Gëzim Prengzi: “Se shqiptari dy gëzime ka, një kur lind e n’luftë me ra”

112
Sigal

(Jehona e figurave të shquara nga Malësia e Gjakovës në ngjarjet e Lidhjes së Prizrenit, me rastin e 145 vjetorit të themelimit të saj, 10 qershor 1878)

Një nga çështjet kryesore që u shtrua gjatë pranverës së vitit 1878 në mbledhjet popullore të krahinave të vendit ishte formimi i Lidhjes Shqiptare, karakterin kombëtar të së cilës e mbrojtën si patriotët radikalë ashtu edhe qarqet e moderuara. Si procedurë për formimin e Lidhjes udhëheqësit politikë vendosën të shfrytëzonin traditën e lashtë shqiptare sipas së cilës, sa herë që vendin e kërcënonte rreziku i jashtëm secila krahinë thërriste kuvendin e tij krahinor dhe pastaj përfaqësuesit e tyre mblidheshin në një kuvend të jashtëzakonshëm,i cili formonte sipas rastit besëlidhjen ndërkrahinore ose lidhjen e përgjithshme. Ekzistenca e besëlidhjeve lokale a e komisioneve të vetëmbrojtjes në pranverën e vitit 1878,e lehtësonte punën e udhëheqësve politikë për thirrjen e një kuvendi të përgjithshëm. Nismën për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm të Prizrenit e mori Komiteti i Stambollit. Kështu me 10 qershor 1878 në Prizren u mblodh Kuvendi i Prizrenit që sivjet shënon 145 vjetorin e tij. Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët organizuan një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm.

Edhe Malësia e Gjakovës-Tropoja, pati një kontribut të shquar në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Bijtë e saj organizuan e u përfshinë në besëlidhje lokale e më gjerë në Malësi e Kosovë duke qënë pjesë e Degës së Lidhjes për Gjakovën me rrethinë. Janë të njohura tashmë figurat e shquara të Malësisë së Gjakovës, që u bënë mjaft përfaqësuese të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare para gjatë veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit qershor 1878-prill 1881 si, Binak Alia, Ali Ibra, Mic Sokoli (Hero i Popullit), etj. Por krah për krah me Mic Sokolin e trima të tjerë luftuan e derdhën gjakun në prill 1881 edhe bashkëluftëtarë të tjerë nga Malësia si Zmajl Hyseni e Zmajl Mehmeti. Këta edhe sot pas thuajse një shekull e gjysmë nga rënia e tyre nuk janë shpallur dëshmorë të Atdheut. Por këto figura mbetën në kujtimet e tregimet e popullit, mbetën në histori e në këngë. Ndaj e ndjej si obligim dhe sugjeroj familjeve të tyre dhe organeve përkatëse që të ndiqen procedurat e përcaktuara nga OKDA për shpalljen e figurave “Dëshmor i Atdheut”. Kujtesa e popullit tonë për ngjarjet e së kaluarës dhe heronjtë ka qënë gjithmonë në sinkron me nevojat e kohës për ta ruajtur e për ta rrëfyer brez pas brezi,për ta ruajtur në këngë meqë, në këngë kanë hyrë dhe mbesin vetëm trimat, ata që me veprën e tyre mbeten shembuj, që rrezatojnë amanetin në breza. Në këngët historike të Lidhjes së Prizrenit një vend të rëndësishëm përveç këngëve të kënduara në variante të ndryshme për Sefë Kosharen, Mic Sokolin, Sylejman Vokshi, Ali Ibrën, Binak Alinë, Abdyl Frashërin. Një vend të rëndësishëm zënë edhe ato për trimat e lartpërmendur nga Malësia e Gjakovës, Zmajl Hyseni e Zmajl Mehmeti. Epika historike sjell një informacion të bollshëm përmes vargjeve dedikuar këtyre dy figurave:

“Mic Sokoli vesh jelekin.

Hyp n’tel, kuvend me Mbretin.

Ma faroi Pasha miletin,

Ma ka pre Zmajl Mehmetin,

Ma ka hupë Zmajl Hysenin…

 

…Zmajl Hyseni hupë e tretë,

Fort p’e lyp baba i vet!

I shploi vorret, kund se gjet…”.

Batërdinë e madhe që u bë në prill 1881 në Slivovë, Shtimje, Cerralevë, Qafë Dule, etj. Poeti anonim përmes vargjesh të spikatura shpreh ofshamën e mbarë popullit shqiptar për rënien e bijve të tij:

 

“N’Fushë t’Kosovës asht’ lidh jezeri.

Hajmedet, shumë a mbetë njeri,

Mic Sokoli e Zmajl Hyseni.

Zmajl Hyseni ish’kanë drangue.

-Nanë e babë, ju mbetët pa mue.

Nanë e babë ju mbetët pa djalë,

n’Fushë t’Shtimjes sot jam ndalë!

Mic Sokoli po bërtet,

Ali Ibrës po na i thërret,

merr bajraqet e hajde shpejt..!”

Populli ka krijuar me mjeshtri vargje pikante dhe ka krijuar një përfytyrim artistik në lidhje me heroin, duke e sjellë atë real me qëndrimin e vet në raport me vendin e tij, ndaj fjalët e vëna në gojën e tij janë “epitafi” më i mirë për Heroin:

 

“Dy tupana bien pr’i heri,

nisi dasmën Zmajl Hyseni.

A don miq o Zmajl Hyseni,

100 pushkë kanë krisë pr’i heri…

100 vjet dasma mos t’shkrehet,

Zmajl Hyseni ma nuk kthehet…

N’oborr t’kullës nusja ka dalë,

n’vend t’shamisë vën kapuç t’bardhë!

Merre nuse pushkën e tij,

kështu e kanë dasmat në Shqipni”.

 

Pra, janë të shumta këngët kushtuar Zmajl Hysenit e Zmajl Mehmetit të pandarë nga Mic Sokoli e trima të tjerë. Janë tregimet e shumta, që u përcollën brez pas brezi; janë në botimet historike të Institutit të Historisë-Prishtinë e gjetiu. Ata e kanë lënë veprën dhe emrin e vet me gjakun e tyre, neve që i kujtojmë e i nderojmë kemi detyrim t’u japim titullin që e kanë merituar këtu e një shekull e gjysmë më parë. Lavdi atyre që dhanë jetën në mbrojtje të tokave shqiptare e për bashkimin kombëtar.