-Me rastin e 88 vjetorit të lindjes-

/Telegraf.al/ Jemi mësuar që të evokojmë më dendur bëma luftarake të heronjve, dëshmorëve -për të cilat kurrrë nuk do të pushojmë së shkruari e kënduari. Por edhe epopeja e pesëdhjetë viteve të ndërtimit të Shqipërisë se re të pas Luftës së Dytë Botërore, dhe mbrojtjes së saj nga kërcënimet armiqësore nuk është më pak e rëndësishme. Nisma e këtij shkrimi është libri “Hero i Punës Izet Dashi” që promovohet me rastin e 88 vjetorit të lindjes së tij. Dihet se fortësia e lisit nuk është te degët; ajo qëndron te rrënjët. Ndaj edhe kemi nevojë që të kthejmë sytë gjithnjë nga kemi ardhur që të dimë se ku do të shkojmë. Familja që krijuan Hamiti dhe Ferruze Dashi në vitin 1924 u shtua me dhjetë fëmijë, e tani pas njëqind vjetësh, janë shumuar deri afër njëqind vetë. Midis tyre tre veteranë të LANÇ, katër pasardhës veteranësh dhe një Hero i Punës Socialiste. Sepse dhjetë fëmijët e Hamit Dashit, ishin dhe mbetën gjak e mjaltë prej të ëmës dhe të atit. Ndaj dhe fisnikëria e familjes Dashi në Zabërzan, nuk ka njohur tavan.

Kush ishte veterani Hamit Dashi dhe fëmijët e tij?
Hamit Nexhip Dashi lindi më 13 mars 1889 në Zabërzan, fshat që administrativisht ka qenë në përbërje të komunës së Çepanit prej vitit 1928 e deri në ditët e sotme. E ëma, Hamideja vdiq nga kolera në vitin 1914 në Gorisht të Vlorës, kurse i ati, Nexhipi kishte vdekur qysh në vitin 1908. Hamiti, u mbështet tek xhaxhai i tij Rushani, i cili e rriti deri sa e martoi. Atë gjithashtu e ndihmoi shumë edhe Mukja, i ati i Qemalit në formimin dhe edukimin e tij. Më 1922, Hamiti u fejua me çupën e Sherif Lukes, Ferruzen. Edhe ajo banore e këtij fshati. Martesën e bënë në vitin 1924. Hamit Dashi është i njohur në të gjithë krahinën e Çepanit si atdhetar, luftëtar dhe përkrahës i zhvillimit përparimtar të fshatit. Njeri fisnik, i mirësisë, fjalës së dhënë e të mbajtur, i shakasë dhe i punës së ndershme. I zoti i fjalës dhe i veprës, që organizonte me kujdes punët në arë, në vreshtë, në shoqëri dhe në shtet, kudo. Baba i dhjetë fëmijëve të miredukuar, që veçse e nderuan familjen, fisin, truallin. Ka marrë pjesë aktive në Luftën e Vlorës në vitin 1920. Ka përkrahur Fan Nolin në vitin 1924. Ishte antizogist dhe mbronte idetë e Riza Cerovës. Në vitet e LANC-it ai përkrahu partizanët dhe e ktheu shtëpinë në bazë të asaj lufte. Vetë ai ishte rreshtuar në çetën territoriale të fshatit. Në vitet 1942-1945 ishte zgjedhur kryetar i këshillit antifashist nacional çlirimtar për fshatin Zabërzan. Më pas është zgjedhur për pesë vjet anëtar i këshillit popullor të lokalitetit të Çepanit. Në vitet e pushtetit popullor përkrahu të gjitha reformat e masat për forcimin e ekonomisë. Ishte ndër të parët që pranoi kolektivizimin dhe hyri në kooperativën bujqësore. Jetoi vetëm me djersën e tij të ndershme, punoi vetëm në tokën e tij dhe bashkë me gruan dhe djemtë, ndërtoi kurorën më të bukur të krenarisë, thjeshtësisë dhe madhështisë që të japin nderi, vatani, tabani.Lindi dhe edukoi më së miri dhjetë fëmijë, të cilët u bënë kuadro të dalluar në ushtri, arsim, ekonomi, shëndetësi, kulturë, etj. Hamiti mbante titullin e Veteranit të LANC-it. U nda nga jeta në vitin 1980 dhe u varros në fshatin e lindjes. Skrapari ka jo pak të atillë veteranë si Hamit Zabërzani dhe ngado punohet për kujtimin e tyre. Por përsëri është bërë pak. Mbetet ende shumë për të shkruar për veprën e burrave të viteve të stuhishme 1945-1990. Ferruzeja ishte zonjë grua me të gjitha virtytet e kohës që jetoi. Ajo e lindur në vitin 1906 po në atë fshat, Zabërzan, si një heroinë e vërtetë, lindi, rriti, edukoi dhe shkolloi tetë djem e dy vajza. Ata e shtuan krenarinë dhe fisnikërinë e fisit Dashi, pasuruan veprën e këtij fisi në kohë të reja dhe e begatuan si nga ana materiale ashtu edhe nga ana morale. Ajo realisht së toku me qumështin, fëmijëve u dha edukatë, u nguliti mësime e këshilla praktike se si duhej të hidhnin hapat në jetë. E vërteta historike është se ata të dhjetë, jetuan, punuan dhe lanë gjurmë shumë të mira. Është tepër e vështirë të gjesh dikë që të flasë jo mirë për ta, por përkundrazi flitet, shkruhet, kuvendohet vetëm me nivele të larta vlerësuese.
