Edhe një birra “Korça”! Irfan Husenbelliu, biznesmeni që ngriti në piedestal traditën dhe dyfishoi kapacitetet prodhuese

2214
Sigal

Edhe një birra Korça, lalkë, ta bëjmë qejfin tamam!

 

Kërkesa të mëdha, pritet dyfishimi i kapacitetit prodhues

Nga Vepror Hasani

 

Të ka ndodhur ndonjëherë, që në mes të dimrit, kur flokët e borës mbulojnë rrugët, i ftohti të pret si më thikë, akulli shtrihet ngado dhe njerëzit ecin me jaka të ngritura, ndërsa ti bashkë me miqtë e tu, ulur në një lokal të ngrohtë e të këndshëm, i ardhur në qejf prej shijes së pijes magjike, i thërret kamerierit i ngazëllyer: “Edhe një birra “Korça”, lalkë, që ta bëjmë qejfin tamam! Dhe birrat vijnë varg njëra pas tjetrës, jashtë bie borë e brenda shpirti ndizet flakë; as parajsa nuk është kaq e bukur, shpërthen serenata e bashkohen zërat, kitara oshtin ëmbël e bukur, e ti prapë thua: “Edhe nga një bira “Korça”, lalkë, ta bëjmë qejfin tamam! Vargjet e këngës rrjedhin shndritshëm, ashtu si birra kur mbush gotat me lëngun e artë:

Rroku’ rrokullisni kadet

Dhe bëni qejfin tamam,

Se qejfi është i ëmbël,

Nuk blihet moj me para.“Gëzuar vëllaçko!

Ju që po lexoni këto radhë, ndoshta nuk e besoni, por është krejt e vërtetë: Dëshira për birrë, nuk njeh rënie as në dimër kur fryn rrebesh e bën acar, sepse dëshirohet njëlloj ashtu si në korrik. E dini si thonë korçarët në raste të tilla:“Po ku ka si birra “Korça”, o t’u mbylltë e mendjes!” Është pije që të jep shëndet. Pse-o kot ka pasur Korça fabrikë birre që nga viti 1928, ishte birraria më e vjetër në Shqipëri, o byrazer…?! Por kjo e sotmja, ka të krahasuar vetëm me Parajsën. ”

 

Çupka të bukura të presin…

 

Por mrekullia nuk mbaron këtu, kur gjithçka bëhet shpërthyese, dhe birra e ftohtë në mes të dimrit të ndez brenda gjoksit një zjarr të madh, askush nuk mbetet pa dëshirën për t’u djegur dhe marrë flakë. Ti kthen kokën dhe sheh çupka të bukura që të presin, thur vargjet më të bukura dhe fjalët më të ëmbla për to:

Më pëlqen që ashtu Korçarçe,

Unë t’i them nja dy-tre llafka,

Eja dhe ti që s’je pe Korçe,

Të gëzosh me ne, të keqen lalka!

Vallëzimet nisin, dhe vajzat si flutura që varen te supi yt, të bëjnë të mendosh se je njeriu më me fat në këtë botë, dhe shpirti në heshtje të pëshpërit: “Bekuar qoftë kjo birra “Korça!” Eh, kush u ndodh në ditë të tilla dhe nuk mbeti i befasuar; kush nuk u bë poet dhe nuk gjeti fjalë shpirti; kush rrëkëlleu birra “Korça” dhe tha: “Mjaft!”. Edhe të huajt, të ardhur nga vende të ndryshme të botës, mahnitur kanë mbetur nga kënaqësia që gjejnë aty. Dhe pasi kanë provuar kënaqësi të tilla nuk u iket më prej Korçës. Shumë shpejt e ndjejnë veten korçarë të vërtetë, madje, të mësuar edhe me të folmen e Korçës:

Ty s’të ka ndodhur t’i flasësh çupkës,

Kur kalon rrugës: Uaa sa e mirkë!

Të të thotë: Ë-mo mja, ë-mo ikë,

Kur i thua sheqerkë, a i thua yllkë.

Dhe të gjitha këto ndodhin falë magjisë që të dhuron birra “Korça”, një nga gjërat më të rralla që ka ky qytet.

