Letra e rrallë për Migjenin: Ja korrespondeca e miqve të Vjenës, Prof. Skënder Luarasit me Krist Maloki

883
Sigal

Letërkëmbimi autentik i dy ikonave të spikatura të kulturës kombëtare shqiptare

Për Migjenin: Korrenspondenca e Skënder Luarasit me Krist Malokin

Studiuesi Skënder Luarasi (19.1.1900-27.4.1982) dhe Krist Maloki (8.4.1900-24.11.1972) qenë vërsnikë dhe lidhën miqësi kur studionin në Austri gjatë periudhës 1922-1930, kur u aktivizuan në shoqërinë e studentëve shqiptarë “Albania”, kur shkruanin në organin e saj “Dialëria” apo në aktivitete të ndryshme. Ndonëse kanë pasur edhe pikëpamje të ndryshme për disa personalitete (N. Frashëri, Poradeci etj.) dhe kriteret e analizave, mbi të gjitha ata i përbashkonte atdhetaria, toleranca, respekti reciprok, objektiviteti dhe serioziteti profesional për të vërtetën shkencore, përtej pikëpamjeve politike. Bie fjala, në kohët kur S. Luarasi cilësohej herë “kuqalash” (nga monarkistë e profashistë) , herë “borgjez reaksionar” (nga ithtarët e diktaturës) dhe për motive politike apo interesa klanore i mohoheshin meritat e gjithanshme, K. Maloki shkruante: “Shpresa historiografike e Shqipërisë koncentrohej në “Shkollën e Vjenës” tani më e shtrirë nga e cila kanë dalë studiuesit e sotshëm të mrekullueshëm të gjuhës dhe historisë – Çabej, Buda, Hasan Ceka dhe Luarasi…”. (Krist Maloki, Refleksione, Faik Konica, Prishtinë 2005, f. 209 ). Edhe S. Luarasi vlerësonte dhe shpallte me seriozitet veprimtarinë pedagogjike të K. Malokit në Austri dhe rekomandonte për referencë punimet e tij të vyera ndër studiuesit dhe institucionet shqiptare. Krist Maloki, më 15 janar 1961, i shkroi nga qyteti i Gracit, Austri, shokut të tij të studimeve universitare, Skënder Luarasit, të cilit i shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të bashkëshortes Olga, motrës së Migjenit. Ai përmend se ishte duke mbledhur materiale për jetën e Migjenit dhe kishte interes për “qëndrimin e tij kundrejt seksit femnor”. Tërheq vëmendje kujdesi i Krist Malokit për të mos vënë në pozitë të vështirë mikun e tij, me këtë korrespondencë që mund të kontrollohej e keqinterpretohej nga censura e sistemit jodemokratik: “Unë të lutem – po s’pate pengesë e ngatërresa – të hyjsh në korrespondencë të dendun me mue vetëm e përvetëm rreth Migjenit dhe vetëm për të mirën dhe nderimin e poetit.” Për mungesë informacioni, nga paragjykimi por edhe për shkak të izolimit zyrtar që i bëhej S. Luarasit duke ia bllokuar shpesh edhe korrespondencën (sikurse i ndodhi edhe me veprën e “Migjenit” dhe përkthimin e ‘Faustit” që nuk ia patën dorëzuar Krist Malokit) ka sunduar opinioni i gabuar se Luarasi ruhej, i mënjanohej kontakteve me intelektualë “të huaj” që nuk shiheshin me sy të mirë nga kritika zyrtare shqiptare. Edhe një studiues i mirënjohur, në shkrimin”Një letër e rrallë e Krist Malokit ku flitet për Migjenin”, i cituar nga shumë media, gabon kur shprehet “Maloki i bën Luarasit një ofertë për një korrespondencë intelektuale, gjë që për fat të keq nuk u realizua asnjëherë.” Përkundër këtij hamendësimi, po botojmë përgjigjen nga Tirana, më 23 mars 1961, ku S. Luarasi i drejtohet mikut të rinisë me dashuri e respekt dhe, duke kapërcyer paragjykimin, e fton të vijë në Shqipëri, edhe për të marrë pjesë në një aktivitet akademik me rastin e 50-vjetorit të lindjes së Migjenit. Por edhe për të kontribuar “Për Atdheun, për të shtrenjtin” me studime, si p.sh. mbi Skënderbeun, në përgatitje të 500-vjetorit të lindjes së tij . Gjithashtu e informon për botimet e veprës së Migjenit në shumë gjuhë si dhe për ribotimin e plotësuar të veprës së tij që e ftonte ta përkthejë në gjermanisht. Ndër rreshta thekson se ia kishte dërguar më parë veprën me një përfaqësues të Lidhjes së Shkrimtarëve. Vlen të theksojmë faktin që Krist Maloki e vizitoi Shqipërinë, pavarësisht nga rrethanat dhe opinionet… dhe dëshira e S. Luarasit u realizua me mirëpritjen zyrtare të Krist Malokit në Shqipëri, më 1962, “i ftuar nga Komiteti për Marrëdhënie me Botën e Jashtme”. 