![]()
Mitati e Nexhipi
Duke qenë një familje e madhe mbi 15 vetë, 8 vëllezër, 2 motra, 2 prindërit, 3 plaka, vjehrra e babait, kunata e vjehrrës, hallua e babait, patjetër disa e dikush duhej të largohej nga fshati në punë të ndryshme shtetërore, për të siguruar jetesën e për një jetë më të mirë. Krahas kësaj, në kësi rastesh edhe shteti socialist ndihmonte pasi kishte kërkesa e planifikim të mirëstudiuar të lëvizjeve e vendosjeve të banorëve. Kështu që Mitati dhe Rustemi shkuan në ndërmarrjen bujqësore shtetërore ‘29 Nëntori’ Lushnjë, Nexhipi mësues në fshatrat e zonës së Çepanit. Secili djalë i Hamit Zabërzanit kish veçori karakteri, por me të shumta ishin cilësitë dhe virtytet e njëjta që e përshkuan gjithë vite e jetëve të tyre. Mitati (23.01.1928-10.02.1979) i thjeshtë dhe punëtor i ndershëm, i prirë për organizim dhe edukim. I dhënë pas jetës kolektive, ai vetëm me drejtësi, punoi në pronën e të atit e më pas u vendos në Lushnjë, sektori i Çermës ku la vetëm emër të mirë. Pjesëtar në aksione të rinisë së kohës për ndërtimin e veprave madhore si hekurudha e kanale vaditëse, ai mbahet mend si djali i qetë i punës së heshtur.U nda nga jeta në moshë të re, 51vjeç. Më i shkathti në organizim e drejtim, në veprimtari shoqërore e shtetërore, në çdo punë që iu ngarkua ishte Nexhipi (15.02.1931-11.04.1994). Sytë e tij nxirrnin xixa rinore në tërë vitet që jetoi. Ai punoi në arsim dhe në administratë shtetërore në funksione si mësues i shkollës shtatëvjeçare, drejtor i ndërmarrjes së bonifikimit dhe ujrave të rrethit Skrapar, nëpunës në administratën e uzinës mekanike ushtarake të Poliçanit e gjetkë. Njeri i humorit shëndetsjellës dhe fjalës së ëmbël, të gjithë ata që e njohën në punë të përbashkët thonë: njeri fisnik, drejtues i zoti dhe shok i fjalës si Nexhip Dashi! U nda nga jeta 63 vjeç.
Sherifi e Ramizi
Nuk shlyhet nga kujtesa emri, bukuria trupore dhe puna e të shkathtit Sherif(1940-1968), që në fëmijëri, përgjatë kohës së shërbimit ushtarak dhe më pas kur u punësua si shofer ambulance. Ai shpëtoi kush e di se sa jetë njerëzish me makinën e tij, por nga një krejt e papritur si rezultat i kafshimit nga qeni i tërbuar, atij u shua jeta në moshë fare të re. Ramizi (24.04.1942-18.01.2021), me urtësinë e tij të njohur, me punën e tij pa fjalë, me dëshirën e mirë që të ndiqte gjithnjë shembullin e babait dhe vëllezërve më të mëdhenj, e nisi dhe vijoi jetën në fshat deri për 58 vjet duke lënë gjurmë të pashlyera. Prej vitit 2000 ai u vendos në Arapaj të Durrësit, ku ndërtoi një ekonomi e jetë të re, por kovidi -19 i rrëmbeu jetën,pa i gëzuar ato.

