Gëzim Voda
Kur flas për hidrocentral, fjala është për atë të Fierzës, më i madhi i këtij vendi. Gjigandi i hidroenergjitikës shqiptare, që filloi në vitin 1971 dhe përfundoi në vitin 1980. Nëse kjo vepër ka hyrë në histori jo vetëm për këtë shkak, por edhe për veçantinë e teknologjisë si është ndërtuar diga e atij hidrocentrali, kapacitetin ujëmbajtës, fuqinë energjitike, shtrirjen e liqenit që formohet prej tij dhe mjaft arsye të tjera, Ibrahim Hamza, nuk e tepëroj të them se përbën një histori të vetën brënda kësaj historie. Pak muaj më parë, televizioni kombëtar shqiptar iu kushtua atij me një dokumentar të kursyer, por gjithsesi mbresëlënës. Dhe mirë u bë. Njerëz të tillë meritojnë të përfshihen në memorjen e brezave shqiptarë si pjesë e krenarisë sonë kombëtare për modelin e përgjegjshmërisë e të sakrificave në punë. Veçse, si medja vizive edhe ajo e shkruar, nuk janë aq dashamirëse për punëbërës të shquar të asaj kohe. Janë të prirur për t’i lënë në harresë, sepse i druhen etiketimit, “prokomunist!”. Injorojnë rreth 5 dekada punë e sakrifica, për inat të regjimit, që shkoi e të Enver Hoxhës si lider i asaj kohe. Punë e tyre, por nuk janë ata që e bëjnë historinë e këtij vendi, kur ka jo pak nga ata që nuk dinë ku bje ai hidrocentral, pa le si është ndërtuar ai e të tjera vepra të asaj kohe. Madje, historia nuk fillon as nga fundviti 1944, e as nga fundviti 1990.
Emri i Ibrahim Hamzës, i këtij tropojani fisnik nga Zherka e krahinës së Bytyçit, është i lidhur pazgjidhshmërisht me këtë vepër nga fillimi deri në fund. Plot 9 vite. Madje, si rrallë kush tjetër, pa munguar asnjë ditë aty. Kontributi i tij në këtë hidrocentral, është i pabujshëm, por i qënësishëm dhe domethënës. Mund të quhet edhe disi specifik. Studiuesit e arkivave shqiptare, sidomos të atyre ndërtimore, sot ose nesër mund të lodhen së kërkuari emrin e tij ndër projektuesit, drejtuesit dhe ndërtuesit e kësaj vepre, por nuk do gjejnë gjë. Do të gjejnë emra të tjerë të ndritur për këtë qëllim sikurse janë inxhinierët projektues, profesorët Petrit Radovicka, Farudin Hoxha, Emond Pinguli, Egon Gjadri etj, apo të drejtuesve të njohur si Miço veshi, Emin Musliu, Muhedin Muça, Kiço Negovani, Ismail Ahmeti, Besnik Bekteshi, etj. Edhe këta inxhinierë, por ai nuk është ndër këta. Madje nuk gjendet edhe ndër 200 e ca inxhinierët e tjerë që punuan në realizimin e asaj vepre. Nuk ndodhet as mes emrave të minatorëve, betonuesve, hekurkthyesve, saldatorëve, montatorëve, mekanikëve, elektriçistëve, shoferëve dhe deri tek kuzhinierët e kamarierët që punuan rreth një dekadë në Fierzë. As tek mjekët, infermierët dhe mësuesit që shërbyen përkatësisht në spitalin dhe shkollën e mesme të Fierzës. Veçse, aty në Fierzë ishte edhe ai. Madje “në vijën e parë”, por ndryshe.
