Ergys Alushi: Të pabesueshmet e Vlorës Turistike këtë gusht

993
Sigal

Në plazh duhet të hash e të pish me detyrim te privati dhe  të paguash dhe çadrën që të bësh plazh

Të pabesueshmet e  Vlorës turistike këtë gusht

  • Shtetasit gjerman janë në krye të listës së atyre që kanë anuluar pushimet në Vlorë
  • Një nga faktorët kryesorë është mungesa e akomodimit, e dyta është politika, që ka ndikuar këtë sezon

Nga Ergys Alushi

Sezoni në kulmin e tij

Sezoni veror në Vlorë është në kulmin e tij. E vërteta është se kohëzgjatja e sezonit nga viti në vit ka ardhur duke u reduktuar. Nëse 10 vite më parë sezoni fillonte qysh në fillim të muajit qershor, në vitet e fundit ai fillon në 10 ditëshin e fundit të muajit korrik e zgjat deri rreth datës 20 gusht. Të fundit që largohen nga qyteti janë kryesisht vlonjatët që jetojnë e punojnë në shtete të huaja dhe shumica e tyre lejen e marrin përgjatë 20 ditëve të para të muajit gusht. Tortura më e madhe e tyre, bashkë me lekët që lënë gjatë pushimeve sipas parimit “emigrant është, ka lekë” është edhe udhëtimi me traget, në ardhje e në ikje. E paguan tragetin shtrenjtë sepse nuk ka konkurrencë që të ul çmimin dhe kushtet janë të këqija. Qyteti gjatë kulmit të sezonit të verës fiton një gjallëri ndryshe nga ditët e muajt e dimrit, ku jeta mbyllet qysh në ora 20 e maksimumi ora 21.

Po të huajt?

Ndryshe nga vite më parë, e vërteta është se ka më shumë të huaj. Nga të gjitha shtetet e racat. Gjuhë të ndryshme. Të huaj e vendas që ecin krah për krah përgjatë bulevardit kryesor Vlorë-skelë, shëtitores përgjatë bregdetit apo dhe plazhojnë së bashku në plazhet e Vlorës. Ecje dhe plazh. Vlora këto të dyja I afron me shumicë. Të tjerat ose janë me pakicë, ose mungojnë fare, ose janë monotone. Sidomos për të huajt sepse për shqiptarët nuk ka problem, janë mësuar me mungesa. Të huajt e kanë më problem  Dy e nga dy apo në grupe më të mëdha ata ecin kuturu nëpër rrugët e qytetit, kryesisht ato kryesore.  Nëpër vapë dhe shikimet e habitura të vendësve “mirë ne, po këta ç’kerkojnë këtu!”
Kërkojnë, pyesin, tregojnë me shenja. Rrallë gjejnë ndonjë që flet në gjuhën e tyre. Më lehtë gjejnë mishin e pjekur sesa muret e Aulonës antike. Janë në kërkim të një harte të qytetit, të cilën nuk e gjejnë se nuk ka. Ankesë e përvitshme shumëvjeçare e librarive dhe kancelarive të qytetit. Kaq e vështirë qenka të bëhet një hartë e qytetit me të gjitha vendet që mund të vizitohen!
Rendin të kërrusur nga çantat e rënda e me trupin të kërrusur nga pesha në kërkim të “castle”, që nuk ekziston ashtu si është shkruar në ato pak tabela orientuese. Kur shkojnë atje, zhgënjehen kur shohin ca mure të mbuluara nga bari e shkurret, që nuk të japin idenë e ndonjë kështjelle. Ka dhe mburret bota me “castle”, duam të mburremi edhe ne!
Nga ‘Castle”në Muzetë e qytetit. Brenda tyre bën shumë vapë, nuk ka ftohës. Nxitojnë shpejt e shpejt sepse vapa është e padurueshme dhe kullon djersë. Nuk ka as ujë Nuk ka stenda. Edhe ndriçimi është i dobët. Përpiqen shpjeguesit e muzeumeve ta bëjnë sa më mirë punën e tyre, por aq janë kushtet. Në sheshin e Flamurit, të pjek dielli, si gjatë ditës ashtu dhe në mbrëmje, paçka se perëndon. Vlora ka perëndimin më të bukur në botë, por që gjithsesi dielli djeg dhe kur është duke ikur. Në sheshin historik të shqiptarisë nuk ka një vend, një strehë, ku të futësh kokën, të freskohesh sado pak. Nuk ka një vend ku të lagësh pak buzët. Duket si një shkretëtirë e madhe, ku të gjithë nxitojnë të kalojnë sa më shpejt, në kërkim të një hije.
Në Manastirin e Zvërnecit,  guidën jua bën polici privat. “Edhe kaq e kanë shumë, e bëj nga qejfi”. Pula e rosa nga të gjitha anët e manastirit. Brenda në pyll togje me mbeturina. Zakon I vjetër shqiptar “ha e hidh në shesh, se pronë e shtetit është”. Çështje jo vetëm edukate personale, por edhe geni. Një guidë serioze mungon edhe në kalanë e Kaninës. Asfalti ka shkuar deri në njëfarë vendi, por nga çfarë ishte vite më parë, rruga është më e mirë. Këtë vit, pushuesit nuk e patën fatin siç e kishin vitin e kaluar që të ishin të ftuar në dasmën e Skënderbeut. Megjithatë shtatorja e gruas së Heroit tonë kombëtar është vendosur pranë xhamisë së Plumbit në qytet. Vepër artistike më të shëmtuar, nuk u kanë zënë sytë vlonjatëve. Thonë që është vendosur aty edhe pa lejen e këshillit të bashkisë. Nejse, është nusja e heroit kombëtar dhe mezi e kemi.
Në Muzen Kombëtar të Pavarësisë në Skelë vazhdon beteja shumëvjeçare për t’ju treguar vizitorëve se flamuri nuk është ngritur aty, por lart në sheshin e Flamurit “nejse, mund të jetë dhe kështu, por unë në shkollë e kam mësuar që flamuri është ngritur këtu, ku është dhe ajo fotografia e ballkonit”. Muzeu qëndron hapur dhe në orët e vona të mbrëmjes dhe ka një rritje të numrit të vizitorëve, ndikuar dhe nga rritja e cilësisë së shërbimit. Në Orikum duhet të presësh gjate për lejen e hyrjes për të parë rrënoja e Orikut. Në Sazan e Karaburun nuk mëson dot më shumë nga sa dëgjon dikë në anije apo sa lexon në google.