Në përgjigjen e S. Luarasit theksojmë paragrafin:

“Sot për sot, kur jam i lirë, bashkë me tjera cikërrima, merrem me rregullimin përfundimtar të veprës së Migjenit; sepse: “Rasch tritt der Tod den menschen an”( Njeriut i vjen krejt befas vdekja. Përkth. i S. Luarasit. Shën.P. L.) Ky citim i referohet veprës së Fridrih Shilerit, Vilhelm Teli ( Akti 4, skena 3) të shqipëruar nga Skënder Luarasi. Kjo strofë është hequr nga censura në botimin e vitit 1975, N. Botimeve “Naim Frashëri”, f.196)

Vëllezërit e Mëshirës

Njeriut i vjen krejt befas vdekja,

Asnjë të grimë s’mund ta presë,

N’udhëtim të jetës i del pjekja

Me çastin q’e shtrëngon të vdesë.

Gatitur qoft’ a jo, të shkojë,

Para Gjyqtarit do qëndrojë!

Letra e Krist Malokit për Skënder Luarasin

I dashur koleg dhe shok i vjetër,

E kam marrë këto ditë lajmin e zi për vdekjen tragjike të zonjës s’ate Olga dhe po ngutem të t’i paraqes ngushëllimet e mija më të ndijshme e të përshpirtshme! Para një viti kam qenë n’Ulqin postafat për të mbledhë material historik e letrar rreth Migjenit. Atje u njofta me zonjën Leposava, me të bijën e kunatës s’ate zonjën Lenka, me shokun e vjetër të Migjenit nga penda e jote… për të cilin të jam mirënjoftës. Kam mbledhë përndryshe nga shumë anë material aq të plotë sa mundem t’i përmbledhi argumentet e mi rreth një studimi kritik-letrar si aj rreth Lasgush Poradecit më 1939, por me drejtim dhe konkluzion të përkundërt. Shka ka mbetë mysterioze në jetën e Migjenit asht qëndrimi i tij kundrejt seksit femnor, për shka nuk po ka njoftime kurrkush nga të njoftunit e tij. E pra nër Kangët e Rinis bahet shumë herë aluzion për ndeshje me ndonjë femën, vende-vende shpërthejnë tonalitete si ato të Beethoven-it në “Unsterbliche Geliebte”.(I pavdekshmi i dashur) A ke ti njoftime ma të hollësishme në këtë pikëpamje? Unë të lutem – po s’pate pengesë e ngatërresa – të hyjsh në korrespondencë të dendunë me mue vetëm e përvetëm rreth Migjenit dhe vetëm për të mirën dhe nderimin e poetit. Tuj i përsëritë ngushllimet e mija, po jes me shumë të fala si ty, si shokëve të hershëm aty.

