Flet Fatos Çerenishti: “Fundi i vjeshtës po rikthen shqiptarët e Kosovës në Golem”

Flet Fatos Çerenishti, administrator i “FAFA Group”

Fundjava e parë e muajit nëntor ka shënuar rikthim të shqiptarëve të Kosovës në Durrës dhe Golem.
Jo se ky grup ka munguar plotësisht, por është ndoshta e para fundjavë, kur prania e tyre ka qenë e konsiderueshme dhe dukej qartë.
Fatos Çerenishti, administrator i “FAFA Group”, -tha për “Monitor” se ecuria e muajve të vjeshtës krahasuar me pritshmëritë, edhe si efekt i motit të mirë, ka qenë më e dobët, por turistët nuk kanë munguar.
Ai shprehet se rikthimi i tregut të Kosovës është një ndihmë e madhe për strukturat akomoduese të këtij rajoni, të cilat e kanë ndier mungesën e këtij grupi këtë vit.

Sigal

Si ka qenë periudha e vjeshtës në Golem, duke pasur parasysh që është karakterizuar nga një mot relativisht i ngrohtë dhe ditë me diell?

Pritshmëria ka qenë më e madhe në frekuentim për shkak të motit, por në fakt, ka dominuar sërish turizmi i fundjavës. Gjatë javës vihet re mungesë e turistëve, duke e lënë të vakët pjesën e turizmit.


Gjatë këtij viti, pati rënie të vizitorëve nga Kosova për shumë arsye. A vini re ndonjë ndryshim tani në stinën e vjeshtës? Si është prania e tyre?

Fatmirësisht, Kosova ka filluar të rikthehet. Javën që kaloi (2-3 nëntor) ishte në numra të konsiderueshëm. Edhe në këtë rast, bëhet fjalë për fundjavat, por shpresojmë që kjo tendencë të vijojë dhe të fillojnë të rikthehen.
Si një turist që ka qenë historikisht pjesë e strukturave në Durrës dhe Golem, këtë vit është ndier mungesa e tyre. Ky grup është shumë i rëndësishëm për turizmin tonë, pasi janë të pranishëm gjatë gjithë vitit dhe janë një ndihmë shumë e madhe.
Sigurisht që turizmi gjithvjetor nuk mund të mbahet vetëm me vendasit dhe shqiptarët e Kosovës, ka nevojë që ne të kthehemi në një vend tërheqës, që merr pranë vetes diversifikim të grupeve.
Një alternativë mjaft e mirë janë moshat e treat, apo pensionistët nga vende më të ftohta.
Ky grup nga vende si Gjermania apo Vendet Skandinave, që e kanë stil jetese këtë zhvendosje drejt atyre të ngrohta, mund të ishte një mundësi shumë e mirë për Shqipërinë, si efekt i klimës që kemi. Ne sot kemi prani të këtij grupi turistësh, por mbetet ende në një numër shumë të kufizuar.

A keni pasur turistë të huaj gjatë kësaj periudhe të vjeshtës?

Kemi pasur, por kanë qenë me një numër shumë të kufizuar dhomash. Mund të përmend këtu turistë francezë, që vijnë me grupe të organizuar, apo gjermanë.

Shqipëria po tenton që të zgjasë sezonin e saj veror. Kur nisi rënia e shifrave të frekuentimit këtë sezon?

Pas datës 28 shtator filloi të kishte rënie të menjëhershme të numrave të turistëve. Kjo shënon atë ndarjen e sezonit të verës për ne dhe hyrjen në vjeshtë, kur tendencat dhe preferencat e turistëve për destinacionet ndryshojnë.

Nga ecuria e deritanishme e vitit 2024, si do ta konsideronit atë në raport me 2023, duke qenë se jemi thuajse në fund të tij?

Ne si strukturë në bregdet e bëjmë krahasimin me sezonin veror dhe vera 2024 ishte pak a shumë njëlloj me 2023. Nuk kemi pasur ndonjë rritje. Qershori, edhe për shkak të reshjeve, ishte i varfër në numër vizitorësh, por u rikuperua në pjesën tjetër të verës.

Prej vitesh, ju jeni një strukturw, që operon në një pjesë të mirë të kapacitetit me kontrata garancie. Si është pritshmëria për vitin 2025?

Ne, prej shtatë vitesh, vijojmë të punojmë me të njëjtën kompani sa u takon kontratave të garancisë. Janë kryesisht kontrata me çekë, polakë apo gjermanë në një masë më të vogël. Po kështu, kemi edhe marrëveshje “allotment”, pra që paguan aq sa sjell, por me një rezervim paraprak.


Risi e këtij sezoni që vjen janë anglezët, pasi kanë shprehur interes për Shqipërinë dhe testimi i tyre i parë është me “alltoment”.

Vëmë re gjithashtu se tregu gjerman ka më shumë interes për Shqipërinë. Nëse për disa vite me radhë ishte vetëm një kompani, tashmë janë disa prej tyre në konkurrencë për të sjellë turistë nga ky vend.

A parashikoni ta shtoni kapacitetin tuaj akomodues, duke pasur parasysh ecurinë e sektorit të turizmit në vend?

Ne aktualisht si grup kemi rreth 850 dhoma apo 1800 shtretër. Sigurisht që dëshira dhe planet tona janë për t’u zgjeruar, por mundohemi që të bëjmë hapa sipas mundësive që kemi.

Si kanë qenë kostot këtë vit, duke pasur parasysh punësimin, energjinë, zhvlerësimin e Euros?

Së pari, në punësim, ne jemi munduar si çdo vit që bërthamën e stafit që kemi, të cilën e trajnojmë për të ofruar shërbimin sipas standardit, ta mbajmë me çdo kusht.
“FAFA Group” ka të paktën 250 punonjës që janë bërthama e saj. Kostot e tjera kanë shënuar gjithashtu rritje, por ajo që realisht na ka rënduar më shumë është zhvlerësimi i Euros.

Si e vlerësoni për këtë vit infrastrukturën dhe menaxhimin e mbetjeve në zonën e Golemit?
Po është punuar diçka, por ende ka shumë punë për t’u bërë dhe për t’u përmirësuar.