Libri “Qemal Stafa, jeta dhe vrasja”

567
Sigal

Ylli Polovin: Zbardhen prapaskenat e ngjarjes deri tani ka mbetur enigmë. Vrasja e papritur e Qemal Stafës, një plan apo dëshirë e Enver Hoxhës?

Vrasja e papritur e Qemal Stafës, një plan apo dëshirë e madhe për Enver Hoxhën? Zbardhen  prapaskenat

Sapo është botuar libri i ri i Ylli Polovinës “Qemal Stafa, jeta dhe vrasja”. Ai ka 304 faqe dhe nëpër shtjellën origjinale të subjektit të tij, ku ka rivështrime, interpertime dhe dokumentacion të ri, trajtohen tema të tilla si “Koloneli Shefki Shatka: “Djalëria Komuniste…”, “Majori Hasan Stafa”, “Ka lavdue Leninin”, “Pesë ditë gjyq kundër komunistëve”, “Tesera fashiste e Nexhmije Xhuglinit, marrë kur u themelua Partia Komuniste Shqiptare”, “Shpëtimi i Qemalit nga një rrethim i shtëpisë së Bije Vokshit”, “Varrimi në 8 maj”, “5 Maji nuk mund të jetë Dita e Dëshmorëve të Kombit”, “Spiuni ishte Ludovik Nikaj apo Zef Ndoja?”, “Vdekjet e dëshmitarëve”, “Sa shumë spiunë!”, etj.

Fragmente

 Pse Enver Hoxha nuk ka lidhje me vrasjen e Qemal Stafës

Në 5 maj 1942, siç këmbëngul Enver Hoxha, Qemal Stafa që në mëngjes do të nisej për në Vlorë, ku do të punonte për zbatimin e rezolutës të aktivit të PKSH-së për luftë kundër trockistëve, bërë një muaj më parë. Edhe pse gjatë pasdites së 4 majit dhe nëpër mbrëmjen e  vonë të saj patën punuar së bashku, Hoxha nuk jep asnjë hollësi tjetër. Çfarë të vërtete shmang ai nga rrëfimi dhe kështu përpiqet të mbetet duarjashtë ndonjë historie të ngatërruar? Disa zhbirues të kësaj rrethane e interpretojnë këtë si provë se vetë Enveri, duke qenë drejtpërdrejt agjent i SIM-it apo tërthorazi, pa qenë aspak i tillë, e ka spiunuar Qemalin. I interesuar për ta hequr qafe si rival. Por autori i këtyre radhëve, ka bindjen se, në fillim maj 1942, Enver Hoxha nuk ka asnjë pleksje dhe dorë të zgjatur në rrethimin dhe vrasjen e Qemal Stafës, i shumënjohur në popull dhe tek autoritetet e pushtimit, si kryetari i komunistëve shqiptarë. Këtë kohë Hoxha kishte shumë nevojë për ta patur në krah Qemal Stafën e zgjuar e mbi të gjitha, të famshëm. I tillë manovrues kishte qenë ai në pariudhën e lidhjes me Grupin Komunist të Korçës, ku zgjodhi si mbështetës njeriun e Kominternit dhe të afërtin me Moskën, Koço Tashkon. Qe ky, i cili e përzgjodhi si përfaqësues të këtij Grupi në pjesëmarrësit kryesorë për themelimin e PKSH-së. Pas këtij çasti Enver Hoxha i kthen kurrizin Tashkos dhe e drejtoi bashin e ambicies së vet për t’u bërë i pari i partisë, tek Miladin Popoviçi, i fuqishmi i ri. Dhe njëkohësisht tek Qemal Stafa. Me të dy Hoxha ndërton një miqësi të fortë, sepse që të dy nuk synojnë të jenë kryetari i PKSH-së: Miladini sepse qe jugosllav dhe Qemali ngaqë nuk e manifeston fare këtë dëshirë hierarkie dhe pushteti. Ai e pranoi dhe u mjaftua fare modestisht të ishte shefi i Rinisë Komuniste Shqiptare. Me pak fjalë, vrasja e papritur e Qemal Stafës, qe jo një plan apo dëshirë e madhe për Enver Hoxhën, por një fatkeqësi. Dhe tronditja që pëson pas këtij lajmi duket reale. Ajo që ngjan e sigurt është se mbi Hoxhën, duke mos rënduar spiunimi dhe intriga për heqje qafe, peshojnë dy komplekse të sikletshme: -ai i akuzës emotive të Ramazan Xhepës, tiranasit autokton që i kish dhënë besën familjes Stafa për ta mbrojtur – dhe i vetëfajësisë. Kur Gjystina Sata e akuzon Kristo Themelkon se e braktisi Qemalin dhe e la vetëm, duke shkaktuar që të binte në duart e milicëve dhe të karabinierëve, e njëjta pyetje, mund t’i drejtohet edhe Enver Hoxhës. Pra, përse ti Enver nuk e pengove dëshirën e Qemal Stafës për të qëndruar edhe ca orë më tepër në Tiranë, e sidomos, përse nuk e ndalove të shkonte tek baza e re, e paverifikuar për nivel të garantuar sigurie? Sepse në fund të fundit, kreu i Rinisë Komuniste, do të shkonte drejt bazës së rrugës së Lumit dhe këtë patjetër duhej t’ia ketë thënë edhe Enverit. Ky, Qemal Stafa, donte të strehohej atje, gjer në mëngjesin e 6 majit apo më pak?

