kohës, që ishte vendosur me grykën e pushkës partizane dhe mbështetjen mbarëpopullore, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1944-1946.
Në rrethanat shoqërore dhe historike të mësipërme, pikërisht me 7 gusht 1949, në Qafë të Valmirit, në afërsi të fshatit Simon të Mirditës, mbeti i vrarë në pritë Bardhok Biba, një nga personalitetet ushtarake dhe politike më të njohur dhe të dëgjuar të asaj kohe, në krahinën e Mirditës.
Në opinionin politik dhe atë publik të gjithë periudhës komuniste, por edhe të kohës së sotme demokratike, është menduar dhe vazhdon mendimi se, vrasja e tij ishte tinzare dhe e pabesë, siç thotë fjala popullore: “Kush të pret, të vret!”
Nga vëzhgimi i vendit të ngjarjes nga afër, gjatë ceremonive përkujtimore të shumë viteve më parë, gjatë periudhës komuniste, kuptohej me lehtësi se, vrasja e tij ishte realizuar sipas një plani paraprak të mirëmenduar dhe të mirëorganizuar. Këtë gjë e vërteton edhe fakti tjetër i ngjarjes, për të cilën është folur edhe shkruar shumë herë edhe nga të tjerët, se tek trupi i viktimës është gjetur një letër me mbishkrimin: “Në emër të Komitetit të Maleve!”Lapidari i tij deri në vitin 1992, kur ndodhen ndryshimet politike dhe shoqërore në vendin tonë, ka qenë i vendosur në hyrje të shtegut të luginës së ngushtë, në të cilën kishte ndodhur ngjarja vrastare makabre.
Shtegu ose rruga këmbësore ishte një territor malor i ngushtë pothuajse si ulluk, me një pjerrësi, e cila pas disa qindra metra kalonte në një ngritje jo të lehtë malore. Pikërisht nëvendin ku mbaronte zbritja dhe ku fillonte ngjitja e rrugës, nga ana e sipërme e terrenit malor dhe në krahun e majtë të rrugës që udhëtonte në këmbë, ishte qëlluar me armë zjarri dhe kishte ndodhur vrasja e tij nga dy plumba.
Bardhok Biba “Hero i Popullit”
Pas vrasjes së tij Bardhok Biba u shpall nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë: “Hero i Popullit” dhe me vendim të organeve kompetente e ligjore u ngrit lapidari i tij memorial, në afërsi të vendit të vrasjes, pikërisht në vendin e quajtur Qafa e Valmirit, në skajin lindor të fshatit Simon, ndërsa busti i tij ka qenë i vendosur në sheshin kryesor të qytetit Rrëshen, deri në vitin 1992.
Në çdo përvjetor të vrasjes së tij, me datë 7 Gusht të çdo viti kalendarik në shenjë kujtimi dhe nderimi të veprës dhe jetës së tij, tek lapidari vinin shumë banorë të krahinës, kryesisht të rinj e të reja të
Organizatës së Rinisë. Pas mbarimit të fjalimeve të rastit, sipas protokollit të organizatorëve të ceremonisë përkujtimore, që zakonisht ishin drejtues të pushtetit lokal dhe të organizatave të masave, nga
rradhët e pjesëmarrësve, sidomos nga të rinjtë që ishin shumë kuriozë, bëheshin pyetje të ndryshme në lidhje me faktet dhe të vërtetat se si kishte ndodhur ngjarja disa vite më parë.
Unë dhe shumë bashkëmoshatarë të mi nuk kishim lindur ende në atë kohë kur ndodhi vrasja. Rrethanat e përafërta të ngjarjes si edhe të disa ngjarjeve të tjera që kishin ndodhur më përpara dhe më vonë, si dhe disa emra të autorëve të vrasjeve kriminale të atyre viteve në Mirditë, do t’i mësonim më së miri në vitet e mëvonshme, në biseda e kuvende familjare e zyrtare, hera herë me një të folur nën zë, herë pas here edhe me zë të lartë në mitingjet që organizoheshin në qendër të qytetit të Rrëshenit, me rastin e festës përkujtimore të çlirimit të Mirditës.
