Hyqmet Zane: Paturpësia me shtëpinë muze të Hasan Tahsinit

276
Sigal

Akademiku i Rilindjes dhe Akademia “Studimeve për Çamërinë” në Ninat

Shtëpia muze e Hasan Tahsinit dhe paturpësia e shtetit.

Hasan Tahsini dhe Bilal Xhaferi, kolosët e kombit që harrohen nga politika.

 

Mosha nuk ma lejon të tregohem i dobët për realitetet e kësaj kohe që jetojmë, as lotët nuk i kam të tepërt apo të prek ndokën, por atë që pashë në të ashtuquajturën shtëpi muze të akademikut të Rilindjes Kombëtare (asaj të vërtetës) Hoxha Hasan Tahsini, është trishtuese, e pabesueshme, fatkeqësi dhe një turp i padëgjuar. Një shtëpi dykatëshe si një kështjellë e vogël e Hoxhatëve të Ninatit, ishte katandisur si mos më keq, pas asnjë orendi dhe asnjë dokumentacion, që kurrësesi mund ta quash “shtëpi muze” kurrën e kurrës.

Me grupin themelus të Akademisë së “Studimeve për Çamërinë” u bënë të pranishëm në mesin e një pjese të banorëve të Ninanit, fshatit të vogël të Bashkisë Konispol. Tahir Muhedini, prof.dr. Selman Sheme, shkrimtari Enver Kushi, ish ambasadori Agim Fagu dhe avokati i mirëdëgjuar Shkëlqim Hajdari dhe unë mes tyre, ishim të gëzuar që po shkonim në Ninatin e personaliteteve të mëdhenj të historisë 150 vjeçare të Çamërisë së sipërme. Por ai gëzim i ligjshëm i protagonizmit të ASÇ u fashit sapo në sfondin para syve tanë u bë ballë ndërtesa e rrënuar ku ka jetuar babai i Rilindjes Kombëtare, akademiku, fizikanti, teologu, rektori i parëi universitetit të Stambollit Hasan Tahsini.

Sidoqë ishte realiteti që të shkaktonte një trishtim të madh, banorët, nxënësit e shkollës dhe prania e kryebashkiakut të Konispolit Shuaip Beqiri si dhe mësues dhe intelektualë të respektuar, i dhanë një dimension të rëndësishëm atij sesioni shkencor përkujtimor që iu bë njeriut që shkroi historinë e Rilindjes Kombëtare dhe u bë “Nderi i Kombit” për veprat që bëri dhe emrin që la në historiografinë mbarëkombëtare, si bir i Çamërisë dhe shkencëtar i kohës nëPerandorinë Osmane. Fjalët e oratorëve që mbajtën fjalën në këtë sesion promovues të ASÇ i dhanë auditorit në natyrën e bukur të Ninatit një dritë dhe një mesazh të madh për dritë – hijet e një kohe që edhe na zhgënjen me të papriturat e saj.

Në cilësinë e një publicisti dhe investiguesi, mora vesh nga kryebashkiaku Shuaip Beqiri se diktatori Enver hoxha kishte dhënë urdhër të bëhej muze shtëpia e rilindasit të madh dhe ajo u bë e tillë me shumë përpjekje edhe për vetë kushtet  ku ndodhet Ninati  në skajin jugor të Shqipërisë. Dua të jem i vërtetë për atë q është bërë mirë në atë kohë, edhe pse diktaturë, sepse pas vitit 1990, kur emigrimi përmes malit për në Greqi u bë një mundësi shpëtimi për jetën e mijëra shqiptarëve, duart e zeza dhe vandalët e vlerave e prishën, e shkatërruan, e syrgjynosën në harresë muzeun e Hasan Tahsinit të madh. Pothuajse nuk kishte mbetur asgjë, veç mureve të gurtë të suvatuar dhe të bërë pis.

