Himni Kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar”

528
Sigal

Botohen për herë të parë shënimet e Lasgush Poradecit. Vajza e ikonës së letrave shqipe Marie Gusho, sjellë dorëshkrimet ku zbardhet se si doli kjo këngë më e përhapura dhe më e kënduara nga të gjithë. Betimi mbi Flamur me tekstin origjinal nga Asdreni në 1908 dhe pse Bukureshti mbetet qyteti ku u themeluan shoqëria, shtypshkronja, gazeta,shkolla,kisha dhe xhamia më e parë shqiptare.

 

Dorëshkrime/ Bukureshti mbetet qyteti ku u themelua shoqëria, shtypshkronja, gazeta, shkolla, kisha dhe xhamia më e parë shqiptare

Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar”  dhe gjeneza e tij

Si doli kjo këngë e kombit kaq e përhapur dhe kaq e kënduar, më e përhapura dhe më e kënduara nga të gjitha

Lasgush Poradeci

Një vështrim rreth fillimeve të kishës shqipe në  Rumani  

Lëvizja shqiptare për vetëqeverim dhe pavarësi është një vepër që i vete përkrahu lëvizjes së popujve të Ballkanit drejt lirisë kombëtare, edhe këta të lëkundur së largu ndonëse vonë nga ryma e kryengritjes së madhe frënge, që gatoi dhe përforcoi kombëtarisht gjithë Europën.

Lëvizja e shqiptarëve për të fituar lirinë dhe kombëtarësinë e humbur mori fill në qindvjetorin e kaluar brenda kolonive të mërgimit, dyke patur si udhëheqëse më të vendosur dhe më të madhe atë të Rumanisë me kryeqendër Bukureshtin.

Prej Bukureshti ku u themelua shoqëria dhe shtypshkronja dhe gazeta dhe shkolla dhe kisha dhe xhamia më e parë shqiptare ndër gjithë popujt ballkanikë të robërisë, ideja e Rilindjes u përhap kudo që ndodhej një bërthamë shqiptarësh jashtë kufirit të atdheut, me Ballkan dhe Egjipt dhe Europë dhe Amerikë në krye të radhës. Kolonia e Bukureshtit jo vetëm që e fitoi famën e saj të pavdekur si veterania e veteraneve me një veprim politik të shumëanshëm, po veçanërisht dhe sipër së gjithash ajo u shqua si pishtar i vërtetë i përhapjes kulturore jashtë dhe brenda Shqipërisë. Ajo shtypi librat e Naim Frashërit dhe të Asdrenit, që përflaknë të rinj e pleq me zjarrin e përvëluar të atdhedashurisë. Ajo e përmbajti në gjirin e saj dhe përtej, shpirtin e kombit të etuar për liri dyke e nxitur pa pushim në punë vetëtherrorije, dyke i rrëfyer me njëmijë shembuj udhën e shenjtë që shpinte për në jetën e pavarur të shtetit shqiptar të ardhshëm.

Një nga këto shembuj, me rëndësi të pallogaritur për vajtjen ngjitëse të lëvizjes së Rilindjes është krijimi i grupit të këngëtorëve shqiptarë të mërgimit, organizimi i Korit Shqiptar Kishëtar në Bukuresht. Prej gjirit të tij mori lindjen himni kombëtar i shqiptarëve, me fjalët e të cilit në gojë luftonin çetat e kryengritjes dhe vdisnin vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Ay u shenjtërua kësisoj jo vetëm si kënga e luftëtarëve dhe veteranëve të çlirimit, po u bë dhe himni i gjithë Shqipërisë, himni i shtetit shqiptar të ngritur me therrorira qindvjeçare. Dhe tashi, si në ditën më të parë të lindjes së tij, ay tingëllon në vesh dhe në shpirt me fjalët e tij lartësonjëse, i mbushur plot me hijen e rëndë të burrërisë, të betimit dhe të besës së dhënë shqiptare: Flamurit pranë të bashkuar.

