Java globale e parasë 2021 dhe Leku në Shqipëri

535
Sigal

Java globale e parasë 2021”, “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë e tua!”. Ja historia e Bankave dhe e Lekut në Shqipëri

Përgatiti Gazeta Telegraf

  “Java globale e parasë 2021

Të martën më 23 mars ka startuar “Java globale e parasë 2021”.Me rastin e javës ndërkombëtare të parasë,u zhvillua online ceremonia hapëse, gjatë së cilës u ndanë edhe çmimet për nxënësit fitues që morën pjesë në konkurse. Tema e Javës Globale të Parasë për vitin 2021 ishte “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë e tua!”. Aktivitetin çelës e përshëndetën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Silvio Pedrazzi. Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko tha se nëpërmjet aktiviteteve edukuese Banka e Shqipërisë synon të afrojë brezin e ri me botën e ndërlikuar të financave dhe bankingut.

Prof. Dr. Alqi Naqellari një nga njohësit e sistemit financiar dhe bankës ndau për “Telegraf” kuriozitete për paranë në botë dhe historinë e bankave dhe të lekut në Shqipëri. Si ishte ecuria e bankave nga ajo e Perandorisë Osmane e deri tek Banka Italiane e Bujqësisë dhe se çfarë ndikimi patën në rritjen ekonomike politikat që ndoqën.

Kur është themeluar banka e parë në vendin tonë?

 Banka e Parë në Shqipëri është themeluar që në 1850. Kjo e vërtetë është zbuluar nga F. Shaska që e ka publikuar në librin e tij modest prej 32 faqesh.  Në faqen 8 të librit thuhet: “Bezhanët e Vlorës sollën me vete mentalitetin e kapitalit të lëvizshëm, pasurimin nëpërmjet parasë, tregtisë. XIX ndërtuan në lagjen Muradie të Vlorës një shtëpi për banim, e cila është edhe sot pronë e tyre ku ende banon një familje Bazhani”. Në fasadën e kësaj godine ndodhet një pllakë bronzi ku shkruhet “ASSICURAZIONI GENERALI TRIESTE 1831”. Marrëdhëniet e Bezhane me shtetet fqinje ishin të shumta, atyre iu lindi dëshira për të krijuar një Bankë. Kjo u realizuan në 1850 kur u çel e para Bankë shqiptare, e cila ka 168-vjetorin e saj.

Në ALMANAKUN anglez në faqen 716 Shkruhet:

P.I.Bezhani                                       Valona, Albania

Themeluar                                        Fillimisht në 1850

Partner                                                Pandeli Bezhani

Mbajtësi i Prokurës                           Elefter Bezhani

Telegramet  “Bezhani, Valona”

Kodet; A, B, C botimi i 5-të; privatisht

Agjent Londinez -Bank of Athens

Agjent Nju-Jorkez – national City Bank of Neë York.

Në këtë faqe të Almanakut paraqiten 4 Banka:

Banka private Bezhani 1850,

Banka private Philadelphia USA 1764,

Banka Rumune 1872,

Banka Birmingan USA 1887.

Edhe në këtë faqe të ALMANAK një Bankë është më e vjetër se banka jonë. Transaksione të kësaj banke janë gjetur gjer në vitin 1920. Në këtë mënyrë mbetet banka me aktivitetin më jetëgjatë në Shqipëri.

 

Cili ishte roli i Bankës Perandorake Osmane në emetimin e bankënotave të konvertuara në ar ?

 Më 4 shkurt 1863 u krijua Banka Perandorake Osmane që emetoi bankënota të konvertuara në ar. Kjo bankë ngriti degë në të gjitha vilajetet shqiptare të perandorisë si në Janinë, Manastir, Shkup dhe Shkodër.

Në 1888 u krijua Banka Bujqësore e Perandorisë Osmane që shtriu veprimtarinë e saj nëpërmjet degëve dhe agjencive në qytetet Berat, Elbasan, Kavajë, Korçë, Shkodër etj. Në vitin 1912 kjo bankë ju kishte dhënë fermerëve shqiptarë 6.7 milionë groshë ar kredi, pjesa më e madhe me afat të gjatë kthimi.Në vitin 1909, Banka Tregtare e Lindjes hapi në Shkodër një filial me emrin “Tozzi end Company”.

Kur u krijua Banka Kombëtare e Shqipërisë dhe cilat ishin funksionet e saj?