 Dr. K. Maloki

 Graz,15/I/61

 

Letra e Skënder Luarasit për Krist Malokin

I dashur e i nderuar Dr. Maloki,

Letra juaj më datën 15/I/1961 më gëzoi shumë. Po të pyesni, përse s’iu përgjigja më herët, do të zgjatesha shumë në çfajësime. Më mirë drejt e në çështjen që na intereson.

Më 13 tetor këtë mot mbushen 50 vjet që lindi Migjeni. Kjo ditë do të kremtohet me madhështi në vendin tonë. Dëshëronj që dhe ju të ndodhi këtu dhe të merrni pjesë në një seancë akademike.

“Vepra e Migjenit” është botuar në përkthimin e nja dhjetë gjuhëve gjer tani. Aty pari janë dërguar përkthimet anglisht e frëngjisht në Paris që të shtypen prej UNESCO-s, botim përkujtimor, dhe italisht prej shoqatës Itali-Shqipëri në Romë. Po përgatiten me këtë rast versionet spanjisht e turqisht.

Siç e shihni, vetëm në gjermanisht është lënë pas dore vepra e Migjenit. Aleks Buda desh të bënte diç në këtë punë, por as e nisi, duke mos patur ngenë e duhur. A nuk mund të bëni gjësendi ju t’Austrisë? Unë mund t’ju dërgonj eksemplare të përkthimeve të ndryshëm për referencë.

Tekstin shqip, tok me një eksemplar të Faustit, jua kam nisur, ka vjete, me anën e ndërmarrjes së botimevet, po siç duket, s’ju ka rënë në dorë. Për sa kërkoni meje nga jeta e Migjenit, do të përpiqem të ju jap më vonë ndonjë shënim po nuk jam i sigurtë se do të gjenj ndonjë gjë fort interesante.

Sot për sot, kur jam i lirë, bashkë me tjera cikërrima, merrem me rregullimin përfundimtar të veprës së Migjenit; sepse: “Rasch tritt der Tod den menschen an”(Njeriut i vjen krejt befas vdekja) Pasnesër shpresonj të vete në Shkodër për të regulluar atje muzeumin “Migjeni”. Në këtë drejtim në selitjen e traditave të kombit tonë po bëhet punë e madhe në Shqipëri. Përse nuk vini të shërbeni n’atdhenë tuaj që ju vetë e keni dashur aqë shumë? “Ans Vaterland, ans teure…” (Për Atdheun, për të shtrenjtin … Shën. Përkth.P. Luarasi)

Po ju mbyll në zarf një fotografi të monumentit Skënderbej në Krujë. Dy kolegë të universitetit , dhe unë (me pallto) me time bijë më të vogël Angjelinën. Monumenti duket madhështor, “I pakëndshoq”, kur e këqyr prej udhës nga poshtë, me sfond Dajtin: të duket sikur në çast Heroi do të vërsulet kundër ushtrisë armike…Kur të plotësohet me monumente të tjerë rreth e rrotull kryesorit, do të bëhet një ansamblë shumë i bukur artistik.

Do Zoti, rrojmë gjer më 17 janar 1968, 500-vjetorin e Skënderbeut, ditë kur gjithë bota duhet t’i përkujtonjë trimëritë e popullit shqiptar.

Miku im i dashure i nderuar, qoftë ky fillimi i korrespondencës sonë që më propozoni, dhe përse “vetëm e për vetëm rreth Migjenit dhe vetëm e vetëm për të mirë dhe nderimin e poetit”?

Sot po ju dërgonj me postë të veçantë përkthimin tim të fundit “Hjavatha”të Longfellous dhe një “special issue”për Millosh Gjergj Nikollën (Migjenin). Sa të lehtësohem pak a shumë nga detyra ime e përditshme do të përpiqem t’ju dërgonj edhe shënimet për të cilat më shkruan në letrën e parë.

 Shumë të fala nga zemra

 Skënder Luarasi

Tiranë, më 23.III.1961