Flet Prof. Dr.Vangjel Kici: Në Shqipëri po ndodh grabitja më e madhe më pasuritë nëntokësore të naftës dhe mineraleve

745
Sigal

SPAK nëse ekziston të hetoj dosjet e kontratave koncesionare, pasi kompanitë e huaja kanë shkelur Ligjin e Naftës në Shqipëri si dhe kanë bllokuar kërkimin e naftës dhe gazit. Historiku tronditës me inxhinierët e naftës, Institutin e Shpim-Kërkimit dhe shkatërrimin e uzinave të përpunimit

  1. Krimi i dytë është se kërkimet e naftës dhe të gazit në Shqipëri janë bllokuar qëllimisht këto 30-vjet
  2. Nëse vërtet ekziston SPAK-u, ja ku i ka faktet, dhe le të veprojë sa më parë
  3. Kompanive të huaja të kërkimit të naftës, për shkelje të Ligjit të Naftës në Shqipëri, duhet t’u anulohen marrëveshjet hidrokarbure
  4. – Po të paditen në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ato duhet t’i paguajnë Shqipërisë gjoba shumë të mëdha!
  5. – Goditja e parë ndaj naftës është bërë më 1975, kundër gjoja “grupit armiqësor të naftës”
  6. Disa nga gjeologët më të shquar të naftës shqiptare u pushkatuan padrejtësisht, kurse shumë të tjerë u burgosën

– Edhe mua më dënuan padrejtësisht si të dyshuar për sabotime, duke më çuar punëtor për riedukim tek klasa punëtore në prodhim 5 vjet

  • Krimet e mëdha ndaj naftës mbyllja e Institutit të Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit në Fier, bashkë me Sektorin e Gjeofizikës
  • U mbyll Instituti Teknologjik i Naftës u mbyllën Ndërmarrjet e Shpim-Kërkimit, Ndërmarrjet e Shpim-Shfrytëzimit, uzinat mekanike të naftës, uzinat e përpunimit të naftës etj
  • Naftëtarët përfitues të statusit ju rritën të ardhurat mujore me vlerën e 5 kg domateve

Albert Z. ZHOLI

Rritja e çmimit të karburanteve dhe shitja e Uzinës së Ballshit për skrap e kanë dëmtuar shumë ekonominë shqiptare. Njëherazi dhënia me koncesizon e shumë puseve të naftës dhe heqja dorë e shtetit nga drejtimi i kësaj pasurie kombëtare ka bërë që sektori i naftës në Shqipëri të jetë në një krizë të thellë. Një përdorues makine duhet ta blejë naftën sot me rreth 200 lekë për litër dhe benzinën me rreth 204 lekë, në nivele që kanë arritur në rekord historik. Nga ana tjetër nga specalsitët e kësaj fushe që kanë punuar me dekada në këtë sektor pretendohet se kërkimet e naftës dhe të gazit në Shqipëri janë bllokuar qëllimisht. Ka shumë zona që pretendohet nga specialistët, që janë naftë mbajtëse, por shteti nuk e merr në konsideratë zërin e  tyre. Këto janë problemet që do diskutojmë me Prof. Vangjel Kici, në këtë bisedë…

  • Profesor, ju shkruani vazhdimisht për problemet në sektorin e naftës shqiptare. Madje keni dhënë disa studime për zonat naftëmbajtëse, por në tërësinë e tyre cilat janë problemet kryesore, që shqetësojnë naftën shqiptare parë në këndvështrimin tuaj?

-Dy janë problemet kryesore, grabitja e vendburimeve të naftës  dhe blokimi i punimeve për kërkimin e naftës dhe gazit. Pra, përveç grabitjes së vendburimeve të naftës, gazit dhe minierave, edhe kërkimet e naftës dhe të gazit në Shqipëri janë bllokuar qëllimisht, gjatë 30 vjetëve të fundit. Më poshtë jepen faktet. Nëse vërtet ekziston SPAK-u, ja ku i ka faktet, dhe le të veprojë sa më parë. SPAK-u nuk ka nevojë të lodhet shumë duke kërkuar fakte, sepse këto fakte të shëmtuara nuk janë mikroskopike, por shihen lehtë me sy, siç shihet një elefant!!

