“Të strehonte hebrenjtë nuk paskësh qenë asgjë për familjen Biçaku, përpara persekutimit të egër që do t’i duhej të duronte për miqësinë me ta nga regjimi i Enver Hoxhës. Mikpritja e rrallë do t’i sillte peripeci të shumta dekada më pas…”
Dy Shqiptarë janë Nderuar këtë vit Me Çmimin e Mirënjohjes, për ndihmën hhe përkrahjen që i kanë dhënë Hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në 17 janar, Ditën Ndërkombëtare të të mbijetuarve (International Rescuers Day), Mefail dhe Njazi Biçaku nga Librazhdi janë vlerësuar nga “Lidhja Izraelite kundër Racizmit”-Një organizatë e Hebrenjve në SHBA, pasi gjatë periudhës së Luftës, familja Biçaku strehoi në shtëpinë e saj 26 Hebrenjë.
Kjo organizatë e fuqishme e hebrenjve në Amerikë, me qendër në Nju Jork, prej dy vjetësh nderon me një çmim mirënjohjeje të gjithë ata njerëz, që gjatë Luftës së Dytë Botërore fshehën hebrenjtë, duke u shpëtuar atyre jetën. Vitin e parë të themelimit të këtij çmimi, në 2005, organizata nderoi ish-ambasadorin kinez në Vjenë (Austri) dr. Feng Shan Ho, për dhënien e vizave hebrenjve, duke i shpëtuar ata prej Holokaust-it. Për vitin 2006, ky çmim iu dha dy belgëve, nënë e bijë, Liliane Gaffney dhe Germaine Belline, të cilat edhe ato gjatë Holokaust-it, shpëtuan duke strehuar në shëepinë e tyre 30- jetë hebrenjsh. Ndërsa këtë vit, Fondacioni i Fëmijëve të shpëtuar nga Holokausti. ADL, thotë: se është i lumtur, që në këtë ndarje çmimi, në ditën “Ndërkombëtare të Mbijetuarve” të nderojë dy shqiptare anëtare te familjes Biçaku.
Një rol të rëndësishëm për dhënien e këtij çmimi, familjes Biçaku ka luajtur edhe shoqata e grave shqiptare në Amerikë “Motrat Qiriazi” dhe presidentja e saj, dr. Ana Kohen. Gjatë ceremonisë së dhënies së çmimit folën: Rachelle Goldstein, n/presidente e organizatës “Lidhja Izraelite Kundër Racizmit”; producentja e filmit “Illyria”, Myriam Abramovic; Dr. Ana Kohen; dhe ambasadori shqiptar në SHBA Ardian Neritani. Për të pranishmit u shfaqën edhe sekuenca nga disa dokumentarë filmike. Në sallë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shoqatës se miqësisë Izrael-Shqipëri; grupe lobistësh shqiptaro-amerikanë, të udhëhequr nga ish kongresmeni republikan i Nju Jorkut, Joseph J. DioGuardi – presidenti i Ligës Qytetare Shqiptaro -Amerikane dhe Këshilltarja e Çështjeve Ballkanike, Shirli Cloyes-DioGuardi; krerët e komunitetit; emigrantë nga e gjithë hapësira shqiptare në SHBA; poetë, shkrimtarë, artistë, politikanë e afaristë. Ndërkohë nuk mungonin edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Kombet e Bashkuara dhe gazetarë të medias amerikane.
Hebrenjtë në shtëpinë e Biçakajve
Duke marrë këtë çmim mirënjohje, i biri i Mefail Biçakut dhe vëllai i Njazi Biçakut, Muhamet Biçaku e vlerësoi si një nder të veçantë marrjen e këtij çmimi. “Ky është një rast i rrallë në botë, pasi babai dhe vëllai im megjithëse shumë të varfër vunë në plan të parë mbrojtjen e këtyre njerëzve të pafajshëm, të cilët ishin të kërcënuar nga nazizmi gjerman, duke i strehuar ata në shtëpinë tonë për disa kohë” – theksoi Biçaku.
