Në klasën e pestë me rastin e festës së 29 Nëntorit, e përzgjodhën për të recituar para gjithë shkollës.
– Kujtim Gjonaj mbetet skenarist, regjisor i filmave dokumentarë dhe vizatimorë, producent dhe botues shqiptar nga më të suksesshmit.
– Këshilla më e mirë për të në artin e të shkruarit të prozës ishte ajo e tregimtarit të madh rus Çehov: “Shkruaj dhe shkurto. Shkruaj dhe shkurto”.
– Mjeshtri i madh i tregimit të shkurtër e konsideronte novelën,”si një anije luftarake në të cilën nuk duhet të ketë asgjë të tepërt”.
Albert Z. ZHOLI
Kujtim Gjonaj mbetet një ndër miqtë e mi më të mirë. Për mëse 25 vjet thuajse takoheshim përditë, por takimet më të shpeshta i patëm kur ai më besoi Monografinë mbi jetën e tij. Punuam 4 vjet për atë Monografi pasi ai ishte skrupuloz, korrekt dhe ruante shumë mirë balancat vlerësuese. Kurrë nuk e mbivlerësonte veten dhe donte vetëm që ngjarja, komenti, opinioni të ishte sa më i shkurtër dhe i saktë. Monografia “Kujtim Gjonaj dhe magjia e filmit” mbetet ndër monografitë e mia më të mira sipas shumë kritikëve të artit. Kujtim Gjonaj mbetet skenarist, regjisor i filmave dokumentarë dhe vizatimorë, producent dhe botues shqiptar nga më të suksesshmit. Kujtim Gjonaj ka lindur në 13 nëntor të vitit 1946 në qytetin e Tiranës. Në vitin 1968 mbaron studimet e larta në Universitetin e Tiranës Dega Gjuhë – Letërsi dhe po atë vit fillon punën si redaktor i skenarëve të filmave dokumentarë në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Në vitin 1974 kalon si regjisor në sektorin e filmave dokumentarë duke shkruar edhe shumë nga skenarët e këtyre filmave.
Si jetohej në atë kohë
Deri në moshën gjashtë vjeçare familja banonte në rrugën “Fortuzi”. Një rrugë e vjetër dhe e bukur tiranase që gjarpëronte në një hark të lehtë nga bulevardi i Madh deri te rruga e Durrësit. Në të dy krahët e saj ngriheshin vila një dhe dy katëshe, me oborre të rrethuar me mure tulle e porta të mëdha. Në një nga këto shtëpi me goxha oborr banonin familja e Qemalit dhe një familje me origjinë nga Shkodra, familja e Gjon Stakës. Pronari i shtëpisë qe Abdurraman Dollia, një burrë zotni me origjinë nga Kavaja, që shkurt i thërrisnin Dyrri. Imazhet më të hershme të fëmijërisë janë ato të një djali të shëndetshëm, bardhosh, me flokë të verdhë si kashtë dhe me shkëlqimin e dritës së diellit që i përthyhej në sytë e tij të kaltër. E shoqja e Gjonit, Ninja mbante pula e midis tyre dallohej një gjel kokorosh, që sapo shikonte djalin e vogël bardhosh i sulej për ta çukitur. Vogëlushi vraponte i terrorizuar duke qarë, e gjeli egërsohej më keq dhe vraponte pas tij. Po të mos dilte me vrap Fatmira, halla e tij që e donte shumë, e ta përzinte gjelin e keq, kushedi se kur do perëndonte ulërima e djalit të vogël. Fatmira e shtrëngonte fort në gjoksin e saj, i përkëdhelte flokët e verdha dhe mundohej të qetësonte ngashërimet e nipit. Lufta mes nipit të vogël dhe gjelit agresiv zgjati dhe pak ditë, deri sa fqinja zemërbardhë, e detyruar dhe nga trysnia e djalit të saj të madh, Alfonsit, e theri gjelin kryeneç. Kur e nxorën nga furra të pjekur, kofshën e gjelit ia dhanë Kujtimit të vogël. Kështu mori fund dhe lufta me gjelin, që e bënte vogëlushin të trembej çdo ditë dhe të strukej duke qarë në gjoksin e hallës. Mirënjohja e vogëlushit për teta Ninen, s’njihte kufij. Ishte koha kur vërtet kishte një fqinjësi të mirë, dhe njerëzit respektonin njëri tjetrin. Nga vegjëlia e hershme i vinë të vagullta imazhe të shëtitjeve me hallën, apo xhaxha Resulin në bulevardin e madh, dhe vinte re se diku pranë Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi” në bordurat rrëzë murit kishte ca pllaka xhami ku përthyhej magjishëm drita. Ajo lojë dritash që vinte nga poshtë nëpërmjet pllakave të xhamta e mrekullonin. Me fillimin e klasës së parë familja gjeti shtëpi në rrugën “Hoxha Tahsim” në një shtëpi njëkatëshe, në rrugicën e vogël që të shpinte në shkollën