Do të ishte herë i dukshëm dhe herë “i pa dukshëm”. I “pa dukshëm”, sepse e kish “zët” pompozitetin dhe ndjenjën e madhështisë. Do ta gjeje shpesh në krye të tubimeve frymëzuese e inspiruese për punët e ditës, të muajit e të vitit, dhe herë të tjera të ishte tek frontet kryesore të asaj vepre, pa i rënë “gjoksit” dhe pa u ndjerë. Do ta shihje shpesh aty ku formohej Diga e atij hidrocentrali dhe herë tjetër tek vepra e marrjes, tunelet që do shpinin ujët në turbine, apo ata të shkarkimit. Ndonjëherë herë do ta gjeje tek tuneli që përshkon “jastëkun“ prej betonit në fund të asaj dige dhe herë të tjera tek galeritë e gurores në Dushaj apo tek marrja e argjilës në Cërrnicë. Herë tjetër do të ishte tek parku i mjeteve të transportit të inerteve, “Perlin”-ve dhe “Centaur”-ve, e ndërkaq tek fjetinat dhe mencat e puntorëve. Gjithnjë mes 6-7 mijë punonjësve të përditshëm, të cilët në ato 9 vite pune ndërtimtare në Fierzë, e kaluan numrin 40 mijë. Do të ishte njëri ndër ta me çizme dhe peliçe pambuku veshur që do t’u jepte dorën atyre njerëzve në krye të punëve, duke u dhënë zemër e kurajo për qëndrestari në kushtet e vështira të terrenit e shpesh herë të motit. Gjithnjë pa ton të lartë e pa imponim, por me fjalën e ëmbël e të matur: “a u lodhët dhe u lumshin krahët…” Do të kryente aty një detyrë shumë të rëndësishme për kohën në planin moral, nxitës e mobilizues, por edhe sqarues e qetësues e mbase edhe qortues e këshillues kur duhej. Personazh jo dosido në atë vepër, po me një staturë tjetër. Ishte, le të themi “Komisari Politik” i asaj vepre fillim e mbarim. Kryente detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë të Fierzëz në 6 vite (1974-1980) dhe Sekretar i Dytë në 3 vitet e fillimit, 1971-1974. Njeriu politik me kohëzgjatjen më maksimale në atë hidrocentral. I vetmi funksionar politik në atë vepër që nuk u ndryshua. Madje edhe ndër drejtuesit kryesorë të asaj vepre.
Shumëkush mund ta konceptojë atë detyrë të tij si “funksion rehatie”, apo “post simbolik” që i gjendej “një zyrë” dikujt si militant partiak, ose si ofiq honorifik për dikë pa qënë i duhuri për detyrën. Sikurse ndodh sot në jo pak funksione partiake e shtetërore. Ndërkohë që Ibrahimi hynte tek të pagjumët, tek “më bredharakët” e asaj vepre në kuptimin operativ, tek ata që nuk tirrnin fjalë për t’u dukur në kantjere pune (dhe aty nuk kish vend për këtë ves), por shpaloste përgjegjësi konkrete. Ato që dinin drejtuesit teknikë për hidrocentralin, lipsej t’i zotëronte edhe ai. Nuk do të ngjiste kurrë funksioni që mbante ai, nëse punën e partisë aty nuk e lidhte dhe konkretizonte sa më mirë me shqetësimet e ditës në vepër. Për atë funksion që i ishte besuar, ai ishte përgjegjësi numër “NJË” në planin politik, e cila ishte tërësisht e ndërlidhur me treguesit ndërtimtarë në hidrocental dhe me jetën e njerëzve. Ajo vepër e kish edhe këtë ngarkesë në rrafshin kombëtar. Nuk ishte thjesht objekt me interesa ekonomike, por edhe me rëndesë politike. Ishte koha që po prisheshim me kinezët, të cilët e kishin kundërshtuar ngritjen e asaj vepre. Nga Qëndra kërkohej ritëm, zbatim afatesh e mbi të gjitha cilësi. Kish interesim të posaçëm për të vertikalisht. Shmangia ose dyshim më i vogël nga ç’kërkohej, hapte punë edhe për Ibrahimin si titullar partie atje.
Mjafton të them vetëm një fakt që gjendet i shkruar. Në janarin e vitit 1976, me cilësinë e Sekretarit të Parë të Fierzës, ai thërritet për raportim tek Haki Toska, atë kohë Sekretar i K.Q. për ekonominë, duke i kërkuar llogari se sipas tij, në hidrocentral bëhej punë sabotuese. Nuk ishte aq e thjeshtë të të thoshte një funksionar i lartë i Partisë Shtet, sikurse qe ai: “…pse është kjo gjendje…pse është fshehur…kush e ka fshehur…çfarë bën Partia atje…?” etj. Më keq akoma t’i thuhej: “Cilat janë përgjegjësitë e tua…” apo “… je kthyer në jorgan për të mbuluar të metat…”, deri dhe, “ose nuk i njeh gjërat, ose punon me dashje për të mbuluar sabotimin…” Në fakt ishte trillë e fryrë subjektivisht. Në 9 vite pune atje, kurrë nuk u konstatua një dukuri e tillë, aqsa të merrej vesh lart e të mos dukej aty. Ndërkohë, ajo vepër kishte dhe drejtor të përgjithshëm, kish dhe një sekretar të parë në rrethin e Tropojës që e mbulonte Fierzën, por nuk po u thuhej gjë atyre. Dhe, kur thuhej “çfarë bën partia aty?”, nuk ishte përkëdhelje, as fjalë goje dosido, por fshikullim, përgjegjësi reale. Në këtë rast, ajo po i kërkohej Ibrahimit si funksinar partie në Fierzë. Mbas atyre fjalëve, të adresuara direkt tek ai, të bëhej gjaku ujë. Dilje i hutuar nga ato zyra. Mund të të priste edhe burgu. Po se mos vetëm ky rast.
