‘I nderuar President Steinmeier’: Mesazhi i urimit i Metës për Presidentin e Gjermanisë

168
Sigal

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka publikuar sot, mesazhin e plotë të urimit që i dërgoi Presidentit të Gjermanisë me rastin e rizgjdhjes së tij në detyrën e kreut të shtetit të Republikës Federale të Gjermanisë.

Në mesazh thuhet:

“I nderuar Zoti President, Shkëlqesia Juaj Frank-Walter Steinmeier,

Jam shumë i lumtur që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të përzemërta e të sinqerta me rastin e rizgjedhjes Suaj President i Gjermanisë.

Jam besimplotë se do të përmbushni me sukses misionin Tuaj në drejtimin e Gjermanisë dhe se marrëdhëniet e shkëlqyera, të miqësisë dhe të bashkëpunimit, midis dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohen dhe zgjerohen më tej, si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh.

Në këtë çast të veçantë për kombin Tuaj, dëshiroj të shpreh mirënjohjen e thellë, në emër të popullit shqiptar, për rolin e rëndësishëm mbështetës të Gjermanisë dhe kontributin Tuaj thelbësor në procesin euroatlantik jetik të Shqipërisë dhe avokatinë thellësisht vendimtare në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Mbështetja, i nderuar President, përmes Procesit vital të Berlinit, mbetet jo vetëm e vetmja perspektive gjeopolitike e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe rruga e qartë për të garantuar hapat e sigurt drejt anëtarësimit të Shqipërisë dhe të rajonit tonë në Bashkimin Europian.

Në këto momente sfiduese për Ballkanin Perëndimor dhe për të gjithë Europën, përvoja dhe urtësia Juaj përbëjnë një garanci të shëndoshë në bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, si në kuadër të NATO-s, ashtu edhe në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, gjatë mandatit dyvjeçar të Shqipërisë, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit.

Duke Ju ripohuar edhe një herë ndjenjat e miqësisë së thellë të popullit shqiptar, urimet e mia të sinqerta për rizgjedhjen Tuaj si President i Gjermanisë dhe dëshirën për t’u takuar së shpejti, Ju lutem pranoni, i nderuar mik, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”