Kozma Gjini : “U rroftë portali”

40
Sigal

I përndrituri i miqve të “Hostenit” dhe kryemësonjësi i shkollës së humorit, z. Hyskë Borobojka! U bënë goxha javë që s’të lëçis të shkruash faqeve të “Telegrafit” dhe një mendje më thotë se Hyska do të jetë zemëruar, ngaqë unë i tregova Nafijes, që ti i përlave të gjitha shegët e ëmbla të fshatit, kurse asaj s’i çove asnjë kokërr… Hamendje kot kjo, por mua gjetkë më pikon çatia dhe do të nisem së shpejti, të të qajë hallin tim rreth një filxhani kafeje. Paraprakisht po të shkruaj me ngut, pa i ndarë fjalët tona nga të botës (e di që do të më qortosh edhe si gjuhëtar), por më ndje, sepse kam mbetur pa punë e po më mban gruaja me bukë. Unë, ty të besova si Krishtin dhe sapo më the në letrën e fundit se “qeveria e grave” ka bërë përparime kolosale, e lashë pas krahëve Selanikun dhe erdha me një frymë të punojë në vatanin tim.

Ishte gushti i vitit… Dera e parë që trokita për punë ishte drejtoria e Zyrës Arsimore.

“Ç’e mirë të solli në këtë vapë?”-më tha drejtori i ZA dhe u çua në këmbë. Sa të sjellshëm këta të rinjtë, more mik! Nejse.

“Po afrohet shtatori,-i thashë.-Dua vend pune! U ktheva në vatanin tim dhe falenderimet i takojnë Hyskë Borobojkës që më lajmëroi, se tani, këtu në Atdheun tonë të dashur, po venë punët fjoll… Ja, psh. në arsim, më tha Hyska, paska hyrë në funksion “portali” dhe kjo është një gjë shumë e mirë për të luftuar korrupsionin në sistemin arsimor”.

Drejtori, sapo dëgjoi fjalën “portal”, shtrëngoi kollaren e po më shikonte me gjysmë habie, ngrehur e zgërdatur pas karriges, tërë sy e vesh:

“Posi, posi!-u tund e u shkund ai, sikur të vinte në vete. -Apliko menjëherë “online” dhe prit rradhën. Në zyrën tonë çdo gjë është transparente”.

Fërkova duart nga pritja e ngrohtë, (nga hutimi s’i kisha dhënë as dorën) dhe hyra menjëherë në derën e një pike interneti, ku bëra pa vonesë aplikimin. Kishte qënë goxha punë e paqtë, Hyskë vëllai. Në krye të gjysmës së dytë të tetorit, isha i treti në radhë dhe si laraska që priste të binin ato të demit, shpresoja që portali të ishte zgjidhja e hallit tim, por emri im kishte ngecur te shkalla e tretë dhe mezallah se lëvizte nga vendi. Atëhere kapa celularin dhe e shqetësova me një telefonatë drejtorin e ZA”:

“Alo! Jam ai që lashë Selanikun dhe erdha të kontribuojë në vatanin tim!”

“Ëhëëë…!-Ti je, “Portal”?-më vinte në vesh zëri i tij.- Mos u mërzit, se je i treti në radhë. Bëj pak durim!”

“Po, more po, por iku tetori, erdhi nëntori dhe unë kam ngecur te treshi”.

“Pa merak, “Portal”, pa merak!-nxitohej ai.- Është çështje teknike. Na prishën punë këta hakerat muxhahedinët domethënë! Më mirë të mos i kishim qasur po, pa merak, se së shpejti do të rregullohet sistemi…”

Prit sot e prit nesër, vëlla Hyskë, por edhe durimi e ka një kufi. Një ditë, mbatha opingat dhe ia zura përsëri derën e zyrës shefit.

“Hë, erdhe ti “Portal?”-më priti duke buzëqeshur ai.

