Në Operacionin e Dimrit në vitet 1943 1944 shtëpia e Gani Bicit ka strehuar për disa orë Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë NÇL
Një kafe e pirë sot më datën 3 shkurt 2022 me mikun tim Qazim Bici, i lindur dhe rritur në fshatin Lenie të Gramshit, më kujtoi ato ditë të bukura e plotë me mbresa të paharruara që kam kaluar gjata kohës që kam punuar me disa nga banorët e Gramshit e në mënyrë të veçantë do të theksoja ata të luginës së Tomorricës dhe të fshatit Lenie. Në mendimin tim ata mbeten njerëz të qetë e punëtorë të dëgjuar e të palodhur gjatë gjithë ditës duke mos marrë parasysh vështirësitë e terenit ku punonim në zona të larta e të thepisura, në teren shkëmbor e të thyer. Kjo më bënte që edhe unë të mos e ndieja lodhjen duke punuar topograf tërë ditën në teren, në male e kodra nga 10 deri në 12 orë në ditë ,pasi ishin ata banorë që na ndihmonin, na përkrahnin, na krijonin kushte sa më të mira për atë kohë, për të punuar e jetuar. Puna e desh që në vitet 1982- 1983 të shkoja për të punuar edhe në fshatin e largët të Lenies. Lenia është një fshat tipik malor me dimër të ftohtë e të ashpër dhe me behar të shkurtër e të freskët. Në pjesën më të madhe të perimetrit të tij ky fshat rrethohet nga male të bukur si Komiani, Sogora, Lenia, e Valamara. Disa prej tyre si Lenia e Valamara përveç livadheve e kullotave alpine ndodhen edhe disa liqene natyralë me ujë, çka i bëjnë edhe më të bukur e më të populluar në behar nga blektotrët e këtij fshati, por edhe nga fshatrat e tjerë. Banorët e Lenies me vështirësi e sakrifica kanë punuar e punojnë për të jetuar edhe në ato kushte duke u marrë me blektori, bujqësi. pemëtari dhe bletari. Për të shkuar në majën e malit të Sogorës mua më është dashur të kaloj nëpër lagjen Bicaj të fshatit Lenie. Në këtë lagje ka shtëpinë edhe familja e Gani Bicit, i cili sot nuk jeton, por që ka qënë një njeri me emër të mirë e të dëgjuar jo vetëm në fshat, por edhe në krahinë. Me disa nga djemtë e kësaj shtëpie si me Qazimin, Mersinin dhe Mustafain jam njohur në punë me ta. Ata janë djem, që kanë marrë nga tabiatet dhe edukata e babait të tyre. Për vetë pozicionin e kësaj shtëpie, poshtë qafës së Lenies, ku nëpërmjet saj kalohet në jug për në fshatin Moglicë e më tej në fshatrat e Korçës, ajo ka pritur, strehuar e ndihmuar njerëz në nevojë si për kushtet e motit ashtu edhe për ushqim si para Luftës NÇL edhe më pas. Në Operacionin e Dimrit në vitet 1943 1944 shtëpia e Gani Bicit ka strehuar për disa orë Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë NÇL dhe Enver Hoxhën dhe e ka ndihmuar atë natë duke i shoqëruar për kalimin e qafës së vështirë të Lenies. Po në këtë rast ai ka mbajtur dhe strehuar për 14 ditë pjesëmarrësin e Ushtrisë NÇL Kadri Musain, i cili ishte i sëmurë dhe nuk mund ta shoqëronte më tej Shtabin e Përgjithshëm. Këtë bujari dhe mikpritje të këtyre njerëzve të mirë unë e kam provuar vetë në beharin e vitit 1982 duke fjetur një natë në këtë shtëpi, ku xha Ganiu, i cili sot nuk jeton, i ndrinin sytë dhe i shkëlqente fytyra nga kënaqësia, që ndiente: se në shtëpinë e tij atë natë kishin për darkë miq. U kënaqëm dhe kaluam një natë të paharrua., Kjo darkë forcoi edhe më shumë lidhjet e miqësinë me familjen Bicaj në fshatin Lenie.