Nga ana tjetër kisha dijeni, por edhe m’u aprovua fakti që në një kohë të afërt ndoshta para 5 apo 6 vjetësh janë dhënë rreth 90 milion lekë për restaurimin e këtij muzeu, por ata, që pretendojnë se kanë shumë merita për kauzën e Çamërisë dhe që mbahen si politikanë, por që në realitet nuk kanë asnjë vlerë edhe njerëzore, nuk dihet se ku i kanë syrgjynosur ato para, duke dashur të syrgjynosin figurën e një apostulli të shqiptarizmës të shek. 19. Ndoshta ka qenë e porositur nga Elladha e tyre, por një gjë është e vërtetë që“buk’ e mëmëdheut zëntë, tradhëtorët e pabesë!” (“Tradhëtorët”  Naim Frashëri).

Jo vetëm unë, por veçanërisht anëtarët e themelimit  të Akademisë për Studimet e Çamërisë si prof.dr. Selman Sheme, studiuesi e shkrimtari Enver Kushi, ish ambasadori Agim Fagu dhe avokati Shkëlqim Hajdari e bashkë me ta drejtuesi Tahir Muhedini u bëmë dëshmitarë të një realiteti sa të hidhur, aq edhe të papranueshëm, që duhet të ndryshojë detyrimisht. Ky është edhe misioni i ASÇ me angazhimet e tyre ku janë një “bateri” e tërë studiuesish dhe dashamirësish do të bëjnë të mundur gjerësinë dhe thellësinë e studimeve dhe ngritjen e frymës së popullatës çame në të gjithë Shqipërinë me promovimet protagonist  edhe në shërbim të ringritjes së Shoqatës Çamëria, që meriton potencën e një angazhimi për t’u bërë realisht faktor për çështjen e kauzës së Çamërisë.

Nga ana tjetër të gjithë ne u bëmë befasues në shtëpinë e shkrimtarit tonë të shquar të letrave Bilal Xhaferi. E kthyer në një shtëpi muze potencialisht si një muze modern, ishte produkt i mendjes dhe duarve të motrës së tij Antika Hoxha (Xhaferi) që me dashurinë e një motre kishte realizuar atë që do ta kishin zili edhe muzeologë të shuar. Të mos harrojmë se jemi në Ninat në skajin më jugor të Shqipërisë dhe mundësitë e një gruaje mbi të 80-tave.

Ishte një pasqyrim i veprës së shkrimtarit të etnisë me të gjithë potencën e një njeriu që hyri në historinë e letrave shqiptare si shkrimtar dissident me vlera të mëdha. Edhe pse dora e zezë e sigurimit të shtetit e diktaturës mendonte si ta nxinte figurën e tij për shkak të moskonkurimit të shkrimtarëve të përkëdhelur të diktaturës, Bilal Xhaferi u bë një meteor, që ndriçoi realitetin  letrar me veprën e tij të madhe dhe të pakrahasueshme, edhe pse si njëi persekutuar me baba të pushkatuar, pa arsim të lartë, por me një gjeni të lindur, që e pasqyron vepra e tij.

Edhes pse sot e kësaj dite mbeturinat e atij sistemi dhe puthadorët e tij vazhdojnë të thurin plane për ta bërë pis figurën e shkrimtarit të Çamërisë, ai mbetet i vlerësuar nga e gjithë plejada e shkrimtarëve të kohës, bile edhe nga vetë Ismail Kadare, bashkëkohës i tij, po aq sa edhe nga Dritëro Agolli dhe Vath Koreshi, Teodor Laço dhe Skënder Këlliçi Bedri Myftari dhe Namik Mane, nga kritiku Adriatik Kallulli dhe Adem Istrefi, nga Dhimitër Fullani dhe Bashkim Kuçuku, Emin Riza dhe Sabri Hamiti si dhe nga të gjithë ata që e lexuan dhe kuptuan gjeninë e shkrimtarit që diktatura e donte të internuar dhe të burgosur.

