Kujtim Dashi: Thënia “ta marrim pushtetin me horra dhe ta drejtojnë zotërinjtë” në Shqipëri “ta marrim pushtetin me zotërinj dhe ta drejtojnë horrat”

 

– Sot për pushtet luftohet, po nuk pate pushtet s’ta var njeri.

Sigal

-Sidomos pensionistët që deri dje ishin uragan sot i shohin të tepërt, vetëm për votime kujtohen.

-Listën për deputet e bën ai lart dhe ai zgjedh kë e tek merr, pa asnjë njoftim, a asnjë faks a telegram.

Në të vërtetë, po kërkoja Kiçon ose Kriston, bashkalagjasin tim për të cilin kam shkruar këtu, kur i gjeta te lokali ku mblidhemi nganjëherë të dy, Kiçon dhe Tirkën. E njihja, por s’kisha ndonjë farë muhabeti. Më folën për të herë Kiçoja, herë vetë Tirka që plotësonte ose saktësonte ndonjë gjë, sidomos për atë për të cilën ishin mbledhur. – Do çmeritesh se çfarë ka bërë? – më paralajmëroi Kiçoja, i gëzuar se tashmë kishte ndryshuar edhe raporti i forcave pro dhe kundër asaj që do të më tregohej.- Hape dosjen, se e kam si byrazer. Tirka nxori një dosje nga ato standarde që u sheh shpesh njerëzve nëpër duar kur vene në zyrat për pensionet dhe e shtroi mbi tryezë duke larguar paksa më anash filxhanat e kafesë dhe shishet e ujit me gota. – Ka qenë i sëmurë, u bënë 4-5 vjet dhe s’la spital pa vajtur. Shto e shto ilaçet. Kemi punuar bashkë dikur nëpër hidrocentralet e Veriut. S’gjeje gjëkundi njeri më korrekt! Para disa ditësh më kërkoi mendim për diçka, por që unë s’isha dakord. Ka përgatit dosjen, pasi i është mbushur mendja se “po i shuhet kandili i jetës” dhe do t’i lerë gjërat në rregull, me dorën e vet. Më së pari, ka vajtur te “Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit” atje de, te Garda e Republikës dhe ka marrë certifikatën e pastërtisë së figurës së tij. Është e dyta që merr, se të parën ia kanë dhënë në 1996, kur mbeti kandidat për deputet e jo mandej, ngaqë ishte koha kur thuhej “ta marrim pushtetin me hora dhe ta drejtojnë zotërinjtë. Tirka, nw fakt u largua vete. Pa dhimbje…Se sot për pushtet luftohet, po nuk pate pushtet s’ta var njeri. Sidomos pensionistëve që deri dje ishin uragan sot i shohin të tepërt. Vetëm për votime kujtohen.

– Unë e di se kush jam dhe ç’jetë kam bërë, -ndërhyri Tirka me një inatosje tepër të valtë, por veç fëmijëve që s’dua t’u le sherr nga pas si ky milet i keq dhe pemët i bën me barrë, dua t’ia përplas, sidomos në surrat atij vëllait më të vogël, i vogël thua ti, por është gjysh dhe aq i mbrapshtë saqë thua një nënë e një baba na ka bërë? Po më dha jetë ai LART, do të llafos ndonjë gjë më gjatë për të. Ekzemplar është! E ka mbushur qytetin tonë me llafe, skuthi, ngaqë nuk i shkova kurrë pas atij që unë i them përbindësh dhe ju s’mbeteni fort larg meje.

– Këtu, te kjo listë e gjatë ka shkruar emrat të gjithë miqve e shokëve, të cilët do t’i lajmërojnë fëmijët e Tirkës, po gjetkë e kam fjalën, – tha Kiçoja, i paduruar për të më treguar thelbin e shqetësimit të tij dhe shtyu listat me adresat mënjanë. – Shiko se çfarë ka bërë këtu, që jam bërë kaq dhe s’kam dëgjuar njëherë në jetën time të ketë ngjarë kështu. Ka gjetur një fletë boshe nekrologjie, moshën e ka lënë të zbrazët, ka shkruar emrin e tij, të të atit, dritë paste, dhe mbiemrin dhe poshtë tyre ka shkruar e ngul këmbë si mushka, që s’do kurrfarë ndryshimi: Tirkë, vëllai i ish-katër vëllezërve të tij dhe iu ka vënë emrat sipas moshës secilit. Motivet i ka shkruar besueshëm nw kompjuter, më thotë, pa i mbetur njeriu në qafë, madje dy herë, njëherë para se tw futej në sallën e operacionit, kur prisnin pas dere do të merrnin lajmin se shpëtoi vëllai i tyre dhe tani gjatë këtyre ditëve. Tirka ka qenë si njëfarë Demke i Dritwroit dhe gjithmonë ka qenë në grupet e punës. Ka penë të mirë dhe “peshore” të saktë…Ma ka lënë mua amanet. Po mbahet ky amanet i rëndë që i bën lanet vëllezërit, kur je duke ikur nga kjo botë? Hë si thua ti?! Po sikur të ndjekin shembullin e tij dhe tw tjerët?!

