Dr.Hekuran Rrapaj: Pse NATO nuk ndërhyn për heqjen e Ligjit të Luftës, Greqi-Shqipëri ?Çamëria dhe zgjerimi në Detin Jon

269
Sigal

Republika e Greqisë, pranuar në NATO që nga viti 1952, mban ende të gjallë një “Ligj Lufte”

Pse NATO nuk ndërhyn për heqjen e Ligjit të Luftës Greqi-Shqipëri?

  Zelli oreksionist për zgjerim në Detin Jon, janë pretendime që nuk i lehtësojnë marrëdhëniet

 Dr. Hekuran Rrapaj

Para 80 vjetësh, forcat më të errëta të nacionalizmit grek të nxitura nga qeveritë e tyre dhe të drejtuara nga kriminelët e luftës; gjeneralët Zerva e Plastira, bënë spastrimin etnik të Çamërisë nga pjesa e popullsisë shqiptare. Në këtë veprimtari kriminale, rol aktiv ka luajtur kisha greke bizantine me krerë e bashkëpunëtorë të nazi-fashistëve, Spiridhoni e Dhorotheu.

Gjatë një periudhe tridhjet

ë vjeçare, çamët e pambrojtur iu nënshtruan të ashtuquajturës reformë agrare, ku iu grabit toka dhe iu shpërnda kolonëve grekë, të sjellë nga Azia e Vogël në vitet ’20, iu mohua e drejta e shkollës në gjuhën amtare, dhe deri tek e drejta e votës dhe jeta u katandis në skajet e padurimit.

Para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore, çamët u paragjykuan dhe u internuan në ishujt e Egjeut etj. Atyre që u thirrën në ushtri iu dhanë kazma e lopata duke i trajtuar si robër lufte. Megjithatë, gjatë luftës çamët dhanë një kontribut të çmuar me pjesëmarrjen e tyre në batalionet “Ali Demi” dhe “Çamëria”, ku morën pjesë mbi 1000 luftëtarë, krahas formacioneve çlirimtare greke e në përbërje të tyre; fakte këto të vërtetuara qartë me dokumente e libra të shkruar nga vetë autorë grekë të të dy krahëve politikë, si dhe nga misionet ushtarake aleate të huaja. Por të gjitha këto sakrifica të kësaj popullsie në Luftën Çlirimtare u mohuan nga autoritetet greke në fund të luftës dhe vazhdojnë të mohohen deri në ditët e sotme.

Për këtë qëllim dhe në mënyrë absurde, shteti grek mban de jure në fuqi Ligjin e Luftës Nr. 2636/1940, si dhe mjaft dekrete të tjera si pjella të këtij ligji famëkeq. Por ç’po ndodh kështu me Greqinë…!?

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, pikërisht në vitin 1949, me qëllim për të ofruar mjete ushtarake për të frenuar politikat ekspasionte të ish-Bashkimin Sovjetik, apo të vendeve të tjera agresive, u krijua NATO. Thelbi i Traktatit të Atlantikut të Veriut, sipas Nenit 5 të tij, është që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë anëtarëve të saj konsiderohet si një sulm kundër të gjitha atyre; në këtë rast secili nga vendet anëtare do të asistojë palën ose palët e prekura, duke marrë veprime të atilla që duken të nevojshme, duke përfshirë edhe përdorimin e forcës.

Por përderisa ekziston një shtet historikisht fqinj i çuditshëm, Republika e Greqisë, pranuar në NATO që nga viti 1952, që mban ende të gjallë një “Ligj Lufte”, tashmë me një shtet fqinj, anëtarë të NATO-s, që është Republika e Shqipërisë; a mundet të krijohet besimi reciprok dy-palësh mbi kapacitetin mbrojtës të kufijve jugorë të Shqipërisë?