Të gjitha këto ishin në pasqyrimin e një muzeu sa modest aq edhe potent. Ishte aty brenda e gjithë krijimtaria e tij edhe në SHBA pas arratisjes, për t’i shpëtuar burgosjes. Por edhe atje në shtetin e lirisë e ndoqën ata sigurimsat që porositën plagosjen e tij dhe djegien e krijimtarisë së tij, deri në “vrasjen” e tij në një spital në Çikago nga një dorë kriminale e porositur nga sigurimi i shtetit që e gjeti aty në spitalin ku ai ishte operuar. Por që më 14 tetor 1986 do të mbyllte sytë. Por nuk mund të mbyllin sytë lexuesit e veprës së tij, edhe pse çensura e sotme ia ka privuar veprën në librat e antologjisë shkollore në 9-vjeçare dhe në shkollat e mesme.

Është motër Antika që me energjinë e saj me dashurinë për vëllain e dashur dhe personalitetin që nuk e donte diktatura, por e donin ata bashkëkohësit e tij shkrimtarë dhe lexuesit e tij që e bëjnë të patjetërsuar . u ndjemë mirë të gjithë ne anëtarët e Akademisë dhe të gjitha shoqëruesit, duke na u kthyer buzëqeshja pas atij trishtimi që ndjemë tek shtëpia e Hasan Tahsinit. Ishte një promocion që me protagonizmin tone i dhamë gjallëri Ninatit se e meriton ai dhe e ka domosdoshmëri ,sepse është ai vend që i ka dhënë bekim personaliteteve të shquara si Hasan Tahsini dhe Bilal Xhaferi.

Me të drejtë profesor Selman Sheme, drejtor i ASÇ, tha se “dimensioni i Akademisë nuk njeh hapësirë dhe kohë, ai do të jetë dimensioni i një akademie për vlerat që mbart e gjithë Çamëria dhe që detyra jonë është t’i evidentojmë dhe t’i gjenerojmë për brezat”. Po ashtu edhe shkrimtari dhe njeriu që ka përgatitur shumë dokumentarë për Çamërinë, Enver Kushi, me urtësinë e mendimit dhe modestinë e tij u shpreh “na takon neve që jemi sot trashëgimtarë dhe pasues të vlerave të vërteta të personaliteteve të Çamërisë që të bëjmë publikimin dhe t’i promovojmë kohë pas kohe ata që në bëjnë nder në çdo kohë. Ky është detyrimi ynë edhe si Akademi”. Për kryetarin e Bordit te ASÇ, Tahir Muhedini i mirënjohur për investimet për çështjen çame u shpreh se “vlera jonë e studimeve të ASÇ nuk mund të jenë çështje interesash, por vlerësim për punën e personaliteteve që mbetën në hije në shekullin e kaluar dhe që në këetë shekullin e ri te bëhen vlerë jo vetëm për shqiptarët e Çamërisë, por për gjithë kombin. Për këtë nuk do të kursehemi asnjëherë”.

Bashkëshoqëruesit tanë, ish ambasadori Agim Fagu pohoi se “kemi të gjithë pjesën e detyrimit për të kontribuar për vlerat e kombit, aq më shumë për personalitetet e Çamërisë ndaj të cilave kanë vepruar rrymat e segmenteve diplomatike antishqiptare dhe që nuk mund të heshtim sot”. Edhe për avokatin Shkëlqim Hajdari “Çamëria nuk u takon vetëm çamëve, por gjithë shqiptarëve se ajo është pjesë e kombit dhe për këtë lypset një punë voluminoze akademikë dhe avokatorë në botë me lobingjet në kancelaritë europiane dhe në SHBA”.

Për mua, me cilësinë e njeriut të medias në ASÇ “historia e një kombi është historia e personaliteteve të tij. Çamëria i ka ata dhe nuk janë pak, por që nga lashtësia e deri më sot siç edhe janë akademiku i Rilindjes Kombëtare Hasan Tahsini dhe shkrimtari disident Bilal Xhaferi që na kanë lënë mesazhet e përfaqësimit sa më dinjitoz ndër breza”. Ishin këto mesazhe që shkëmbyem edhe në takimet e ASÇ në Delvinë dhe Sarandë dhe në mes të banorëve të Ninatit si një sukses i vlerave që përfaqëson një organizim akademik si ky i Akademisë së Studimeve për Çamërinë.