Anastas Angjeli dhe Adrian Civici: Drejt një krize të re – energjia, infalcioni, rritje çmimesh, çoroditje e tregjeve…

243

Guvernatori Gent Sejko flet gjatë ceremonisë së promovimit të librit: “Drejt një krize të re”

Sigal


Jam shumë i kënaqur që mbaj në duar këtë libër me vlerë – të tretin në serinë e vëllimeve bashkëpunime të autorëve – të shkruar nga dy profesorë të nderuar, miq të mi, Profesor Angjeli dhe Profesor Civici, përmes të cilit ata ndajnë me të gjithë ne mendime, vlerësime, reflektime, pyetje dhe sugjerime mbi krizat e njëpasnjëshme dhe shumëplanëshe me të cilat po përballemi. E vlerësoj këtë libër gjithashtu si një botim të hershëm në nivel global, në reagim të kësaj “krize të tretë”, siç e quajnë autorët.

Libri diskuton një listë të gjatë çështjesh dhe sfidash me të cilat përballet ekonomia globale dhe ajo shqiptare. Përmes trajtimit të tyre, autorët sjellin para lexuesit vërtetësinë e situatës që po përjetojmë, duke ndjekur kronologjinë e krizave të njëpasnjëshme nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 te pandemia, periudha “post-covidiane”, dhe së fundi kriza e nxitur nga lufta në Ukrainë. Diskutimi i kombinuar i këtyre zhvillimeve dhe efektet e tyre mbi faktorët e prodhimit dhe aktivitetit ekonomik e financiar global përbën boshtin kryesor të librit. Në këtë mënyrë, ata arrijnë të paraqesin një analizë të plotë dhe reale për ngjarjet dhe zhvillimet gjeopolitike e gjeoekonomike. Libri e jep këtë pamje të plotë, duke kryqëzuar të dhënat dhe analizën e ngjarjeve, me historinë dhe sfidat e të ardhmes. Mbi të gjitha, analiza dhe konkluzionet e këtij libri plotësohen nga një tablo e plotë dhe krahasuese e politikave ekonomike, financiare dhe monetare të nevojshme për të përballuar këto sfida.

Kriza e luftës, kriza e sigurisë ushqimore (ku çmimet po rriteshin në mënyrë progresive, madje edhe para sulmit rus mbi Ukrainë), kriza energjetike dhe e lëndëve të para, ngadalësimi i përgjithshëm i rritjes ekonomike, inflacioni, si dhe së fundmi perspektiva e normave më të larta të interesit, po ndikojnë mbi një peizazh tashmë të dëmtuar rëndë nga dy vite pandemi.Ky libër i dedikohet pikërisht ndjekjes të kësaj situate ditë pas dite dhe javë pas jave, duke u munduar t’i japë përgjigje pyetjeve: “Çfarë do të ndodhë? Ku po shkojmë? Çfarë do të ndryshojë?”.

Periudha që po kalojmë është shoqëruar me dyshime, paqartësia mbi kohëzgjatjen dhe pasojat e luftës, pasiguri, qasje të ndryshme, pyetje, paradokse dhe dilema, të gjitha këto të ekspozuara dhe të analizuara me aq profesionalizëm nga autorët në këtë libër. Situatës globale, autorët i vënë përballë situatën në Shqipëri, duke vënë në dukje që asnjë ekonomi në nivel evropian, por dhe botëror, nuk u kursye dhe nuk mund të kursehet nga kjo luftë dhe sfidat gjeopolitike që e përcaktojnë atë.

Analiza projektohet në ekonominë shqiptare për të vlerësuar efektet e mundshme negative mbi çmimet dhe aktivitetin ekonomik. Sfida aktuale me të cilën po përballet ekonomia shqiptare, si pasojë e rritjes së shpejtë të çmimeve të energjisë, të ushqimeve dhe të produkteve bazë në tregjet botërore, ka shtrenjtuar kostot e jetesës së familjeve dhe ka rritur kostot e prodhimit të bizneseve. Po ashtu, paqartësia mbi kohëzgjatjen dhe pasojat e luftës në Ukrainë, ka shtuar pasiguritë në tregjet financiare dhe ka krijuar pengesa të reja në zinxhirët e furnizimit. Prandaj, kjo goditje që ka filluar të transmetohet në ekonominë shqiptare kërkon një reagim të shpejtë, të efektshëm dhe të gjithanshëm të autoriteteve publike, në një situatë me shumë të panjohura dhe me ndryshime të thella ekonomike, politike dhe sociale. Vërej me kënaqësi se sugjerimet e dhëna për politikat ekonomike e financiare, në rastin e Shqipërisë, janë në përputhje me orientimin aktual të autoriteteve shqiptare. Gjej rastin t’i falënderoj autorët për vlerësimin që i kanë bërë politikës tonë monetare kur shprehen se: “Një ndihmë e vyer në këtë drejtim vjen edhe nga politika monetare e kujdesshme e Bankës së Shqipërisë, që po zbaton një politikë të matur të rritjes së (normës) së interesave …, dhe është kujdesur për një stabilitet në kurset e këmbimit të monedhave ndërkombëtare. Kjo pengon ndikimin e stagflacionit (të Eurozonës) në ekonominë shqiptare.” Siç konstatohet nga autorët, Banka e Shqipërisë është në monitorim të vazhdueshëm të situatës.