me të njëjtin emër. Një rrugë e pashtruar, me pak kalldrëm vende-vende që në ditë me shi mbushej me pellgje uji e me shumë llucë që u ngjitej këpucëve. Buzë mbrëmjeve, të vegjlit e rrugicës mblidheshin në krye të saj, pranë portës ku banonte Thanas Nano dhe ashtu këmbëzbathur, të ulur galiç, tregonin përralla, gënjenin, tregonin barcaleta të dëgjuara nga të rriturit. Herë herë luanin kukamfshehti apo me Ta lashë…lojë që kishte si objekt njerëz të fesë, prift apo hoxhë dhe kush e shikonte i pari ia linte tjetrit. I kujtohen miqtë e fëmijërisë. Ata ishin shumë, të gjithë djem të rrugicës ose siç i quanin çunat e rrugicës së shkollës. Luante me Lulëzimin, me Lamin, Gimin, Kujtimin, Kushtrimin, Verin, Nazmiun me topa lecke çdo ditë. Ishin pothuajse të gjithë moshatarë. Në klasë të tretë përzgjidhet si nxënës i dalluar dhe në festën që bëhet në pallatin e Kulturës i japin dhuratë një top të zi llastiku. Kështu që topi i leckës do zëvendësohej me topin e llastikut, me të cilin do luante me shokët e rrugicës. Mban mend që ka qenë në klasë të tretë kur i humbën triskat e bukës. Atëherë e ka rrahur babai, sepse humbi buka e një muaji. Një pëllëmbë që e mban mend dhe sot. Atë muaj e dënoi të mos shkonte në kinema për ditë të diele. Ky ishte dënimi maksimal. Një nga gëzimet e pakta fëminore ishte Teatri i Kukullave që ndodhej përballë Parlamentit në rrugicën ku sot ndodhet Drejtoria arsimore. Mban mend Pinokun e famshëm, Gjysmagjelin dhe përralla të kësaj natyre. Kënaqësitë më të madha të moshës ishin luajtja me top, me kopaca që i “vidhnin” nga kapotat e vjetra ose palltot e prindërve dhe ulja në bordura. Të vendosur pranë njëri tjetrit flisnin me atë mendësinë djaloshare kush të gënjente më shumë dhe më bukur. Ka patur shokë shumë të mirë disa nga të cilët si Kujtim Kacelin, Kushtrim Pipa, Fatos Pustina, Irfan Voglin, Lulzim Vejsiun me të cilët ishte shok në shkollën shtatëvjeçare, por dhe në gjimnaz, por dhe në vitet që pasuan. Ishin një brez që e donin me pastërti njëri tjetrin. Në klasën e pestë me rastin e festës së 29 Nëntorit, festës së çlirimit e përzgjodhën për të recituar para gjithë shkollës. Në fakt atij nuk i pëlqente recitimi dhe nuk e ka ndier si dhunti dalluese të fëmijërisë së tij shkollore, për të mos thënë që ka qenë recitues shumë i keq. Por drejtori i shkollës, Bashkim Shkëmbi, një mësues shumë i mirë duke gjykuar nga fakti që ishte një nxënës i dalluar, dhe njëkohësisht mik me babain e tij Qemalin, mendoi se po e vlerësonte duke e caktuar të recitojë ditën e festës para gjithë shkollës. Ai jo vetëm që recitoi shumë keq, por dhe e harroi. Dhe çështë më e keqja e recitoi pa pikë tonaliteti dhe emocioni. Që nga ajo ditë as drejtori dhe as mësuesja nuk i ranë më në qafë për të recituar. Bën pjesë në kategorinë e njerëzve krijues që meditojnë dhe shkruajnë diçka krijuese të pranueshme, sesa të deklamojnë atë që shkruajnë vetë. Dhe në fillimet e tij ka patur poezi të menduara , që ai vetë nuk i cilëson si të ndjera. Ka qenë më i prirur të shkruajë prozë poetike. Proza i dukej më meditative më shprehëse në dhënien e një mesazhi dhe mendimi. Proza për të kishte më hapësirë, më shumë vozitje, pasi ajo sjell në rezonancë mentalitetin dhe ndërgjegjen artistike. Këshilla më e mirë për të në artin e të shkruarit të prozës ishte ajo e tregimtarit të madh rus Çehov: “Shkruaj dhe shkurto. Shkruaj dhe shkurto”. Çehovi e quante ‘lakonizmin”, “motër të talentit”. Arti i të shkruarit, thoshte Çehovi, është arti i të shkurtuarit. Mjeshtri i madh i tregimit të shkurtër e konsideronte novelën,”si një anije luftarake në të cilën nuk duhet të ketë asgjë të tepërt”. Është ë njohur këshilla që ai u jepte dramaturgëve të rinj: “Në qoftë se është varur një pushkë në mur, ajo duhet të shkrepet patjetër gjer në fund të dramës”. Këto mësime ai i pati si busull për aq kohë sa ju përkushtua prozës që I dha shumë vizone për jetën në të ardhmen.