Historia me hebrenjtë në fshatin Qarrishte fillon në shtator të vitit 1943. “Dimri ishte tepër i ashpër, sidomos në këtë zonë të largët malore dhe binte shumë dëborë” – kujton Muhameti. Për javë të tëra 26 hebrenjtë u strehuan në dhomat e shtëpisë së Biçakajve, duke fjetur bashkë në ato pak dhoma dhe duke ngrënë ato pak gjëra që kishte familja; kryesisht bukë misri, gjizë dhe pasterma (mish të tharë). “Por miqtë ishin në besë. Zakoni, tradita e mikpritja e ka mikun të shenjtë dhe ata nuk mund të dorëzoheshin në çfarëdo rrethane që të ishin”, -rrefen Muhameti, i cili në atë kohë ishte rreth të 20-ave. “Nuk pranonin të rrinin pa punuar, megjithëse miku sado gjatë të jetë mysafir, në bazë të kodit zakonor nuk duhet kurrsesi të punojë” – vazhdon Biçaku.
Pas çlirimit dhe pas gati dy vjetësh qëndrimi në fshehtësi, 26 hebrenjtë mund të lëviznin dhe të iknin nga Qarrishta e largët. Ndarja nuk ishte aspak e lehtë, madje e dhimbshme, pasi të gjithë ishin familjarizuar me njeri-tjetrin. Njeri nga hebrenjtë, Majo Aurest, që tani jeton në Argjentinë, ka madje një kujtim tepër të rrallë nga Qarrishta dhe Shqipëria. Gruaja e tij lindi një vajzë aty në shtëpinë e Biçakajve. Megjithate, hebrenjtë që u strehuan në Qarrishte u shpërndanë nëpër botë; dikush në Rusi, një tjetër në Argjentinë, disa në Amerikë dhe vetëm Rafael Faragi është sot në Haifa të Izraelit, në atdheun e hebrenjve.
Lidhja e Biçakajve me hebrenjtë dhe dënimi nga diktatura
Të strehonte hebrenjtë nuk paskësh qenë asgjë për familjen Biçaku, përpara persekutimit të egër që do t’i duhej të duronte për miqësinë me ta nga regjimi i Enver Hoxhës. Mikpritja e rrallë do t’i sillte peripeci të shumta dekada më pas…
Në vitin 1960, një letër e ardhur nga Izraeli (nga kirurgu Faragi) dhe një album me fotografi nga Argjentina e largët (nga vëllezërit Auresti), të hapura e lexuar nga Sigurimi i Shtetit e përballin Mefailin e Biçakëve me hetuesinë. Jo pak, por 4 vjet rresht, hetuesia dhe qelitë e ftohta u bënë strehë për mikpritësin e hebrenjve. Për shkak të letrave dhe albumit nga Argjentina, ai u persekutua në bazë të nenit famëkeq 55 (Agjitacion e Propagande) dhe u dënua me 8 vjet burg, derisa humbi kujtesen dhe vdiq në qeli nga torturat.
Hebrenjtë e “shqiptarizuar”
Dr. Anan Kohen tregon se si prindërit e saj, gjatë Luftës së Dytë Botërore u larguan nga Janina dhe u vendosën në fshatin Trevllazën të Vlorës, duke ndërruar emrat. Kështu, babai i saj që quhej David mori emrin Daut, kurse nëna Nina u bë Bule! Po ashtu dhe gjyshi e gjyshja. Pas luftës, atyre iu lindën 4 fëmijë. “Lindëm në një qytet mjaft piktoresk, në Vlorë”,- kujton Kohen, e cila mesa duket është përpjekur sadopak të ‘shlyejë’ mikpritjen shqiptare të atyre viteve.
E nderuar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu me medaljen “Për merita të veçanta civile”, “për kontribut të vyer në ndihmë të popullsisë shqiptare, në periudhën e krizës humanitare kosovare; për ndihmesë të çmuar dhënë emigrantëve shqiptarë të sapovajtur në SHBA”, (akorduar në 13 Janar 2004, me propozim të Ministrisë tonë të Jashtme), Ana Kohe: Doktore, kirurge, stomatologe, qytetare amerikane me origjinë izraelite, thotë: “Përkushtimi ndaj vendit tonë, në të cilin ka kaluar një pjesë të jetës së saj, do të jetë i pakursyer dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen”.