Nexhni Mezelxhiu: 77-vjetori i krijimit të Debatikut-Fëmijët e luftës

283
Sigal

Me rastin e 77-vjetorit të krijimit të DEBATIK-ut, dhe në kuadrin e vitit Jubilar të 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut, le të jetë ky shkrim një homazh për heronjtë e dëshmorët debatikas, për veteranët e ndarë nga jeta dhe një mesazh për të gjithë ish-debatikasit që janë gjallë, të gjithë atyre që kanë dalë nga gjiri i kësaj organizate të lavdishme. Ata që sot bëjnë ndonjë ironi, që shtrembërojnë turinjtë e hedhin romuze, se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, na qenka bërë me kalamaj, le ta mësojnë edhe një herë, se është bërë edhe me kalamaj, se në atë luftë heroike u ngrit i gjithë populli, i madh e i vogël, për liri. Ata që bëjnë ironi e dinë mirë se baballarët e tyre kolaboracionistë, luftonin në një llogore bashkë me nazistët kundër partizanëve e popullit. Organizata “DEBATIK” – Djemtë e Bashkuar të Ideve Komuniste me 12 vetë, fëmijë e adoleshente, me Selman Vaqarrin në krye, u formua më 10 shkurt 1942, në Tiranë. Këta trima antifashistë të vegjël, u frymëzuan, nga PKSH, që kish ngritur lart flamurin e Idealeve të Luftës. Me pas të vegjlit e adoleshentët e shumtë, në Tiranë e në disa qytete të tjerë, si Shkodra, Gjirokastra, Vlora, Elbasani, Korça, Durrësi etj., nën shembullin e vëllezërve e motrave te tyre më të rritur ngritën, në atë kohë, një Lëvizje të tërë Antifashiste, që drejtohej nga Qarkori i Rinisë, me shokët; Misto Mame, Manush Alimani, Ludovik Shllaku dhe të tjerë udhëheqës pionierësh antifashistë, në Tiranë: Hamdi Sallaku, Leman Çoçoli, Skënder Begeja, Meriban Najdeni, Jovan Andoni etj., që në mënyrë të organizuar, në grupe ilegale, i orientuan e mësuan pionierët si të përfshiheshin e aktivizoheshin në bazë shkolle a lagjeje. Konkretisht në Tiranë, në aksione e veprime antifashiste, sidomos në shkollat e mesme e klasat e larta të fillores edhe në qytetet e tjera. që përmendëm më lart.

Debatikasit të drejtuar nga te rinj në dhjetëra e dhjetëra grupe, në gjithë vendin; pikërisht si në refrenin e këngës së tyre që shërbeu sulmin:

“Luftoj për Liri,

Me sa kam fuqi

S’trembem asnjëherë,

se jam pionier”

Ata morën pjesë në aktivitete, protesta e demonstrata, në grisje flamujsh e simbole të fashizmit, si pankarta, fotografi të Duçes etj., etj. Nëpër shkolla braktisën me tallje, format e edukimit fashist dhe shpesh edhe mësimin me metoda fashiste. Pionierët bënë punë të vështira ndërlidhëse për ilegalët e çetat partizane, shpërndanë trakte e ngjitën afishe antifashiste nëpër mure, mblodhën ndihma e bile edhe armë, për Luftën. Ata morën pjesë edhe në aksione në ndihmë të njësiteve guerile, për dëmtimin e depove apo edhe të teknikës luftarake të armikut. Në të gjitha këto aksione, ata treguan edhe vendosmëri prej burri. Shumë edhe u burgosën e u torturuan, nga kuesturat nazifashiste, por qëndresa e tyre ishte heroike.  Shumë debatikas kur u rritën u hodhën në rreshtat e çetave dhe reparteve partizane, dhe luftuan kundër pushtuesve e tradhtarëve ku treguan trimëri në beteja. Me gjakun e 80 e ca dëshmorëve nga radhët e tyre, kontribuan për ta shkruar me gjak historinë e Lavdishme te Luftës Antifashiste, për çlirimin e vendit, pavarësinë e vërtetë të Shqipërisë. Është i rrallë heroizmi i pionierëve partizanë Heronj të Popullit si Ylbere Bilibashi, që ra duke u kacafytur me armikun në kodrat e Vokshit, për çlirimin e Junikut në Kosovë, apo të Met Hasës, apo i partizanit të Brigadës VI “S” Çelo Sinanit, që ra në përleshje me mercenarët nazifashistë. Janë me dhjetëra pionierë të tjerë dëshmorë të Tiranës, që ranë për çlirimin e Atdheut si: Ali Spahiu, Ahmet Godenca, Fiqiri Begeja, Xheladin Hoxha, Agim Gjilani, Aleko Qirici, (Coli i filmit), Jorgo Vogli, Rexhep Skënderi, Irfan Konxholli, Shaqir Hoshafi, Qazim Alimemeti, Qemal Mehmeti, Osman Ademi, Aristidh Pano, Xhemal Zajmi, Osman Luga, Amali Qenami, Nadire Hysa etj. Janë të shumta aktivitetet e aksionet luftarake të Debatikasve, por edhe aktivitetet kulturore e artistike në ndihmë të LANÇ. Në korrik 1943, pionierët, pasi kishin dhënë shumë shfaqje artistike antifashiste ilegale në lagjet e Tiranës etj., dhanë me sukses edhe në Priskë Komedinë “Prefekti”, e cila më vonë e punuar u dha, me dhjetëra herë, për popullin në shumë rrethe.  Më 18 tetor 1943 pionierët morën pjesë në shpërndarjen e traktit, që njoftonte goditjen me Top të Asamblesë Tradhtare Kuislinge; Ata që më 1943, botuan, në fillim fletoren e tyre “Pionieri”, pastaj në 1944 nxorën revistën me po këtë emër, që militoi gjatë, krah “Kushtrimit të Lirisë”, në shtypin e LANÇ.

Në Tiranë: – Më 1942 grupet e pionierëve përbënin vetëm 500 vetë; më 1943, 1200 vetë, më 1944, mbi 3000 vetë; Nga këta, mbi 40 vetë u burgosën e u torturuan; ndërsa 50 pionierë dolën malit si partizanë, në Pezë, në Dajt, në Krujë-Ishëm, në Brigadën III të UNÇSH etj. Guximi dhe trimëria e tyre frymëzonte edhe më të rriturit, në betejat për çlirim dhe frymëzon e do të frymëzojë brezat e ardhshëm. Nuk është e rastit, që për kontributin e pionierëve të LANÇ janë shkruar shumë vepra letrare e artistike. Shumë moshatarë të asaj historie të pionierëve, sot janë mbi 80 e ca vjeç, kontribuojnë, me plot përkushtim si pasardhës veterani apo veteranë të mirëfilltë, mësues e mësuese patriote dhe në Organizatën tonë në shembullin e trimërisë partizane, militojnë si të rinj pasardhës, për të bërë që të jetojë në breza në kujtesë e të mos harrohet, Lavdia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.

 

Nexhmi Menzelxhiu, Ish-student i Liceut të Tiranës, drejtues pionierësh të LANÇ