Alqi Naqellari: Covid-19 goditi objektivin kryesor shtatanik të Bankës Qendrore. Të ruhet stabiliteti i çmimeve

430
Sigal

Objektivi  kryesor  i  Bankës  së  Shqipërisë  është  të  arrijë  dhe  të  ruajë  stabilitetin e çmimeve

Koronavirusi bëri dëme në njerëz dhe në ekonomi. Për koronën nuk ka vaksinë, për pasojë u përdorën ilaçe dhe mjete të tjera të përdorura në sëmundje apo viruse të tjera. Një pjesë e mirë e tyre dhanë  efekt me pasojë uljen e konsiderueshme  të numrit të vdekjeve në krahasim me parashikimet fillestare.Kjo është një fitore e njerëzimit, edhe në aspektin e krijimit të kohës për zbulimin e vaksinës.

Kjo pandemi dha efektet e veta edhe në ekonomi. Vende të ndryshme në parandalimin e saj përdorën mënyra të ndryshme. E përbashkëta, ishte ngujimi njerëzve dhe mbyllja e aktiviteteve, mbrojtja e kërkesës dhe e ofertës. Goditja e ekonomisë nuk u bë nga faktorë të jashtëm, nga faktorë të lidhur me teknologjinë, por u realizua nga vetë qeveritë të cilat morën në dorë, shpesh, dhe në disa vende frenat e shtetit, duke e konsideruar situatë lufte dhe për pasojë duke aplikuar masa të kësaj situate që nuk mund të aplikohen në kohë paqe. Në këto situata të rënda ekonomike, që morën formën e recesioneve, të krijuara me dashje nga qeveritë, pavarësisht nga shkaku, objektiv apo subjektiv, u pa qartë se çfarë force kishte çdo shtet në përballimin e saj. Dolën në pah strukturat ekonomike të vendeve, faktorët ekonomikë  dhe rezervat e mallrave të konsumit, lidhja e tyre me botën e jashtme, struktura e degëve kontribuese në PBB, struktura e fuqisë punëtore etj. U përballë shteti me kërkesa me ofertën në kuptimin mikroekonomik dhe makroekonomik. Koha tregoj forcën e tij, çfarë mund të bënte Qeveria në aspektin makroekonomik, për të stimuluar njëkohësisht qytetarët, si konsumatorë dhe si faktorë ekonomik, në zbatim të politikave fiskale, që janë instrumente të zbatimit të politikave të saj. Në këtë shkrim nuk do trajtoj politikat fiskale të qeverisë sepse ishin ato, pavarësisht të metave të tyre, që e mbajtën ekonominë të mos pësonte  shok. Do analizoj politikat që zbatoi Banka Qendrore dhe efektet e tyre konkrete, në zbatim të objektivit të saj kryesor.

Banka e Shqipërisë reagoj ndaj situatës që u krijua në ekonominë shqiptare. Ajo harton dhe  zbaton politikat monetare. Pra ajo vepron nëpërmjet parasë, dhe duhej të ishte pikërisht ajo që do të duhej të decizonte në përballimin e pasojave negative, me të njëjtën forcë dhe efektivitet që do të vepronte qeveria, ashtu sikundër  vepruan  edhe bankat e tjera të perëndimit.

Po çfarë kishte mundësi të bënte Banka Qendrore e Shqipërisë në kushtet kur në Shqipëri, objektivi saj është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve, tregues i pa lidhur me rritjen ekonomike dhe rënjen e papunësisë.

Cili është objektivi kryesor dhe instrumentet për realizimin e tij?

Banka e Shqipërisë i ka instrumentet e kufizuar për të vepruar mbi ecurinë e ekonomisë në bllok. Kjo sepse në Ligjin Nr. 8269, datë 23.12.1997 thuhet:

  1. Objektivi kryesor i  Bankës  së  Shqipërisë  është  të  arrijë  dhe  të  ruajë  stabilitetin e çmimeve.
  2. Banka e Shqipërisë,  në  përputhje  me  objektivin  e  saj    kryesor  dhe  mbi  bazën e tregut të  brendshëm bankar, nxit dhe  mbështet zhvillimin e regjimit dhe të sistemit të këmbimeve valutore, tregun e brendshëm financiar, sistemin e pagesave, si dhe ndihmon në përmirësimin e kushteve monetare ekredituese, në mbështetje të stabilitetit dhe të zhvillimeve  ekonomike të vendit.
  3. Objektivat e tjerë të Bankës së Shqipërisë, të kushtëzuara nga objektivi kryesor i saj, duhet të nxisin ruajtjen e likuiditetit, aftësinë paguese dhe funksionimin normal të sistemit bankar të bazuar në parimet e tregut…

Në këto dy pika shihet që Banka e Shqipërisë nuk e ka të lidhur objektivin e saj kryesor me objektiva ose synime të tjera, por thjesht me nivelin e çmimit. Nuk ka ndonjë objektiv të dytë të jetë i lidhur me rritjen ekonomike dhe me nivelin e papunësisë.Edhe në pikën 2 siç shihet synimi i realizimit të nxitjeve, ndihmave, mbështetjeve etj, etj, janë në funksion të objektivit kryesor. Pra objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisëështë qëllim në vetëvete dhe jo synim i lidhur në funksion të rritjes ekonomike, të rritjes së shkallës së punësimit, tëmirëqënies etj.