Fokusi i politikave tona ekonomike e financiare është i orientuar drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, si një parakusht për stabilitetin financiar të vendit dhe për rritje të qëndrueshme e afatgjatë, si dhe në ndihmën ndaj shtresave më në nevojë. Ndodhur përballë një situate me një rritje të shpejtë të inflacionit, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë, Banka e Shqipërisë, në përgjigje të saj, ndërmori një hap të parë drejt normalizimit të politikës monetare në muajin mars, duke rritur me 0.5 pikë përqindjeje normën bazë të interesit.Në të njëjtën kohë, kemi sinjalizuar vullnetin dhe gatishmërinë tonë për të ndërmarrë çdo masë monetare të nevojshme për të shmangur transmetimin e kësaj goditjeje në pritje për inflacion të lartë në të ardhmen. Komunikimi ynë transparent i ka shërbyer qartësimit të publikut mbi kahun e veprimit të politikës monetare dhe ka ndihmuar në kontrollin e pritjeve për inflacionin në tregjet financiare. Në përgjigje të këtyre masave, të duhurat në kohën e duhur, si dhe vazhdimit të monitorimit dhe përshtatshmërisë së qëndrimit të politikës monetare, analizat tona gjykojnë se ekonomia shqiptare ka premisa të mjaftueshme për t’i rezistuar goditjes dhe për të shmangur recesionin. Përkundrazi, Banka e Shqipërisë po bën më të mirën e mundshme, duke monitoruar në vazhdimësi – ashtu siç kanë bërë edhe autorët gjatë “rrugëtimit” të këtij libri, ditë pas dite, javë pas jave – implikimet e përhapjes së krizës në ekonomi, ecurinë e tregjeve financiare, si dhe efektivitetin e masave të marra. Banka e Shqipërisë është e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet që ka në dispozicion, për t’i zbutur efektet e kësaj krize jo vetëm mbi stabilitetin e çmimeve, por edhe mbi stabilitetin financiar dhe aktivitetin ekonomik.Ashtu sikurse theksojnë dhe autorët Angjeli e Civici, sfidat që na presin janë tepër serioze dhe atyre u duhet kushtuar vëmendja e duhur. Këtu nuk e kam fjalën veç për sfidat aktualet, por dhe për ato të reja që përvijohen në horizont, si digjitalizimi dhe inovacioni financiar. Këtyre dy faktorëve autorët, me të drejtë, i kanë dedikuar një seksion të tërë të librit. Sfida të tjera që shpalosen para nesh janë edhe ngrohja globale, plakja e popullsisë apo ndryshimi i modelit të biznesit, si pasojë e tensioneve gjeopolitike. Ju garantoj se Banka e Shqipërisë i ka përfshirë këto sfida në fokusin e politikave afatmesme e afatgjata institucionale, duke kryer studime për t’i kuptuar më mirë ato dhe implikimet e tyre në ekonomi e sistemin financiar.Përballimi i tyre kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, ku të gjithë aktorët publikë, operatorët e sektorit privat, organizatat ndërkombëtare, organizatat joqeveritare dhe akademikët, të bashkëpunojnë, duke marrë vendimet e duhura, në kohën e duhur dhe në mënyrë sa më të koordinuar.Duke mos dashur të zgjatem më tej, dua ta mbyll fjalën time duke shprehur besimin e plotë që, nëse secili nga ne do të bëjë më të mirën, përballimi i kësaj goditjeje do të jetë brenda mundësive tona, dhe prej saj do të dalim më të fortë dhe më të përgatitur për goditje të ngjashme në të ardhmen. Libri “Drejt një krize të re”hap një dritare njohurie për të kuptuar se ku po shkojmë, çfarë do të ndodhë me ekonominë e Shqipërisë dhe të mbarë botës në vitet e ardhshme.