Strukturat e krijuara dhe të përmirësuara të NATO-s u mundësojnë vendeve anëtare të korrespondojnë politikat dhe qëndrimet më synime përmbushjen e detyrave. Ato krijojnë konsultime të vazhdueshme dhe bashkëpunimi në fushat politike, ekonomike dhe të mjaft fushave të tjera. Pjesëtarët e Aleancës hartojnë plane për mbrojtjen kolektive dhe programe të stërvitjeve e të manovrave të përbashkëta.

Është një strukturë komplekse civilo-ushtarake e NATO-s, me personelin e duhur administrativ, nga të gjitha vendet anëtare, buxhetor dhe planifikues, si dhe nga agjenci të krijuara nga vendet anëtare të Aleancës, për të bashkërenduar punën në fusha të specializuara, si për shembull, për komunikime që të mundësohen konsultimet politike për komandimin dhe kontrollin e forcave ushtarake, për mbështetjen logjistik të forcave ushtarake etj.

NATO-ja ka një organizim shumë të degëzuar, të qëndrueshëm dhe në perfeksionim. Ai përbëhet nga më shumë se 200 këshilla ushtarake, politike dhe teknike, nga komisione dhe grupe ekspertësh, që bëjnë pjesë ushtarakë dhe civilë nga Greqia dhe nga Shqipëria.

Nuk kemi, të paktën informacione publike, nga gjithë kjo mori komisionesh dhe ekspertësh mbi besimin ndaj ruajtjes së sigurisë, sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, nga një qeveri dhe shtet anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, që herë pas here, kur ekstremistë politikë zgjohen nga ëndrra “Vorio-Epirote”, nxjerr si flamur presioni atë shkarravinë që e quajnë, pa pikë logjike ende: “Ligj i Luftës”.

Po të shikohet me vëmendje, në kohën kur është dekretuar Ligji i Luftës me Shqipërinë, çamët ishin shtetas grekë dhe ky ligj s’kishte të bënte fare me ta. Ai mbahet dhe sot si gozhda e Nastradinit, por edhe për të dëshmuar para botës së qytetëruar, se si Greqia shkel konventat ndërkombëtare të nënshkruar nga vetë ajo.

Në radhë të parë, me anën e këtij ligji, Greqia vazhdon të shkelë Konventën Ndërkombëtare mbi Krimet e Luftës dhe Krimeve Kundër Njerëzimit, Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, datë 13 Shkurt 1946 dhe atë të 31 Tetorit 1947, në lidhje me ekstradimin dhe ndëshkimin e kriminelëve të luftës, dhe Rezolutën 95, datë 11 Dhjetor 1946, që konfirmon parimet e së Drejtës Ndërkombëtare të njohura nga Statusi i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut.

Edhe nga vendimi i atij gjyqi, si dhe Rezoluta e Dhjetorit e vitit 1966, nëpërmjet të cilave Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka dënuar shprehimisht si krime kundër njerëzimit shkeljen e të drejtave politike dhe ekonomike të popullsive autoktone, siç është popullsia e martirizuar e Çamërisë, ku në këtë ligj mënyrën më të çuditshme antikape, pjesës myslimane iu grabitën pronat, kurse popullsisë së krishtere iu mohua sot e drejta e identitetit kombëtar, shkolla dhe gjuha amtare shqipe.

Në Nenin 1 të kësaj Konvente theksohet se: “… krimet e luftës janë të paparashkrueshme, cila qoftë data kur janë kryer”, ndërsa në pikën 1 të nenit 1, dënohen pa kufi kohorë: “dëbimi nëpërmjet një sulmi të armatosur ose pushtimi dhe aktet çnjerëzore, …. Si dhe krimi dhe gjenocidi, ashtu siç është përcaktuar në Konventën e vitit 1948, për parandalimin dhe ndjekjen e krimit të gjenocidit, qoftë edhe kur këto akte nuk përbëjnë shkelje të së drejtës të brendshme të vendit ku janë kryer”.

Neni 4 i Konventës e detyron Greqinë, “të marrë të gjitha masat legjislative e të tjera që do të jenë të nevojshme, për të siguruar mosparashikimin e krimeve të përmendura në nenin 1 dhe 2, përsa u përket ndjenjave, ashtu dhe përsa i përket dënimit, atje ku mund të ekzistojë një parashtrim me ligje apo me një mënyrë tjetër, ai do të hiqet.