Zylfo- dijetari i familjes dhe etalon papërkulshmërie
Zylfua (10. 01.1938 – 23.11.1999) kreu katër klasë fillore në Zabërzan; shkollën shtatëvjeçare e kreu në konviktin “Uji i Ftohtë” Vlorë me bursë shteti midis shtatë fëmijëve të shkëlqyer në mësime nga Skrapari midis të cilëve Agron Çuadari, Zeqir Çaushllari, Latif Fodulli, Dake Bregu, etj. Në vitin 1963, pasi nuk shkoi dot në Bullgari për studime, u regjistrua në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz. Aty pa kaluar tre muaj i ndërpreu studimet pas disa shtrimesh rradhazi në spitalin e Tiranës. U caktua në punë pranë Institutit të Duhanit në Cërrik, ku për shkak të sëmundjes së paralizës, qëndroi tre vjet. Sëmundja e tij përparonte nga dita në ditë, ndaj Zylfua përfundimisht u detyrua të kthehej në fshat pranë prindërve dhe vëllezërve. Prej vitit 1963 dhe deri në fund të jetës, ai edhe pse i paralizuar e sfidoi sëmundjen duke befasuar të gjithë me vullnetin, dijet, interesat, konceptet për jetën, punën, shkencën, familjen dhe zhvillimin shoqëror. Ai ishte i thjeshtë, i sinqertë, i begenisur, i etur për dije të reja shkencore të specialtetit të vet edhe të çdo fushe tjetër. Kishte, veç dashurisë për njerëzit edhe një vullnet të jashtëzakonshëm për të studiuar e zgjeruar informacionet, nga librat dhe emisionet radiofonike të kohës. Zotëronte njohuri të thella teorike dhe praktike në veçanti për bujqësinë. Ai për 40 vjet i përballoi me një vullnet të çeliktë, vështirësitë, dhëmbjet, shqetësimet, mundimet e lodhjen fizike. Iu desh që të lëvizte vetëm me forcën e krahut. Kishte një kurajë mbinjerëzore, pa treguar as shenjën më të vogël të pesimizmit e dëshpërimit. Zylfo do të kujtohet gjithmonë me dhembshuri e respekt të pakufishëm. Të gjitha shërbimet atij ia kanë bërë vëllezërit ku veçohet Izeti, e pastaj Ramizi e Rustemi.
Rustemi
Jetoi vrullshëm me punë, me veprimtari shoqërore, me aktivitete familjare dhe përsëri me punë të palodhur. I lindur në janar, si vëllezërit Zylfo e Izet, ai ishte i kudogjendur në vëllazëri e në shoqëri, që nga koha kur luftohej për çlirimin e atdheut, ku ai kreu detyrën e korrierit e deri në muajt e fundit të jetës së tij 90 vjeçare në Çorovodë. Punoi si punëtor bujqësie, brigadier, kryeagronom, përgjegjës sektori, dhe vitet më të shumta i kurorëzoi me punën në pemëtari si specialist i pasionuar në Lushnjë e në Skrapar. Është ky bir i Hamitit që e hodhi në letër historinë e fisit Dashi duke shkruar disa libra, në prozë e në poezi, me rrëfime, përshkrime dhe detaje me vlera shumëplanëshe edukuese dhe dokumentare. Gëzonte autoritet dhe respekt edhe si veteran i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare mbasi punoi me shpirt të paepur për të mbrojtur idealet dhe vlerat e asaj lufte. U nda nga jeta më 11 qershor 2023 dhe prehet në Çorovodë. Nga tetë vëllezër jeton gjallërisht si pensionist vetëm Bashkimi, ish-oficer i lartë i ushtrisë dhe dy motrat. Razija dhe Dituria janë qershia mbi tortë, dy motra që mbeten lulet e bukura në kurorën e dhjetë fëmijëve të Hamit e Feruze Dashit. Ato kanë krijuar familjet e tyre. I respektuan aq shumë prindërit dhe më pas vëllezërit e tyre dhe iu qëndruan afër e pranë siç di të bëjë vajza më sublimen për nënën e babain dhe motra më të mirën për vëllain. Gjashtë kunatat, Shega, Florija, Kismetlija, Këzja, Dituria e Tefta nga 75 deri 90 vjeçe bisedojnë me telefon atje ku janë pranë e larg fëmijëve të tyre, duke shprehur krenarinë që erdhën me duvakun e nuses dhe janë bërë stërgjyshe në fisin emërmirë, rrënjëthellë e degëshumë të Hamit Dashit.