Për këtë familje këdo që të pyesësh do të flasë fjalë të mira. Ja si e ka përshkruar këtë familje në kujtimet e tij Liço Liçaj një banor i thjeshtë nga Gjergjevica e Korçës.

Bujaria, mikpritja dhe buka e Gani Bicit
5 prill 1979 nisemi nga fshati Gjergjevicë i Korçës, bashkë me dajon Musa Velo për të gjetur ndonjë punë. Ditë prilli e gjatë! Shumë të lodhur mbas 12 – 13 orë rrugëtim dalim në qafën e Shënepremtes,qull në djersë dhe të rraskapitur. Që aty shikova për herë të parë fshatrat e Vërcës. Pa hyrë në fshat shikojmë një burrë rreth të gjashtëdhjetave me një kafshë ngarkese duke ngarkuar. Unë djalë i ri 24 vjeç shpejtova për ta ndihmuar, por burri me një ton të butë si prej prindi më tha: „Je i lodhur more bir,vjen nga larg“. Unë qesha dhe ju luta dhe e ngarkuam kafshën së bashku. I them dajos se nuk do t‘i ndahemi këtij, e pyesim a ka hotel në fshat, por Ganiu m‘u përgjigj qetë me keqardhje duke më parë drejt e në sy, jo more bir nuk ka, por sonte ju do të urdhëroni në shtëpinë time. Mendova me vete dhe për momentin m‘u bë qejfi që e zgjidhëm problemin e fjetjes, nuk bëhet fjala për të ngrënë, vetëm të fusnim kokën brënda,vetëm ai që e ka provuar e di çdo të thotë të gdhihesh i djersitur gjithë trupin. Me vete thashë a do të ketë vënd ky plak që mua nga paraqitja m’u duk i drobitur. Por nuk thonë kot miku pritet mbas rrobës dhe përcillet mbas mëndjes. Duke ecur dhe duke biseduar arritëm në shtëpinë e parë të fshatit, por aty çfarë të shikoje, një shtëpi dy katëshe e punuar me kujdes nga mjeshtrit Oparak. Duke shikuar në ballë para hyrjes më zuri syri pllakë përkujtimore të Shtabit të Përgjithshëm dhe emërin e Enver Hoxhës. Sado që i ri në moshë në atë kohë me një herë ndërrova mëndje, thashë me vete kemi të bëjmë me një familje dhe person të rrallë.

Shkarkuam kafshën dhe na udhëhoqi për të hyrë brënda me një respekt të jashtëzakonshëm drejt e në dhomën e pritjes, ku aty na uroi mirëseardhjen e zonja e shtëpisë dhe njëri nga djemtë, më la përshtypje për moshën që kishte: na priti me dorë në zemër, për nuk ia mësova emërin, se xha Ganiu kishte 5 yje si njeri ishte dhe tjetri. Mbas zakonit na qerasën, u ulëm dhe na u duk vetja sikur ishim miq të vjetër në atë shtëpi. Nga veprimet dhe mënyra se si vepronin pa bërë zë çdo gjë më dukej sikur Ganiu kishte lënë porosi që ne do të vinim për darkë. Më vonë mësova që shtëpia e Ganiut me atë zemërbardhësinë e tija, rrallë net ngelej pa patur miq dhe shokë, që Gani Bici i kishte të shumtë. Por gjëja më e veçanta ishte se Ganiu edhe jabanxhin që e zinte rruga për një natë e trajtonte si mik të familjes edhe sikur të mos e takonte më kurrë siç qe edhe rasti ynë. Njerëzit si Gani Bici vdesin fizikisht se historia dhe jeta e tyre kthehen në legjendë dhe jeton shumë gjatë. Është nder dhe privilegj i madh për mua dhe familjen time, si një rast i rrallë në jetë që nuk do ta harrojë sa të jem duke lënë porosi edhe fëmijëve…
BUKËN, MIKËPRITJEN DHE BUJARIN E GANI BICIT të mos e harrojmë kurrë. Në shenjë respekti sa mali i Lenies.





















