100 vjet marrëdhënie diplomatike. Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë çel “Javën Amerikane në UMSH”

Nën kujdesin e Presidentit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Akademik,Prof.Dr.Anastas Angjeli, çelet ekspozita “Java Amerikane në UMSH”

Sigal

 

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë çeli sot Javën Amerikane në UMSH me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ekspozita fotografike e vendosur në hollin e Universitetit, hapi siparin e akiviteteve të përgatitura nga stafi i Universitetit Mesdhetar, nën kujdesin e veçantë të Presidentit të tij, Akademik. Prof. Dr. Anastas Angjeli. Ai u shpreh se rëndësia e marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, është historike dhe e tillë do të jetë edhe në të ardhmen.

Historiani i njohur si dhe Drejtori i Shkollës Doktorale, Prof. Dr. Paskal Milo, në UMSH, i cili përgatiti këtë ekspozitë u shpreh se ajo reflekton përmbajtjen thelbësore, të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në një shekull. Profesor Milo, bëri një përshkrim të espozitës dhe momentet e spikatura të zgjedhura me kujdes në një periudhë më shumë se 100 vjeçare, kur shqiptari i parë i identifikuar arriti në SHBA deri në ditët e sotme kur këto marrëdhënie janë në një nivel shumë të lartë.

Ekspozita synon të nënvizojë dinamikën e këtyre marrëdhënieve, rrënjët e tyre, por edhe faktorët e arsyet që kanë ndikuar në ecurinë e tyre. Dokumentet dhe fotografitë e ekspozitës janë dëshmi e pakontestueshme, që ndriçojnë rrugëtimin shekullor dhe progresiv të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Ato mbi të gjithë shprehin, respektin dhe mirënjohjen e shqiptarëve për SHBA, për gjithçka ato kanë bërë dhe po bëjnë për Shqipërinë. Java Amerikane në UMSH do të vazhdojë deri në 15 korrik. Në ambientet e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë dhe jo vetëm, do të organizohen disa aktivitete me qëllim sjelljen më pranë studentëve, të rinjve dhe publikut shqiptar aspekte të politikës, kulturës dhe artit amerikan, të cilat do të përmbyllen me Konferencën Shkencore, të organizuar nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë me temë “100 vjet marrëdhënie shqiptaro-amerikane 1922-2022”. Në këte ditë të parë morën pjesë të ftuar nga Akademia e Shkencave, universiteteve, pedagogë dhe studentë të UMSH, përfaqësues të mediave, diplomatë.