Hazis Gjergji: Dita e Vetaranëve në Shqipëri dhe Amerikë

281
Sigal

Shteti demokratik shqiptar nuk ka akoma një festë kombëtare të ngjanshme me  Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Veterans’ Day në Amerikë dhe Dita e Veteranëve të Shqipërisë

Në orën 6 të mëngjesit, qyteti i vogël Paducah/Kentusky, si në të gjitha qendrat e banuara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u zgjua nga trompetat dhe daullet festive të “Veterans Day” (“Ditës së Veteranëve”), e çelur me ceremoninë e “Sunrise Reveille” (fr. “Lindjes së Diellit”). Ceremonia u hap në kryqëzimin e Bulevardit “Broadëay” me rrugën “Water Street” me ngritjen e Flamurit Kombëtar nga anëtarët e Rojës Bregdetare të SHBA-së dhe njohjes me aktivitetet përkujtimore e kulturore të ditës.

Festimet e “Veterans’ Day” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës fillojnë zyrtarisht në orën 11:00 të ditës së 11-të, të muajit të 11-të, në përkujtim të momentit historik kur u firmos armëpushimi i luftimeve midis forcave të Antantës, të përfaqësuara nga delegacioni ushtarak francez, dhe trupave të Boshtit Qendror, të përfaqësuara nga delegacioni ushtarak i Gjermanisë. Në këtë kuptim, “Veteran’s Day” evokon dëshirën paqësore për t’u dhënë fund luftërave në favor të lirisë, demokracisë e mirëqenies së popujve të mbarë botës.

Me kërkesën e organizatave të mëdha të veteranëve të SHBA-së, në vitin 1954, “Dita e Armëpushimit” mori një kuptim më të gjerë të shtrirë në hapësirë dhe kohë, duke u emëruar “Veterans’ Day” [Dita e Veteranëve]. Në këtë ditë organizohen parada, aktivitete kulturore nëpër shkolla dhe shërbesa kishtare. Në shumë raste, në orën 11 të mëngjesit, mbahen edhe dy minuta heshtje në përkujtim të  veteranëve të ndarë nga jeta.

Për shkak të Pandemisë COVID-19 që diktonte mbajtjen e veteranëve amerikanë të sigurt dhe të shëndetshëm, parada vjetore e Ditës së Veteranëve nuk u mbajt këtë vit. Por veteranët e qytetit Paducah, në orën 12:30 u shpërblyen me një “Fluturimi Nderi” me avion drejt Washington, DC dhe Kompleksin Historik të Varrezave Kombëtare të Arlingtonit. Nisja e tyre u pasqyrua gjatë në Televizionin Lokal 6 WPSD me një program dinjitoz historik dhe aktual.

Varrezat Kombëtare të Arlingtonit janë një vend i shenjtë ushtarak në kontenë me të njejtin emër në Virxhinia, përtej lumit Potomac të Uashington, DC. Në afro 260 hektarë prehen heronjtë dhe dëshmorët e luftërave për liri e demokraci të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Varrezat Kombëtare u krijuan gjatë Luftës Civile dhe pasurohen çdo vit. Të ngritura së bashku me Arlington House, Memorial Drive, Hemicycle dhe Arlington Memorial Bridge, ato formojnë Kompleksin Historik të Varrezave Kombëtare të Arlingtonit, ku marrin pjesë çdo vit deri 5000 të ftuar.

“Veterans’ Day” është një nga 10 festat kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila i kushtohet mundit dhe djersës së të gjithë veteranëve  ushtarakë, që kanë shërbyer qysh nga Lufta e Parë Botërore në  Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara. Varri i Ushtarit të Panjohur është pjesë e Amfiteatrit Përkujtimor Arlington. Në Amfiteatrin Memorial organizohen të gjitha ceremonitë e “Memorial Day”(“Ditës së Dëshmorëve”), çdo të hënë të javës së fundit të muajit Maj, dhe “Veterans Day” (Ditës së Veteranëve”, më 11 Nëntor të çdo vitit. Struktura e Amfiteatrit, si dhe e monumenteve të tjera në atë kompleks, është ndërtuar kryesisht nga mermeri “Imperial Danby”, i nxjerrë dhe përpunuar në minierat e gurit në Vermont. Komleksi dhe varrezat mirëmbahen nga Departamenti i Ushtrisë Kombëtare, pjesë e Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për të njohur vlerësimin e madh që shteti demokratik amerikan i kushton Ditës së Veteranëve, mjafton të përmendim se nga 16 Sekretarët e Kabinetit të Presidentit, krahas krerëve të Departamenteve të Mbrojtjes dhe të Sigurisë Kombëtare, qëndron edhe Zoti Denis Richard McDonough, i emëruar nga Presidenti Biden [Bajden] për të udhëhequr Departamentin e Çështjeve të Veteranëve. Emërimi i zotit McDonough u konfirmua nga Senati i Shteteve të Bashkuara më 8 shkurt 2021 dhe ai u betua të nesërmen si Sekretari i 11-të i Çështjeve të Veteranëve. Gjatë seancës së konfirmimit të tij, Sekretari McDonough, ndër të tjera, i dëshmoi Kongresit amerikan:

“Unë do të punoj pa u lodhur për të ndërtuar dhe rivendosur besimin e “Veterans Affairs” (Çështjeve të Veteranëve), si agjencia kryesore për të siguruar mirëqenien e veteranëve të Amerikës. Në fund të fundit, nuk ka asnjë detyrim më të shenjtë apo ndërmarrje fisnike sesa të mbajmë premtimet tona ndaj veteranëve tanë.”

Natyrshëm në këtë ditë feste të veteranëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  aleatit tone më të fuqishëm nga shtetet demokratike të botës, mëndja e çdo shqiptari shkon tek trajtimi shtetëror i veteranëve të Forcave tona të Armatosura nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot. Padyshim, ngritja e çetave antifashiste, batalioneve, brigadave dhe divizioneve të Ushtrisë Partizane Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe radhitja e tyre përkrah Aleancës Anglo-Sovjeto-Amerikane përbën një monument lavdie dhe krenarie në memorien e kombit shqiptar, por jo më pak të nderuar kanë mbetur të gjithë ushtarakët shqiptarë që kanë derdhur mundin, djersën dhe gjakun e tyre në tokë, ajër dhe det në mbrojtje të atdheut.

Pavarësisht se u mbushën 30 vjet nga ndryshimi i sistemit politik, ekonomik e ushtarak në Shqipëri, shteti demokratik shqiptar nuk ka akoma një festë kombëtare të ngjanshme si “Veterans Day” e ushtarakëve të aleatit të madh – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Është e vërtetë se Shqipëria ka një Komitet Kombëtar të Organizatës së Vetranëve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe dhjetra Shoqata Patriotike e Kulturore të ushtarakëve të armëve të ndryshme në pension, por ato nuk janë të organizuar sipas shembullit të SHBA-së, e cila i ndjek çështjet e veteranëve ushtarakë deri në rangun e Sekretarëve të Kabinetit të Presidentit, që është kreu i pushtetit ekzekutiv në vend.

Nga pozitat e gazetarit veteran i specializuar në fushën e Historisë së Shqipërisë them se në Shqipëri organizimi shtetëror i veteranëve të Luftës dhe Mbrojtjes, sipas modelit amerikan, duhet të jetë pjesë funksionale e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila mund të    konsultohet për këtë çështje me Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.