– Bëhet dhe qe ç’ke me të! Ta kam lënë amanet e të dua mendim, po vendimin e marrë unë që në gjallje. Unë jam i shpërfilluri i pamerituar i tyre e jo ti. Ke zgjedhur vete rrugën tënde: je konformist. Mëndje hapur jam edhe unë, po ky farë abandonimi korist dibalok e ky unison, pa iu bërë një gjë të keqe në jetën time, përkundrazi është perversitet, nuk mund te anashkalohet. E di s’është e lehtë, por s’e zgjodha vetvetiu këtë rrugë! Askush s’më thotë një fjalë: çfarë iu paskam bërë mor zot?!…Çfarë kam kthyer së prapthi?!

– Lëri, ore Tirkë këto gjëra, listën e ka ai lart dhe ai zgjedh kë e tek merr, pa asnjë njoftim, a asnjë faks a telegram, – i fola për ta qetësuar, por ai s’kishte nevojë fare. Ishte jashtëzakonisht i kthjellët, ishte vetvetja dhe donte ta mbyllte kështu jetën.

– Pse t’i lë? T’u vijë turp kudo që të jenë vëllezërve gjyshër, e nipërve baballarë e mbesave nëna me fëmijë, se mos janë vetë fëmijë ata! S’duan të dinë fare nëse jam gjallë apo jo? Kur kishin nevojë për Tirkën, gjetën zemër e shtëpi hapur qëkurse erdha në Tiranë pas përfundimit të H/C, jo vetëm katër ish-vëllezërit, por edhe nipërit e mbesat. U kthye shtëpia ime dhe asaj heroinës që kam në shtëpi, si konvikt. Si hotel. Sa ikte njëri, vinte tjetri. Tani zotërinjtë i qenkan zemëruar Tirkës? Për çfarë? S’kanë kurajë e burrëri ta thonë? Çfarë iu paskam bërë secilit? Deri dje mburreshin me emrin e tij dhe shkarkoheshin në “hotelin e xhaxha Tirkës”! Me ish-vëllezër, me nipër e mbesa, si në një rrethim të mirë menduar e mirorganizuar diabolikisht, zaten, për ta ndihmuar që të përballojë sëmundjen e vet e tw “qetësohem” që më rëndohet çdo ditë që shkon. S’kanë telefona? Facebookra e më the e të thashë? E pse? Se Tirka mezi e shtyn jetën, se Tirka ka bërë jetë të ndershme që pak kush e çon nëpër mend dhe tani s’ka se çfarë iu duhet më tani, kane kryer punërat e tyre tani, shpesh herw edhe me ndërhyrjen e reputacionin e Tirkes, jo më si simbol, por as si njeri, që e respekton bota dhe të vetët jo, se kushedi ndonjëra nga por… që kanë marrë ish-vëllezërit, se prindërit tanë iu dhanë mollë atyre, është zemëruar dhe kanë fituar ndonjë farë kamje të dyshimtë dhe shëtisin nëpër botë, si qytetar të botës. Dhe në fotot që publikojnë e kanë fshirë fare Tirkën sikur s’ka ekzistuar kurrë dhe ju më thoni tani t’i mbaj? Gjë që s’bëhet! Mbi dhé s’më le njeri, kam familjen time, komunalen a si i thonë sot agjensinë funerale “Parajsa” a si quhen, ju kam ju, kam shokë e miq të vërtetë jete që më duan dhe i dua me shpirt e punë e madhe se s’vijnë ata ish-katër vëllezërit e mi që edhe në vdekje duan të përfitojnë prej saj, të pahisen sadopak po ama kokulur si të dhjerë me emrin e mirë që po lë pas…Vëllai i madh, jam vëllai i dytë, i treti dhe ai i fundit skuthi…Për t’i çregjistruar nga libri i gjendjes civile s’e bëj dot, por në nekrologjinë time po. Le tw më hedhin nw gjyq! I kam paralajmëruar fëmijët nuk i dua në funeral dhe pikë!…Ka thënë Epikuri: vdekja s’është asgjë: kur jemi ne s’është ajo; kur është ajo s’jemi ne. Paskëtaj të bëjnë ç’të dojnë të pendohen, të qajnë të më vijnë te varri të më kërkojnë ndjesë. Askënd s’kam se si t’i dëgjoj më!… Më mirë t’ dëgjojnë tani në Edenet e tyre të vetiluzionuara të botës në kalbëzim, si pat thënë AI që vate…

S’qe burrë që t’i mbushte mendjen dhe më ngjau sikur po bënte provën e fundit gjenerale dhe, pas pak, do të vishte kostumin e do të shtrihej vetë në arkivol, me letrën në dorë: Tirka, vëllai i ish-katër vëllezërve!