Abaz Hoxha: Një princeshë e Ilirisë në qendër të një filmi danez

290
Sigal

Kjo dramë është mbështetur në tregimet e shkrimtarit të madh danez Hans Kristian Andersen

Në dhomën tonë të pritjes, në Tragjas, kishin ardhur disa shokë të babait dhe ishin shtruar në muhabet. Unë dhe Kujtimi, vëllai im më i madh, herë pas herë vërtiteshim nëpër shtëpi, hynim e dilnim nëpër dhomë. Babai im, Tahir Hoxha, mësues dhe drejtor i shkollës së fshatit, po u fliste atyre në një çast për disa shtete të largëta që quheshin Skandinavi. Kjo m’u duk si një përrallë : më tërhoqi vemëndjen dhe u ula në karrike dhe po dëgjoja tregimet e babait. Ai përmëndi emrin e një fisi që më tingëlloi si legjendë, fisin e Vikingëve, që më mbeti në mend për shumë kohë. Kur shkova në Vlorë në shkollën tregëtare në vitin 1941, një ditë një mik i babait m’u afrua përshëndeti e më puthi dhe më mori për dore në dyqan ku më bleu një çokollatë. Mbasi ai u largua e hapa letrën mbështjellëse dhe më befasoi një fotografi e një vajze të bukur me sy të përgjumur, shikim depërtues që të rrëmbente me shikimin e saj. Mbrapa saj ishte shkruar Greta Garbo. E shikova gjatë këtë fotografi, disa herë gjatë ditës, dhe kur ua tregova shokëvet të shkollës ata më rrethuan dhe më vunë në mes të habitur nga fati që kisha patur që më ra në dorë kjo fotografi e rallë. Djemtë e qytetit që kishin pasur mundësi të shifnin shumë filma e dinin kush ishte Greta Garbo ndërsa unë, deri në atë kohë, nuk kisha parë asnjë film. Pa dashur u bëra njeriu i ditës. Më ofronin shumë fotografi të tjera në shkëmbim me Greta Garbon, dikush Çarli Çaplinin dhe dy aktorë të tjerë vetëm për Gretën. Të them të drejtën as aktorët e tjerë nuk i kisha dëgjuar se vija nga fshati dhe filma nuk kisha parë ende, por befas e ndjeva veten të privilegjuar që kisha në dorë një pasuri të rrallë. Një djalë më i madh tha se kishte parë në Fier një film që titullohej “Mbretëresha Kristinë” ku rolin kryesor, atë të mbretëreshës, e luante Greta Garbo. Ishte një histori e rrallë kur mbretëresha e Suedisë largohej nga froni për të shkuar me një të dashurin e saj. Ky tregim më afroi më shumë me këtë virtyt të lartë që e ngrinin në piedestal skandinavët, për vlerësimin e dashurisë mbi çdo gjë. Vikingët, Greta Garbo dhe Suedia u bënë për mua personifikim i legjendës, bukurisë dhe dashurisë së pastër që mbi çdo gjë vinin njeriun dhe jo pasurinë. As nuk më shkonte ndërmend atëhere se do lidhesha aqë shumë me ato vende të largëta dhe me Greta Garbon për të cilën do të shkruaja edhe librin “Vajza që u kthye në legjendë”(2003).


Shumë vite më vonë, kur studioja në Universitetin e Pragës, pashë atje një film suedez me titull: ”Kërceu vetëm një verë” ku rolin kryesor e luante aktorja Ula Jacobson. Ishte një film subjekti i të cilit kishte në qendër kritikat karshi autoriteteve dhe klerit në një qytet provincial dhe përsëri në qendër ishte edhe dashuria e pastër, që sundonte midis dy të rinjve që loznin rolet kryesore. Po të njëjtin vit ndoqa një film dokumentar që tregonte për Kampionatin Botëror të Hokejit, që zhvillohesh në Suedi. Më bënë përshtypje disa kuadro që jepnin fusha të tëra me parkimin e mijra biçikletave dhe sipër tyre çantat e pronarëve, që qëndronin me ditë të tëra mbi to dhe nuk i prekte njeri. Dikush me tha se në vendet skandinave prej mbi 100 vjetëve nuk egziston vjedhja, mbasi dikur një mbret suedez nxori një ligj që kur vërtetohesh se kishe vjedhur të pritesh dora. Dukesh si ligj makabër por në vite ajo u bë një edukatë e qytetarëve për të hequr nga lista e veseve të këqija fenomenin e vjedhjes jo vetëm për faktin se të pritesh dora por më tepër për arsye se ishte një dënim moral që të ndiqte pas gjithë jetën se kur të shikonin të tjerët me dorë të prerë donte të thoshte se dikur ke vjedhur. Vite më vonë Ndoc Gjetja më dha për reçencë një shkrim për kinematografinë e vendeve skandinave e mora me kënaqësi. Por tashmë kisha filluar të merresha me historinë e kinemasë botërore dhe kisha lexuar pak edhe për kinemanë skandinave dhe u pasionova pas saj mbasi ishte një nga të parat që kishin lënë gjurmë të thella në historinë e kinemasë botërore.