Kur u rritëm, në një moshë madhore, në tregimet gojore të shumë njerëzve të zakonshëm dhe të thjeshtë të Mirditës, mësuam se, në shoqërimin e tij gjatë asaj nate kishin qenë dy persona, të njohur si roje trupore të armatosura, të caktuar njëri përpara dhe tjetri pas tij, me qëllimin e ruajtjes dhe të sigurimit të jetës. Disa vite më vonë do të arrinim t’i njihnim dhe t’i takonim nga afër të dy personat shoqërues, duke mësuar edhe emrat e tyre.
Ata jetuan të gjithë jetën e tyre gjatë periudhës komuniste dhe më vonë atë të kohës së demokracisë, si nëpunësa të thjeshtë të administratës shtetërore, ndërsa në lidhje me ngjarjen në fjalë,në të cilën kishin qenë dëshmitarë okularë, ato nuk folën asnjëherë dhe nuk thanë asgjë për mas-mediat e shkruara dhe ato televizive, me qëllimin e dhënies të ndonjë informacioni tjetër, të vlefshëm për opinionin e gjërë publik dhe shoqëror.
Në të njëjtën kohë duhet të përmendim se,ata nuk kanë patur asnjë pasojë morale dhe aq më tepër politike dhe penale, jo se jo; siç thotë populli: “ Nuk ju hyri asnjë ferrë në këmbë! ” .
Do të vinte rasti që pas vitit 1992, pas ndryshimeve politike dhe ekonomike, në një emision të RTV kombëtar dhe shtetëror të kohës, që e drejtonte një gazetar i njohur, do të dëgjonim nga goja e njërit nga eksponentët dhe drejtuesit kryesorë të ish “Komitetit të Maleve” pohimin e tij, haptas përballë opinionit politik dhe publik, duke thënë se,vrasjen e Bardhok Bibës e kishte organizuar dhe realizuar pikërisht në kuadër të veprimtarisë të komitetit famëkeq të asaj kohe, të njohur si “Komiteti i Maleve”.
E çuditshme ishte se, pikërisht personi në fjalë, që e merrte përsipër vrasjen, vinte nga fisi i Gjonmarkajve, nga Oroshi i Mirditës, duke qenë njëkohësisht edhe kushëriri i viktimës. Pra, atë e kishte vrarë po ajo derë që kishte marrë pjesë në vrasjen e “Heronjëve të Vigut ”, disa vite më parë, në pritë dhe në pabesi të plotë. Që në këtë moment, fillova të mendoj për t’a kuptuar më saktë shprehjen, që përdor njëri nga personazhet e filmit shqiptar “Besa e Kuqe”, kur ai shprehet për fisin e tyre duke thënë: “Mjerë kush i ka mik dhe mjerë kush i ka armik! ”.
Në bisedat e ndryshme familjare kishim dëgjuar se, pikërisht ky person, atë natë të 7 gushtit 1949, pasi ishte hedhur me parashutë në bjeshkët e Kaçinarit dhe të Kuzhnecit, në bashkëpunim dhe në kordinim me tre anëtarë të tjerë të bandës kishin realizuar vrasjen në fjalë.
Si u fal gjaku
Nga studimi dhe analiza në detaje i ngjarjeve historike të kohës kur ndodhi ngjarja e vrasjes së tij , rezulton dhe dallohet lehtë me fakte se, ai ishte patjetër një personalitet i rëndësishëm, duke qenë Komandant Ushtarak dhe Drejtues Politik kryesor në krahinën etnike dhe administrative të Mirditës. Në vitin 1947 është zgjedhur deputet i Mirditës në Kuvendin Popullor dhe në dhjetor 1948 emërohet Sekretar Politik I Partisë Komuniste në Rrethin e Mirditës. Për 40-45 vite të komunizmit, emri i tij ishte simboli dhe emblema e Mirditës.
Gjatë kësaj kohe, krahas punës për faljen e gjaqeve, ndalimin e vëllavrasjes dhe të gjakmarrjes, njëkohësisht dhe së bashku me mësuesin e mirënjohur, “Mësuesin e Popullit” Ndrec Ndue Gjoka nisën punën për hapjen e shkollave për fëmijët dhe të kurseve kundër analfabetizmit në krahinë.