Sepse në datat kur shkoi në të vërtetë Qemal Stafa në bazën e re, ka një pështjellim, madje një lojë ngatërrestare. Duke shfletuar librin “Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, pjesa e parë, 1975, botim i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH, në kapitullin “Heroizmi i Qemal Stafës”, fq. 197, thuhet: “Më 4 maj policia fashiste kapi mjaft dokumente të Partisë, material luftarak për nevojat e njësiteve guerile dhe material propagandistik. Të nesërmen u zbulua edhe baza ku strehohej atë ditë Qemal Stafa, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe sekretar politik i KQ të Rinisë Komuniste. Shtëpia ku ishte ngritur kjo bazë ndodhej në periferinë veriore të kryeqytetit, jo shumë larg lumit të Tiranës. Qemal Stafa shkoi në këtë bazë në mëngjes të 5 majit, për të pushuar disa orë përpara se të shkonte pasdite për në Vlorë, me një mision të ngarkuar nga Komiteti Qendror i Partisë.

Nuk donte shumë që të nisej për udhëtim, kur papandehur në shtëpi ja behu një makinë e kuesturës. Fill pas makinës ia mbërriti edhe një makinë me milicë. Në çast Qemali rrëmbeu pistoletin dhe bombat e dorës dhe u bë gati për të përballur gjendjen e krijuar. Jashtë numri fashistëve sa vinte dhe shtohej. Policët, milicët dhe karabinierët rrethuan bazën nga çdo anë. Ata ishin të armatosur deri në dhëmbë. Kishin edhe një autoblindë. Tjetër rrugë shpëtimi veç orvajtjes për ta çarë rrethimin, nuk kishte. Komunistët e armatosur nuk dorëzoheshin. Ata e kishin për detyrë të qëndronin deri në fund duke luftuar, pa përfillur vdekjen. Fashistët kishin zënë gjithkund pritë rreth e rrotull shtëpisë dhe bënin thirrje për dorëzim. Kishin frikë të futeshin brenda…”

Gjithçka tjetër në vijim është identike me çfarë në librin biografik për Qemalin ka shkruar Nasho Jorgaqi. Pra, sipas këtij varianti rrëfimi, ai nuk do të nisej menjëherë për në Vlorë, por në 14.00, kur një makinë “personale”, do ta priste në Rrugën e Durrësit përpara Centralit elektrik. Ku ishte baza në të cilën ndodhej Enveri në orët e vrasjes dhe të pasvrasjes së Qemalit. Pastaj hipur në këtë veturë dhe i maskuar si sipërmarrës i kamur, i veshur me një kostum blu të dhuruar nga një mik, Lika Toptani, Qemal Stafa do të nisej drejt Vlorës. Mirëpo, e fejuara e tij, Drita Kosturi, dy e më tepër dekada pas rënies së regjimit, në një intervistë të saj të bujshme, do të deklaronte se Qemali ishte me të në bazë që në mbrëmjen e 4 majit. Kishte ardhur me në brez revolverin ‘Smithson’, në xhepa dy bomba ofensive dhe në dorë një libër me poezi të Manzonit.“Atë natë, ka pohuar Kosturi, për herë të parë më kërkoi një sahat dhe duke qeshur unë i thashë se do t’ia gjeja. Në të vërtetë ja thashë për shaka, sepse më ngjante kapriço ajo kërkesë”.

Drita Kosturi gjithashtu ka treguar edhe këtë episod: Qemali po lexonte poezitë e Manzonit, vargjet për 5 majin dhe me zë të ulët m’u drejtua: “Sikur të më vrasin edhe mua sot!” Drita pati qeshur. Përgjigja e saj: “Mund të ndodhë, nuk je një Napoleon!”

