Donald Trup, triumfon edhe në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Argeta sjell në Panairin e Librit, Presidentin fitues të  SHAB-ve

49
Sigal

Përse duam që ti të jesh i pasur

Dy personalitetet që japin një mesazh

NOA

“Të pasurit po bëhen edhe më të pasur; po ti çfarë po bën?”

Po na humbet klasa jonë e mesme dhe një klasë e mesme që po tkurret përbën një kërcënim për paqëndrueshmërinë e Amerikës dhe për vetë demokracinë në botë. Ne duam që ti të jesh i pasur, në mënyrë që edhe ti të bëhesh pjesë e zgjidhjes… dhe jo thjesht pjesë e problemit”.

Donald J. Trump dhe Robert T. Kiyosaki

Donald Trampi dhe Robert Kijosaki janë që të dy të shqetësuar. Për ta është shqetësuese që të pasurit po bëhen edhe më të pasur, kurse Amerika po bëhet më e varfër. Kjo po ndodh ashtu si me kësulën e akujve të polit: klasa e mesme po zhduket. Amerika po bëhet një shoqëri vetëm me dy klasa. Pas jo shumë kohësh ti do të jesh ose i pasur, ose i varfër. Donaldi dhe Roberti duan që ti të jesh i pasur. Kjo dukuri, domethënë zvogëlimi i klasës së mesme, është një problem mbarëbotëror, por kryesisht del në 8 vendet më të pasura të G-8 (në vendet si: Anglia, Franca, Gjermania, Japonia etj.). Ish-kryetari i Rezervave Federale, Alan Greenspan, ka thënë: “Siç e kam shprehur mjaft shpesh, kjo nuk është diçka të cilën një shoqëri demokratike, një shoqëri demokratike kapitaliste, mund ta pranojë vërtet pa e trajtuar”. Ai vijoi të shpjegonte se si është bërë kaq i madh hendeku i të ardhurave ndërmjet të pasurve dhe pjesës tjetër të popullsisë së SHBA-së dhe po thellohet kaq shpejt, sa më në fund mund të kërcënojë qëndrueshmërinë e vetë kapitalizmit demokratik.

Si e prek historia të sotmen

Ky libër diskuton gjithashtu se si na ka sjellë historia te kjo gjendje financiare urgjente. Disa nga datat me rëndësi janë këto: 1971; Paratë tona pushuan së qeni para dhe u bënë një kartëmonedhë e rëndomtë, në çastin kur nuk mbështeteshin më tek ari. Ky ka qenë viti kur u vjetrua parulla: “Kurseni paratë” dhe u kthye në një këshillë të keqe financiare. Sot klasa e mesme ka shumë pak para te kursimet.

Ky libër nuk kërkon ndryshimin e botës

Ky libër nuk kërkon ndryshimin e botës. Ky libër synon të ndryshosh ti, në mënyrë që të mos bëhesh viktimë e botës që po ndryshon. Bota po ndryshon me shpejtësi. Politikanët dhe burokratët qeveritarë nuk janë në gjendje të ndryshojnë po kaq shpejt dhe as t’i mbrojnë të tjerët nga këto lëvizje. Kohët e fundit është njoftuar se Bill Gejtsi (Bill Gates) dhe Uorren Bafeti (Warren Buffett) i kanë bashkuar forcat për të zgjidhur disa prej problemeve më të ngutshme të botës. Kjo është një punë e lavdërueshme, sepse paraja e ka forcën të zgjidhë mjaft nga problemet e botës sonë, si uria, strehimi i përshtatshëm, dhe ka shpresa edhe për shumë sëmundje (si kanceri e AIDS-i).

Paratë nuk mund ta zgjidhin problemin e varfërisë

Një ndër problemet që nuk mund ta zgjidhin paratë është varfëria. Ka shumë shkaqe që e sjellin varfërinë dhe një prej tyre është mungesa e arsimimit financiar. Problem kur hidhen paratë për çështjen e varfërisë është se paratë vetëm sa krijojnë më shumë njerëz të varfër dhe i mbajnë njerëzit në varfëri për një kohë më të gjatë. Kjo është arsyeja përse Donaldi dhe Roberti janë mësues. Ata e dinë se një zgjidhje e vërtetë për varfërinë në shkallë botërore është edukimi financiar, dhe jo paratë. Nëse do të ishte e mundur që vetëm paratë ta zgjidhnin punën e varfërisë, ata do t’i kishin dhuruar gjithë paratë e tyre. Mirëpo meqë paratë nuk mund ta zhdukin varfërinë, ata dhurojnë gjithë kohën e tyre. Veç kësaj, një pjesë e fitimeve prej këtij libri do të dhurohen për organizatat bamirëse e të arsimimit, të cilat gjithashtu japin dije financiare.

Me shtimin e arsimit tuaj financiar, do të nisni t’i shquani rastet financiare që ju shfaqen kudo. Kur të bëheni të pasur, edhe mund të vendosni që të ndihmoni për ta ndryshuar botën. Këtë kanë bërë edhe Donald Trampi e Robert Kijosaki. Për këtë qëllim ata i kanë bashkuar forcat si mësimdhënës. Duke e lexuar këtë libër do t’i ndieni zërat e dy burrave, me të kaluar të ndryshme, me vështrime të ndryshme për të ardhmen dhe me dy zëra të dallueshëm. Roberti është një rrëfimtar dhe shpesh në shkrim përdor dialogun. Donaldi është njeri që shkon drejt e në thelb, përdor sa më pak fjalë që të jetë e mundur. Ne kemi përdorur dy lloje të ndryshme shkronjash për t’i shquar këta dy zëra (Për Robertin kemi përdorur shkronjat Garamond, kurse shkronjat Trebuchet për Donaldin).

 

A mund ta lexoni këtë libër duke qenë mendjehapur ?

Nëse mundeni, do ta shihni botën nëpërmjet syve të këtyre burrave të suksesshëm dhe mund ta zgjeroni horizontin tuaj mendor lidhur me paratë dhe se cilat janë mundësitë për të ardhmen tuaj financiare. Ju urojmë të ardhmen tuaj financiare të lirë!

Sharon Lechter

 

Po, ne bëmë një republikë pothuaj të përsosur.

Por a do ta mbajnë të tillë? Apo mos do të ndodhë që në harenë e tyre të bollëkut, ata do ta humbasin kujtesën për lirinë? Kur mungon karakteri, bollëku material është rruga më e sigurt drejt shkatërrimit. Dhe me të vërtetë drithërohem për vendin tim kur e mendoj se Zoti është i drejtë.

Thomas Jefferson