Në kundërshtim të plotë me Konventën e Mosparashikimit të Krimeve të Luftës, shteti grek nuk ka nënshkruar edhe Protokollin Nr. 4 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kjo është bërë qëllimisht për të mbajtur të pushtuar Çamërinë, në kuadër të strategjisë greke të “Megali–Idesë”, të parit traktat nacionalist antinjerëzor të historisë evropiane. Në pikën 1 të nenit 3 të këtij Protokolli, theksohet: “Askush nuk mund të dëbohet me anë të një mase individuale ose kolektive nga territori i Shtetit, shtetasi të cilit ai është”, ndërsa në pikën 2, të të njëjtit nen nënvizohet: “Askush nuk mund t’i hiqet e drejta për të hyrë në territorin e Shtetit shtetasi i të cilit ai është”.

Nga ana tjetër, Greqia si anëtare e Këshillit të Evropës, e ka ratifikuar Konventën e të Drejtave të Njeriut, e megjithatë ajo vazhdon të shkelë të drejtat e shqiptarëve, të Çamërisë, duke i akuzuar ata pa të drejtë si bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit. Në pikën 2 të nenit 6 të Konventës thuhet: “Çdo person i akuzuar për shkelje të ligjit, prezantohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht”.

Në fakt, pafajësia e çamëve është provuar ligjërisht nga Gjykata e Diktimit të Janinës, në shkresën me numër protokolli 1837, datë 29 shtator 1976, dërguar Ministrisë së Rendit Publik, Drejtorisë së Shërbimeve Kriminale në Athinë. Por këto janë mohuar nga pala greke dhe nga qeveritë e të gjitha ngjyrave.

Ligji i Luftës që Greqia i shpalli Shqipërisë, i cili ende nuk është shfuqizuar vazhdon t’i ruajë efektet e tij mbi ndëshkimin ndaj shqiptarëve. I vetmi shkak, për të cilën është penalizuar Shqipëria në këtë sanksion të gjendjes së jashtëzakonshme, është fakti që nëpërmjet territorit të shtetit shqiptar marshuan në vitin 1940 ushtarët fashistë italianë për të pushtuar Greqinë.

Do të mundohemi të japim panoramën nga origjinali i këtij Ligji. Në këtë ligj përshkruhen me hollësi sasia e pronave dhe pasurive që bllokohen si efekt dëmshpërblimi. Ndërkohë, nëpërmjet neneve të tij pasqyrohet rruga gati e pamundur për t’i rikthyer ato prona me komisione shtetërore që do të duhen të mblidhen për secilin prej tyre, me pranimin e ministrave e ekspertëve të zyrave të shumta, të cilët është krejt e pamundur t’i ulësh në tavolinë. Origjinale metodë greke.

Në këtë akt ligjor të Athinës, ka sanksione edhe për pronat dhe pasuritë italiane, që sipas Traktatit të Paqes së Parisit të vitit 1946, iu sekuestruan përfundimisht dhe kaluan në dorë të palës greke, si pjesë e dëmshpërblimeve që italianët si vend sulmues duhej t’ia paguante Greqisë.

Çështja e pronave të shqiptarëve të bllokuara vazhdon të mbetet një proces i ngrirë, si vetë proceduara në këtë Ligj. Për më tepër që ky Ligj është bazamenti juridik i disa ligjeve dhe akteve të tjera juridike e normative që ka marrë Athina për çështjen e pronave të shtetëzuara dhunshëm të shqiptarëve, që në fillim të viteve ’40. Kjo procedurë që është ripërsëritur kohë pas kohe, madje deri në vitin 2006, ka patur synim bllokimin e kësaj pasurie që arrin në disa miliarda dollarë.