Situatat e vështira nga kriza aktuale globale, mundësinë për të nxjerrë mësime

Delina Ibrahimaj

Ministre e Financave dhe Ekonomisë

Kam kënaqësinë e veçantë dhe privilegjin të jem pjesë e këtij eventi të rëndësishëm  promovues të libritEnergjia, inflacioni, rritje e çmimeve, çoroditja e tregjeve – përballë një krize të re”. Ky libër, i cili vjen në një moment delikat të zhvillimit të ekonomisë botërore dhe asaj shqiptare, paraqet një seri analizash, përballje me faktet dhe ngjarjet më të rëndësishme të krizës që po prek Shqipërinë dhe mbarë botën si pasojë e luftës në Ukrainë. Gjithashtu, botimi i tij vjen pas dy librave të tjerë për krizën e shkaktuar nga Pandemia e Covid-19 dhe përballja me efektet e saj. Më lejoni të falenderoj në veçanti dy autorët e këtij botimi, dy akademikët dhe profesionistët e mirënjohur e me kontribut të paçmueshëm në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Si Ministre e Financave dhe Ekonomisë, si profesioniste i fushës dhe si qytetare i këtij vendi, vlerësoj maksimalisht angazhimin e dy autorëve në analizimin e detajuar të situatës aktuale të zhvillimit të ekonomisë dhe ndjek me interes të gjitha masat e parashtruara për përballimin e krizës. Ky libër, paraqet një punim serioz i cili sjell për lexuesin, atë të thjeshtë, por në veçanti për ekonomistët e financierët, pse jo dhe studentët, një ndjekje hap pas hapi të një krize të re që po kërcënon ekonominë globale dhe padyshim edhe ekonominë e vendit tonë, pikërisht në një moment kur kjo ekonomi kishte filluar rimëkëmbjem e rigjallërimin saj nga kriza e pandemisë së Covid-19.Ashtu siç jemi në dijeni, lufta në Ukrainë po shoqërohet me një krizë të re, e cila padyshim është ndërthurje e disa krizave, të cilat po sjellin pasoja të mëdha në ekonomi e jo vetëm: fillimisht është një krizë energjitike, krizë e ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit me mallra e lëndë të para, gjë e cila ka cënuar dukshëm sigurinë ushqimore. Në të njëjtën kohë, tregjet e mallrave e lëndëve të para si dhe tregjet financiare tronditen herë pas here gjë e cila po shoqërohet me rritje të çmimeve të naftës, gazit, lëndëve të para dhe produkteve ushqimore si dhe një nivel të lartë të inflacionit.Po të shohim në brendësi të librit, këto fenomene janë trajtuar në mënyrë teorike, por duke marrë në konsideratë realitetin kur kjo krizë po ndodh, qëndrimet e institucioneve ndërkombëtare, debatet aktuale të mendimit ekonomik si dhe duke reflektuar e dhënë përgjigje të asaj se çfarë pritet të ndodhë në vijim. Në këto kushte, padyshim që kjo krizë e importuar nuk mund të mos prekë dhe vendin tonë me rritje çmimesh e inflacion në rritje, për adresimin e të cilave, Qeveria shpalli paketën sociale për të zbutur efektet e saj, të cilën autorët e kanë trajtuar dhe analizuar gjerësisht në këtë libër duke e krahasuar edhe me masa të ndërmarra e zbatuara nga vendet e tjera. Përmes masave konkrete me veprim të menjëhershëm, paketa kompenson rritjen e çmimeve të shportës për pensionistët sipas kategorive të përcaktuara, familjet në skemën e ndihmës ekonomike, personat me aftësi të kufizuar. Ofron mbështetje për fermerët dhe bizneset e vogla, si dhe financon mburojën e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla. Për përmirësimin e situatës së krijuar dhe uljen e efekteve të krizës, Qeveria po mbikëqyr me vemendje zhvillimet në vend si dhe reagon hap pas hapi  nëpërmjet mekanizmave lehtësues (ndryshimet me akt normativ). Gjithashtu, në këtë botim, vlerësoj të domosdoshme sqarimet e dhëna për inflacionin, stagflacionin, rritjen e çmimeve si dhe praktikat e instrumentet e ndjekura nga vendet e prekura nga kriza. Paraqitja e këtyre fenomeneve në situatën aktuale ekonomike mundëson analizimin e shkaqeve kryesore të krizës dhe parashtron masat  e rekomandimet e nevojshme për adresimin dhe përballimin e saj. Të nderuar pjesëmarrës, libri që promovojmë sot, na prezanton një situatë të vështirë për të gjithë, por njëkohësisht na krijon mundësinë për të nxjerrë mësime nga kriza aktuale dhe na motivon për të punuar e angazhuar më tej për ta kapërcyer atë dhe për ta çuar vendin në progres të realizueshëm.