Kompanive të huaja të kërkimit të naftës, për moskryerje punimesh dhe shkelje të rënda të marrëveshjeve hidrokarbure, dhe të Ligjit të Naftës në Shqipëri, duhet t’u anulohen (shfuqizohen) marrëveshjet hidrokarbure. Ky anulim mund të bëhet pa probleme, sepse ato janë shumë fajtore ndaj Shqipërisë. Po të paditen në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ato duhet t’i paguajnë Shqipërisë gjoba shumë të mëdha!!! Kjo duhet bërë, që në të ardhëshmen të mos përsëriten veprime të tilla, por qeveria këtë nuk e bën, sepse ajo është bashkëpunëtore me këto kompani.

Këto kompani janë:

Kompania Shell Upstream Albania ka marrë me koncesion (dorëzim) Bllokun 4. Kontrata u firmos më 07 gusht 2015.

Kompania Pennine Petroleum Corporation ka marrë me koncesion Bllokun Velça. Kontrata u firmos më 07 dhjetor 2015.

Kompania Albanides Energy ka marrë me koncesion Bllokun 8. Kontrata u firmos më 15 korrik 2015. Doli në Fletoren Zyrtare më 16 prill 2016.

Kompania Navitas Petroleum Ltd. Ka marrë me koncesion Bllokun Dumrea. Kontrata u firmos më 07 gusht 2015.

Këto kompani fantazma (shumica jo ekzistuese), dhe të tjerat para tyre, siç ishin kompanitë Sky Petroleum, Petromanas etj., gjatë shumë viteve nuk kanë kryer asnjë punim kërkimi në terrenin e blloqeve përkatëse, ose kanë kryer shumë pak. Ato vetëm i kanë akaparuar (monopolizuar) blloqet, që të mos kryejë askush tjetër kërkime në ‘to. Atyre u janë dhënë liçensat (autorizimet) qëllimisht për të bllokuar kërkimet dhe zbulimet e naftës dhe të gazit në blloqet më me perspektivë të Shqipërisë.

E garantoj qeverinë, se në njërin nga këta blloqe, mund të zbulojmë një vendburim të ri nafte, brenda një muaji!! Për këtë e kemi njoftuar qeverinë “Berisha” (2011), dhe më vonë qeverinë ‘Rama” (2014), por ata nuk duan as të na dëgjojnë ne specialistat e vjetër të naftës. Ata duan vetëm bllokimin e kërkimeve të naftës dhe të gazit.

Pse të bllokohen?

1- Të bllokohen, që të mos zbulohet nafta dhe gazi në Shqipëri.

2- Të bllokohen, që të mos zhvillohet ekonomia e Shqipërisë.

3- Shteti shqiptar të jetë sa më i varfër dhe i dobët.

4- Të mos hapen fronte të reja masive dhe të përhershme pune.

5- Të mos rritet mirëqënia e popullit shqiptar.

6- Shqiptarët të jenë pa punë dhe të varfër.

7- Shqiptarët të largohen nga Shqipëria….

8- Me sa duket, këto marrëveshje hidrokarbure shfrytëzohen edhe për pastrimin dhe fshehjen e parave të pista, në parajsat fiskale në det (offshore), ku e kanë bazën këto kompani fantazma.

-Pra nafta ka marrë goditje të madhe. Po në sistemin monist kur e ka marrë goditjen më të madhe nafta?

Nafta shqiptare është goditur dy herë. Goditja e parë është bërë më 1975, kundër gjoja “grupit armiqësor të naftës”. Goditja përfundimtare është bërë pas vitit 1990, me ardhjen e gjoja “demokracisë”.

Pse është goditur nafta?

Sepse ajo e mbante në këmbë shtetin shqiptar. Qëllimi ishte ky: Shkatërro naftën, që të rrëzohet shteti.

Gjatë regjimit monist nafta e mbante në këmbë shtetin shqiptar. Shkatërrimi i naftës rrëzonte shtetin. Prova e parë e shkatërrimit të naftës shqiptare (d.m.th. e rrëzimit të shtetit) u bë më 1975, me goditjen e gjoja “grupit armiqësor të naftës”. Nga kjo goditje nafta shqiptare u dobësua shumë, por nuk u shkatërrua plotësisht, prandaj edhe shteti shqiptar u dobësua shumë, por nuk u rrëzua. Shtrohet pyetja: Kush e bëri këtë goditje? Sepse Enveri në ato vite ishte i sëmurë… Në fakt, kishte gabime në sektorin e naftës, por jo punë armiqësore, jo sabotime…Në të vërtetë, punë armiqësore ishte goditja, që iu bë sektorit të naftës. Disa nga gjeologët më të shquar të naftës shqiptare u pushkatuan padrejtësisht, kurse shumë të tjerë u burgosën. Në atë kohë isha bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit, dhe më dënuan padrejtësisht si të dyshuar për sabotime, duke më çuar punëtor për riedukim tek klasa punëtore në prodhim (5 vjet!!).