Që në janar të vitit 1945 filloi hapja e shkollave fillore në çdo fshat. Dhe të hapeshin 50 shkolla pa patur ndërtesa, pa mësues, pa libra dhe fletoret e nevojshme, vërtet ishte një çudi dhe mrekullia e asaj kohe.
Një gjë e tillë u bë realitet dhe fal lidhjeve të tij të ngushta me popullin e zonës, të cilën ai e donte shumë dhe e respektonte pa masë, pamvarësisht bindjeve politike dhe gjendjes shoqërore. Ai kudo që shkonte gjente gadishmërinë, mikpritjen dhe bujarinë e popullit mirditor.
Kishte filluar puna për ndërtimin e krahinës dhe të gjithë vendit tonë, që dolën tepër të dëmtuar pas luftës. Kishte filluar ndërtimi i hekurudhave të para, të viteve të pas çlirimit të vendit dhe kërkohej me ngut grumbullimi i fuqisë punëtore nga çdo lloj krahine e vendit tonë. Dërgimi i forcave vullnetare për ndërtimin e hekurudhave, si dhe sidomos i grave dhe vajzave mirditore kishte shumëvështirësi. Për shkak të dokeve të zakoneve të vjetra dhe të kanunit , që vinin nga thellësitë e shekujve, dërgimi i grave dhe i vajzave si vullnetare për të punuar në hekurudhë, ishte nje herezi dhe do të kundërshtohej me forcë të madhe nga disa njerëz të pa ditur dhe fanatik. Madje disa prej tyre ishin pjesëmarrës në disa organizata politike dhe banda të armatosura, të cilët endeshin maleve si kope ujqërish të uritur dhe të cilët më vonë do të shkaktonin në shumë raste viktima të pafajshme dhe gjakëderdhje.
Vrasjet dhe kundërveprimi i qeverisë komuniste të Tiranës
Në fillim fare do të dënohej me vdekje dhe do të vritej barbarisht vajza nga zona e Kashnjetit, në Ungrejtë Mirditës, që quhej Dilica. Ajo më vonë do të njihej dhe të thirrej me emrin “Cuca e Maleve”, duke u bërë më vonë edhe një nga personazhet kryesore të baletit të asaj kohe me të njëjtin emërtim. Më vonë populli i Mirditës dhe i gjithë Shqipërisë do të merrnin vesh se si ishin masakruar dhe vrarë barbarisht katër gra të tjera mirditore vetëm, sepse kishin shkelur zakonet dhe kanunet e maleve duke shkuar vullnetare në aksionet për rindërtimin e vendit dhe të hekurudhave të para. Disa vite më vonë ato do të shpalleshin “Heroina të Popullit” dhe bustet e tyre do të vendoseshin në sheshin kryesor të qendrës administrative të Mirditës, në qytetin e Rrëshenit.
Sidomos me rastin e vrasjes të Bardhok Bibës, kundërveprimi i qeverisë komuniste të Tiranës në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Forcave Ushtarake të Reparteve të Ndjekjes si dhe të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, do të ishte i menjëhershëm dhe drastik, madje në një proporcion të shumëfishtë dhe paradoksal, gjë e cila në gjykimin e sotëm duken deri diku si veprime të pajustifikueshme, për pasojat që sollën më vonë. Vetëm pas pak ditëve të vrasjes, me një proces gjyqësor ushtarak të përshpejtuar, u dënuan me vdekje 14 burra të krahinës nga të cilët 11 persona u pushkatuan në afërsi të vendit të vrasjes, në Qaf të Valmirit. Të lidhur dorë për dore u varrosën në një varr të përbashkët, në një kohë kur disa prej tyre ishin ende të gjallë, ndërsa 3 të tjerë do të ekzekutoheshin me një dënim më të rëndë, në një zonë tjetër, poshtë qytetit të sotëm të Rrëshenit.
Në një kohë tjetër të mëvonshme ndodhi ajo që nuk pritej: me qindra njerëz, që ishin banorë të krahinës dhe pjesëtarë të familjeve dhe të të afërmëve të tyre, u internuan duke i larguar në mënyrë të organizuar nga shtëpitë e tyre. Ata u dërguan në kampe të ndryshme famëkeqe të përqëndrimit. Ata do të ktheheshin në vatrat dhe shtëpitë e tyre vetëm pas shumë vitesh të vuajtjes së dënimit me burg ose internim.