Natyrë kryengritëse
Si natyrë është kryengritëse ose më saktë natyrë e pavarur. Thotë gjithnjë atë që mendon dhe bën atë që mendon, siç thuhet sot është i drejtpërdrejtë. Ky është tipar i njerëzve të drejtë që e thonë mendimin e tyre hapur në çdo moment dhe në çfarëdolloj situate. Dhe këtë edukatë e ka të trashëguar nga familja. Nuk ka maninë e kundërshtimit, por gjithmonë e padrejta e revolton dhe herë-herë e bën të humbas qetësinë dhe urtësinë. Dhe në atë kohë profesorët kanë patur problemet e veta. Jo gjithnjë profesorët e asaj kohe ishin në shkallën e perfeksionimit. Kishin një mësues fizike, një burrë shumë i mirë, por njohuritë e tij ishin shumë të kufizuara në larmitë e kulturës, artit, letërsisë dhe ngaqë ai ishte një nxënës që shkëlqente në shkencat humane e kish nuhatur që fizika ishte një lëndë që nuk i pëlqente fort, megjithëse është lëndë e bukur. Për t’i tërhequr vëmendjet nga fluturimet e tija pindarike e kapte gjithnjë te favoritet.
-Ku e ke mendjen o djalë? Ta ka marrë mendjen Maksim Gogu!
Ky ritual përsëritej disa herë aq sa iu bë gogol. Dhe një ditë ai i kthehet profesorit:
-Profesor e ka emrin Maksim Gorki dhe është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj sovjetikë.
-Pusho! Mos më jep mend mua!
Instinktivisht e ndien që mësuesi i fizikës nuk ia thoshte fare nga ajo anë , dhe me djallëzinë e nxënësit shtoi:
-Unë e di, besoj që edhe ti e di se ai është autor i romanit të famshëm “Nëna”, profesor. Bile ka shkruar dhe “Zgalemin” dhe tregimin “Nëna e tradhëtarit”. Edhe…
-Dil përjashta! -urdhëroi mësuesi me zë të rreptë.
-Përse?!
-Se je i pasjellshëm!
