Faik Konica, intelektuali, që nxori më mirë në pah karakterin e shqiptarit
– Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”.
-Kryetar i Federatës “Vatra” dhe ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA
( 146 vjetori lindjes, 15 Mars 1876-1942)
Përgatiti Albert Z. Zholi
Faik Konica, lindi më 15 mars të vitit 1876 në Konicë dhe vdiq më 14 dhjetor të vitit 1942. Në Uashington, ishte magjistër i artit dhe letërsisë, aktivist kombëtarë dhe shkrimtar shqiptar.
Rrjedh nga një familje e vjetër feudale. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA. Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris.
Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën “Albania”, kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.
Më 1909 Konica, si u mbyll revista “Albania” në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën “Dielli” edhe më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”. Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë.

Rikthimi në SHBA
Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”. Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA.
Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe. Çdo krijues i letërsisë shqiptare që vjen pas tij mund vetëm të quhet nxënës i tij.
Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës, publicistikës dhe letërsisë shqiptare.
Veprimtarinë e tij publicistike e letrare F.Konica e zhvilloi kryesisht në shtyp, në revistën “Albania” ai botoi vjersha, proza poetike, skica, tregime, portrete, ese, artikuj të ndryshëm etj. Përgatiti dhe përmbledhjen letrare “Kandili i kuq”, por nuk mundi ta botojë. Në të vërtetë nga Konica nuk kemi asnjë libër të botuar, me përjashtim të vëllimit me përralla të përkthyer “Nën hijen e hurmave”(1924). Krijimtaria e tij ka mbetur e shpërndarë në shtypin e kohës dhe një pjesë është e papërfunduar. Prej tyre duhen veçuar si vepra të rëndësishme proza e gjatë satirike, “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit”, cikli i tregimeve “Katër përralla nga Zullulandi”, udhëpërshkrimi “Shqipëria si m`u duk…”. Ai la në dorëshkrim anglisht veprën “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës jug-lindore” dhe ese të tjera, e cila u botua pas vdekjes (1957).
Në trashëgimninë e Konicës vendin kryesor e zë publicistika.
Ai paraqitet si një nga themeluesit dhe mjeshtrit e publicistikës shqiptare. Për afro gjysëm shekulli ai shkroi me qindra artikuj, pamflete, polemika, shënime, ese etj, të cilat i botoi në organet që drejtonte vetë. Tema qëndrore e publicistikës së Konicës në revistën “Albania” do të jetë ajo atdhetare, problemet e lëvizjes kombëtare, fati i Shqipërisë, rrugët për çlirimin kombëtar etj. Nga ana tjetër, ai do t`i kushtojë vëmendje të posaçme ndriçimit të historisë së popullit shqiptar, zbulimit dhe propagandimit të vlerave të tij etno-kulturore, e veçanërisht krijimit të një gjuhe letrare shqipe. Pas shpalljes së Pavarësisë publicistika e Konicës, e botuar në gazetën “Dielli”, do të merret me çështje të mprehta të kohës që lidheshin me aspiratat e përpjekjet për krijimin e një shteti modern shqiptar, me luftën kundër prapambetjes ekonomiko-sociale, me stigmatizimin e mendësive dhe praktikave të vjetra e anakronike etj. Ai ishte për një shoqëri shqiptare të emancipuar dhe kërkonte që Shqipëria, si pjesë e Evropës, të mendonte e të punonte në shembullin e saj. Publicistika e Konicës shquhet jo vetëm për problematikën e pasur, por edhe për nivelin e lartë mjeshtëror. Ajo karakterizohet nga patosi atdhetar dhe nga shqetësimi qytetar, siç dallohet edhe për forcën e argumentimit dhe aftësitë e shquara shprehëse. Tipari kryesor i saj është fryma satirike, fryma stigmatizuese dhe mohuese ndaj prapambetjes, injorancës, së keqes.
Faik Konica është krijuesi i kritikës sonë letrare, që së bashku me Nolin i hapën rrugën asaj në kulturën shqiptare. Ai shkroi një varg artikujsh teorikë letrarë si “Arti i të shkruarit”, “Ca këshilla për artin e shkrimit”, “Kohëtore letrare shqipe” etj, të cilat shënonin një kontribut për orientimin dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Por ndihmesa e tij në këtë fushë bëhet më konkrete me artikujt dhe reçensionet që boton për autorë dhe vepra të letërsisë sonë bashkëkohore. Kështu ai vlerëson lart shkrimtarë si Jeronim De Rada, Jul Variboba, Naim Frashëri, inkurajon autorët e rinj të kohës, Çajupin, Asdrenin, Filip Shirokën etj. Faik Konica kishte kërkesa të larta ndaj letërsisë dhe shkrimtarëve. Duke i vështruar në raporte të drejta përmbajtjen dhe formën, si dy komponentë që s`mund të ndahen nga njëri-tjetri, ai i jepte përparësi formës si e vetmja mënyrë për të shprehur sa më mirë përmbajtjen. Në këtë vështrim i kushtonte rëndësi të madhe gjuhës shqipe, pasurimit dhe përpunimit të saj. Ai vetë dha shembullin e një mjeshtri të vërtetë të gjuhës. Me të drejtë Noli e quan atë “kryelëronjësi i gjuhës sonë” dhe “stilist i përkryer”.
Faik Konica zë një vend të merituar në letërsinë tonë të Rilindjes dhe të Pavarësisë, jo vetëm si publicist dhe kritik letrar, por edhe si shkrimtar me individualitet të spikatur krijues.

Veprat
Doktor Gjilpëra, (prozë satirike)
Katër përralla nga Zullulandi, (cikël tregimesh)
Shqipëria si m`u duk, (udhëpërshkrim)
Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës jug-lindore, (dorëshkrim anglisht i veprës).





















