Lidhja Shqiptare e Prizrenit – Në krijimtarinë letrare të shkrimtarëve kosovarë

131

Profesor doktor Kristo Frashëri shkruan:

Sigal


“Lidhja shqiptare e Prizrenit ishte një organizatë patriotike revolucionare, me karakter politik dhe ushtarak, e cila veprimtarinë e saj e zhvilloi në kushtet e sundimit shekullor osman. Lidhja  Shqiptare e Prizrenit u themelua dhe veproi  në një nga çastet më dramatike që kalonte Shqipëria; në kohën kur Rusia Cariste me traktatin e Shën Stefanit dhe pastaj fuqitë e mëdha me vendimet e Kongresit të Berlinit, jo vetëm nuk e trajtuan Shqipërinë si subjekt të drejtash  kombëtare, por shkuan dhe më tej, vendosën t’i copëtonin trojet e shqiptarëve në dobi të monarkive fqinje, duke  rrezikuar kështu ekzistencën e tyre si komb. Meritë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është se ajo  nuk e ndau asnjëherë luftën  për të shpëtuar tërësinë tokësore të atdheut nga lufta për të krijuar shtetin kombëtar shqiptar. Pas një jete trevjeçare, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, më në fund u shtyp me zjarr dhe me hekur. Edhe pse shqiptarët nuk fituan asnjë nga të drejtat e tyre kombëtare, çështja shqiptare hyri tashmë në arenën diplomatike ndërkombëtare. Pa rezistencën e Lidhjes dhe pa lëvizjen kombëtare shqiptare  që atë e pasoi, ndoshta Shqipëria që doli nga Konferenca e Ambasadorëve, do të ishte katandisur në një provincë lilipute si ajo që u formulua në Traktatin e Fshehtë të Londrës në vitin 1915.”

 

Në krijimtarinë letrare të shkrimtarëve kosovarë

Shkrimtarë kosovarë këtë ngjarje historike për fatet e Kombit e kanë përjetësuar me krijime letrare. Poezi, poema, romane, drama gjallojnë nga pena e artë e shkrimtarëve duke transmetuar brez-pas brezi historinë e kombit shqiptar.

 

Drama “Epoka para gjyqit”

Ekrem Kryeziu

Fragmente …

Nga burgu , që gjendet diku në  kala të Prizrenit, nxjerrin të lidhur në pranga, Abdyl Frashërin dhe Sulejman Vokshin. Abdyli  veshur me rroba të Evropës , me duar fshin pluhurin që ka mbi setrën e gjatë. Sulejmani ka këmishë liri, dikur duhet të ketë qenë e bardhë, hyn në sallë pa u interesuar  fare për dukjen e vet.

Kryetar i trupit gjykues Qamil Beu, me gradën gjeneral;

Tursun beu zv/kryetar; Mexhit beu,  zyrtar i lartë turk.

 

Fillon seanca gjyqësore.

Tursun beu- Si quhesh?

Abdyli – Abdyl.

Tursun Beu – Llagapi?

Abdyli – Frashëri.

Tursun Beu – Sa vjeç je?

Abdyli – Dyzet e gjashtë.

Tursun Beu – Nënshtetësia?

Abdyli – Jam shtetas i Perandorisë Osmane.

Tursun Beu – Zanati?

Abdyli – Ministër i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Përkohshme të Shtetit Shqiptar.

Qamil beu- para se të filloj këtë gjykim të ndritshëm në emër të padishahut, nurit të perëndisë do ta parafrazoj një ajet nga Kurani  Kerim, i cili thotë se: “ Dielli nuk ka nevojë kurrë ta zejë hënën, as nata ta kalojë ditën. Çdo gjë në gjithësi noton. Edhe këtë gjyq e kuptoj kështu… Të  kërkosh që nata ta kalojë ditën, do të thotë të mohosh ligjet e perëndisë, të  ngresh dorë kundër padishahut, nurit të perëndisë…

Tursun Beu – Me përulësi do të mundohem të vazhdoj mendimin e ndritur të Qamil Beut. Në Stamboll, ishit i nderuar dhe, ndër të gjitha shtresat e perandorisë keni miq të shumtë … Atëherë, si mund ta arsyetoni faktin se duke filluar nga viti 1878 ju viheni kundër nesh, gjegjësisht kundër vetes tuaj, sepse ne kemi menduar se jeni në shërbim të lartmadhërisë së tij, Padishahut. Si e arsyetoni këtë dyfytyrësi tuajën?