E nuhata që ma kishte ngjitur nofkën “Portal”, por bëja shurdhin e ia merrja, me gjasë, si konfidenciale. Mjafton të më mbaronte punë. “Durim, durim, më këshilloi sërish drejtori i arsimit”. Ç’të bëja?

Pas meje, te dera e ZA, hyri një tjetër hallexhi dhe kur doli, teksa zbriste shkallët, e pyeta:

“More evlat, unë jam i treti në portal, mirëpo kam ngecur në rradhë. Si është puna?!”

“Për çfarë rradhe po flet?”

“Rradha në portal, more,… Kam aplikuar për vend pune!”

“Oiii…, i shkreti ti! Të paska mbetur ora!”

“Për kokën e gruas, mos bëj shaka, se dje i vura bateri!”

Ai buzëqeshi hidhur.

“Nga ky shpreson të gjesh vend pune ti, more? -Ky është shef provizor… e s’di nga lidhet bishti i gomares…jo të drejtojë arsimin e Qarkut. Vihu vet në kërkim të vendit të punës dhe kur ta gjesh, zërja derën e zyrës…, ose gojën…!” Dhe kolegu më tregoi praktikën e punës… S’ thonë kot, se nga e thëna, te e bëra, është në mes një det. Thënë troç, duhej të nisja vet maratonën nga njëra shkollë, në tjetrën, që ta gjeja vet vendin vakant: ndonjë mësues që dilte në pension, apo ndonjë grua që merrte lejen e lindjes. Kështu që, i dashur Hyskë, siç na ka mësuar pedagogjia e Makarenkos, e nisa nga e afërta, tek e largëta, me demek, e fillova investigimin nga shkolla e fshatit tim…

Takova drejtoren e shkollës dhe ia qava hallin.

“Del një koleg në pension, por nuk e di saktë se në cilin muaj,- tha ajo”.

Kaq më duhej mua, se të tjerat i gjeja vetë. I mora emër e mbiemër mësuesit dhe iu futa me themel  investigimit…ndërkohë që, të nesërmen e ftova për një kafe mësuesin që do t’i linte lamtumirën shkollës e do të dilte në pension.

“Më vjen keq, por je i vonuar, sepse vendin tim të punës e kanë shitur”,-foli rëndë-rëndë ky.

“Pazari i mbarë u qoftë!”- dhe hop biçikletës e u gjenda te oborri i shkollës tjetër.

“Zotni,-më tha pa dorashka rrëzë veshit drejtori i kësaj shkolle. -Po nuk fute dorën në xhep, rrugës ke për të mbetur. Punojnë poshtë rrogozit bota…!”

Më troç, s’kishte si të thuhej! Kishte qëlluar babaxhan drejtor ky! I thashë:

-“Po unë jam i treti në portal”.

-“Aty mbahu ti, te portali!”- tundi kokën ai.

-“Aman, more, se ma hoqe trurin!”

Ja, kështu, Hyskë vëllai. Para se të nisja revanshin e rradhës, piva eks një gotë fërnet për të ngritur adrenalinën dhe protestova para derës së Z. Arsimore, ku rrinte mbështetur gjithë serbes shefi:

-“More zotëri, për çfarë portali flisni ju “socialistët”… më falni…, dmth, ju, “specialistët”?

-“Rregullo gjuhën, “Portal!”,sikur më kërcënoi ky. Socialistët dhe specialistët, janë njësoj si të thuash: hane Shan, hane Bagdad! Politika e kuadrit nuk bëhet rrugës! Nuk ke lënë shkollë pa trokitur!”

E kapa që në ajër mesazhin e tij. Kjo përkthehej “vazhdo kërkimin”, se këta s’duan t’ia dinë, je gjallë apo vdekur!

Atëherë, iu qepa zonës kodrinore, dmth, shkollave të saj. Ti do të thuash, se kur emërohen në zonën kodrinore, mësuesit e rinj sjellin me shqelmë, se s’i ngjiten dot të përpjetës, por e ke gabim, vëllaçkoTa them unë…e ke gabim, se shkollat e kodrës kishin më tepër mësues, sesa nxënës. Kanë evoluar kohët…!