Çuditë që tregon Drita Kosturi

Menjëherë pas çastit kur Qemal Stafa i thotë me zë të ulët: ‘Sikur të më vrasin edhe mua sot!”, më saktë ende pa mbaruar kjo fjali e shkurtër, Drita Kosturi në rrëfimin e vet të vonë, këmbëngul se rastësisht vuri re pranë shtëpisë, civilë të armatosur. “Jemi të rrethuar”, ka thirrur, dhe Qemali u ngrit menjëherë në këmbë. Në vijim rrëfimin e saj shtypi e ka përmbledhur rreth boshtit të këtij varianti: Drita kapi disa dokumente dhe i futi në gojë, për t’i kapërdirë. Kristo Themelko dogji pak të tjera, theu derën e banjës dhe të gjithë dolën prej saj. Gjithnjë sipas Drita Kosturit: “Më ndiq!”, thirri Qemali, duke ikur me nxitim në të djathtë. Maria dhe Gjystina ndoqën atë. Ndryshe nga Qemali, i cili për të shpëtuar mori rrugën drejt fushës së zbuluar, që të nxirrte tek buzëlumi, Kristo shkoi  në drejtimin më të pabesueshëm, atë të qytetit. Mori në të majtë, për të mos i lejuar ndjekësit të vijonin bashkë. Në ecje e sipër hodhi një bombë dore, një “Breda”, i vetmi municion ofensiv që dispononin atë çast. Tymi i bombës asfiksoi Dritën, e cila gjendej fare afër vendit ku ra ajo. Bëri të ikte, por u pengua në gropën e hapur nga bomba dhe mbeti në vend. Një civil i armatosur i drejtoi tytën e revolverit, pa i lënë rast të ngrihej përsëri. “Qemali ishte fare afër, kujton ajo, dhe ai mund ta kishte qëlluar në vend. Unë iu hodha, i kapa armën dhe ai ma lëshoi dorën. Donte të më akuzonte se kisha qenë e armatosur, por kjo nuk më trembte aspak. E dija që arma ishte e regjistruar dhe nuk merrej si provë. Qemali iku. Pashë vetëm siluetën e tij, larg”.

Vetëvrasje!?

 

Në një rast tjetër Drita Kosturi është shprehur: “Qemali vrau veten. Unë e mësova që atë ditë, kur më treguan gjyzlykët e tij dhe më çuan në morg. Ata që qëndronin atje, flisnin hapur për atë që kishte ndodhur. Ishte i plagosur dhe dy plumbat e fundit i kishte ruajtur për veten. Kur e gjetën, në pistoletë kishte ende një plumb. Unë nuk e kam thënë kurrë këtë, sepse për ngjarjen qe pranuar një version zyrtar”. Në mbështetje të kësaj bindjeje të vonë të saj Kosturi tregon edhe një burim informimi. Është një fshatar tiranas me inicialet Y.B., i cili nuk jetonte kur Drita Kosturi deklaronte të fshehtën e saj, të ruajtur si të tillë jo vetëm gjatë diktaturës, por edhe për dy dekada në paskomunizëm. Kur mund t’ia zbulonte opinionit publik dhe historisë sekretin e saj që në ditët e para të vitit 1991! Sipas rrëfimit të Kosturit, i quajturi Y.B. atë mesditë të 5 majit 1942, po ndiqte rrugën më të shkurtër për të mbërritur në qytet  dhe, krejt papritur, është ndeshur me një djalë të ri, i cili mbante në dorë një revole “Smithson”. Ndërkohë ai pati dalluar edhe milicët që po e ndiqnin nga pas. Atëherë për ta ndihmuar i propozoi të ndërronin rrobat, por i riu, sipas Y.B., nuk pranoi.

Pa ja shpjeguar përsenë e mohimit, i riu me pistoletë në dorë, papritur qëlloi me një plumb veten.

Kur Drita Kosturi dha interpretimin e saj se Qemal Stafa nuk ishte vrarë prej milicëve, por ia kishte hequr vetes, me siguri ka dashur të largojë nga vëmendja e lexuesve të shumtë të kësaj ngjarjeje, rolin e saj në vendosjen e të fejuarit në bazën problematike të rrugës së Lumit. Me këtë rast të çorodiste të  vërtetën, motivin e saj shtyrës: përpjekjen për të bërë dashuri fizike. Sepse duhet thënë se Qemal Stafa e donte sinqerisht, kurse ajo më shumë e përdorte prestigjin e tij të lartë si komunist, si edhe talentin e spikatur intelektual. Pas rënies së “diktaturës së proletariatit”, gojët deri dje të mbyllura u hapën dhe përvit e më shumë, po afrohej plotësimi i të vërtetës. Kështu, para se të drejtonin gishtin e rolit negativ të saj, ajo për të shpëtuar nga ndëshkimi i historisë, trazoi të gjitha skemat e deri atëhershme të interpretimit. Me pak fjalë, në thelb këmbëzat e armëve i luajtën fashistët, por në pritë (pa dashje) ua nxori Qemalin ajo.