Tre herë ka shkuar në ato vite Kryeministri i asaj kohe Mehmet Shehu: 1971, 1975 dhe 1978 me të cilin nuk përsëritej kollaj e njëjta fjalë. Kur kish shkuar herën e dytë, qenë fikur dritat aty ku ai po bënte takim me punonjësit, dhe fjala “rrufe” e tij kish qënë: “Kush po e saboton këtu fjalën e Kryeministrit…?” Ku donte të dinte ai se energjia elektrike pa u mbaruar ende ai hidrocentral, ishte përherë problem, sidomos në kohë të ftohta. Dhe vetiu përgjegjësia shkonte tek Partia në hidrocentral. Ai që do të ishte “gjak ngrirë” do të qe Ibrahim Hamza. Vetëm Enver Hoxha mbeti pa shkuar sa kohë që Ibrahimi drejtonte partinë në Fierzë, dhe të gjithë ata “madhorë” që shkuan atje, të parin njeri që vinin në shënjë për situatën, ishte po ky. Nuk i jepnin dekorata, por e vinin në “mengene”. Ky ishte sistemi. Të kërkohej llogari deri në një edhe kur shumë gjëra nuk vareshn direkt nga ty. Dhe Ibrahim Hamza u rrit e u argas si kuadër dhe drejtues i vlerësuar, pikërisht aty. E bëri të tillë përgjegjshmëria vetiake për atë që i ishte besuar, si dhe respekti i tij për ata njerëz që derdhën djersë e deri gjak në atë vepër. Nuk u dorëzua nga presionet subjektiviste. Dikur ishte pranuar në parti prej organizatës bazë në fshatin e tij të lindjes, por nuk e pranoi Komiteti i Partisë për një “kleçkë” biografike. E kishin nxitur të tjerë për këtë hap, ndaj nuk u qederos aq shumë pse i ndodhi ashtu. Më pas i rishqyrtuan përsëri dokumentet e tij dhe doli “i mirë”, gjersa një ditë ky Ibrahim do të ishte “I Pari” i Fierzës.
Ata që kanë qënë bashkëkohës me të atje, e dinë fare mirë rrolin e tij në atë mjedis ndërtuesish. Ia njohin atij edhe tiparet e meritat. Ai nuk shquante për ndonjë karizmë të veçantë, sikurse imponoheshin shpesh në opinion funksionarë të atij rangu gjetkë, të cilët më shumë lakmonin “dukjen” dhe respektin e shtirur, se sa të qenë efektiv në detyrë. Ibrahimi që flasim, shfaqej ndryshe. Prirej nga të qënit i qetë, i matur, fjalëpakët, modest dhe i sinqertë në mardhënie me të tjerët, sa zor të të mbushte mëndjen nëse ishte vërtetë ai kryenjeriu politik i atij hidrocentrali, apo njëri prej puntorëve të asaj vepre. Kësisoj, ai dëshmonte qënien e një tropojani model për urtësi, fisnikëri e korrektesë sikurse emra të tjerë të nderuar të asaj treve si Mehmet Rama, Bajram Neza, Sul Madani, Mira Marku, Sherif Mehmeti, Pal Neçi, Hysni Osmani, Islam Lauka, Ibrahim Dauti, Mehmet Ymeri, Halil Buçpapaj, etj. Kuadro vendase që nuk shquheshin nga vrulli e ngutja, por nga mendimi dhe sjellja njerëzisht. Nuk ishte e kollajshme të të dëgjonin e të të respektonin 260 inxhinierët e shumë profileve që punonin e drejtonin në Fierzë, disa prej të cilëve me përvojë të gjatë pune e ndonjë edhe i përgatitur jashtë vendit, kur Ibrahimi nuk ishte i atyre specialiteteve. Nuk bënte pjesë as në radhët e inxhinierëve, e as të ekonomistëve që gjithashtu aty ishin me dhjetra. S’qe e lehtë të gëzoje edhe simpatinë e dhjetra e qindra drejtuesve teknikë e të nëpunësve të tjerë nëpër kantjere apo dhe të qindra e mijra punëtorëve të atjeshëm, thjesht dhe vetëm pse mbaje atë “ofiq” politik. Nuk do mjaftonte as vetëm korrektesa, vendosmëria, fjalëpeshimi dhe tiparet “e burrit” siç shpesh i kërkonte mjedisi dhe përbërja heterogjene e tërë atij kolektivi të madh gjithshqiptar, të cilat jo se mungonin tek ai. Por lipsej edhe niveli arsimor e kulturor, formimi i mjaftueshëm intelektual, arsyetimi për të gjykuar e vendosur edhe për fate të të tjerëve. Ja kërkonte këtë obligim kryerja cilësisht e asaj detyre. I lipsej, mbi të gjitha pjekuria si njeri, dhe si udhëheqës politik në atë njësi pune. Edhe këto nuk i munguan.