Ky objektiv realizohet nëpërmjet tre instrumenteve indirekt. Nuk themi 6 instrumente, 3 direkt dhe 3 indirekt, sepse në Shqipëri nuk ka asnjë Bankë Tregtare me kapital shtetëror ashtu si kanë shumica e ish vendeve socialiste të lindjes, Kina, Rusia etj, etj. Këto vende me politikat monetare që kanë aplikuar kanë mundësis shumë më të mëdha të përdorin Instrumentin e REPO-ve ose të normës Bazë të Interesit. Rusia  dhe  Kina në muajin prill e kanë pasur  5% dhe 4%,  në një kohë që “ECB” dhe “Fed” e kanë pasur 0, dhe Shqipëria 0.5.  Nëse edhe Shqipëria do kishte bankë tregtare me kapital shtetëror, do kishte shumë më tepër mundësi të ndikonte pozitivisht në ekonomi. Ajo do kishte instrumentin e kufirit të kredisë, normën e poshtëme të depozitave dhe të sipërme të kredive.

Instrumenti parë që kishte në përdorim BQ – Norma e Rezervës së Detyrueshme. Ky instrument është i kufizuar sepse është garanci e depozitave dhe nuk mund të shkojë zero.

Norma Bazë e Interesit. Ky instrument është thuajse tërësisht i atrofizuar, sepse ka arritur në 0.5%,  pra po tenton zeron. Ulja e tij nuk është përcjellë me të njëjtin intensitet nga Bankat Tregëtare, sepse në përgjithësi ato kanë ulur normën e depozitave dhe shumë pak normën e interesave të kredive në lekë. Më poshtë po japin dinamikën e normës së interesave dhe fitimin e bankave tregtare:

Dinamika e fitimit nga interesat tregohet edhe nga grafiku i mëposhtëm:

Të  dhënat tregojnë se ulja e normës së REPO-ve nuk është përcjellë me të njëjtin intensitet nga BT, sepse ato kanë parë interesin e tyre për maksimizimin e aksioneve. Normat reale të depozitave që nga viti 2015 janë negative, kjo do thotë që depozituesit shqiptarë jo vetëm që nuk fitojnë prej tyre por humbasin. Bankat Tregëtare kanë rruajtur korsën e fitimit, ajo luan nga 4-6% me tendencë rritje pavarësisht nga ulja e normës së REPO-ve. Në dy vitet e fundit normat e interesit të kredive janë rritur duke ardhur ndesh me politikat e BQ.

Instrumenti tretë është veprime në tregun e hapur që është i lidhur me letrat e borxhit. Këto priten përgjithësisht për qeverinë  por Banka Qendrore blen dhe shet edhe sipas interesave të saj. Në kohë krizash financiare ajo bën veprime të tilla si bëri “FED” dhe “ESBC”. Pra duke qenë se i kanë shterur instrumentet e tjerë aplikojnë këtë instrument (Kurth Likuiditeti). Ky instrument  i ka mbetur edhe Shqipërisë, por që ka kufizimin se leku shqiptar, nuk ka funksionin e parasë botërore dhe të gjitha pasojat negative bien mbi ekonominë shqiptare. Kjo do të thotë se rritja e tij do sjellë rritje të inflacionit. Në këtë pikë inflacionin e mbron treguesi i pabarazisë së shpërndarjes së të ardhurave kombëtare. Sa më i madh të jetë ky tregues aq mq pak ka efekt inflacionist nxjerja e parasë në qarkullim. Këtë korelacion pozitiv askush nuk e përmend sepse është i lidhur me polarizimin e ndarjes së pasurisë midis shteresave të popullsisë dhe nxjerrjen e parasë jashtë vendit, si dhe me fenomene të tjera negative në dëm të ekonomisë shqiptare.

Objektivi kryesor i BQ bie ndesh edhe me llogarinë që Banka jep para Kuvendit, sepse ajo vetëm në një pikë përgjigjet për të.

