Albert Zholi: Kosova, dashuria e madhe e Reshat Arbanës

190
Sigal

KOSOVA, dashuria e madhe e Reshat Arbanës

  • Reshati kujton se në kohën e sistemit monist dëgjonte me kërshëri shoferët e “Albaniave”, që kalonin transit në Kosovë.
  • – Njerëzit e thjeshtë i përshëndetnin, kur i shihnin shoferët tek përshkonin rrugën e qyteteve kosovare.
  • – E paharruar për të do mbetet shfaqja e parë, në qytetin e Prizrenit ku  u desh ta shoqëronin e t’i hapnin rrugën forcat e sigurimit të UÇK-së.
  • – Në altoparlant u dëgjua: “Në stadium po hyn Reshat Arbana.” I gjithë stadiumi shpërtheu në duartrokitje.
  • – Surpriza që i bënë në Pejë me Natasha Lakon, kur kishte 65-vjetorin.
  • – Vargjet e Ali Asllanit në poezinë “Hakërrim” janë goditëse dhe ia kërkojnë vazhdimisht në Kosovë.

Kosova është dashuria e munguar. Dashuria e copëtuar. Kosova është pjesë e ashtit që u përgjysmua nga fuqitë e mëdha. Por Kosova mbetet dashuri. Dashuria e të parëve, dashuri për dikë që ka një gjuhë. Dashuri për njerëz patriotë. Është gjak, është histori, është adrenalinë. Është peng. Është trimëri. Është prejardhje. Gjithënjë i ka vizatuar kosovarët si pasardhës të drejtpërdrejtë të Mujit dhe të Halilit. Burra trima. Vasha plot hire. Dhe shumë dashuri për trungun shqiptar. Reshati është tërhequr gjithmonë nga historitë atdhetare. Dhe të tillë shembuj ka plot Kosova e begatë. Libri për Azem dhe Shote Galicën, shkruar nga Ajet Haxhija dhe jetëshkrimi i historisë të Isa Boletinit nga Skënder Luarasi si dhe, luftëtarëve për çlirim kombëtar me prijësa dhe udhëheqës, që kanë bërë emër, që ia vlejnë të hyjnë në analet e historisë për trimëri e besnikëri ndaj atdheut. Nuk ka fisnikëri më të madhe se t’i shërbesh atdheut me gjakun tënd dhe të japësh jetën për të. Është dashuri sublime. Sot të japësh jetën për atdheun duket si një rudiment historik, sepse të rinjtë nuk e kanë vuajtur pushtimin dhe çizmen shtypëse. Ndërsa djemtë e Kosovës janë rritur më këtë frymë, dhe atdheun e kanë të shenjtë si mëmën, gjakun e tyre.

Kosova ishte një mollë e ndaluar për shumë vite në Shqipëri. Reshati kujton se në kohën e sistemit monist dëgjonte me kërshëri shoferët e “Albaniave”, që kalonin transit në Kosovë.  Tregimet e tyre ishin vërtetë, intriguese. Ata tregonin se si njerëzit e thjeshtë i përshëndetnin, kur i shihnin tek përshkonin rrugën e qyteteve kosovare. Tregonin se si ndonjëherë kur parkonin apo ndalonin për ndonjë defekt, apo për të blerë diçka, vinin t’i takonin ashtu me frikë e kënaqeshin kur i jepnin dorën e ishin të lumtur, tek i dhuronin ndonjë shenjë të vogël si kujtim.

Takimet e tyre bëheshin gjithmonë me sy e veshë hapur, se mos i shikonte ndonjë, polic a punonjës i SUP-i, UDB-, Min. Punëve të Brendshme…