Mbrëmja në qytet

Shëtitja në lungomare është kthyer në “atraksionin më të madh turistik”
Shumë e bukur duket në mbrëmje lungomarja. Zona ka marrë goxha gjallëri, ka ndriçim, gjelbërim, pastërti dhe lokale nga më luksozët. Disa pronarë në moshë të re nuk I justifikojnë të ardhurat me të cilat kanë areduar lokalet, por kjo nuk ka rëndësi për momentin. Vettingu ka filluar nga lart poshtë. Qindra e qindra njerëz e popullojnë gjatë mbrëmjes të gjithë gjatësinë e lungomares, të ulur nëpër lokale apo që ecin në këmbë. Kur fryn ndonjë erë e lehtë, era e keqe e ujërave të zeza e mund erën e detit. Nejse, kjo I takon investimeve në të ardhmen për ti larguar ujërat e zeza prej andej, të mos derdhen më në det. Për parkime bëhet nami. Njerëzia ka për borxh të gjej dhe ndonjë trince të abandonuar prej dekadash, ta pastrojë e ta përshtatësh për parkim. Argëtimi është i pakët. Tek tuk ndonjë koncert i ardhur nga Tirana, ku më tepër bëhet rrëmujë sesa i shërben argëtimit normal. Përpiqet bashkia të mbush me aktivitete dy muajt e verës, por dy muaj janë shumë. Megjithatë “shefe Anka” e kulturës është bërë e njohur jo vetëm në Vlorë për përpjekjet që bën për të mbajtur në parametra normal artin e kulturën në muajt e verës, por edhe të dimrit.
Vlora dhe vlonjatët nuk ofrojnë asgjë për të ardhurit. Asnjë festë tradicionale të qytetit Asnjë panair me produkte e prodhime vendase. Jo shumë vite më parë, Vlora krijoi një traditë të mirë për organizimin e panaireve. Sot e tre katër vjet nuk zhvillohet më asnjë panair. Dhe të mendosh që sa shumë kemi për të ofruar.
Peshk, pikturë, saze, punime artistike ne simbolet e qytetit, peshkatarë që gjuajnë peshk, gara me not apo hedhje nga lartësitë mbi det e të tjera si këto.

Vlora e “vjetër’

Nga teatri e lart “të ha buba”. Është pothuajse bosh, errësirë, duket sikur nuk ka njerëz, jetë. Dhe në të vërtet sapo bie mbrëmja, në Vlorën e vjetër ka më shumë qen endacak që janë në kërkim të ushqimit, ku nuk mungon dhe ndonjë copë mish njeriu, sesa ka njerëz. Rrugët janë të shkreta. Dhe ata pak njerëz që dalin shkojnë deri te monumenti i Pavarësisë, ku kënaqin veten e fëmijët me gjelbërimin dhe sigurinë e rrugës pa makina. Me dhjetëra njësi tregtare e lokale në lagjet e vjetra të Vlorës, shumica mbyllen pas orës 14, por edhe ato që qëndrojnë hapur nuk kanë hapur. Zor se hynë njeri për të blerë. Vlora ka ikur e gjitha poshtë, në breg të detit.
A, teatri! Teatri është i mbyllur. Aktorët janë me pushime totale. Gjatë gjithë muajit gusht. Edhe këtë vit askush nuk e bëri analizën e gjashtë muajve të parë. Sa shfaqje u dhanë, sa spektatorë I ndoqën ato dhe sa lekë u arkëtuan. Kështu siç janë, kur të kthehen nga shtatori do fillojnë të gjejnë ndonjë pjese për ta vënë në skenë, që të bëhet gati me kismet nga fundi i vitit. Ndërkohë në Vlorën e vjetër, në sheshin e flamurit dhe  lagjet e vjetra të qytetit, vazhdojnë punimet për rikonstruksionin e godinave historike. Në Vlorë shpresojnë që këto punime do të rikthejnë sezonin gjithëvjetor në qytet dhe do t’I rikthjen ë gjallërisë zonës së vjetër të qytetit.