Goditjen përfundimtare nafta shqiptare e pësoi pas vitit 1990, me ardhjen e gjoja “demokracisë”. Prandaj, edhe ekonomia shtetërore shqiptare ndodhet në buzë të greminës.

-Pse goditja përfundimtare?

Pse? Sepse u mbyll Instituti i Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit në Fier, bashkë me Sektorin e Gjeofizikës. U mbyll Instituti Teknologjik i Naftës. U mbyllën Ndërmarrjet e Shpim-Kërkimit, Ndërmarrjet e Shpim-Shfrytëzimit, uzinat mekanike të naftës, uzinat e përpunimit të naftës etj. U zhdukën sondat e shumta të shpimit. Shumë shkencëtarë dhe specialistë të naftës u hodhën në rrugë. Shumë shkencëtarëve të naftës “u doli lotaria”, dhe shkuan në SHBA, në Kanada etj. Një pjesë mbeti në Shqipëri. Të gjitha këto veprime u bënë, që me naftën shqiptare të merreshin vetëm të huajt, dhe jo shqiptarët.

Vendburimet ekzistuese të naftës dhe të gazit u dhanë me koncesione korruptive. Ato po grabiten plotësisht nga të huajt, në bashkëpunim me qeveritarët tanë të korruptuar, të djathtë dhe të majtë. E gjithë Shqipëria u nxor në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Këto kompani, gjatë 30 vjetëve, kanë bërë shumë pak kërkime për naftë dhe gaz, dhe nuk kanë zbuluar asnjë vendburim të ri. Një pjesë e tyre janë kompani mafioze, kompani fantazma. Ato sillen në Shqipëri gjoja për kërkime nafte dhe gazi, por në fakt nuk bëjnë asnjë kërkim. Ato vetëm i bllokojnë kërkimet e naftës dhe të gazit. Ky bllokim i qëllimshëm i kërkimeve të naftës dhe të gazit ka vazhduar gjatë 30 vjetëve të fundit.

Kështu u shkatërruan edhe minierat, industria (uzinat, fabrikat…), bujqësia etj. Të gjitha këto shkatërrime u bënë dhe vazhdojnë të bëhen vetëm për një qëllim: Që Shqipëria të falimentojë, d.m.th. të rrëzohet!!!

Si pasojë e këtyre shkatërrimeve, shqiptarët mbetën pa punë. Ata u detyruan të dyndeshin masivisht për punë, në mënyrë të paligjëshme dhe të përbuzur, drejt Greqisë, Italisë etj. Sot, nëqoftëse qeveria shqiptare kundërshton ndonjë kërkesë të padrejtë të qeverive të këtyre shteteve, ato kërcënojnë me kthimin në Shqipëri të emigrantëve, që janë mbi një million! Prandaj, qeveria shqiptare detyrohet të plotësojë çdo kërkesë të tyre, qoftë edhe e dëmshme për Shqipërinë!!!

-Cila është zgjidhja?

Duhet zhvillim ekonomik, që të forcohemi politikisht, ushtarakisht etj. Vetëm kështu mund të jetojmë me dinjitet dhe të lumtur në vendin tonë. Vetëm nafta dhe gazi mund ta zhvillojnë të gjithë ekonominë e Shqipërisë.

-Po shokët e t’u çfarë bëjnë në këtë situatë?

Një pjesë ka ikur në botën tjetër…Pjesa e mbetur janë pensionistë, jashtë shtetit dhe në Shqipëri. Ata jetojnë me një pension të varfër shqiptar.

Një pakicë, që janë më të rinj, punojnë në vendburimet ekzistuese të naftës dhe të gazit, që janë dhënë me koncesione tek kompanitë e huaja….