Në vitin 1981, marrëdhëniet artistike me Kosovën do ndërpriteshin dhe vëllezërit e të njëjtit gjak do të vuanin në regjimin shovinist të Sllobodan Millosheviçit. Një periudhë vërtet e gjatë, plot persekutime e shtypje të paimagjinueshme. E kjo politikë intriguese, kjo dhunë e diktaturës fashiste, urrejtja e grumbulluar e revolta popullore bëri që të shkrepte pushka e parë e urrejtjes, që zgjoi popullin, zgjoi Evropën e botën e qytetëruar dhe u tregoi se politikat e të ndenjurit indiferent kishin marrë fund. Tashmë fjalën e kishte kryengritja e armatosur. Sinjalin apo nisjen e parë e dha pushka, rezistenca dhe sakrifikimi i familjes Jashari me prijësin dhe heroin legjendar Adem Jasharin. Dhe të rinjtë e populli kosovar u ngritën kundër diktaturës. Lindi dhe u formua UÇK me djemtë më trima. Një luftë e pabarabartë, e cila u mbështet nga Nato. Lufta bëri që të fitohej e shumëpritura liri e ëndërruar. Ajo u arrit, me mund, sakrifica e shumë gjak. Kosova u çlirua nga shtypja më barbare e kohës, erdhi liria e bekuar. Në themelet e saj u vu gjaku, i trimave luftëtarë, atyre që dhanë jetën e sot prehen pranë njëri-tjetrit, në tokën e përgjakur ndër shekuj të Kosovës martire.

Kosova doli në liri.

Çlirimi i saj, solli një marrëdhënie tjetër të Reshatit me Kosovën. Vajtjet e ardhjet tashmë ishin të shpeshta. Ftohej në çdo përvjetor të rënies së dëshmorëve, përvjetorët e çlirimit të qyteteve të ndryshme të Kosovës, e për kujtimin e përpjekjeve e betejave në vende të ndryshme.

E paharruar për të do mbetet shfaqja e parë, në qytetin e Prizrenit. Shfaqja do bëhej në stadiumin e qytetit. Stadiumi ish mbushur përplot brenda dhe jashtë, turma brohoriste. Ai arrin pak me vonesë, dhe u desh ta shoqëronin e t’i hapnin rrugën forcat e sigurimit të UÇK-së, veshur me uniformë. Para printe një djalosh i gjatë, shpatullgjerë si vigan përrallash:

-Hapni rrugën – fliste djaloshi. – Hapuni se po kalon baca Reshati.

I kujtohet se bashkë me të ishte dhe një senator i huaj, i shoqëruar nga përkthyesi i tij. Kur iu afrua derës së hyrjes, ndodhi ajo që absolutisht nuk e priste. Në altoparlant u dëgjua “Në stadium po hyn Reshat Arbana.” I gjithë stadiumi shpërtheu në duartrokitje. Të gjithë në këmbë. Emocione të patreguara. Përkthyesi i senatorit thotë:

-Baca Reshat…Zoti senator po pyeste se kush është ky artist. Qenka shumë i dashur për popullin. Duhet të jesh i lumtur për këtë vlerësim.

Një koncert madhështor ku të dridhej mishi nga brohoritjet e ovacionet. Pas këtij koncerti, të tjerët erdhën me radhë. Çdo javë, por dhe dy herë në javë duhet të udhëtonte për në Kosovë, sepse kërkesat ishin të shumta. Rruga atëherë ishte strapacuese, por kënaqësia që ndiente aty, ia hiqte velin e lodhjes si me magji. Pas përfundimit të koncertit e kishte shumë vështirë që të largohej nga vendi i koncertit. Të gjithë shtyheshin e i luteshin, për një autograf, për një fotografi. Kjo situatë përsëritej çdo herë, në të gjitha koncertet e organizuara në të katër anët e Kosovës. Kjo ndodh ende sot. Nuk rri dot pa treguar një ngjarje tjetër interesante që i ka ndodhur në qytetin e Pejës. Ishte një surprizë për të, që nuk e kish imagjinuar kurrë.

Pasi mbaruan koncertin, bashkë me poeten Natasha Lako, vajtën në një restorant në hyrje të Pejës. Darka kaloi bukur mes vendasve që gazmendnin lokalin. Po shkonte ora 24.00 kur papritur  u fikën dritat. Reshati i thotë pronarit që ish pranë:

-Ç’patën more burrë i dheut?…Tashti e gjetën…?

-Vendosin ata, të huajt, baca Reshat, nuk e kena na në dorë.

Por pas 2 minutash nisi kënga, Aleluja. Atij nuk i shkonte aspak ndër mend se ç’po ndodhte. Ata që mbanin tortën u drejtuan në tavolinën e tij e ia  vunë përpara. Në tortë ish shkruar: Gëzuar 65 vjetorin, Baca Reshat. Sinqerisht që, ishte diçka surprizuese.