Pasi grisa tre palë opinga nga një shkollë në tjetrën, rashë në gjurmë të një “vakance” dhe isha bërë shend e verë. Mirëpo, kjo ngjan si me njeriun e sëmurë, i cili po u bë më mirë, ruaje se i ka të numëruara orët…

Diku, në periferi të trevës, kisha gjetur një mësuese që merrte lejen e lindjes dhe i shkova në zyrë shefit:

-“E gjeta vendin e punës, shoku shef!”

-“Hë! Më thuaj, ku?”

-“Filan mësuese, në filan shkollë, merr lejen e lindjes”.

-“Për Manushaqen thua ti, more?! Është i zënë tash një vit më parë vendi i saj”.

-“Kush e ka zënë?”

-“Nipi i ish-kryetarit të komunës! Unë i marr urdhërat nga lart…!”

-“Po unë, që s’kam njeri lart, si t’ia bëj? Në portal jaaam…!”

-“Vazhdo kërkimin…!”

-“O bo boooo!”-zura kokën me duar.

Kështu, i dashur Hyskë, i rashë kryq e tërthor shkollave të zonës dhe kur viti shkollor ishte në prag të mbylljes, më trokiti fati edhe mua. Mjafton të fusja këmbët, paaa, qeni qepën të hante, vitin tjetër do të isha i pari në portal. Kisha shkruar emrin e mbiemrin e mësuesit që dilte në pension në shkollën e fshatit “Sihyradola” dhe në ditën e parë të shtatorit, pas 1 viti rraskapitjeje, mora vendimin nga ZA e u gjenda në oborrin e asaj shkolle.

-“Jam emëruar mësues në  shkollën tuaj”,- i thashë rojes. Për roje e pandeha, por bari delesh kishte qënë. Dukej nga kërraba dhe tufa e deleve që po kullosnin bar të njomë në oborrin e shkollës, po unë i gjori nga gëzimi po fluturoja.

-“Nuk e shikon, që portës së shkollës së fshatit tonë i kanë vënë kyçin englez?-më tha tjetri duke drejtuar dorën nga porta dhe vazhdoi:-Nuk ka numër nxënësish, burazer, nuk pjell njeri më kalamanj, prandaj e kanë mbyllur”.

M’u errën sytë e më kishte rrëzuar në tokë “diabeti” apo qeni i tij sa një kërriç dhe s’mbaj mend ç’u bë me mua, veçse ndieja dorën e bariut që më fërkonte fytyrën me ujë të ftohtë nga burimi i fshatit. Mallkova veten edhe ty, o miku im, që më the se në vatan po bëhen përparime. S’thonë kot se, kur bënë dasmë fukaraja, griset daullja. Por nuk duhet të dorëzohesha para vështirësive. U ngrita e nxitova për te terminali i autobuzave dhe hipa në këtë autobusin laraman. Diku, në mes të udhëtimit, më godet me shuplakë te supi faturinoja.

-“Biletën, zotëri, ku do të zbrisni?”

-“Në shkollën e fshatit. “Dalëngadalë po vjen behari!”

-“Zotëri, ky autobus shkon në Tiranë!”

Ndjeva të më dridhej trupi e u bëra t’i bija kokës me grusht. Jo, pishman, se isha kthyer nga Selaniku, jo…jo…, por, nga nxitimi kisha ngatërruar linjën, megjithatë, kafshova gjuhën mes dhëmbëve dhe nxora paret, por veten nuk e dhashë ama. Kështu, vishu e bëhu gati, Hyskë Borobojka se, sapo të mbërrijë në Tiranë, te pallati me shigjeta, do të të bëj një zile, të piqemi te dera e dikasterit të arsimit… e t’u themi “specialistëve”: “U rruat “Portali!”  -0-