Fatkeqësia dhe mjerimi i tyre nuk do të kishte fund asnjëherë, sepse edhe kur erdhën pas disa vitesh në shtëpitë e tyre ata punuan dhe jetuan pothuajse në izolim të plotë, të vetmuar, larg njerëzve të tjerë dhe të shoqërisë. Është e dhimbshme, sepse përsëri nuk u shkonte askush në shtëpitë e tyre, as në dasmat dhe as në ceremonitë mortore të familjeve të tyre. Megjithatë, populli i thjeshtë, njerëzit e zakonshëm, të afërmit, farefisi, komshinjtë, miqësia dhe shoqëria mirditore i mbajti vazhdimisht afër. Ata i ndihmuan me sinqeritet të plotë me aq sa mundeshin, brenda dhe jashtë mundësive të tyre, pa bujë dhe pa rënë në sy, por mjerisht nuk mundeshin që t’ju a shëronin të gjitha plagët, apo t’jua hiqnin të gjitha hallet e marra gjatë viteve.
Gjëma e madhe që kishte ndodhur në Mirditë, shkaktoi shumë dëme njerëzore, morale dhe shpirtërore, pesha e të cilave vazhdon të ndjehet edhe në ditët e sotme.
Atëhere, lind pyetja: se perse duhej të ndodhte kjo ngjarje kur dihej dhe mendohej, madje edhe nga pjesëtarët e bandave, se një kundërveprim i tillë do të mund të ndodhte!?
Vrasja e Bardhok Bibës ndodhi për ato shkaqe dhe arësye objektive dhe subjektive të asaj kohe të vështirë dhe të errët, të cilat u munduam që t’i analizojmë më sipër. Nga kjo ngjarje e dhimbshme nuk përfitoi askush, nuk përfituan as pushteti i vendosur dhe as bandat, nuk përfituan as bajraktarët dhe as populli i mirë dhe martir i Mirditës.
Të gjitha harxhet e kësaj mortje të madhe i pagoi, me të drejtë dhe me të padrejtë, e gjithë krahina, i gjithë populli i zonës. Efekti “bumerang” i ngjarjes ka qenë dhe vlerësohet si i tmerrshëm, që solli pasoja dramatike dhe historike të papërsëritshme dhe të pallogaritshme.
Ardhja nw Shqipwri dhe largimi
Në përfundim të shumë vrasjeve, personat pjesëmarrës të bandave të ndryshme, pas pak viteve u larguan jashtë kufinjve të shtetit tonë dhe jetuan për shumë vite me rradhë në vende të ndryshme të botës demokratike. Pas rënies së komunizmit si rend ekonomik shoqëror në vendin tonë, pas viteve -90 e në vazhdim, disa nga këta do të ktheheshin përsëri në Shqipëri.
E çuditshme është se erdhën pa bujë si hije, dhe u larguan përsëri në heshtje dhe pa asnjë lloj lavdie të premtuar apo të menduar më përpara nga ana e tyre. Nuk e gjetën veten në asnjë vend të krahinës dhe nuk u ndjenë mirë në asnjë kuvend të burrave. U larguan përsëri, pa u gërvishtur aspak dhe pa dhënë asnjë lloj llogarie përpara organeve ligjore të shtetit shqiptar, për dëmet që i kishin sjellë dhe për viktimat që kishin shkaktuar. U larguan, ndoshta për të mos ardhur më asnjëherë në vendlindjen e tyre. Disa të tjerë vazhdojnë atë pjesë të jetës që u ka mbetur dhe kemi dëgjuar se vazhdojnë dhe e kalojnë kohën duke u kapërdisur me të madhe në kafenetë dhe restorantet e Amerikës, duke treguar për “bëmat” e tyre të çuditshme, se si i kanë organizuar dhe realizuar vrasjet e komunistëve në Shqipëri, në kohën e tyre.Disa të afërm dhe trashëgimtarë të tyre, të cilët kanë patur dhe kanë lidhje faresfinoredhe miqësore, që i ndihmuan, i strehuan dhe i mbajtën me bukë në kohën ku ata endeshin nëpër male, në fillim të ndryshimeve demokratike u bënë shumë entuziastë, duke menduar se “kishte ardhur përsëri koha e tyre!”