Ligji i Luftës Greko-Shqiptare apo siç quhet ndryshe “Ligji i Forcës”, i cili mban Nr. 2636/1940, përcakton si armiq, duke nënkuptuar këtu vetëm Shqipërinë dhe popullsinë kryesisht myslimane çame:

  1. a) Shtetet, kryetarët e këtyre shteteve dhe personat juridikë të juridiksionit shtetëror të tyre të cilët përcaktohen secili në veçanti si armiq nëpërmjet dekreteve Mbretërore të botuara me propozim të Kryetarit të Qeverisë, Ministrit të Punëve të Jashtme, Ministrit të Financave, sipas kuptimit të këtij Ligji.
  2. b) Personat fizikë, të cilët kanë shtetësinë e shteteve armike sipas rastit; ose që kanë banesë ose banim të përhershëm në to.
  3. c) Personat juridikë të juridiksionit privat dhe ose bashkim personash ose pasurish përderisa kanë qendrën drejtuese të tyre në shtetet armike; sipas rastit, ose që janë nën influencën ligjore ose ekonomike të armiqve sipas këtij neni (Ligji i Luftës, Kapitulli A, neni 1, a,b,c).

Shiko më tej: Nuk janë armiq, sipas kuptimi të këtij Ligji, personat fizikë të cilët kanë fituar nënshtetësinë e shtetit armik, por janë me kombësi greke dhe banojnë në shtete të huaja ose në shtetet aleate (Ligji i Luftës, Kapitulli A, neni 2).

Ndërsa më poshtë në këtë Ligj saktësohet sekuestrimi i tërë pasurisë “armike” i popullsisë çame në Greqi. Sipas ligjit në fjalë, Si pasuri armike në Greqi konsiderohen elementët pasurorë të mëposhtëm që u takojnë ligjërisht ose ekonomikisht armiqve sipas kuptimit trajtuar më sipër:

  1. a) Elementët të patundshme dhe të tundshme të ndodhura në Greqi.
  2. b) Letrat me vlerë ose tituj të tjerë të çdo lloji të ndodhura në Greqi, obligacione të shtetit grek, të firmave, të organizmave me selinë administrative të tyre, ose qendrën e tyre në Greqi, akoma dhe titujt përkatës të ndodhura jashtë shtetit.
  3. c) Para dhe lloje të tjera pagese të ndodhura në Greqi.
  4. d) Aksione të firmave që kanë selinë e tyre administrative ose qendrën e shfrytëzimit në Greqi, pavarësisht nga fakti në qoftë se këto aksione janë të mishëruara në letra me vlerë ose jo, dhe në qoftë se këto ndodhen në Greqi ose jashtë shtetit.
  5. e) Kërkesa ndaj debitorit me banesë ose me banim të përhershëm në Greqi, ose kërkesa të prejardhura nga shkëmbimet tregtare të firmës në Greqi.
  6. f) Të drejta e pasurisë industriale dhe intelektuale, të cilat mbrohen në Greqi.
  7. g) Të drejta mbi elementët pasurorë të përshkruara në pikat a dhe f.
  8. h) Të drejtat nga marrëveshjet rreth elementëve pasurorë të pikave a dhe f.
  9. i) Çdo element tjetër pasuror i ndodhur në Greqi (Ligji i Luftës, Kapitulli B, neni 6, dhe 7, pika 1,2).

Ndërsa më tej saktësohet me djallëzinë më të madhe se “Përjashtohen nga dispozitat e paragrafit të mësipërm elementet pasurorë, të cilat u përkasin shtetasve grekë me banesë ose me banim në shtetet armike.”, domethënë për grekërit në Shqipëri.

Në konceptin strategjik të Aleancës janë miratuar qëllimi dhe detyrat e saj. Qëllimi thelbësor dhe i qëndrueshëm i NATO-s është të mbrojë lirinë dhe sigurinë e të gjithë anëtarëve të saj me mjete politike dhe ushtarake. A mund të ekzistojë një siguri sigurie me këtë Ligj?