Si doli kjo këngë e kombit kaq e përhapur dhe kaq e kënduar – më përhapura dhe më kënduara nga të gjitha – prej gjirit të një kori kishtar shqiptar të mërgimit? Doli ashtu, vetvetiu, papritur, pa dashur, siç del një fjalë ose një dëshirë nga zemra, kur zemra është plot. Ajo ka lindur pa pretendime, në mënyrën më të thjeshtë, nga gjindja e shqiptarëve të robëruar dhe të mërguar në vend të huaj. Nga kjo arsye mban pra më vetëhe dhe shenjën e dyfishme të burimit të saj. Mban të ndarë më dy anë hovin e brendshëm dhe shtytjen e jashtme që i pat dhënë trajtë. Dhe aq spontane, aq e pamenduar është gjeneza e saj, sa i naturshëm dhe krejt i vetëkuptimshëm ishte malli për atdhe brënda rastit që bëri të duhur dhe të mundur krijimin e Korit Kishtar Kombëtar të lartpërmendur.

Ky kor u themelua në Bukuresht nga fundi i vitit 1907, aty si nga Nëntori-Dhjetori prej të rinjve dhe më të rinjve shqiptarë të kryeqytetit rumun. Ishte formuar me një qëllim të lartë kombëtar, për këngë të vendlindjes, për zbukurimin e shërbesës fetare në kishën shqipe të Bukureshtit. Midis themelimeve kombëtare me të cilat ka dashur të pajohet Kolonia e Bukureshtit duke i sendësuar (realizuar) radhazi që të gjitha, është dhe kisha e komunitetit orthodhoks shqiptar të atjeshmë. Me mundime të shumta, dhe më të shumta therrori, harriheshin për-dita qëllimet dhe pajosjet atdhetare të këtyre veteranëve të patundur të Rumanisë. Ndërhyrjet, lutjet, shtytjet e njëmijëllojshme të tyre pranë qeverisë dhe të veçantëve, janë lënda kryesore për nxjerrjen e istorigrafisë dhe të kronikës së shoqërisë që përmbanin dhe përfaqësonin. Tashi pra kësaj here dha lejë Mitropolija rumune të meshohej shqip në një kishë të vjetër të Bukureshtit, të cilës i theshnin Shën-Gjergji-i-Vjetër. Kish ardhur aty së-shpejti një prift beratas, Harallamb Çalamani, dhe shqiptarët e Bukureshtit më s’pritnë që të heqin dobi nga ky rast, duke i-u përveshur punës për fillimin e një shërbese fetare shqip, gjë e cila i-u qëndronte prej kohe aq për zemër.

At Harallamb Çalamani kish qënë me shërbim priftërije në një kishë të Patriarkisë në Stamboll, domethënë brenda në zemrën botërore të orthodhoksisë, në qëndrën politike që urdhëronte ndalimin fetar të shqiptarëve për të themeluar Kishën e Krishtit në gjuhën shqipe. Ay nuk e dinte priftërinë mirë, ish vetëm si vepëronjës në atë kategori priftërinjsh të Patriarkisë, të cilët kanë për detyrë të mirosin besnikët në Mitropoli. Jo që s’e dinte fare shërbimin e tij si prift, po nuk para meshonte dhe aq regullisht, i zënë siç ishte pa pushim me punën e mirosjes, për të cilën ish caktuar posaçërisht së-bashku me një sërë tjetër priftërinjsh të këtij rendi të Patriarkisë. Kish dhe një shkak tjetër At Harallamb Çalamani që nuk vihej lehtë në të meshuar; sepse i mungonte një cilësi e domosdoshme për këtë shërbim: ay s’kishte zë.

Ardhja e tij në Rumani dhe dorëzimi si prift shqiptar i Kollonisë së Bukureshtit i përngjan faktit të kaqe veteranëve, të cilët zgjimi kombëtar i pat gjetur, sipas rethanave të asaj kohe, në zyrë shërbimi gërqisht ose turqisht, përpara çasit të shenjtë të thirrjes së gjakut ndaj idealeve kombëtare.

Në qytetin Mangalia të Dobroxhës së Rumanisë grekët e atjeshmë kishin prej kohe kishën e tyre dhe kërkuan nga Patriarkija e Stambollit t’i-u dërgojë një prift për meshim. Patriarkija dërgoj të meshojë në këtë kishë greke At Harallamb Çalamanin nga Berati, me qënë që siç shënuam më sipër ky s’bënte një shërbim të vendosur dhe të vazhduarshëm në Patriarki, ishte vetëm nënë urdhërat e përkohëshme dhe më shumë rastore të saj. Tashi ajo kujtoj se i gjeti një mision, dhe e dërgoj pa vonim nër grekët e Mangalias.