Abdyli – ( Abdyli qesh me ironi me fjalët e Tursun Beut dhe nis të flasë ).

– Është e vërtetë se në Stamboll kam miq të shumtë, e njëri nga ata është edhe në këtë trup gjykues… Por është edhe një e vërtetë shumë më e madhe:  se gjatë gjithë kësaj kohe unë nuk kam harruar se jam shqiptar , dhe si i tillë jam tani para jush. Nëse mendoni se qëndrimi në lagështirat e errëta të bodrumeve të kalasë ka ndërruar diçka në mendimin tim, gaboni shumë.

Tursun Beu – A mund të na thoni çka ju shtyu të organizoni qëndresën kundër Portës së Lartë?

Abdyli – Që në fillim t’ju them: Unë nuk mund të përgjigjem vetëm në emrin tim. Jam shumë i vogël në krahasim me popullin, të cilin nuk mund ta thërrisni në gjykim e ta dënoni ashtu si do të më dënoni mua. Unë nuk kam bërë asgjë tjetër, por  si bir i mirë, kam ndjekur mendimin e tij.

Qamil Beu – Populli nuk është fajtor. Populli është një emër kuptimi… Ju lutem përgjigjuni drejt. Këtë e them për të mirën tuaj….

Tursun beu- Ju lutem t’i përgjigjeni pyetjes!

Abdyli – e thashë të vërtetën. Nuk kam bërë asgjë tjetër, pos që kam ndjekur mendimin e popullit. Ai mendim është fare i qartë. E keni ditur edhe ju, por që nuk ua keni vënë veshin. E dini fare mirë se në tokat e perandorisë jetojnë dy milion shqiptarë, prej të cilëve dy të tretat janë myslimanë dhe, një e treta të krishterë. Për këtë ka shkruar dhe gazeta e perandorisë  “Basiret”. Ju pa menduar fare dhatë pëlqimin  që pjesë të tëra të vendit tonë…

Tursun Beu- Për këtë nuk do të bisedojmë këtu!

Abdyli- Po kjo ngjalli një indinjatë te shqiptarët. Indinjatë që më vonë u rrit në revoltë dhe mori përmasa të kryengritjes së armatosur. Këtë është dashur ta paramendonit kur nënshkruat paqen e Shën Stefanit…

***

(Ngrihet Sulejman Vokshi. Niset në drejtim të vendit ku ishte më parë Abdyli. )

Tursun Beu – (Tursun Beu i bën po të njëjtat pyetje)   Si quhesh?

Sulejmani – Sulejman.

Tursun Beu – Llagapin?

Sulejmani – Vokshi.

Tursun Beu – Sa vjeç je?

Sulejmani – 60 –vjeçar.

Tursun Beu – Nga je?

Sulejmani – Nga Gjakova, Lagja e Haxhiymerit.

Tursun Beu – Nënshtetësia?

Sulejmani  – Jam shtetas i Perandorisë Osmane.

Tursun Beu – Ç’zanat keni?

Sulejmani – Luftëtar i lirisë.

Qamil Beu – Shkruaj: Ministër i Mbrojtjes dhe Kryekomandant i Ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit…

Mexhit Beu – Ti je njeri i nderuar, ke tokë dhe pasuri. Ke mundur të punosh, të jetosh me nder pa i rrahur monopatet dhe shpellat e shkreta. Çka të është dashur t’i marrësh armët kundër nesh? Ti nuk je derëfikët…

Sulejmani – Unë nuk di të flas aq “mirë” si ju. Luftërat e shpeshta nuk më kanë lënë të thelloj mendimin ndër libra, as t’i skalis fjalët. Di të flas vetëm troç. Mendoj se një burrë shqiptar nuk mund të ketë punë më të mirë se të luftojë për liri. …

***

(I përcjellë  nga një roje, ecën nëpër korridoret e burgut Mexhit beu. Vjen deri te qelia ku është mbyllur Abdyli.)

Mexhit beu- Zgjidhe! Urdhëron rojen.

Më duhet të të them këtë, që nuk kam mundur në gjyq… bjeri dhe mohoi atyre që ke thënë më parë dhe çdo gjë do të rregullohet.

Abdyli – Të tradhtojë?  Kush të ka dërguar të flasësh me mua? Tursun beu? Qamil beu, apo dikush me pozitë më të lartë?…

Mexhit beu- Kurrkush nuk më ka dërguar.

Abdyli – Do të thotë ti po më këshillon të tradhtoj !?