. Në fillimin e viteve të demokracisë, sidomos në vitin 1992, morën vota të konsiderueshme nga populli dhe madje në shumë raste dhe zona erdhën edhe në pushtet. Nuk do të vazhdonte shumë gjatë dhe shumica e popullit të Mirditës do ta kuptonte përsëri se kush janë këta në të vërtetë, dhe në vitet e mëvonshme, nuk do t’i votonte më. Nuk harrohet kurrë fakti se në vitin 1997, në kohën kur digjej Shqipëria dhe një pjesë e tyre paturpësisht u armatosën për të shkuar dhe për të luftuar me shqiptarët e Jugut të Shqipërisë, kandidati i tyre i ardhur nga sarajet e Shkodrës, arriti të marrë vetëm disa vota në vendlindjen e tij, për numërimin e të cilave do të mjaftonin vetëm gishtat e të dy duarve. Populli në shumicën dërrmuese nuk do t’u besonte më gjatë viteve të fundit, sepse me kulturën dhe intelektin e tyre të dobët me të cilat shfaqeshin në publik dhe në mitingjet elektorale e tregonin haptas se nuk ishin në gjendje që të drejtonin krahinën, për të marrë përsipër dhe për të zgjidhur problemet që kishin sjellë kohët e reja dhe demokratike. Populli nuk po ju besonte më dhe nuk ju beson as tani, sepse kur erdhën përkohësisht në pushtet u korruptuan shumë shpejt, në atë farë mase, saqë filluan të mendojnë vetëm për pasurimin e tyre të pa fund dhe filluan me procesin e shit-blerjes të tokave, trojeve dhe apartamenteve, dhe jo në pak raste tjetërsuan pronat dhe tokat e pronarëve të vërtetë duke sjellë shumë shqetësime për pronësinë dhe drejtësinë në zonën e tyre. Pa vonuar shumë, pothuajse me subkoshiencë , filluan të organizojnë “prita” të tjera, tashmë jo natën, si paraardhësit e tyre por, ditën me diell dhe mes të ditës, kur populli i qytetit të Rrëshenit ishte në pushimin e mesditës, në gjumë.
Pa asnjë lloj vendimi juridik dhe kolegjial, as të pushtetit lokal dhe as atij qëndror, organizuan në panik e sipër largimin e busteve të“Heronjëve të Popullit”, për Mirditën, duke harruar për një moment se ata ishin dhe janë të të gjithë Shqipërisë. Heronjtë dhe Heroinat e popullit të Mirditës, janë tashmë të çvendosur, apo të larguar nga sheshi si buste në bronx. Këta harrojnë, se është një shumicë e konsiderueshme jo vetëm e popullit të Mirditës, por edhe i Shqipërisë, që i ka në zemër dhe në mendje çdo ditë, në çdo moment, në festa, urime dhe gëzime familjare dhe ato publike. Bustet e heronjëve të Mirditës janë vetë simbolika e krahinës, simbolika dhe emblema e popullit mirditor, e këtij populli të zgjuar, trim, fisnik, punëdashës dhe arsimdashës të kësaj krahine epike, me histori të lavdishme përgjatë shekujve, të shumë personave të njohur dhe të përmendur të fesë katolike, të politikës, arsimit, kulturës, gazetarisë dhe të shkencës, etj.
Ata që kanë vrarë dhe kanë prerë në besë, nuk duhet të nderohen asnjëherë, madje është më mirë që të fillojë harresa e tyre pak e nga pak. Ndërsa, ata që janë vrarë në luftë dhe në punë, sidomos në prita dhe pabesi, në kohë të ndryshme,në mbrojtje të popullit dhe të kombit të tyre, nga kundërshtarët e tyre ideollogjikë dhe politikë, do të nderohen gjithmonë dhe do të kujtohen në përjetësi, nga populli ynë dhe Mirdita mbarë.
Dr.Ndue Bardhi
Doktor i Shkencave Mjekësore,
President i Shoqatës Oftalmologjike Shqiptare.
