Çfarë bëjnë shokët e mi pensionistë jashtë shtetit? Disa kanë shkruar dhe botuar libra, mbi perspektivën e madhe naftë-gazmbajtëse të Shqipërisë. Disa kanë shkruar dhe botuar artikuj të ndryshëm në gazeta, ku shprehen mendime, se çfarë duhet bërë në sektorin e naftës shqiptare….

Po shokët e mi pensionistë në Shqipëri, çfarë bëjnë? Disa shkruajnë kujtime nga puna e dikurshme në sektorin e naftës. Dhe mirë bëjnë. Disa, për të kaluar kohën, merren me komente në facebook. Një pjesë tjetër, gjatë disa viteve rresht, merren me statusin e naftëtarit, sepse qeveria qëllimisht i sorrollat.

-Cili është përfitimi nga statusi?

Në mënyrë figurative, naftëtarëve përfitues të statusit u rritën të ardhurat mujore me vlerën e 5 kg domate!!! Pra, statusi është në qendër të vemendjes së tyre, dhe jo se çfarë duhet bërë në sektorin e naftës. Ata kërkojnë “më mirë një vezë sot, se një pulë mot”. Ata nuk bëjnë asnjë protestë kundër katastrofës dhe grabitjes së madhe në sektorin e naftës. Ata nuk bëjnë asnjë protestë kundër bllokimit të qëllimshëm të kërkimeve të naftës dhe të gazit. Ata nuk kërkojnë shtetëzimin e naftës, dhe nuk tregojnë asnjë rrugëzgjidhje. Përkundrazi, disa prej tyre i thurin lavde kryeministrit Rama! Prandaj, qeveria vazhdon me prapësitë e saja në sektorin e naftës…

Autori i kësaj bisede, qysh nga viti 1980 dhe deri më 1998, ka punuar në Institutin e Kërkimeve Gjeologjike në Tiranë. Si punonjës i këtij Instituti, kam studjuar stratigrafinë e Shqipërisë Lindore dhe Veriore, ku nuk kanë punuar gjeologët e Institutit të Naftës. Këto studime, në terren dhe në laborator, më dhanë mundësinë autorit të shkruaja dhe botoja disa libra, mbi perspektivën e madhe naftë-gazmbajtëse, sidomos të Shqipërisë Lindore (Brezi Ofiolitik i Mirditës, që vazhdon në Kosovë). Në këto libra ka shumë ide të reja gjeologjike, të bazuara me fakte.

Disa nga këto ide, siç është ajo mbi perspektivën e jashtzakonshme naftë-gazmbajtëse të Brezit Ofiolitik të Mirditës,, po të vërtetohen në jetë (gjë që është shumë e mundur), mund ta shpëtojnë Shqipërinë nga katastrofa, dhe ta lulëzojnë atë. Ndaj në këtë bisedë dua të them se me anë të gjeologjisë, duke hapur perspektiva të reja, të ndihmojë populli, që të shpëtojë një herë e përgjithmonë nga varfëria ekonomike shumëshekullore. Nga ana tjetër disa shokë të mi gjeologë, shumë dashamirës ndaj meje, pa i lexuar fare këto libra, mendimet e mija i konsiderojnë hipoteza, d.m.th. supozime!!! Kur e pyeta njërin prej tyre, nëse i kishte lexuar librat, përgjigja e tij ishte: “Vetëm një fragment”. Pse kështu? Sepse mendimet e mija janë kundër pikëpamjeve të deritanishme të gjithë gjeologëve!! Prandaj ato konsiderohen hipoteza (supozime). Harrojnë këta shokë, se zbulimet i bëjnë personat, që punojnë me pasion, dhe jo kolektivat. Ata mbështesin “vijën e masave” të nënës Parti!

Në situatën e sotshme, çfarë duhet bërë?

Duhet ndryshim rrënjësor politik. Kjo klasë politike antishqiptare, e pas viteve 1990 (të djathtë dhe të majtë, që janë të njëllojtë), duhen larguar. Të shtetëzohen (nacionalizohen, kombëtarizohen) nafta dhe minierat. Të zhvillohet bujqësia, energjetika, turizmi etj. Mendoj se Thembra e Akilit është kërkimi i naftës dhe i gazit në gëlqerorët poshtë Brezit Ofiolitik të Mirditës, pa harruar zonat rreth vendburimeve ekzistuese.