Gjergji Bizhga: Lamtumira për Dr. Narina Sulçebe, profesionisten e ORL-së dhe intelektualen e shkëlqyer

3876
Sigal

Këto ditë u nda nga jeta një grua me cilësi dhe virtyte të larta, Dr. Narina Sulçebe! Kurrë në jetë nuk kisha parë kaq shumë lule lamtumire dhe kaq shumë njerëz, me formim, personalitete dhe profesione të ndryshme që ndienin të njëjtën dhimbje për ndarjen e saj nga jeta. Vetvetiu lind pyetja: Si ka mundësi që një njeri të lërë kujtime shumë të mira tek të gjithë?! Për të kuptuar këtë duhet të shikojmë se kush ishte në të vërtetë Dr. Narina. Narina vinte si fëmija i parë i një çifti arsimtarësh të mrekullueshëm, që dhe sot e kësaj dite vazhdojnë të kujtohen me nderim e respekt nga të gjithë brezat e nxënësve që ata mësuan. E lindur dhe e edukuar nga një familje shumë e mirë, jo vetëm gjenetikisht, por dhe kulturalisht, Narina i shfaqi dhe i zhvilloi këto cilësi përgjatë gjithë jetës së saj. Dr. Narina do të kujtohet nga të gjithë ata që e njohën si njeri me karakter shumë pozitiv, inteligjente, e dashur, ambicioze, e përkushtuar në punë, familje e shoqëri. Narina ishte një grua përparimtare, e guximshme dhe larg çdo paragjykimi. Ajo punoi me dashuri dhe përulje gjatë gjithë kohës. Ajo i vizitonte dhe trajtonte të gjithë njëlloj, sidomos njerëzve të thjeshtë u falte shumë dashuri. Kurrë nuk e përdori statusin e saj social në raport me të tjerët sidomos me pacientët. Ajo ishte mjekja më e kualifikuar në fushën e Vestibulometrisë, por këtë pozicion nuk e keqpërdori kurrë. Dr. Narina ishte pionierja e parë në hapjen e shërbimit shëndetësor privat. Me guxim e ambicie arriti te krijonte një klinikë me emër shumë të mirë që ofron shërbim shëndetësor me kualitet të lartë në disa fusha. Dr. Narina ishte një grua shumë e edukuar dhe e kulturuar, këto cilësi ajo i përdori në marrëdhënie me shokët e shoqet gjatë viteve të shkollimit, me kolegët e eprorët dhe personelin gjatë viteve të punës por të njëjtin standard komunikimi ua ofroi dhe pacientëve që nuk ishin të paktë por me mijëra gjatë karrierës të saj profesionale. Dr. Narina drejtoi për një periudhë shumë të gjatë shoqatën “Besim Zyma”, të otorinolaringologëve shqiptarë. Gjëja kryesore që bëri gjatë kësaj kohe ishte përfaqësimi me dinjitet i shoqatës në raport me shoqatat e tjera kryesisht evropiane duke siguruar përkrahje e mbështetje nga kolegët tanë nga e gjithë bota. Nëpërmjet Dr. Narinës, shumë prej tyre njohën Shqipërinë dhe shqiptarët. Për shumë autoritete të fushës së ORL-së u bë njeri i dashur dhe shumë i respektuar. Forca e saj u ndie dhe në vdekjen, pasi na bëri për herë të fundit dhe një herë të gjithëve bashkë. Në përcjelljen e saj kishin ardhur të gjithë kolegët duke filluar nga Dr. Anesti Boçka, profesori i shumë brezave, por tani i moshuar. Dr. Narina ishte produkt i një familjeje të shkëlqyer, model që u mundua ta trashëgonte dhe në familjen e saj ku pati nderin dhe fatin të shkojë nuse. Ajo u martua me Dr. Genc Sulçebe djali i mjekut të shquar Dr. Hamdi Sulçebe, por fatmirësisht emri dhe tradita u pasuruan edhe më shumë nga Dr. Narina dhe Dr. Genci! Dr. Narina ishte një nënë e shkëlqyer për fëmijët e saj, të çilet i rriti me përkushtim e dashuri. Dr. Narina ishte një bashkëshorte e shkëlqyer. Ishte një aktiviste shoqërore shumë e mirë duke kontribuar për emancipimin dhe demokratizimin e shoqërisë në përgjithësi e gruas në veçanti. Pika e dobët e saj ka qenë Kosova. Për sa e sa kosovarë është kujdesur në çdo moment e rrethanë. Fliste me pasion e dashuri për Kosovën gjithmonë. Dr. Narina themeloi klinikën e saj private duke i vënë dhe emrin e vjehrrit të saj “Hamdi Sulçebe”. Ajo e menaxhoi me kujdes e dashuri të madhe përgjatë gjithë kohës. Njerëz të tillë i kemi me pakicë, ndoshta kjo është dhe arsyeja që në jetën e përditshme vuajmë shumë. Lamtumirë Dr. Narina! Kujtimi juaj do të rrojë shumë gjatë në mendjen dhe zemrën e gjithë atyre që të njohën dhe të kuptuan! Ju do të shërbeni si model i shkëlqyer për të gjithë ata që me jetën dhe punën e tyre përpiqen të ecin përpara e të mos ndalen para vështirësive, të të gjithëve atyre që duan të lënë gjurmë në kujtesën kolektive të të gjithë bashkëkohësve të tyre! Prehu e qetë, se kujtimi juaj do te rrojë gjatë! Respekt për gjithçka që bëtë në interes të punës, shoqërisë e përparimit! I pa harruar kujtimi Juaj!