Banka e Shqipërisë përgjigjet para kuvendit për:

  1. a) vlerësimin mbi arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve për periudhën e mëparshme gjashtëmujore, si dhe parashikimin për gjashtë muajt e ardhshëm;
  2. b) vlerësimin e  politikës  monetare,  të  kreditit  dhe  të  këmbimeve  valutore  të  zbatuar nga Banka e Shqipërisë pë periudhën e mëparshme gjashtëmujore;
  3. c) përshkrimin dhe  vlerësimin  e  politikave  monetare,  të  kreditit  dhe  të  këmbimeve valutore që do të ndiqen nga Banka  e Shqipërisë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm;

ç)  përshkrimin  e  parimeve  që  do  të  ndiqen  nga  Banka  e  Shqipërisë  për  hartimin  dhe  zbatimin  e  politikës  monetare,  të  kreditit  dhe  të  këmbimeve  valutore  gjatë  dy  viteve  të  ardhshëm  ose  për  një  periudhë  kohe  që  e  cakton  Banka  e  Shqipërisë.

Shikojini me vëmëndje elementët ku përqëndrohet llogaridhënia, vetëm i pari është direkt i lidhur me objektivin kryesor, tre pikat e tjera janë të lidhur me kreditin dhe me këmbimet valutore. Këto veprime nga ana e tyre kanë lidhje direkte me prodhimin. E para nëpërmjet kredive për investime që ndikon në rritjen e prodhimit dhe i dyti në mbajtjen në kuota të ulta të kursit të monedhës së brendëshme për të stimuluar eksportet.

Banka e Shqipërisë instrumentin e parë nuk e ka më efektiv, sepse ka një pikë të caktuar që ndikon norma e interesit në rritjen e kreditimit. Kjo sepse kreditimii është i lidhur me degët e reja, me rritjen dhe zgjerimin e ekonomisë në tërësi, me sektorin prodhues më shumë seme sektorin e shërbimeve.

Instrumentin e dytë e ka përdorur në dëm të ekonomisë shqiptare, sepse nuk ka stimuluar eksportet por  ka stimuluar importet. Ajo së fundi ka ndrhyrë duke shitur euro në treg, për të mbajtur “lekun të fortë”. Ky është një gabim i madh që bën BQ. Një nga pikat më të forta që ka Kina është se mban juanin të zhvlerësuar ndaj dollarit. Në 2010 ka qënë 6.769J/1$ ndërsa në 2017 ka qënë 6.751J/1$, sot 6.998J/1$. Për kinezët sot do ishte jashtë çdo logjike që ata të forconin juanin sepse forcimi tij forcon importet dhe ul prodhimin. BQ bën veprimin e kundërt.

Lidhja e treguesve sasiorë dhe REPO-ve me normën e inflacionit. Kjo tabelë nuk ka fare nevojë për komente. Koeficienti korelacionit midis treguesve sasiorë dhe normës së inflacionitështë me minus. Kjo tregon se efekti trasmisionit të politikave monetare të BQ është zero.

  Inflacion. Ndryshimi vjetor M3(ml ALL) M2 M1 Dep. All. Me afat Dep.All. Pa afat PjB Pjb%
2008 3.4 815,065.00 549,957.00 287,696.00 262,261.00 91,864.00 195,832.00  
2009 2.3 871,469.50 578,200.00 284,505.50 293,675.90 75,461.80 209,043.70 6.7
2010 3.37 980,283.90 604,500.00 276,898.10 329,090.00 80,368.40 195,059.00 -6.7
2011 1.7 1,070,149.60 647,000.00 281,246.50 370,105.20 81,974.90 194,923.20 -0.1
2012 2.4 1,123,407.80 669,577.10 281,246.60 388,330.50 88,541.50 192,705.10 -1.1
2013 1.9 1,148,980.90 693,172.20 295,876.50 397,295.60 96,983.90 198,892.70 3.2
2014 0.66 1,195,086.30 722,356.70 353,321.70 369,035.00 135,656.10 217,665.60 9.4
2015 1.96 1,216,175.30 722,954.10 384,106.90 338,847.20 153,505.50 230,601.50 5.9
2016 2.18 1,263,453.80 736,944.10 435,432.30 301,511.70 186,175.90 249,256.50 8.1
2017 1.8 1,266,906.90 738,900.00 461,550.10 277,349.90 196,394.20 265,156.00 6.4
2018 1.8 1,264,127.40 731,502.10 478,721.50 252,780.60 203,436.20 275,285.30 3.8
2019 1.16 1,318,662.00 758,021.70 523,968.30 234,053.40 232,559.30 291,409.00 5.9
2020(4) 1.92 1,345,011.40 785,434.60 553,949.40 231,485.10 250,800.50 303,148.90 4.0
K.KOREL   -0.670 -0.699 -0.459 -0.067 -0.467 -0.437 -0.7
2020/2008 % 65.0 42.8 92.5 -11.7 173.0 54.8  

Depozitat në lekë me afat, kanë që nga viti 2013 që bien, nga 397,295.60 ml All në 2020 në 231,485.10 ml All. Kreditë në lekë janë rritur shumë pak dhe përgjithësisht në elementë që nuk ndikojnë në rritjen e investimeve dhe për pasojë të prodhimit.

