Albert Habazaj:Kontributi i gruas shqiptare në Luftën e Vlorës

507
Sigal

 

 Edhe historia, por sidomos folkori shpalos krenarisht pjesëmarrjen aktive dhe ndihmën e madhe të grave, pa të cilën fitorja e Luftës së Vlorës mund të vihej në diskutim. Këngët vënë në dukje kontributin e grave, të “gjalmëzezave”, që “kishin pjellë e bërë drëra”. Ato ishin krah luftëtarëve, gjithashtu me “dyfek e sëpatë në dorë” a pranë tyre duke hapur llogore, duke u shpurë “bukë, ujë e fishekë”, a duke u lidhur plagët të plagosurve. Më Njëzetën, gruaja u bë shoqe e pandarë lufte e burrit. Nuk morën pjesë vetëm gratë labe në këtë luftë. Ja si e pasqyron shtypi i kohës: “Në Vlonë shkuen nga shumë vise edhe zonja për të bamë shërbime infermierie. Zonja e doktor Krastës nga Elbasani asht njena nga të parat që me vullnet të vet shkoi në Vlonë për me ua kushtue shërbimin e vet luftëtarëve të plagosun…Gratë e Elbasanit i hoqën vathët nga veshët dhe unazat e gishtave dhe i dhanë për atë qëllim”.

Këngët sjellin edhe jehonën e ndërmarrjeve luftarake të grave heroina si Sado Koshena, Rubie Hosi, Safe Musai, Zakine Krasta, Hanko Metja, Tushe Hosja, Hamide Mançaj etj., “Trimëreshat që bë’ nëna/ Luftuan e s’iu tund këmba”. Jo vetëm përkushtimit të infermieres Rukie Krasta, që erdhi vullnetare nga Elbasani dhe vraponte nga një llogore në tjetrën për mjekimin e të plagosurve, në ndihmë operative të mjekut Shezai Çomo, nga Libohova, i cili mori pjesë në luftë edhe me armë në dorë, siç e këndon dhe kënga, por gjithë vullnetarëve të ardhur nga Skrapari, Devolli, Korça, Kavaja, Çamëria, gjithë shqiptarëve, që dhanë një kontribut të vyer me luftën që bënë, me ndihmat materiale që prunë, me gjakun që derdhën për çlirimin e zonave të pushtuara të qytetit dhe trevave të tjera shqiptare, populli i Vlorës dhe i krahinave përreth, për hir të së vërtetës, përjetë duhet t’iu shprehë mirënjohje, nderim e respekt.

Veterani Hysni Berdaj shkruan: “Në ndihmë të luftëtarëve qe edhe ulërima e Xhiko Alies në Buzujk, që grumbulloi menjëherë bashkëfshatarët, të cilët i kthyen forcat armike nga rrethues të një pjese të çetës patriotike të Sali Vranishtit, ku bënin pjesë edhe shumë tërbaçiotë, në të rrethuar e të asgjësuar. Gratë stanore të Tërbaçit në Shashicë, gjatë Luftës së Vlorës më 1920, nëpër plumba e gjyle, furnizonin çetën e fshatit me ushqime, municione, ngrinin në krahë të plagosurit dhe i mjekonin në stanet e tyre siç na e pasqyron kënga: “Eni shoqe t’i ndihmojmë,/ Vëllezërve që lëftojnë,/ Të dalim breg më breg,/ T’u shpiem buk’e fishekë,/ Të hapim ndonjë hendek…

Gra të tilla, jo vetëm që e çuditën armikun, por e tmerruan me vetitë e tyre burrërore. Thonë se, kur i paska parë gratë maleve me pushkë, Ulise Bozua, i cili kishte vajtur në Drashovicë, si i deleguar për të bërë marrëveshje me krerët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, ka ikur prej andej i lemerisur dhe, kur është kthyer në Romë, sikur u paska thënë padronëve: “O mbret, qysh do bëjmë na?/ Albania ësht’ e fortë./ Lëftojnë burra e gra/ Atje hauri ka zotë!

Emri i grave, sikurse i burrave shqiptarë që bënë Njëzetën, do të ngelet përmendore në historinë e Shqipërisë dhe do të zbukurojë si margaritar këngët epike të folklorit shqiptar: “Në luftën me Italinë,/ Luftën e Njëzetës – ë,/  U bashkuan – ë në çetë/ Gjashtëdhjet’ bolenas – ë,/ Trimëresha Rubi Hosi/ Shkoi bashk’ me çetën – ë,/ Kra’ me burr’ e me kunanë,/ Toton e Kafazin – ë,/ Bënë trimëri të rrallë/ Në qaf’ të Kaninës – ë…”. Rubie Hosi ishte e shoqja e trimit Toto Hosi, komandant i çetës së Bolenës, i cili ra heroikisht gjatë LV, dhe, Rubia, që iu ndodh pranë nuk e qau me ligështime, po nisi një këngë vaji me ligjërime. Këtë sythëz tematik do ta trajtojmë më gjerë në vijim. Ja një tjetër këngë; “Sado moj, Sado Koshena,/ Jeshe rritur në Ravena,/ Keshje pirë ujë bore/ N’ato kullotat verore./ Mbi polkë veshe gjerdanë,/ More përpjet’ Llogoranë,/ Me një maliher të gjatë,/ Luftove  me ditë e natë./ Ti vëlla keshje dyfekun,/ Me plumba e prite grekun,/ Hape zjarr mbi italianë,/ Se të zaptuan vatanë.”Kënga, në vetëm 12 vargje, na jep informacion të hollësishëm për veshjen e saj, për armatimin që përdorte; marrim vesh se ajo është rritur në Ravenën e bukur me kullota verore në malet e Karaburunit të Dukatit; njoftohemi për luftën që ajo ka bërë kundër shovenëve grekë më Katërmbëdhjetën dhe kundër pushtuesve italianë më Njëzetën. “Atje përposh, n’ato ura,/ Po lëftojn’ burrat mi burra,/ Gjorm e Kot’ e Drashovicë,/ Plot’ me gjak lumi Shushicë./ Po lëftojnë edhe gra,/ Lumthi vëndi që i ka,/ Nga Dukati Sadoja,/ Sadoja Kosheneja,/ Që ish’ grua përmi gra”, na informon një tjetër këngë. “Sado Koshena nderoi jo vetëm Hamzajt nga qe bijë, por edhe Koshenajt ku shkoi nuse, gjithë Dukatin e Labërinë, duke u bërë simbol kombëtar i atdhedashurisë të gruas shqiptare, sepse “në malet me trëndelinë, kishte thithur trimërinë” dhe shpallet “Heroinë e Popullit” për merita të shquara kombëtare. Busti i saj në qendër të fshatit lart krenaron historinë për brezat.”