Në 1913 në Shqipëri u krijua Banka Kombëtare e Shqipërisë si rezultat i marrëveshjes së Qeverisë së Ismail Qemalit, me Karol Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të Ëienner Bank Verein që vepronte në emër të grupit bankar austro-hungarez si dhe me Pietro Fenolio e Guido Ansbaher përfaqësues të Banca Commerciale Italiana, që vepronte në emër të grupit bankar Italian. Kapitali i saj ishte austriak dhe italian dhe kapte shumën prej 10 milionë korona ari. Sipas kësaj marrëveshjeje, Banka Kombëtare e Shqipërisë do të kryente funksionet e një banke qendrore.

-do të emetonte kartëmonedha në gjuhën shqipe dhe frënge;

-do të shërbente si agjent fiskal për qeverinë;

-do të tregtonte bono thesari dhe letra me vlerë për llogari të qeverisë shqiptare.

Gjithashtu si një bankë e nivelit të dytë do të kryente aktivitete tregtare si:

-pranimin e depozitave;

-dhënien e kredive tregtare dhe hipotekare;

-emetimin e obligacioneve të garantuara, etj.

Monedha kombëtare zyrtare u vendos franga shqiptare.

 

 A ndikuan politikat e Bankës Kombëtare Shqiptare në Romë tek mbivlerësimi i lekut?

Në 15 mars 1925 u themelua në Romë Banka Kombëtare Shqiptare. U miratua nga Senati Ítalian në shtator të 1925. Së bashku më të u miratua edhe Statuti i BKSH dhe ligji mbi veprimtarinë e arkës. Këto Banka ndikuan në vendosjen e një stabiliteti relativ të ekonomisë. Nga 1928-1935 politika monetare dhe e kreditit të përdorur çoi në mbivlerësimin e lekut  duke ngadalësuar ritmin e rritjes ekonomike. Menjëherë pas krijimit të BKSH-së, zyrat qendrore u transferuan në Durrës. BKSH u ngrit në formën e një institucioni emetimi dhe kreditimi. Gjatë vitit 1925 lindi monedha e re shqiptare, Lek-u; 5 lek ishin të vlefshme me 1 frangë ari shqiptare.

Në 1926, Banka e Athinës, një ndër bankat më të fuqishme greke, hapi dy degë, në Durrës dhe në Korçë.

 Si u transformua roli i Bankës Shqiptare në vitin 1945?

 Në vitin 1934 u çel Banka Jugosllave e Eksportit, “Export Banka”.Në vitin 1937 u çel Banka Italiane e Bujqësisë.Më 13 janar 1945  Kryesia e KANÇ-it miratoi ligjin mbi anulimin e konvencionit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe të aksioneve të saj. Ajo miratoi ligjin organik të Bankës së Shtetit Shqiptar duke krijuar në këtë mënyrë institucionin më të rëndësishëm të sistemit financiar të shtetit shqiptar. Në këtë periudhë sistemi bankar shqiptar ishte me një nivel. Banka e Shtetit Shqiptar mbështeti në mënyrë ekstreme shtetin e diktaturës së proletariatit. Ajo shërbente si bankë emisioni, krediti dhe pagesash.

 A kishte ndonjë veçanti Banka Bujqësore përsa i përket objektivit?

Pas Bankës së Shqipërisë, u themelua Banka Bujqësore në 1 janar 1979.

Kjo bankë ishte tërësisht më kapital shtetëror dhe kishte si objektiv kreditimin dhe zhvillimin e bujqësisë shqiptare.Karakteristikë për këtë periudhë ishte aplikimi i zbatimit të instrumenteve monetare direkt si ai i “normave të interesit”, i “ kursit të këmbimit” etj, ndërsa objektivi i saj ishte plotësimi i planeve 5-vjeçare, industrializimi i ekonomisë etj.

Cila ishte arritja kyç pas 1990 me vendosjen e sistemit të ri ekonomik dhe  reformën e rëndësishme kombëtare në sistemin banker?

Pas viteve 1990 me vendosjen e sistemit të ri ekonomik u realizua dhe reforma e rëndësishme kombëtare në sistemin bankar për t’iu përshtatur situatave të reja ekonomike.

Në vitin 1992 u themelua sistemi bankar dy nivelesh. U miratuan dy ligje themelore. Ligji Nr. 7559 i datës 22.04.1992 “Për Bankën e Shqipërisë” dhe Nr. 7560 datë 28.04.1992, “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”. Pas tyre për aktivitetin bankar  janë miratuar një sërë ligjesh të tjera të rëndësishme. Në esencë të tyre qëndronte sigurimi i pavarësisë funksionale të Bankës Qendrore nga Qeveria, përcaktimi i kompetencave ekskluzive të saj si;

emetimi i monedhës së vendit,

hartimi dhe zbatimin e politikës monetare kombëtare,

monitorimi i aktivitetit ekonomik të bankave të nivelit të dytë,

licencimi i tyre, raportet me to etj.