Me popullin grek, historikisht shqiptarët kanë luftuar së bashku kundër të njëjtit armik dhe kanë derdhur gjak, së bashku i kemi lidhur plagët njëri-tjetrit edhe në luftën e përbashkët kundër Italisë fashiste e Gjermanisë naziste. Mirëpo, bandat shoviniste dhe reaksionare të Zervës martirizuan popullsinë çame të Shqipërisë, i grabitën kësaj pasurinë dhe e nxorën përtej kufirit. Elementët e Zervës dhe të Plastira-s kalonin kufirin shqiptar, vrisnin dhe gjakosnin, masakronin dhe grabisnin popullsinë e pambrojtur shqiptare.

Pra, ka ardhur koha që pas këtij spastrimi etnik me dhunë të Çamërisë, Greqia të kërkojë falje publike për 2 900 viktima e pafajshëm të masakruara, për 40 000 njerëzit e dëbuar me dhunë, për 68 fshatra të djegura e të grabitura, të gjitha objektet e kultit të rrënuara dhe mbi 80 vjet shfrytëzimi të pasurive të tyre. Të marrë të gjitha masat për kthimin e çamëve në vendin e tyre në Çamëri me dinjitet sipas të gjitha konventave ndërkombëtare që ajo vetë i ka ratifikuar.

Nuk e kemi ende të qartë, se si vepron Këshilli i Bashkëpunimit Euro-Atlantik, qoftë dhe aktiviteti i OSBE-së, të cilët ofrojnë një kuadër shumëpolësh përpjekjesh në lidhje me dimensionin e zgjeruar politik të partneritetit dhe të bashkëpunimit, me anëtarë që kanë ende miza të së kaluarës në kokë. Këto dy organizma gjigante sigurie së bashku me institucionet e rëndësishme të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës ofrojnë kuadrin e përgjithshëm për konsultime anëtarëve të saj për një varg çështjesh politike dhe të sigurisë.

Po a kanë vlerë besimi reciprok këto procedura vendimmarrjeje apo konsultative në lidhje me kufijtë jugorë të Shqipërisë. Nuk besoj se mund të gjejmë një shembull tipik të tillë nga ndonjë vend anëtarë të NATO-s apo të Bashkimit Evropian që me fqinjin e vet, në mënyrë konstante e të pandryshuar, duke e dëmtuar vazhdimisht, të mbajë një “kalë troje” në veprim dhe në kërcënim. Në Botë mund të jenë të tilla raste të rralla dhe jo në një periudhë 80-vjeçare. Jo – nuk ka.

Absurditeti “lulëzon” në kokat e çakorduara të ekstremizmit politik grek, por që me një heshtje dhe mos veprim në mënyrë të njëanshme nga shtetet e fuqishme Perëndimore Euro-Atlantike, duket si një “stimulues” për mos shkatërrimin e këtij absurditeti në këtë fillim dy dekadash të një Mileniumi të ri, kur dhe vetë struktura dhe sistemi i marrëdhënieve ndërkombëtare kërkon një qytetërim e mirëkuptim demokratik.

Ndërsa ende dhe sot e kësaj dite, qarqet reaksionare greke, herë pas here shfaqin pretendime aneksioniste mbi territorin jugor të Shqipërisë, mbi “Vorio-Epirin”, siç u pëlqen ta quajnë ata. Shqiptarët në histori s’janë treguar asnjëherë bisha, përkundrazi, me minoritetin dhe popullin grek ngelën tepër miqësorë dhe demokratikë, me atë popull që s’kanë të bëjnë aspak me shovinistët e Athinës.

Dhe zelli oreksionist për zgjerim në Detin Jon dhe, herë pas here dhe për Himarën, që së bashku me Ligjin e Luftës, janë pretendime, që nuk i lehtësojnë marrëdhëniet e mira brenda strukturave të NATO-s dhe BE-së. Kufijtë tanë janë të padiskutueshëm, se brenda tyre s’ka përveçse tokë, det dhe ajër të stërgjyshërve tanë, ku pjesa më e madhe e Jugut të Shqipërisë, që është Çamëria, lëngon nga padrejtësia e bërë nga Fuqitë e Mëdha Evropiane.