Një botim më i vjetër, kontributin e grave në LV, që dhanë një ndihmë të madhe me dërgimin e municioneve, përgatitjen e shpërndarjen e bukës dhe veshjes, herë – herë edhe duke marrë pjesë drejtpërdrejt në luftime, na e jep me këtë tablo folklorike: “Ç’kanë malet që rënkojnë?/ Moj nëno, nëne! [refreni]/ Nga tromopilat që shkojnë,/ Nga topat që na qëllojnë,/ Ballonat që fluturojnë,/ Nga bumjet që na lëshojnë,/ Trimat tanë po lëftojnë!/ Le të dalim dhe ne gratë,/ Të marrim peshqir e napë,/ T’u njëmëm buzën e thatë,/ T’u shpijem buk’ e fishekë,/ T’u hapim ndonjë hendek!/ Kush ësht’ burrë – shesh për shesh,/ Kush të vritet, le të vdesë,/ Kush të rroj’ me nder të jesë,/ Vatanin do ta qerdhesë.” [“KËNGË popullore historike”, bot. i ISH, IHSH, Mihal Duri, Tiranë, 1956, nr. 299, f. 307.]

Prof. Bardhosh Gaçe thekson edhe kontributin e grave të Velçës në Luftën Kombëtare të Vlorës. Ato ndihmuan burrat e vëllezërit e tyre në front, duke i furnizuar me municion, ushqime e veshmbathje, ku përmenden  gratë e shquara të fshatit Velçë si: Metullahe Zhabaj, Taibe Begaj, Xhurxhi Shollaj, Labikë Demaj, Sadike Hoxhaj etj. Studiuesi vë në dukje sidomos ndihmesën e Hamide Mançaj, që krahas simotrave të saj, kishte edhe frymëzimin poetik dhe nderohet ndër vajtojcat e njohura të traditës labe, që thurte vargje për bëmat e të afërmve dhe të luftëtarëve velçiotë, ajo qe nikoqire e rrallë, punëtore dhe endëse e talentuar e tezgjahut. Hamideja mbahet mend në ballë të grave luftëtare të Velçës, “duke patur pranë vetes edhe vajzën e saj, Miserdhe, disa herë shkoi në frontin e luftimeve në Kotë, Drashovicë e Vreshtat e Mëdha, duke transportuar armë e ushqime për luftëtarët”

Ka edhe materiale arkivore që flasin për rolin aktiv të gruas labe dhe në përgjithësi të gruas shqiptare në LV. “Kur u përhap lajmi në gjithë Shqipërinë, se do të fillonte kryengritja e përgjithshme,- shkruhet në një artikull, botuar në rev. “Nëndori”, nr. 8, 1960, – për të luftuar imperialistët italianë, në Vlorë dhe në shumë qytete të tjera u formuan komisione për të mbledhur ndihma në favor të luftëtarëve. Në këto komisione shumica ishin gra, të cilat dhanë florinjtë e gushës, byzylykët, vathët dhe unazat për të ndihmuar vëllezërit e tyre që luftonin”. Po gratë nuk e ndihmuan luftën vetëm materialisht. Ato muarrën edhe vetë pjesë në luftë me pushkë në krahë. Zekine Krasta, kur pa se i biri i saj u nis për t’u bashkuar me shokët maleve, rrëmbeu pushkën dhe e ndoqi nga pas. Kurse Safe Musai, si përcolli për në Beun të kunatin, Selam Musanë, i tha se do të nisej edhe ajo, me shoqet e saj, sapo të siguronin armë. Dhe ashtu bëri. Ajo nuk qau, por diti të ligjërojë me këngë vaji si burrneshë, kur i kunati ra si i kishte hije trimit, në ballë të luftës. Edhe pse s’la fëmijë pas, Selam Musai la emër, lavdi e shembull për të tjerët. Iu kënduan këngë më shumë se çdokujt tjetër, sepse, si duket, ai i kishte buzët te kënga, ballin te lavdia, ndaj fluturon në vargjet e këngës, si në krahë të legjendës: “Lule, Selam Labi, Selam Salaria!”