Por nuk më shkonte ndërmend që në Danimarkë të xhirohej një film artistik që në vitin 1922 në qendër të të cilit ishte Iliria dhe një princeshë Iliriane. Kjo më tërhoqi vëmëndjen dhe u mundova të gjeja shkaqet që një vend i largët i veriut të vinte në qendër të subjektit të filmit Ilirinë. Zbulova se kjo nuk ishte një rastësi dhe se filmi danez hidhte dritë mbi disa lidhje të lashta të vendeve skandinave me Ilirinë dhe origjinën e shqiptarëve. Nuk mund të lihet në harresë fakti që albanologët e parë janë skandinavët. Kështu p,sh Hans Erich Thunmann (1746-1778) historian suedez, ishte një nga albanologët e parë, profesor në Universitetin e Halles në Gjermani. Ai arriti në përfundimin se shqiptarët mesjetarë janë vazhduesit autoktonë të popullsisë antike të ilirëve, e cila nuk u romanizua si ajo dako-trake paraardhëse e rumunëve, as nuk u zëvendësua në  viset e veta nga një popullsi e mëvonëshme e dyndur këtu.

Edhe Holger Pedersen (1867-1953).- gjuhëtar i shquar danez, indoevropianist me interesa shkencore të shumanëshme, profesor në Universitetin e Kopenhagës, autor i një vargu veprash dhe studimesh me vlerë, vëmendjen kryesore në fillim ia kushtoi gjuhës shqipe, por më pas u mor me gjuhë të tjera, sidomos me keltishten, armenishten etj, duke dhënë ndihmesa të rëndësishme. Më 1883 vizitoi Shqipërinë e Jugut.Për gjuhën shqipe ka botuar disa studime me vlerë si:”Kontribut për historinë e gjuhës shqipe”(1894), “Tingujt i të shqipes”(1897),“Asnjanësi i shqipes”(1899), ”Grykoret në gjuhën shqipe”(1900),etj. Edhe danezi tjetër Kristian Sandfeld-Jensen(1873-1942), nxënës i Pedersenit, mbas studimeve të gjata e përcaktoi gjuhën shqipe si një nga gjuhët më të vjetra të Ballkanit.

Në këtë afeksion të studjuesvet skandinavë për prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe u përfshinë dhe shkrimtarët, dramaturgët dhe kineastët skandinave.

Kështu dramaturgu Holger Drachman në vitin 1883 shkroi dramën “Na ishte një herë”/Der Var Engang/, e cila u shfaq me sukses dhe u bë mjaft popullore në teatrot  e Kopenhagenit që në ato vite. Kjo dramë është mbështetur në tregimet e shkrimtarit të madh danez Hans Kristian Andersen me titull “Svidrengen” dhe në komedinë e dramaturgut të shquar Villiam Shekspir “The Taming of the Shreë”/Mposhtja e kryeneçes/.Komedia shekspiriane “The Taming of the Shreë” është publikuar për herë të parë në vitin 1623 dhe mbështetur në të janë bërë edhe disa filma nga shoqëri të ndryshme kinematografike me tituj të ndryshëm si: “Kiss me Kate” në vitin 1948 dhe varianti muzikor me titullin origjinal “The Taming of the Shreë” me interpretimin e aktorëve të shquar Elisabet Taylor (në rolin e princeshës) dhe Richard Burton, në vitin 1953.

Mbështetur në këtë dramë regjisori i madh danez Karl Theodor Drejer xhiroi në vitin 1922 filmin me të njëjtin titull “Der Var Engang”/Once Upon A Time” që në shqip do të thotë “Na ishte një herë”. Ky film-përrallë u shfaq si premierë më 3 tetor 1922 në teatrin “Palads” të Kopenhagenit dhe pati mjaft sukses. Në qendër të filmit është mbreti dhe princesha e Ilirisë dhe një princ danez, që kërkon dorën e saj dhe tregon të gjitha peripecitë që bën ai për ta shtënë në dorë princeshën e bukur por, mospërfillëse, indiferente dhe kryelartë iliriane.

Eshtë një film përrallë dhe fillon me tekstin:

..Një herë e një kohë na ishte një mbretëri që quhesh Iliri…shumë larg, në anën tjetër të detit….Princesha e Ilirisë ishte bërë e njohur gjërësisht për bukurinë e saj, por ajo ishte krenare dhe e ftohtë (indiferente). Admiruesit e saj nuk kishin sukses dhe ajo i përçmonte…

Kisha vite që e kërkoja këtë film. Por dija vetëm titullin, pra kisha vetëm gjurmët e tij, më duhesh të bëja përpjekje të gjeja vetë filmin dhe kjo  ishte e vështirë. Për këtë u lidha me Ambasadën e Mbretërisë së Danimarkës një vit më parë dhe me dashamirësinë dhe përkrahjen e pakursyer të zotit Finn, ish Charge d’Affair, dhe me ndihmën e një miku t’im që më sponsorizoi udhëtimin, u bë e mundur të shkoja në Danimarkë dhe të vizitoja Institutin danez të filmave. Ky film bën pjesë në koleksionin e plotë të regjisorit të njohur danez dhe fatmirësisht është i ruajtur në origjinal me pak mungesa në fundin e tij. Një kopje të këtij filmi në DVD e mora në filmotekën e Institutit Danez dhe e ruaj si një koleksion të rrallë.