 

“Hysenbelliu Grup”

 

“Nuk gjen tjetër si birra “Korça”, të thonë jo pa krenari korçarët e vjetër dhe të rinj, sidomos, që nga viti 2005 e këtej kur fabrika u bë pjesë e “Hysenbelliu Grup”. Gjithçka i dedikohet pronarit të saj, Irfan Hysenbelliut, nëse nuk do të ishte përkushtimi i tij, nuk do të kishim këtë birrë kaq të lavdërueshme që kemi sot; ajo na kujton thënien e Charles Bukowski: “Qëndro me birrën, birra është një gjak i vazhdueshëm, një dashnore e përjetshme…”. Edhe specialistët e fabrikës kur flasin për birrën “Korça” e përshkruajnë me shumë dashuri, delikatesë dhe respekt, ashtu siç flitet për gjërat të shenjta. “Teknologjia është e fjalës së fundit, – na thonë ata, – avancon me kohën, punonjësit janë të kualifikuar, trajnimet janë të herëpashershme që gjithkush të jetë i përditësuar me të rejat e shkencës. Punohet shumë dhe me pasion. Lëndët e para janë bio, të certifikuara; birra e prodhuar në saj të sistemit të detoksionit e bën atë të jetë ndryshe nga birrat tjera, cilësore, e veçantë, e kërkuar në të gjithë vendin dhe gjithnjë e preferuar; prodhimi rritet nga viti në vit.” Me birra “Korça” festohen fejesat, martesat, ditëlindjet, gëzimet familjare e “mbledhkat” me miqtë, siç thonë Korçarët. të gjithë mbeten të mrekulluar nga shija dhe kënaqësia që u jep ajo. Kjo është dhe arsyeja që brenda dy vitesh kapaciteti prodhues do të dyfishohet që t’u përgjigjet kërkesave në rritje. Enigma e suksesit mbetet Hysenbelliu

 

Birra “Korça” një sekret që askush s’e di

 

Të ka rënë rasti ndonjëherë të vish në Festën e Birrës? Jo?! Po ti nuk paske parë gjë fare, o flori! Po a e di ti si bëhet këtu në Korçë në mes të muajit gusht? Njerëzit vijnë nga ana e anës, nga vendi e nga bota, nuk ke ku të hedhësh kokrrën e mollës. Janë me mijëra ata që vijnë. Qejf i madh; këngë deri në mëngjes; birra pa fund; dhe mezeçka sa të duash:

Gjen aty lakror me qepka,

Bërë në të vockëlën tepsiçkë,

Me shokët pimë nga një birrë,

dhe mërzitje nuk ndjen hiç.

E çfarë nuk gjen aty, nga të gjitha; mish, kërnacka, qofte, kukurec. Por, nëse nuk do të ishte birra jonë e Korçës, as mos mendo se do të festohej e do të gëzohej. Eh, byrazer, ne jemi me fat që jemi pe Korçe dhe që kemi një birrë kaq të mirë sa nuk e gjen dot asgjëkund tjetër! Të ardhurit nga vende të tjera, pasi provojnë birrën “Korça”, nuk e besojnë dot pse është kaq e mirë. Para së të largohen, shkojnë për ta parë edhe fabrikën, ndoshta edhe për të mësuar ndonjë sekret. Po ku i tregojnë korçarët sekretet! As sekretin e konjakut “Skënderbeu” nuk e treguan ndonjëherë. Edhe birra jonë e ka një sekret, se ndryshe nuk do të ishte kaq e mirë, sa ua kalon të gjithave. Atje te fabrika çdo gjë shkëlqen. Nuk e besoni? Kanë lënë mend nga rregulli kur e kanë parë! Pastërtia, makineritë dhe teknologjia janë siç i ka bota, prodhimi do të dyfishohet, por cilësia e saj do të mbetet e veçantë përjetësisht. Eh, kush e provoi birra “Korçën” dhe nuk tha fjalë të mira!

 

Bira Korça, lokomotiva e birrave të tjera

 

Për festën e birrës na treguan edhe specialistët e fabrikës së birrës: “Tashmë është bërë traditë, – na thonë ata, – që në qytetin e Korçës të organizohet festa e madhe e birrës. Fabrika jonë është promotori i kësaj feste, kjo edhe për veçantinë, historikun dhe cilësinë që ajo ka. Është lokomotiva që tërheq gjithë të tjerat. Gjatë ditëve të festës, për birra “Korçën” dëgjon vetëm fjalë të mira, pihet pa fund, si birra bionde ashtu edhe birra e zezë që promovohet nga ne. Birra “Korça” vazhdimisht ka ecur sipas një programi të përcaktuar. Edhe në sezonin e dimrit prodhimi është i bollshëm. Asnjëherë nuk kemi pasur rënie të kërkesës. Kjo është ajo që mund t’ju themi për vlerat e këtij produkti, tashmë mjaft pëlqyeshëm në treg, dhe nga klientët tanë. Tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta bëjmë gëzuar dhe të këndojmë”.

Se vitet ikin tutje,
Ikin moj një nga një.
Se vajzat bëhen plaka
Rinia moj nuk vjen më.

Edhe nga një birra Korça, lalkë, ta bëjmë qejfin tamam!
Nuk ka si Korça jonë o byrazer! Vetëm në Korçë, thënia “Birra është prova se Perëndia na do dhe dëshiron që të jemi të lumtur”, bëhet e vërtetë. Faleminderit “Birra “Korça!”