Inflacioni total dhe Inflacioni mesatar vjetor për muajt janar, shkurt mars dhe prill kanë qenë  respektivisht  1,46 dhe 1.37, 1.23 dhe 1.33, 2.11 dhe 1.42, 1.92 dhe 1.46. Pra edhe në muajt kur kishte problem,  ai nuk arriti as kufirin e poshtëm të objektivit  të Bankës Qendrore.

Pse e kemi quajtur këtë objektiv shtatanik? Këtë objektiv e kemi quajtur shtatanik sepse  është vendosur para kohe. Ky objektiv vendoset nga vende që kanë problem me çmimet, që nuk kanë problem me rritjen ekonomike, sepse janë në produkt potencial, që nuk kanë problem me papunësinë, përkundrazi synojnë të ngushtojnë dallimet midis provincave, krahinave apo distrikteve të tyre. Vendoset në ato vende ku stimulohet fuqishëm industria nxjerrëse dhe përpunuese e cila siguron në zinxhir edhe nxitjen e degëve të prodhimit.

Nëvitin 1997, kur u miratua ligji, ishte problem rritja ekonomike dhe papunësia.Inflacioni nuk ka qënë asnjëherë problem në Shqipëri. Por u pa nga hartuesit e ligjit si një tregues “perëndimor” drejt të cilit ne aderonim. Objektivi, edhe nëse do merej inflacioni duhej detyrimisht të ishte i kushtëzuar me rritjen ekonomike dhe papunësinë, ashtu siç e ka të lidhur Europa dhe shumë vende të tjera. Mund të merrej si model objektivi i ish vendeve socialiste, që ashtu si Shqipëria filluan procesin e tranzicionit drejt ekonomisë tregut. Së bashku me Shehun kemi botuar në “Telegraf” një artikull ku kemi vendosur objektivat e 20 bankave qendrore, ku binte në sy objektivi i ruajtjes së kursit të monedhës në funksion të inflacionit dhe të rritjes ekonomike, ose thjesht stabilitet financiar në funksion të rritjes ekonomike.

Shtetet Perëndimore nuk e kanë pasur shumë problem inflacionin si të tillë, ai u bë problem kur filloj politika monetare të sundojë si teori, kur kartmonedha printohej pa doganë, me synim që pasojat negative të hidheshin në ekonomitë e tjera të lidhura, kur paratë, konsumi, të mbështetura në teorinë Keynsiane, filluan të shikohen si mjeti kryesor në nxitjen dhe zhvillimin e ekonomisë.

Po Europa që u mor në konsideratë për Objektivin kryesor, çfarë kishte, çfarë kishte Gjermania ose Franca, çfarë kishte BQE-ja e mëvonëshme? Në Europë: Në Nenin 127 thuhet.“Objektivi kryesor i Sistemit Europian të Bankave Qendrore (në tekstin e mëtejmë “ESCB”) do të jetë ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Pa paragjykuar objektivin e stabilitetit të çmimeve, “ESCB” do të mbështesë politikat e përgjithshme ekonomike në Union me qëllim që të kontribuojë në arritjen e objektivave  të Unionit.  Këto përfshijnë ndër të tjera “punësim të plotë” dhe “rritje të ekuilibruar ekonomike”.

Pra inflacioni për europianët nuk është qëllim në vetëvete, por është i lidhur në mënyrë funksionale me rritjen ekonomike dhe rënjen e papunësisë.

Në përfundim mund të themi se: Disa nga pasojat negative të objektivit dështak të BQ janë: ulja e ndikimit në treguesin e inflacionit, kalimi i ekonomisë shqiptare në “kurthin e likuiditetit”, ndryshimi i strukturës së përdorimit të depozitave në favor të instrumenteve të borxhit, ulja e depozitave në tërësi dhe depozitave në lekë në veҫanti, ulja e fuqisë blerëse të depozitave, ulja e kredive dhe ndryshimi strukturës së tyre duke rrudhur investimet prodhuese, zhvlerësimi euros, rritja e Deficitit Tregëtar etj, etj.

Në këto kushte, ndikim kanë vetëm politikat fiskale.Që politikat e Bankës Qëndrore të bëhen efektive me ndikime konkrete në treguesit e ekonomisë duhen bërë ndryshime thelbasore.

Së pari, të ndryshojë objektivi kryesor i saj duke pasur objektiv kryesor stabilitetin e monedhës dhe rritjen ekonomike, së dyti, të krijohet një bankë tregëtare me kapital tërësisht shtetëror në mënyrë që të mbështesë politikat monetare dhe sektorët kryesorë të ekonomisë.