Sakip Cami: 20 burra të fisit Cami në Dibër burgosen në 1941

1138
Sigal

Ngjarje e rrallë nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare

 20 burra të fisit Cami në Dibër në prill të vitit 1941, arrestohen dhe burgosen për rezistencë ndaj italianëve

Sakip Cami

Luftëtarë të familjes Cami rënë në përpjekje me serbët

Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar është e mbushur me ngjarje dhe ndodhi të ndryshme familjare e shoqërore. Vetëm me heroizëm e qëndresë popullore i bëri ballë një popull i vogël si Shqipëria dy okupatorëve të mëdhenj, italianë dhe gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në një foto të rrallë të vitit 1942, të ruajtur si sytë e ballit në sepetet e nënave të këtij fisi, si dhe më vonë një dokument  arkivor i AQSH-sw të vitit 1941, u bë shkas për të mësuar rreth këtyre ndodhive dhe fenomenve të rrallë, që duhet shkruar dhe deokumentuar në histori.

Vëllezërit Mahmut, Shema dhe Mustafa Cami ishin luftëtarë të dalluar në luftën e Drinit kundër Hajredin Pashës në vitin 1844. Djali i Shemës, Dani për veprimtari patriotike është dekoruar me medaljen e patriotit. Djali i Mahmutit, Shabani është shpallur Dëshmor i Atdheut, i vrarë në luftë me serbët në vitin 1918. Djali i Shabanit, Feta, është Dëshmor i Atdheut, rënë në përpjekje me serbët në vitin 1916.

Në luftë me batalionin e Divizionit Firence

Në këtë kullë, vatan trimërie dhe qëndrese ndaj pushtuesve shekullorë, në prill të vitit 1941 fisi Cami i Dibrës dhe luftëtarë të tjerë u ngritën kundër italianëve që kishin zaptuar trojet e tyre në Miresh të Dibrës. Më 6 prill 1941 fashistët vranë mësuesin dhe birin e këtij fisi dhe të fshatit Fasli Camin, sot Dëshmor i Atdheut. Urrejtja ndaj fashizmit kishte arritur kulmin. Fashistët ishin vrasës dhe jo siç predikonin, për zhvillimin dhe përparimin e vendit. Luftëtarët e familjes Cami së bashku me bashkëfshatarë të tjerë u organizuan dhe goditën një batalion të Divizionit “Firence” që ishte dislokuar në fshatin e tyre. Në luftimet e zhvilluara u vranë 50 ushtarë dhe një oficer, si dhe u zu në depot e tyre një arsenal me armë dhe municione. Reagimi prej pushtuesit italianë ishte i rreptë. Fshati u vu në gjendje rrethimin dhe filluan arrestime, si dhe pushkatime. U pushkatuan direkt sa mbritën forcat fashiste, Ejup Cami, Musa Cami, Mexhit Lezi dhe Sefer Cami. Të gjithë sot Dëshmorë të Atdheut. U arrestuan dhe 20 bij të këtij fisi.

Rrem Mustaf Cami ishte më i vjetri ndër vëllezërit dhe kushërinjtë që u burgosën në vitin 1941 nga fashistët. Të gjithë i dërguan dhe vuajtën dënimin në burgun e Tiranës dhe të Burrelit. Rrema ishte së bashku me të birin Shahinin, me Ahmetin dhe me 20 bij të fisit Cami. Pas daljes nga burgu, ai u sëmur dhe vdiq. Mbante statusin e veteranit të LANÇ-it. Shahini ishte djali i madh i Rremit dhe u burgos së bashku me të jatin në burgun e Tiranës. Pas daljes nga burgu, mbas shumë torturave që i ishin bërë, u sëmur dhe vdiq. Ai mbante edhe statusin e veteranit të LANÇ-it. Djali tjetër i Muharremit dhe vëllai i Shahinit, Hamiti u bë partizan dhe u rreshtua luftëtar në Br. XVIII S. Pas çlirimit shërbeu në struktura të policisë së shtetit. Ai ra në krye të detyrës. Dilaveri, djali i vëllait të Rremit, Veliut, ishte në burgun fashist së bashku me vëllain e tij Tafën, xhaxhain Muharrem dhe djalin e xhaxhait Shahinin, si dhe me 15 kushërinj të tjerë të fisit Cami. Në burg ky vdiq gjatë torturave.

Luftëtarët e kryengritës kundër fashizmit

Të gjithë ata që u ngritën në kryengritje dhe luftuan kundër batalionit fashist, u pushkatuan dhe u dënuan. Në ndihmë na vjen dhe një dokument i gjendur në AQSH dhe foto e bërë në burg.

Pas fotos do të shkruhej “Dje bamë nji fotografi të gjithë së bashku dhe tash e kam portretin fotografik përpara sysh…”. Nga e majta në të djathtë, nga lart poshtë janë Sul Sal Cami, Tufik Isuf Cami, Izet Sal Cami, Adem Bajram Cami, Ahmet Fetah Cami, Bexhet Isuf Cami, Abdulla Shaban Cami (Dulla), Muharrem Mustaf Cami (Rremi), Islam Bajram Cami (Lami), Selim Mjeshtri, Hidër Rrahman Cami, Destan Çup Cami, Shahin Rrem Cami, Aqif Lam Cami, Liman Beqir Cami, Mustaf (Tafë) Veli Cami, Hasan Beqir Cami, Uke Abdulla Cami, Rifat Beqir Cami. Në këtë fotografi mungon Dilaver Veli Cami, të cilin e kanë mbytur në burg në mars 1942. Etër dhe bij Dulla me Ukën, Rremi me Shahinin, Lami me Aqifin. Vëllezër Dilaveri dhe Tafa, Lami dhe Ademi, Limani, Hasani dhe Rifati, Tufiku dhe Bexheti, Sula dhe Izeti. Kushërinj 19 burra të Fisit Cami, Viçisht, Dibër. Komandanti i Çetës së Gollobordës, Dëshmori i Atdheut Ahmet Cami, akademist. Hidër Cami, kryetar i Këshillit antifashist të fshatit, tre djemtë e Dëshmorit të Atdheut Beqir Cami, Limani, Hasani dhe Rifati, vëllezërit Lam dhe Adem Cami, djali i Lamit, Aqifi. Babë e bir, Dullë dhe Uke Cami, Destan Cami, Bexhet dhe Tufiku, vëllezër, Sula dhe Izeti, vëllezër, jo pak por 19 kushërinj.

Këta arritën të dalin nga burgu në fund të vitit 1942. Të gjithë u aktivizuan me lëvizjen dhe në maj të vitit 1943 rreshtohen në Çetën partizane të Gollobordës. Komandant kishin Ahmet Camin.

Fshati Viçisht në Dibër, është një fshat i vogël, por LANÇ-it i fali 7 dëshmorë. Fshati kishte dhe shumë luftëtarë të lirisë, burra dhe gra të cilët bënë qëndresë dhe treguan trimëri nga pushtuesit.