Punët, shumë të afërme, i përgënjeshtruan gjykimet e saj. At Çalamani dyke ardhur nga Stambolli me vapor në Konstancë të Rumanisë u poq këtu më parë me shqiptarët atdhetarë, të organizuar në një degë me rëndësi të Kollonisë veterane qëndrore të Bukureshtit. Aty zemra i-u bë mal nga gëzimi me pritjen fisnike si pas zakonit shqiptar që gjeti nër anëtarët e Kolonisë së Konstancës, me fjalët e ndezura dhe plot shpresë që dëgjoj aty rreth çështjes atdhetare, dhe veçanërisht me zërin e madh që ata i dhanë mi vatrën e gjithë shoqërive shqiptare të Rumanisë- mi Koloninë e madhe, të fortë, të patundur të Bukureshtit, plot punë dhe veprime për Shqipërinë, e cila s’kursente asnjë therrori po gjithnjë mirte vendime dhe gjithnjë prishte dhe derthte të holla me krahë hapur, për çdo nevojë kombëtare.

Kjo, Kolonia e Bukureshtit, me lajmet që dëgjoj At Çalamani rreth saj, i la një vragë të fellë në shpirt, dhe i ngjalli dëshirën e fshehtë për t’u ndodhur sa më shpejt atje pranë. Si burrë shqiptar, ay nuk mund të hante fjalën me të cilën kish ardhur prej Patriarkisë, fjala e dhënë për të ish besë shqiptare e dhënë. Me zemrën e ndarë më dysh u nis për në kishën greke të Mangalias, ku meshoj, ashtu për ashtu pak kohë, aq sa e mirte ay nër mënd se kjo sjellje nuk mund të nëmërohej, më, e pabesë: dhe një ditë të bukur falet krishtërisht më një qoshe dhe ik e fluturon e vjen drejt në Bukuresht- dritë e vërtetë e ndezur për hovin e papërmbajtur të dëshirës së tij. Falja e tij krishtërishte– siç e rrëfente ay vetë kaq herë në çastet e mallëngjyera të kujtimit- ishte një kujdes i vetëdijes së tij, për të qënë i pastër në misionin shpirtëror si shërbenjës i Krishtit dhe anëtar i kombit të vet. Aq thellë i qenë gdhendur në mendje fjalët e faljes, sa i thoshte në çdo rast përnjëherësh dhe me lehtësirën më të madhe, kësisoj i kishin mësuar përmendësh dhe shumë nga shqiptarët më të përditshëm të qarkut të tij të asaj kohe: O Krisht i vërtetë që i dërgove apostujt e Tu mi Dhet dhe i-u the me gojën tënde: ecni dhe lajmëroni fjalën e Zotit nëpër gjithë kombet dhe gjuhërat; ja dhe unë besniku yt po ik tashi që këtu dhe dua të këndoj Ungjillë Tënd të shenjtë në gjuhën e kombit t’im.

Dogma fetare orthodhokse mi karakterin ndërkombëtar të krishterimit, atje ku Krishti i porosit nxënësit e tij të predikojnë Ungjillin nër gjithë popujt, i kish ardhur At Harallambit nga veterani i math Petro Nini Luarasi, mbrojtësi i patundur dhe i tmerrshëm i shkronjave shqipe në kohën e Rilindjes. Atdhetarët shqiptarë në luftën e tyre kundër propagandës greke që ndalonte përhapjen shqip të shkronjës së shenjtë, ndërmuar themelimin filozofik të orthodhoksizmës në dogmat që i përkisnin ndërkombëtarësisë, domethënë, midis së tjerash, dhe në të vërtetën e pabiseduarshme të përkthimit dhe predikimit të Ungjillit nër gjithë gjuhët dhe kombet: pra pikërisht dhe aq më shumë në gjuhën e kombit shqiptar të rilindur.

I pajosur me këtë dritë kombëtare orthodhokse, At Harallamb Çalamani po i drejtohej tashi detyrës së bekuar që i-a kish çelur zemrën posi një foshnje. Ai po vinte për në Bukuresht. Për në shoqërinë, për në zemrën e Kolonisë famëmadhe shqiptare.

