Meditimi i një të burgosuri/ Kur rashë sefte në burgun e Korçës, një rreth pe hekuri ç’i vura kokës!..

717
Sigal

Nga Vepror Hasani

Prangosja është çasti më i pabesueshëm. Njeriu pyet veten: Si është e mundur! Nuk e kisha menduar të ndodhte kështu! Është ai çast që ndan dy botë. Mëngjeseve nuk do të dalësh si gjithnjë nga dera e shtëpisë. Në mbrëmje nuk do të kesh më mundësi të kthehesh në familje. Djalin dhe çupën nuk do t’i shikosh për shumë kohë. Haberet që do të marrësh do të jenë gjithnjë të pakta. Kanë për të ndodhur shumë gjera dhe ndoshta nuk ke për t’i marrë vesh kurrë. Duhet të nisesh drejt një bote tjetër që edhe mund ta kishe menduar, por që nuk e kishe besuar kurrë. Është ky çast që ka emrin “ndarje”. Një çast që zgjat vetëm disa minuta ligështimi, por vetëm pak. Bota tjetër që të ka hapur derën duhet pranuar. Të mbetet vetëm një gjë: mbi zemrën tënde duhet të vesh një gur të madh. Te ai gur do të përplasen të gjitha dhimbjet e tua. Do të ngushëllohesh me shprehjen: “Njeriu është i fortë, i përballon të gjitha!” Pas kësaj do të fillosh të numërosh minutat, ditët, javët, vitet… Shpresa për t’u takuar sërish me botën nga e cila u ndave është e madhe. Shpresa vdes e fundit. Guri mbi zemër t’i lehtëson vuajtjet…


Për burgun e Korçës thuhet se është shumë i vjetër, thuhet se askush nuk e di kur është ndërtuar, kështu thuhet sa herë e sjell rasti të flitet për të, por në të vërtetë burgu i Korçës zë fill në vitin 1894. U ndërtua në hyrje të pazarit nga ana e lumit. Ishte një ndërtesë dykatëshe. Burgjet gjithnjë duken shumë të vjetër për shkak të dhimbjeve që shkaktojnë. Tashmë burgu i Korçës nuk ekziston më. Dikur e quanin “hapsanë”. Ndoshta nga që prej andej edhe mund të mos dilje më i gjallë. Shumë njerëz që patën fatin të hyjnë aty, i vunë një gur të madh zemrës. Pati nga ata që tentuan të arratiseshin dhe mundën t’ia dilnin mbanë. Një histori të tillë e sjell edhe një këngë e vjetër: “Kur rashë sefte në Burgun e Korçës”. Nuk e dimë çfarë moshe ka pasur i burgosuri, por kënga e krijuar prej tij sjell shumë dhimbje:
O kur rashë sefte në burgun e Korçës,
një rreth pe hekuri ç’i vura kokës…!

Të gjitha vargjet e këngës fillojnë me një ooo… të stërzgjatur. Edhe rrethi prej hekuri do të jetë i rëndë. Njeriu që po shkon drejt burgut dëshiron të shohë për herë të fundit gjithçka që e rrethon dhe gjithçka që po lë pas. Ndjen se është një lloj lamtumire. Gjithçka i duket edhe më e dashur se më parë:

O kur shtira sytë nga Qafa e Qarrit,
se ç’m’u drodh ky trupi, më mbuloi të qarit…

Ndoshta edhe njerëzit më të fortë ky çast i përlot. Ndarje… ndarje nga gjithçka. Edhe nga gurët. Megjithatë ende ka edhe pak kohë për të vështruar botën rreth e qark. Bota është e madhe, nuk ka fund. “Kaushi” ku do ta mbajnë të lidhur, do të jetë sa hapësira e një rrethi pe hekuri. Çastet e fundit gjithnjë do të mbahen mend:
O kur shtiva sytë nga fushë e Pojanit,
një djalë e një çupë i ndava pe xhanit…

Pikërisht ky çast është më i trishtueshmi. Vështrimet e fëmijve nuk të ndahen. Djalin dhe çupën i sheh duke qarë. Dëgjon që po të thërresin: Babiii… babiii… babiii… Nuk u përgjigjesh dot. Në heshtje përsërit vargjet e këngës që je duke krijuar:
O kur shtiva sytë nga guri i Zvezdëz,
një gur të bardhë ç’i vura zemrës!

Vetëm ai gur do të të mbajë gjallë. Mund të ndodhë që edhe nuk kthehesh më. Të duhet të lësh një amanet:
Amanet moj nënë të kam lënë malin,
të më kujtosh mua, të më rritësh djalin…
Amanet moj nënë të kam lënë fushën,
të më kujtosh mua, të më rritësh çupën…

Amanetin mund t’ua lesh shumë njerëzve, por vetëm te nëna, zemra gjen besim, ngushëllohet…
Amanet moj nënë…
Pastaj të kujtohen këngë të tjera edhe më të vjetra që janë kënduar për burgun e Korçës nga të burgosurit:
Hapsanat e Korçës 40 shkallë janë,
kërkojnë të mbajnë Nure kapedanë,
Iku Nurja iku, vetë i dymbëdhjetë,
iku nëpër Mborje, shkoi Brozdovec…

Kënga të bën të mendosh: si kishte mundur ky Nurja t’ia dilte mbanë? Sa herë që arratiseshin të burgosurit, shtohej numri i ushtarëve që ruanin me mitraloz. Muret rrethuese bëheshin edhe më të lartë, ligjet më të rrepta. Askush nuk duhej të dilte i gjallë që andej, por Nurja kishte ikur:
Sipër m’u në Gjurës na hëngri një drekë,
na vanë në Gorë, formuan një çetë,
me guna ç’u veshën, koburja, dyfekë…

Trim kishte qenë ky Nurja. Të burgosurit i kujtohen edhe vargjet e fundit:
Ky Kajo Babjeni na u bë me fletë,
se i vajti Nurja vetë i dymbëdhjetë…

Të tilla këngë këndoheshin për burgun e vjetër të Korçës, që dukej sikur ishte burgu më i vjetër i botës… kështu duken të gjitha burgjet, sikur janë ndërtuar para se të lindte njeriu…