“Karaburun e Sazan
janë vatanet e mia’

U bë zhurmë e madhe
“Të hapet Karaburuni”,  “Të hapet Sazani”, “Të jenë të vizitueshme për pushuesit”. Nga vit në vit presioni i shoqatave turistike për t’i kthyer në të vizitueshme Karaburunin e Sazanin erdhi në rritje. Për vite me radhë si gadishulli dhe ishulli më i madh i vendit ishin të ndaluara  për shqiptarët pasi ishin kthyer në zona ushtarake. Erdhi dita që u hapen. Shteti e “hëngri” presionin e shoqatave turistike të Vlorës, kryetari i së cilës ka në zotërim hotele e anije turistike që të shpie kudo nëpër detin e Vlorës. Dhe shumë mirë që i ka ai dhe të tjerë si, ashtu si shumë mirë u bë që u hapën zonat deri dje të ndaluara. Tashmë shqiptarët mund të shkojnë e të vizitojnë deri para shumë vitesh zonat e ndaluara
Por…Nga hapja e tyre e deri më sot gjërat kanë ndryshuar. Tashmë atje plazhet janë kthyer në private. Nuk të lejojnë të zbresësh nga anija për në plazh nëse ke termus me vete, paçka se mund të jesh me fëmijë të vegjël dhe ushqime që mund të dëmtohen nga të nxehtët
Por…Edhe ushqimet që merr me vete duhet ti mbash pak si fshehurazi. Të hash nga pak dhe vetëm kur të mos ketë mendjen pronari i plazhit. Duhet të hash e të pish me detyrim te privati. Duhet të paguash dhe çadrën që të bësh plazh. Dhe çfarë ofrojnë? Asnjë kusht minimal që të justifikojë ato që paguan. As banje,  ujë të pijshëm,  energji elektrike, ushqim e shërbim cilësor,  pastërti. Nëse do të ishin këto, atëhere, hallall pagesa. Nga një përllogaritje e thjeshtë një familje me 4 persona që të shkojë e të “vizitojë” Karaburunin e Sazanin i duhet të paguajë në total nga nga 10 mijë lekë deri në 20 mijë lekë, sipas xhepit.. Sa merr bashkia e shteti nga kjo pagesë për familje!

Anijet turistike

 

Përfshirja nga flakët e një mjeti lundrues turistik nga Vlora drejt Sazanit e Karaburunit dhe rrezikimi i jetës së personave, është një rast i mirë për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve shtetërore. Sa të sigurta janë këto mjete?. A i kanë mjetet mbrojtëse të shpëtimit nga zjarri apo rreziku i mbytjes?. A është i lejueshëm numri i madh i njerëzve që udhëtojnë me to, kur i sheh të mbushura plot e përplot? A kanë stafe (ekuipazhe) të trajnuara për çdo rast rreziku? Këto janë disa nga problematikat që duhet të jenë objekt i punës së institucioneve portuale e shtetërore. Që të mos ndodh larg qoftë ndonjë fatkeqësi e pastaj të kujtohen për të marrë masa drastike siç ndodh rëndom në raste të tilla. Facebook është i mbushur me foto nga udhëtimet turistike që ofrojnë këto anije dhe është e frikshme kur sheh anije të tejmbushura me njerëz, jashtë kapaciteteve të tyre dhe askush në anije që të mos I instruktojë për masat që duhet të merren në rast rreziku. Ka anije që mjafton t’ju kaloj ndonjë mjet tjetër lundrues pranë e të fillojnë të lëkunden me dallgët që ato krijojnë.

Reagimi i operatorëve turistik

Në dy muajt qershor e korrik, Vlora nuk i ka përmbushur pritshmëritë përsa i takon numrit të vizitorëve. Shqetësimin e shpreh vetë kryetari i Operatorëve turistik për Vlorën . As rritja e shërbimeve dhe as investimet që janë kryer në Vlorë, nuk kanë arritur dot të tërheqin vizitorët në atë masë që ishte parashikuar.
: “Jemi në kulmin e sezonit turistik dhe Vlora paraqitet jo në nivelet që ne prisnim. Çmimet janë ulur këtë vit, por qershori ka qenë me 30% kapacitet, ndërsa korriku 70%. Sot, nëse doni të prenotoni, gjeni dhoma bosh në shumicën e hoteleve”.
sipas kryetarit të operatorëve turistik Vasil Bedinaj, shtetasit gjerman janë në krye të listës së atyre që kanë anuluar pushimet në Vlorë: “Një nga faktorët kryesorë është mungesa e akomodimit. E dyta është politika, që ka ndikuar këtë sezon. Ka pasur shumë anulime nga operatorë të huaj. Ky duhet të jetë mësim për ne”.