Ishte èdhe viti 1907. Kolonia qëndronte, si përhera, në lulëzim. Për ku u nis, ne cili vajti At Harallamb Çalamani sapo zbriti në Bukuresht, në kryeqytetin e Shqipërisë së mërguar? Tek kush tjetër përveç se tek njëri ose tek tjetri nga ata mërgimtarë të njohur, me tregëti ose me punë më të volitëshme, të cilët qoftë nga mirëqënia lëndore qoftë nga ngrohtësia e zemrës ishin dhe janë, atje ndër shqiptarët e çatdhesuar të mërgimit, çerdhe të vërteta veprimi dhe atdhedashurie?

Asokohe ish në Bukuresht Vasil Zografi, veteran i madh i Kolonisë, bashkë me të-vëllezërit që i rinin ngjitur përkrah në gjëra kombëtare. Ky, në bashkëpunim me ta kish sipërmarrje të lulëzuar, magazinë të madhe sendesh ushqimore dhe të pirash, shtëpi luksi, në bulevardin Elisabeta nr. 33. Për atje i thanë dhe drejt e atje vajti me hap të bindur At Harallambi. Pritja që i bëri Vasil Zografi, një pritje nga shpirti, e mbushur me njerëzi dhe dashuri, një pritje e cila përmi të gjitha binte erë Shqipëri, të cilën nuk e harrojnë ata që i kanë shkelur pragun- nuk e harrojmë po e mbajmë mirë në mëndje ne që i kemi dëgjuar fjalën shqiptare dhe i kemi parë punën shqiptare- ajo pritje zotëronjëse At Harallambin e preku në zemër. Në fjalim dhe në miqësim e sipër, me dashje dhe pa dashje, sepse ajo që dukej pa dashje ish gjëja më e dashur e qëllimeve të Vasil Zografit, ky i-a tërheq mendimin Atit të përndershëm rreth atdheut, rreth çështjes kombëtare, rreth nevojave të shqiptarëve të Bukureshtit, rreth nevojës së komunitetit orthodhoks të Kolonisë që të ketë një kishë në gjuhën shqip; dhe më në fund e pyet me shumë zemër të paduruar, po me një vështrim bindës, në do që të bëhet prift shqiptar në Bukuresht. Për At Harallamb Çalamanin kjo pyetje ish si vetë dëshira e udhëtimit dhe e jetës së tij që sot e tutje. Dhe me gjith që s’dinte të bënte meshën shqip fare, vetëm dinte të lëçitë shqip dhe këtë e kish mësuar nga abetarja që atdhetarët e Bukureshtit e kishin përhapur në dymbëdhjetë-mijë copë, me gjith moshën e kaluar dhe mjekrën e bardhë të gjashtëdhjetë dimrave që i rëndonin mi supë, në këtë pyetje të Vasil Zografit ay e ndjeu të rilindur dhe të zjarrshme si të një të riu, dhe me kurajë e vendim u përgjigj përnjëheresh po! – si një apostull i vërtetë i kombëtarësisë.

Vasil Zografi e puth në ballë dhe pastaj bashkëfjalimi vazhdoj më drejt-për-drejt. E muar fjalën shtëpiakërisht. Të gjitha çështjet, u përfunduan për të mirë, vetëm njëra, ajo më kryesorja, dukej sikur i hithte një hije të vrejtur fytyrës gazmore të At Harallamb Çalamanit. Ishte vështirësia e kishës, gjetja e ndërtesës së falëtores ku do tingëllonte për së pari lutja e zotit në gjuhën e shqiptarëve Vështirësi e kujtonte prifti atdhedashës. Ai qe çilimi në këto punë, i paregjur në mbrumjen dhe rrahjen dhe përfundimin e problemeve kombëtare me të cilat mirreshin për-dita burrat veteranë të Bukureshtit; me të cilat ata mirreshin, duke ditur gjithnjë t’i-u nxjerrin një sgjidhje praktike, sipas qëllimit të paracaktuar. Kështu tashi dhe Vasil Zografi. Me bindjen e veprimtarit që nuk i mprapset asgjëje, që parashikon sepse shkakton vetë zgjidhjen e ngatërresave të lidhura, ai i përgjigjet dyke mos e prerë fjalën e të mësuarit shqip të meshës nga ana e At Harallamb Çalamanit dhe i thotë: pregatit-e ti sa më shpejt e sa më mirë meshën shqip- pa të gjejmë ne kishë.