Mexhit beu- Më intereson vetëm shpëtimi yt e asgjë tjetër.

Nëse do të hiqja dorë nga rruga ime do të jetoja gjatë, do të kisha një post të lartë, qoftë këtu, qoftë në ndonjë anë tjetër  të Perandorisë apo jo?

Mexhit beu- Sigurisht! Post me rëndësi të madhe… ashtu ka thënë vetë Sulltani.

Abdyli- Të them një mendim që ma tha një plak kosovar: “Biro, ruaju lakmisë,se, sa më shumë të kesh, aq më pak je i vetvetes…”

Mexhit beu- Të  them unë një mendim tjetër? Zoti ta ka dhënë jetën ta jetosh. Detyra jote e parë është që këtë jetë ta ruash patjetër.

Abdyli – Mexhit bej! Ta them troç se ashtu po e lyp. Postin që ma ofron ti, është post që ma ofrojnë armiqtë. Nëse e pranoj, ta dish nuk do të më çmonin as miqtë, as armiqtë. Turqit do të thoshin : kur për një post i shiti të vetët, po neve kundër të cilëve luftoi? Për sa do të na shesë?…edhe sikur të kisha luajtur mendç e të pranoja  atë që më ofron ti a e di se kush do të jetonte? Turpi im! E ju do të më ushqenit si derrin, me gjellërat më të mira që ka shpikur  Lindja, do të më ofronit të palavitesha, ndër shtretër të mëndafshtë Stambolli. E vetmja arsye e ekzistencës time do të ishte vend korrektimi. Vetë mendimi për një punë të këtillë më shtyn të vjell. Po ta pranoja këtë propozim, do të vdisja përjetë. Do të isha kufomë, që ecën e kundërmon. Më beso se kufomat kurrë nuk i kam dashur.

Mexhit beu- Roje. Lidhe. (roja me mundim e lidh, ndërsa Abdyli  qëndron kokë lart.)

 

***

 Gjyqi përfundimtar    

Mexhit Beu – Menjëherë të shqiptohet dënimi. (Tursun Beu është i  kënaqur me  dëshirimin e Mexhit Beut. Hyjnë Abdyl Frashëri dhe  Sulejman Vokshi dhe ndalen në një kënd të skenës duke qëndruar në  këmbë.)

Tursun Beu – Para se të filloj këtë gjykim të ndritshëm do të parafrazoj  një Ajet  nga Kurani Kerim, i cili thotë:” Dielli nuk ka nevojë kurrë ta  zërë hënën, as nata ta kalojë ditën… Në gjithësi çdo gjë noton”. Edhe, këtë gjyq e kuptoj kështu. Të kërkosh që nata ta kalojë ditën, do të thotë, të mohosh ligjet e Perëndisë. Të ngresh dorë kundër Padishahut,  nurit të Perëndisë, do të thotë, të jesh i padijshëm e të mos i  kuptosh  ligjet e gjithësisë, që paraqesin vullnetin e Perëndisë. Abdyl Frashëri dënohet me burgim të përjetshëm.

Abdyli – Do t’’isha i lumtur po qe se e nesërmja do ta cilësojë si të  vlefshme punën time.

Tursun Beu – Sulejman Vokshi, me vdekje, varje në litar.

Sulejmani – Po t’i kisha edhe tri jetë, që të tria do t’i jepja për lirinë e  Atdheut. Mos më thërrisni më të përgjigjem. Asgjë më tepër nuk kam  ç’të them.

 

*  *  *

Perandoria otomane me qëllim që të zbuste zemërimin popullor, që po rritej kundër tij Sulltani shpalli në maj të vitit 1884 një amnisti për të gjithë shqiptarët, që ishin dënuar me burgim dhe in ternim si pjesëmarrës të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. U përjashtuan nga amnistia të gjithë  aktivistët e dënuar nga gjyqi i “ Komisionit të Reformave”, midis të cilëve ishte dhe Abdyl  Frashëri.

Abdyl Frashëri qëndroi në burgun e Prizrenit 3-vjet. Në maj të vitit 1884, ai u internua  së bashku me të shoqen në pjesën perëndimore të Azisë së Vogël. Me keqësimin e vazhdueshëm të shëndetit të tij, Abdylin e liruan në fillim të vitit 1886, me kusht që të jetonte i izoluar në shtëpi në Stamboll.vdiq më 23 tetor 1892.