Vargjet e përgatitura në vitin 1998-99 kishin hyrë në shtëpitë e kosovarëve. Nuk i harrohet një ditë, tek po rrinte në aeroportin e Prishtinës duke pirë një kafe në sallën e tranzitit. Ushtoi zëri i tij:

– “M’kamë, bre burra, n’kamë!

Ç’ka jini fshehur ndër furka t’grave,

si do rrole t’kqija?  Etj, etj.

 

Ngre kokën dhe u përpoq të zhbirilonte nga vinte zëri. Ishin një grup djemsh, që e përshëndetën edhe e ftuan pranë tyre me brohoritma. Ata kishin vënë CD me vargjet e tij. Kur u ngrit për të vajtur te djemtë, njerëzit që kalonin në transit, shpërthyen në duartrokitje dhe mbetën në këmbë,  deri sa ai u ndodh para djemve, që pasi u përshëndet me ta, e ftuan të pinin diçka.  Recitimet e tërhiqnin për shkak të vargjeve, vërtet të fuqishme, shpërthyese, patriotike e shumë të bukura, shkruar nga i madhi Gjergj Fishta. Mesazhet e vargjeve të poezisë, ata i frymëzonin, i jepnin fuqi e besim të mendonin e të shihnin se ku qenë, ku ndodhen në krahasim me ato që kërkonte autori;nëpërmjet thirrjeve të tij të fuqishme e plot ngarkesa psikologjike, në ndihmë të kombit.

E njëjta gjë i ka ndodhur dhe në aeroportin e Ljubjanës, në Slloveni. Shkonte për në Zvicër, dhe po qëndronte në transit deri sa të vinte ora e fluturimit. Shoqërohej me dy qytetarë nga Tirana dhe po pinin kafe. Kur shpërthen zëri i tij që mbështolli krejt sallën e transitit. Shokët e panë në sy Reshatin dhe ato u çuditën krejt. Të habitur duke ngritur supet e shqyer sytë me heshtje. Njëri i tha:

-S’po marrim vesh asgjë.

Hani pini dhe rrëmbeni:

është botë e çakejve

Hani pini dhe rrëmbeni:

është botë e maskarenjve.

Dhe u ngrit në këmbë për të parë ndonjë reagim. Më pas dëgjon dikë që thotë:

-Vargjet e Ali Asllanit në poezinë “Hakërrim” janë goditëse. Hajde, hajde Reshat Arbana!

Ishin katër burra, tek të dyzetat. Ishin vlonjatë.  Përshëndetet me ta dhe ata i urojnë jetë të gjatë. Dhe nuk kalon shumë kur në tavolinë i vijnë birrat, e porositura prej tyre.

Apel njerëzor

 Kapuni mbas vlerave, ushqeni në radhë të parë dashurinë për veten, dashurinë për tjetrin, besimin tek vetja. Kapuni pas mendimeve pozitive. Mendimet pozitive janë ata që e shpien shoqërinë në caqet që dëshiron të shkojë ajo. Lërini mendimet negative, asgjë të mirë nuk sjellin! Negativet sjellin veç sëmundje, veç grindje, veç rrahje, veç zënka. Pra duajeni më shumë njëri-tjetrin, çmojeni më shumë atë epitet të bukur -“vëllezër shqiptarë”, çmojeni, vlerësojeni, zbatojeni sa të mundeni, jo me një orë a dy orë në ditë, por tërë ditën. Të jemi tamam vëllezër, të ndërtojmë marrëdhënie vëllazërore me njëri-tjetrin, t’i godasim gjërat e mbrapshta. Edhe kur të duam të bëjmë ndonjë vërejtje, të dimë si ta bëjmë…të qëllojmë me pambuk..Vetëm kështu do të përparojmë dhe do të lulëzojmë për të çuar në vend amanetin e të parëve, amanetin e rilindësve. Jemi një komb me histori që bota na studion me kërshëri, ndaj sot më tepër se kurrë nuk duhet të zhbëhemi, por të ndërtojmë urat e miqësisë mes vetit, mes vendeve të tjera, që koha të na japë vlerësimet e duhura, për të qenë një familje dinjitoze në familjen e madhe Europiane.

Filmografia