Kështu Banka e Shqipërisë mori të gjitha funksionet e një banke qendrore, ndërsa Banka Kombëtare mori funksionet  tregtare të Bankës së Shtetit Shqiptar.

Sot në Shqipëri ushtrojnë aktivitetin e tyre 16 banka tregtare. Janë të gjitha me kapital privat dhe tre prej tyre kanë kapital vendas. Pronarët e tyre janë grekë, austriakë, italianë, arabë, amerikanë, turq etj. Në këtë fushë predominon kapitali bankar grek.

Si vijon historia e kartëmonedhave dhe monedhave

 Në 1920 u emetua seria e parë e obligacioneve qeveritare tre vjeçare me një vlerë totale prej 2 milion frangash ari. Gjatë këtij viti, qeveria hyri në bisedime me qeverinë italiane për të ri-ngritur Bankën Shtetërore të Shqipërisë në formën e një sipërmarrjeje të përbashkët.

Obligacione, letra me vlerë etj kanë qarkulluar në Gjirokastër, Vlorë, Korçë dhe Shkodër. Më poshtë po japim një seri prerjesh të kartëmonedhave të kohës.

Përgjatë vitit 1926, Banka Kombëtare e Shqipërisë emetoi dhe hodhi në qarkullim: kartëmonedhat me prerje 5 franka ari, 20 franka ari dhe 100 franga ari; monedhat ar 20 franka ari dhe 100 franga ari, monedhat argjend 2 franka ari dhe 5 franka ari, dhe monedhat e tjera 5 qindar leku, 10 qindar leku, ¼ leku, ½ leku dhe 1 lek.

Pse monedha jonë quhet Lek, çfarë historie fshihet pas?

Në vitin 1925 u emetua monedha e parë me emrin LEK, por që njihet viti 1926, sepse monedha e prerë në 1925 e kishte shqiponjën me një kokë.

Pas pushtimit Italian në 1939, një ndër masat e para që u mor, ishte shfuqizimi garancive në ar për frangun shqiptare dhe zëvendësimi me lirën italiane, që gjithashtu u garantua me ar.

Ahmet Zogu ka meritën e vendosjes së Emrit të Aleksandrit të Madh në monedhën e Shtetit Shqiptar. Shqipëria është i vetmi shtet në botë që në monedhën e saj mban Emrin e Aleksandrit të Madh. Paraja shqiptare edhe sot quhet “LEK”. Emrin e Aleksandrit të Madh në paranë e tyre nuk e kanë as Maqedonia dhe as Greqia. Në këtë mënyrë Banka e Shqipërisë ka të drejtën e saj ligjore që të vazhdojë të pres monedha me figurën e Aleksandrit të Madh.

Aleksandri ishte nga njëra prej tri trevave Pellazge, Maqedonisë ku flitej shqip, ashtu sikundër në Epir dhe në Iliri. Për grekët, maqedonasit, epirotët dhe ilirët ishin barbarë. Maqedonia nuk duhet asnjëherë ta ndryshojë emrin e saj, pavarësisht nga presionet greke. Atë e ka vendosur historia e Aleksandrit të Madh dhe nuk mund ta ndryshoj dot sot askush.

1 lek me portretin e Aleksandrit të Madh, 1926.

Me dekret-ligjin e datës 7 korrik 1947, si njësi monetare caktohet Leku, i cili zëvendësoi Frangun, ndërsa ky i fundit tërhiqet përfundimisht nga qarkullimi. Që nga ky moment, kartëmonedha lekë ndryshon herë pas here simbolikën dhe përmasat.

Në 1965 ndryshoj raporti i lekut 1/10 si dhe për herë të pare shtypen dhe hidhen në qarkullim nënfisha të lekut, qindarkat. Karakteristikë e këtyre kartëmonedhave është se në Shqipëri ka prerje 30 dhe 250 lekëshe. Këto prerje nuk ndeshen në vende të tjera dhe në emetimet  e serive në vitet në vijim.

Pas viti 1990 prerja më e madhe është 5000 lekë

Sot në Shqipëri qarkullojnë monedhat prerje 1 lek, 5 lekë, 10 lekë, 20 lekë 50 dhe 100 lekë. Nuk qarkullojnë më nënfisha të lekut. Qarkullojnë kartëmonedhat 200, 500, 1000 dhe 5000 lekë. Këto kartëmonedha kanë elemente sigurie të kohës. Banka e Shqipërisë është pronare e lekut shqiptar, ajo i hedh ato në treg dhe tërheq nga qarkullimi paratë e dëmtuara.