Ibrahim Hamza, kish ardhur në atë detyrë kur ishte vetëm 28 vjeç, por kish “mbi kurriz” 10 vite punë si mësues e drejtor shkolle, si ushtarak, sekretar rinie dhe instruktor partie në rrethin e Tropojës. Vinte aty edhe me tre fakultete: Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës në fakultetin Gjuhë-Histori, Universitetin Shtetëror të Tiranës në fakultetin Histori-Filologji dhe Shkollën e Bashkuar të Oficerave, po në Tiranë. Kjo e fundit, nuk qe zgjedhje e tij. por e detyruan. U nda shpejt nga ai profil, por nuk doli me dëm. Përfitoi disiplinën dhe qëndrueshmërinë para vështirësive. Ja që i ishte dashur një ditë edhe ajo përvojë jete edhe pse e shkurtër. Edhe pse ishte vendas, rrinte ditë e natë në vepër, pa asnjë komoditet. Kish provuar për zyrë pune dhe fjetinë vetiake për disa kohë baranga druri të mbuluara me katërma dhe eternit, pa ngrohje. Pse jo edhe pa ndriçim elektrik. Ashtu siç ndodhte në ato fillime edhe me punonjësit e tjerë, ku në ato gryka malesh dhe piktakime lumenjsh (Drini me Valbonën), të ftohit arrinte deri minus 15 gradë nën zero. Dhe ata njerëz që punonin aty, nuk ishin as të dënuar politikë e as të dënuar ordinerë, por ose vullnetarë, ose të përzgjedhur thuajse nga gjithë Shqipëria, mes të cilëve mbi 1200 komunistë, afërsisht sa ç’kish rrethi i Përmetit në mesin e viteve ’70-të. Motivi i tyre ishte të punonin me vetmohim e të udhëhiqnin me shëmbull personal, diçka e pakonceptueshme sot. Madje, duke shkuar rrallë në familje. Të shkonte dikushi nga Fierza në Gjirokastër e Sarandë e të kthehej, lipseshin 4 ditë rrugë. Dy në vajtje e dy në kthim. Prej këtij motivi udhëhiqej edhe Ibrahim Hamza në atë që i ishte ngarkuar të kryente. Përzgjedhja e tij për atë detyrë, nuk nxitej nga ndonjë përvojë ndërtuese, por pikërisht nga tiparet e mësipërme. Mbase edhe nga vedlindja e përfshirë në krahinën e Bytyçit, e njohur në Tropojë “për sojni.