Sulejman Vokshi u arratis nga burgu. Pasi udhëhoqi kryengritjen e furishme të Malësisë së Gjakovës 1884, u arrestua në gusht 1885. Dhe u dënua me vdekje, por dënimi iu kthye me punë të detyrueshme në Aka (Lindja e mesme, ku vdiq më 1891.

 

Ekrem Kryeziu

U lind në Pejë në vitin 1943. Studimet i vazhdoi në Akademinë për teatër, film, radio dhe televizion. Ka punuar si aktor në teatrin e Prishtinës. Ka shkruar tregime dhe drama, dhe  skenarë. Suksesin më të madh e arriti me dramat televizive dhe teatrore si  buka E kafshoja terrin epoka para gjyqit etj.

Agim Gjakova

Agim Ghakova shkollën  fillore dhe të mesme e kreu në Gjakovë. Ka kryer fakultetin Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës.  Krijimtarinë letrare  e ka filluar me poemën “Bir i sharraxhiut” në Gjakovë 1958.ka shkruar disa vëllime poetike me poezi dhe poema.

 

Agim Gjakova

Poema  “Rrënjët përtërihen”

Në 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Nga bodrumet e mesjetës dalin përfytyrime .

Diplomacia e Ballkanit,

davaritet të  përhapë lumturi prej plumbi:

rrënjët e mia të lulëzojnë gjysmëhënën.

Rrënjët e mia me një  “pan” të dalin.

Në një burim të mos i zhysim buzët.

Në një flamur të mos mbështetim ballin:

hellou, plangprishësit politikë nëpër dhijare.

Zdravo, të dëbuarit e ardhshëm jashtballkanik.

Partiturat ia shkruajnë hijet,

tema: komploti dhe fijet.

 

Prek rrënjën time te Guri i Shpuem

e vë vesh:

Nervi më jep dhembje në Kurvelesh.

Cyt rrënjën time në Mashkullorë,

valë-valë.

Nervi dridhet në Shalë.

 

Memorandumet më dalin nga venat

e, marrin udhë.

Protestat më shpërthejnë nga arteriet,

e nisen nëpër tela:

Mos ma prek sinorin e tokës së stërgjyshit,

as nuk ta shtyj, as mos ma shtyj,

as nuk ta pështyj, as mos ma pështyj,

as nuk ta mësyj as mos ma mësyj!

 

Toka ime është e gjatë sa tyta e pushkës.

Toka ime është e gjerë sa tehu i shpatës.

Tërhiqni çarkun e armës.

Rëndoni mbi tehun e shpatës.

Bjeshka kthehet në fuçi baruti.

Fusha merr ngjyrën e flakës.

Përkulen bjeshkët e thinjura,

përqafen si kalliri me kallirin.

Liria qenka e re, qenka e paplakur kurrë.

Në rreze të diellit mësoj të marrë shenjë.

Bjeshka dhe kulla, cepat e shënjestrës.

Rritem, plakem, vdes: a je burrë?

Liria i paska rrënjët shumë thellë.

 

Po rilindim Shqipërinë.

Po nxjerrim nga rrënjët e tokës të drejtën e varrosur.

Nën klithmat e hijenave carë e kaizerë,

po durojmë trallisjen, po flakërojmë dritën.

Po thyejmë kasafortat e fuqive të mëdha,

po ua rrëmbejmë sirtarin e poshtërsive,

Po i zbrazim hordhëqet e zotërive.

Po rilindim Shqipërinë!

Të mos hyjë kurrë më pazarllëk.

Të mos pranojmë kurrë t’i vënë çmim.

Bjeshka dhe kulla hapësirë që përqafon qiellin,

që sfidon Evropën,

që lëshon shkumë,

që derdh paqë, urti, zjarr dhe plumb!

 

Qeleshen shtrembëroj mbi ballë:

-Neni i parë i traktatit,

plisin rrëzoj mbi sy.

-Traktatit  ia ngjit nenin dy.

Hap fustanellën,

me pala mbuloj tërë këtë dhe.

-Ja për traktatin neni tre.

Mospërfillje ironike i vendimeve.

Hedh në përrua vendimet e përgjakta.

Tirqit e shpuar vërtetojnë teorinë e lirisë.

Fustanella e djegur, përpjekjet e Shqipërisë.

 

Unë kundërmoj liri mijëvjeçare.

Unë përkëdhel me flakë sarajet e vilajeteve,

me ushtri që populli ia jep gjakun,

me ushtri që populli ia jep bukën.