Atëherë përpara pak kohe kish dërguar Fan Noli në Bukuresht dorëshkrimin e librës së parë shqip për të meshuar, një vëllim i vogël, i përkthyer me kujdes dhe përgjegjësi nga greqishtja, që kolonija e Bukureshtit e kish riprodhuar në poligraf dhe e përhapte falas kudo brenda dhe jashtë Rumanisë, aq më shumë në Shqipëri. Ishin èdhe çaset kur çdo shqiptar e lëçiste dhe e kishte librin nëpër gojë. I ndihmonte përhapjes me të tepër gjuha e kulluar, stili i përshtatur me zotësi të madhe pas tekstit origjinal, po më shumë dhe sipër së gjithash fama e përnderuar e autorit. Libra e shtyp më vonë në Amerikë me ndihmën e shqiptarëve të mërgimit dhe të atdheut, e Shoqërija Bashkimi e Bukureshtit parableu, për vete, një sasi copësh më të madhe sesa e çdo shoqërije ose e çdo shqiptari në Egjipt, Francë, Rusi, Siberi, Shqipëri dhe njëzet-e-tri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo u botua me fletëtitullin: Librë e shërbesave të shenta të kishës orthodhokse, kthyer nga gërqishtja prej priftit orthodox Fan S. Noli, Boston, Mass. 1909.

Këtë libër kishëtare, të sjellë nga biblioteka e përplotë e anëtarit të Shoqërisë Kristaq Tërpo, që ka mbledhur dhe ruan me fetari gjithë veprat e Rilindjes, Vasil Zografi i-a dha nër duar At Harallamb Çalamanit, dhe ky sapo e mori dhe i shfletësoj faqet e para, i preu aty-për-aty bashkëfjalimet dyke ikur para kohe nga magazini shqiptarpritës i Zografërve: vajti kështu me padurim në dhomën e tij dhe i-u vu me gjith shpirt mësimit të librës, mësimit për-mëndsh dhe fjalë-për-fjalë, si në kohën e mallëngjyer shkollore të fëmijërisë: fara e mirë e fjalës së ëmbël shqipe e hedhur prej Fan Nolit, kish rënë në dherin e mirë të një shpirti të vërtetë shqiptar…

At Çalamani i-u përvesh në dhomë detyrës, u bë përsëri nxënës filloreje, dhe tani i mbeti radha për punë Kolonisë. Duhej gjetur kisha. Kryetari i shoqërisë dërgoj shkresat nëpër anëtarët e ndryshmë dyke i ftuar në mbledhje të përgjithshme të jashtërendshme. Mbledhjet e shoqërisë mbaheshin natën, prej orës nëntë pas darke e tëhu, dhe zgjateshin rregullisht gjer më dymbëdhjetë, shumë herë dhe përtej orës një ose dy pas mesnate. Mbaheshin mbledhjet natën, për t’u përshtatur veprimi i Kolonisë pas gjindjes tregëtare të anëtarëve. Këta ishin të zënë ditën me punë, ndër tregëtoret dhe zyrat e sipërmarrjeve të tyre. Dhe detyrën ndaj shoqërisë e bënin, sipas vendimit të marrë prej tyre vetë, ashtu, dyke u ngritur shpirtërisht ndaj atdheut dhe dyke mos u dëmtuar- sa të ish e mundur- lëndërisht kundrejt nevojave shtëpiake për të cilat kishin marë mërgimin. Si njerëz të mençur dinin të përmbushnin një detyrë dy-fish: dhe qengjin t’a pjekin dhe hellin të mos e djegin. Dhe kështu i-a rrëmbenin kohën gjumit, një herë në javë, për mos t’i-a prishur peshën përmbajtjes dhe mirërritjes fëmijare.

 Nesër do të lexoni:

Kryeveterani Nikoll N. Naço-Korça themeloi në Bukuresht të parën Shoqëri të Mësimit shqip, “Dritën”

Vasil Zografi lajmëroi lajmin ardhjen e At Harallamb Çalamanit në gji të Kolonisë

Si u ndërhy pranë Mitropolisë së Bukureshtit për dhënien e një kishe Kolonisë shqiptare ku të meshohet shqip

– Leja u dha në vitin 1908 dhe ka qenë një gëzim, një lumtëri, një festim i përgjithshëm për veteranët e Bukureshtit

– Kori Kishtar u formua në mbledhjen e shoqërisë me vendim të njëzëshmë, ku u zgjodhnë pjesëtarët nga gjith ata shqiptarë të rinj që ndodheshin asikohe në Bukuresht