Ai nuk donte të dilte nga klasa. U bë një sherr i madh dhe mbasi mësuesi u ankua për të në drejtori, donin t’i thyenin notën në sjellje. Kundërshtuan fort mësuesja e historisë Nekije Demi dhe ai i letërsisë Filip Ndocaj. Të dy këta e donin shumë. Në lëndët e tyre ai ishte nxënësi më i mirë dhe e vlerësonin për dhuntitë që kishte. Shpëtoi për një qime, se në atë kohë një thyerje e notës në sjellje, ishte njëlloj sikur të nge leshe në klasë në një lëndë të zakonshme. Më pas ai përpiqej ta frenonte veten në marrëdhënie me ata mësues, që nuk arrinin të kuptonin revoltën e tij. Pra ndjenja e “kryengritësit” të mirë e ka shoqëruar tërë jetën. Incidenti me mësuesin e fizikës u kapërcye shpejt dhe ata u bënë miq të mirë. Profesor Ymeri ishte tiranas dhe kishte brenda vetes karakter të mirë dhe të butë. Duke përjashtuar ndonjë rast sporadik shkolla në atë kohë kish një nivel të jashtzakonshëm dhe mësimdhënia ishte shumë me cilësi. Sistemi i notave me pesë njësi, nuk linte shumë hapësira midis vlerësimit minimal dhe atij maksimal. Dyshi ishte notë pakaluese dhe atij i kujtohet profesori i matematikës Orhan Pojani , mësues rigoroz, por i drejtë, që jo rrallë u vinte nota si dysh minus apo dysh me dy minuse. Atëherë ai dhe shokët e tij mërziteshin, por vite më pas kur shumë nga shokët e tij të gjimnazit mbaruan studimet për matematikë, mercollogji apo për ekonomi e financë si Kushtrim Pipa, Kujtim Kaceli, Irfan Vogli, Kristofor Cavo, Stilian Nikolla apo Naim Balluku dhe u bënë profesionistë të zotë, kujtojnë me mirënjohje dhe respekt mësues Orhanin dhe vlerësojnë rreptësinë e tij. Kërkohej rezultati në shkollë dhe mbi të gjitha shkolla të bënte njeri me kulturë dhe dije. Kujton me shumë konsideratë mësuesin e letërsisë ,shkrimtarin Filip Ndocaj, pa lënë, mënjanë Nekie Demin, që me shpjegimet e tyre dinjitoze i shtuan së tepërmi dashurinë për letërsinë dhe historinë, dashuri që do të shpërthente fuqishëm në të gjithë krijimtarinë e tij të më vonshme.
Vlerësime
Përmendim këtu disa nga filmat dokumentarë me të cilat është vlerësuar me Çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1982 do të nderohet me Çmimin e II-të në Konkursin Kombëtar Letraro – Artistik për skenarin e filmit “Kryengritjet e Mëdha”, në vitin 1986 filmi “Më e madhja dashuri” do të vlerësohej si filmi më i mirë i vitit, në 23 prill të vitit 1990 filmi “Kështjella e Këngëve” do të vlerësohej me Kupën e Festivalit në Festivalin e VIII-të të Filmit Dokumentar dhe Vizatimor Shqiptar, në vitin 1995 filmi “Shembja e idhujve” do të vlerësohej me Çmimin e I-rë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të shkurtër në Palermo (Palermo Film Festival), në vitin 1998 do të vlerësohej gjithashtu me Çmimin e I-rë në Konkursin e V-të Ndërkombëtar të Mesdheut të Filmit Dokumentar dhe Reportazhit (Premio Internazionale del Documentario e del Reportage Mediterraneo).
Skenare
- Këshilltarët, (1979)
- Ata ishin katër, (1977)
- Cirku në fshat (1976)
- Thirrja, (1976)
Regjisor dhe skenarist filmi dokumentar
- Shkolla dhe praktika 1969 skenarist
- Fëmijtë tanë 1971 “
- Vëllezërit Topulli 1972 “
- Motive nga dita e dielë 1973 “
- Se u mbushën malet plot me partizanë 1974 skenarist & regjisor
- Tregim për një hero 1975 ” & “
- Lidhja shqiptare 1978 skenarist
- Rinia dhe çeliku 1980 skenarist & regjisor
- Artistë në punë dhe në skenë 1981 ” & “
- Kryengritjet e mëdha 1982 ” & “
- Arti shqiptar në mesjetë 1983 skenarist
- Në gjurmë të një historie 1984 skenarist & regjisor
- Me e madhja dashuri 1986 regjisor
- Një qytet në telajo 1987 “
- Kështjella e këngëve 1988 “
- Etyd pranë detit 1989 skenarist
- Meditim 1990 regjisor
- Drejt Europës 1991 “
- Shqiptarët e Zvicrës 1992 “
- Shembja e idhujve 1993 “
- Gjaku ynë i shprishur (Jeronim De Rada) 1998 skenarist & regjisor & producent
- Ditët e fundit të një luani( Ali Pashë Tepelena) 2001 regjisor & producent
- Nënë Tereza 2003 regjisor & producent
- Enciklopedia që ecte me këmbë( Faik Konica) 2005 regjisor
- Pse 2007 “
- Endërra e Çamërisë 2010 “
- Magjia Pano( Panajot Pano) 2012 regjisor
- Deti i diturive- Hasan Tahsin( Hoxha Tahsin) 2013 “
- Margarita( Margarita Xhepa) 2014 regjisor
- Gjithçka për Kosovën( Ramush Haradinaj) 2015 “
- Saga e Dinejve( Abedin Dino dhe trashëgimtarët) 2017 “
- I fundmi i rilindasve( Josif Bageri) 2018 “