Izeti Dashi – Heroi i fisit dhe vlerë kombëtare
Izet Hamit Dashi lindi 18 janar 1936, tetë vjet para se të çlirohej Shqipëria nga nga fashizmi italian, nazizmi gjerman dhe bashkëpunëtorët e tyre vendas; përjetoi si fëmijë vitet e ashpra të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare; përjetoi plotësisht epokën 45 vjeçare të punës me motive revolucionare për ndërtimin e socializmit duke qenë protagonist në këtë periudhë dhe u nda nga jeta 32 vjet pasi kish nisur vendosja e kapitalizmit në Shqipëri. Ai, në cilëndo pjesë të këtyre etapave historike doli i fituar, madje u kthye edhe në simbol të njeriut atdhetar, që mbronte idealet e luftës për çlirim, që atdheun e familjen i vinte mbi gjithçka dhe e shihte begatimin e tyre vetëm me anë të punës së ndershme, të palodhur, të pandërprerë. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe atë shtatëvjeçare e përfundoi në Çepan. Me rezultate shumë të larta përfundoi Teknikumin Bujqësor dyvjeçar në Tiranë. U angazhua në detyrën e brigadierit për dy vjet, qëndroi një vit nënkryetar e në vitin 1969 u zgjodh kryetar i kësaj kooperative bujqësore deri në fundvitin 1989. Ai punoi duke udhëhequr kudo me shembull personal në të gjithë sektorët, duke zbatuar gjerësisht metodat efektive që sillnin rritjen e rendimenteve në prodhim. Forcimi i disiplinës, kontrollit dhe organizimit, me mbështetjen te përvoja e përparuar si dhe duke mbajtur lidhje të pashkëputuara me masën e fshatarëve, për zbatimin e direktivës së partisë,- këto ishin burimi i sukseseve. Në 21 vitet e jetës gjithë vrull e punë, suksese e vështirësi të panumurta në atë kooperativë bujqësore malore ku djersa kthehej në gëzim dhe mbarësi kolektive, ai punoi vetëm me ndërgjegje të lartë dhe zbatim rigoroz të ligjeve të shtetit ndaj edhe u shënuan arritje të dukshme. Treguesit në vlerën e ditës së punës, në sasinë reale të të ardhurave për anëtarët e kooperativës dhe të të gjithë banorëve të fshatrave që përfshinte kjo ekonomi, ishin më të lartat në historinë e tyre në të gjithë rrethin e Skraparit. Po ashtu gjatë atyre viteve, në jetën e banorëve të atyre gjashtë fshatrave, u bënë ndryshime të mëdha në mënyrën e jetesës, në rritjen e nivelit material, arsimor, kulturor e shëndetësor. Për këto arsye ai u dekorua me titullin më të lartë të asaj kohe: “Hero i Punës Socialiste” si dhe dekorata të tjera. Ai punonte vetëm me drejtësi e djersë të pastër, duke u bërë simbol i shprehur me fjalët “Punëtor si Izeti!” Izet Dashi ishte dhe mbetet njeri themelesh, njeri që shihte dritë edhe kur sundonte errësira. Ishte ai që, në këto kohë të mjegullta, për 20 vite rresht organizoi takimin e tërë fisit Dashi në truallin e babait, në fshatlindje si rrallë kund në krahinë e më gjerë. U nda nga jeta më 18 korrik 2022 në vendin ku lindi, ku kishte shkuar nga Tirana për të veselitur pjergullat. Eshtrat e tij prehen atje ku ai dëshironte, në fshatin Zabërzan. Ai tashmë ka edhe një monument të shkruar, një libër kushtuar jetës dhe punës së tij mbresëlënëse dhe frymëzuese. Duke marrë në dorë këtë libër, lexuesi që nuk e njihte befasohet prej virtyteve të tij; lexuesi që e pati njohur, i duket sikur po e takon përsëri duke e pasur të gjallë midis nesh. Heroi i Punës Socialiste Izet Dashi i përket asaj plejade njerëzish madhështorë të truallit shqiptar prej të cilëve gjithnjë kemi se çfarë të mësojmë dhe tek, i cili kurdoherë do të na duhet të mbështetemi, sepse ai përbën vlerë kombëtare.






