Dikush që ka qënë e është i prirur të urrejë qeverisjen e para vitit ’90-të dhe Partinë e Punës si formacion politik i vetëm i asaj kohe, më e pakta gjë, është mohues i çfarëdo arritje të djeshme. Shtrëmbërues me dashje i çdo lloj realiteti pozitiv, thjesht dhe vetëm se sipas tij “janë komuniste”. Si të thuash: “urrejmë të jemi brënda”. Tamam si “proletkurtët” ekstremistë të kohës së Leninit në Rusi mbas revolusionit të Tetorit 1917, që donin të shkulnin shinat e hekurudhave se “ishin cariste” e tashmë do t’i bënin “bollshevike”. Madje, sa herë që përmëndet një arritje reale nga e djeshmja, një takëm janë gati ta quajnë deri “gënjeshtër”, ose “stisje komuniste”. Tok me mos pranimin e tyre për këtë shakak, baltosin edhe njeriun që ka kryer një funksion politik, sidomos të Sekretarit të Parë. Kështu mund ta imagjinojnë një takëm sot edhe Ibrahim Hamzën e Fierzës, për shkak të atij funksioni që mbante, sepse sipas tyre, sekretarët e partisë kanë qënë “mediokër”, “të pa ditur”, “arbitrarë” etj. Nuk mund të them se s’kanë ndodhur raste të tilla në ato vite, por rasti i këtij njeriu politik flet qartazi për të kundërtën. Ta thoshin këtë ata që fundi i vitit 1990, i gjeti fëmijë ose adoleshentë fillestarë, apo të lindurit më pas, që nuk e kanë patur e as e kanë idenë ç’përbën ajo vepër e të tjera si ajo (që zor t’i kenë parë as sot), dhe termi “komunist” e “sekretar partie” u ngjall urrejtje jo me të jetuar, por me të dëgjuar (siç bënim ne për kohën e mbretërisë zogiste), mund dhe të tolerohen. Se fundja, “çfarë mbjell, korr”. Ai lloj formimi dhe edukim po sërviret prej vitesh në shkollat e insitucionet tona. Por, a nuk janë po në stilin e djeshëm “Drejtuesit Politikë të Qarqeve”, që trumbetohen sot si “gjetje perëndimore” prej partive politike? Po fuqia absolute e kryetarëve të partisë që bëjnë deputët, ministra, diplomatë etj, pa u konsultuar as me forumet e tyre partiake, për çfarë flet? Po niveli i pjesës dërrmuese të deputetëve shqiptarë, të cilëve u mungon kultura e punës, edukata qytetare dhe dinjiteti si njerëz që shpesh i thonë “këmbës, dorë”, çfarë modeli na jep në politikbërje?. Jemi dëshmitarë të një situate shumë më të indoktrinuar politikisht se e djeshmja. Të thuash me fjalë se “jemi në demokraci” e të sillesh si militant ekstremist, nuk është se e ke tejkaluar të djeshmen komuniste as si mentalitet dhe as si realitet. Ibrahim Hamza, nuk ishte as arbitrar dhe as njeri “i vetos” individuale, por respektonte ca norma e rregulla që të detyronin të ishe bashkëpunues me të tjerët. Ndaj ai jo vetëm e mbylli me nder detyrën fisnike në atë vepër, por iu besuan edhe detyra të tjera më të rëndësishme partiake edhe gjetkë. Sikur të mos i mjaftonin 9 vitet me ato detyra në Fierzë (1971-1980), 9 vite të tjera (1982-1991), ai qe Sekretar i Parë në Pukë dhe mes tyre (1980-1982), në aparatin e Komitetit Qëndror të Partisë. Ndër vite, qe deputet dhe deri N/Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë. Ndarkaq, nuk di të ketë një ish sekretar të parë të asaj kohe që të ketë botuar qoftë dhe një libër çfardo, ndërkohë që Ibrahim Hamza ka botuar 7 të tilla që lidhen me ato realitete ku ai ka qënë vetë prezent. Dhe ato çfarë ka thënë ai, sidomos në dy libra për hidrocentralin e Fierzës, mund të them se vlejnë të quhen kryevepra gjithshqiptare. Ashtu siç konsiderohet i tillë edhe ai hidrocental. E vlen edhe ai të njësohet me atë vepër.
Së fundi, vitin që vjen Hidrocentrali i Fierzës ka 45 vjetorin e përfundimit si vepër. Nuk e di nëse në vitet që kanë kaluar është bërë ndonjë veprimtari që të kujtojë punën, sakrificat, të rënët dhe të vlerësuarit për atë çka u bë atje. Nëse ka pak ndjeshmëri prej qeverisjes së sotme, do të ishte në nderin e saj të bëhej nxitëse dhe organizatore e një eventi të tillë. Ibrahim Hamza dhe të tjerë që kanë punuar atje e sot janë gjallë, mund të vijë një ditë që të kërkohen e të thuhet: “ne këtu i patëm, por nuk ditëm t’u thoshim një fjalë të mirë”. Kur bëhen të tilla evente për njerëz të sportit, artit, gazetarisë, etj, është dy herë turp të mos mendohet për njerëz që i kanë lënë kryevepra këtij vendi si hidrocentrali i Fierzës, i cili atë kohë barazohej me “Çlirimin e dytë të Shqipërisë”!