-20-vjetori i gazetës Telegraf, flasin Xheni Krypi, Naxhi Kasoruho dhe Xhoi Jakaj:
– Telegraf është kthyer në një shkollë për gazetarët e rinj të sapodiplomuar
– Pensionistët gjejnë mbrojtjen dhe informacionin e vërtetë tek Telegraf
– Gazeta Telegraf mbetet sot një gazetë serioze korrekte në informimin e publikut
Albert Z. ZHOLI
Këto ditë Telegraf mbush 20 vjet. Pra dy dekata punë intensive, informacione, debate, zhvillime, suksese, përballje duke arritur të mbijetojë në tregun mediatik ku shumë gazeta kanë falimentuar. Përgjegjësia, profesionalizmi, lajmi i saktë kanë qenë në themel të punës së suksesshme. Janë me mijëra lexuesit e saj nga jugu në veri. Janë me dhjetëra bashkëpunëtorët e saj nga të gjitha krahinat e vendit. Suksesi ke ka burimin te lajmi i saktë, te shtrirja gjeografike e problematika, te niveli i lartë i gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve cilësi këto që nuk i kanë munguar Telgraf në 20 vite. Ja si shprehen Xheni Krypi, Naxhi Kasoruho dhe Xhoi Jakaj: për Telegraf…

Xheni Krypi-pedagoge
Për gazetarinë shqiptare dhe shkrimet që lexojmë në gazeta të ndryshme, është e vështirë të japësh mendime si të prera me thikë, pasi nuk ka kandar që t’i peshosh, por thjesht ne gjykojmë në bazë të shijeve tona, ose dhe më gjerë…
Ka gazeta që japin informacione dhe opinione të sakta dhe të pandikuara. Por ka gazeta që nuk pasqyrojnë realisht ngjarjet dhe me opinione tërësisht të ndikuara nga faktorë politikë.
Shtimi i rrjeteve sociale e ka zbehur deri diku rolin e gazetave.
Pak media janë të pavarura dhe ka një përpjekje për të komanduar ato sidomos opinionet në shërbim të politikave të ditës.
Pavarësia e shtypit ngelet problem i rëndësishëm.
Gazeta Telegraf mbetet sot një gazetë serioze korrekte në informimin e publikut me një qëndrim opionist të pavarur dhe shumë objektiv dhe me një shumëllojshmërish rubrikash që e bëjnë akoma më të lexueshme. Jam një fanse e Telegraf dhe i ruoj vetëm suksese.

Naxhi Kasoruho “Mjeshtër i Madh” :
Telegraf është kthyer në një shkollë për gazetarët e rinj
E drejta për të dhënë mendim është kushti themelor për të gjitha kushtet tjera dhe gëzon mbrojtje absolute. E drejta për të dhënë informacione dhe mendime është i një aspekti vital i jetës politike për të gjitha shtetet dhe qytetarët e tyre. E drejta për të marrë informacion apo ide është e drejtë për të mbledhur dhe kërkuar informacion nëpërmjet të gjitha burimeve të mundshme ligjore dhe i referohet lirive të shtypit/mediave, duke përfshirë lirinë për të shtypur dhe shpërndarja e të përditshmëve dhe publikimeve tjera të shtypura, liria për transmetimin e programeve të radiove dhe televizioneve, liria për të publikuar përmbajtje në internet, po ashtu edhe obligimet dhe përgjegjësitë që vijnë për të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces. Unë kam mbi 12 vjet që bashkëpunoj me gazetën Telegraf pasi prej saj që kur është themeluar kam marrë informacionin e duhur. Ishte kjo arsyeja që fillova bashkëpunimin. Më kanë pëlqyer sidomos rubrikat për kulturën, intervistat, dossierët dhe analizat politike. Pra, tek kjo gazetë mund të marrësh informacion të bollshëm për çka ndodh në Shqipëri dhe në botë. Madje një vend të rënëdësishëm i jep dhe informacioneve për shëndetin që janë të interesuar të gjitha grupmoshat. Një nga rubrikat më të pëlqyera nga të gjithë mbetet sidomos ajo për pensionistët. Kjo kategori e shqiptarëve gjen mbrojtjen e vërtetë tek kjo gazetë. Mund të them se të paktën dy herë në javë te Telegraf do të gjejmë shkrime të ndryshme që lidhen me problemet e pensionistëve, për indiferencën e shtetit, për zhvillimet e reja në proceset e rritjes së pensioneve e të tjera. Pra Telegraf ka një natyrë sociale që përkrah të gjitha shtresat e shoqërisë. Unë me mendimin tim mund të them se Telegraf është kthyer në një shkollë për gazetarët e rinj. Ka shumë student që në hapat e para trokassin te Telegraf për të mësuar mënyrën e të bërit gazetar në gazetarinë e shkruar. Pra shumë student që mbarojnë Universitetin për gazetari aty gjejnë strehën e ngrohtë që pastaj u çel dyert e shumë mediave të tjera. Ka shumë gazetarë që pasi kanë kryer praktikën tek Telegraf më vonë janë bërë të njohur në mediat vizive. E uroj me zemër 20-vjetorin e krijimit Telegrafin tonë. Standardet e BE-së në lirinë e shprehjes kërkojnë nga qeveritë të propagandojnë, mbrojnë dhe respektojnë lirinë e shprehjes, shumëllojshmërinë e mediave dhe misionin e tyre politike, kulturor dhe shoqëror ashtu siç bënë gazeta Telegraf.
**

Xhoi Jakaj: Gazeta Telegraf ka frymë atdhetare dhe realiste.
Ish Drejtore Administrate në Rtv Ora News.
Kultura mediatike në shumë raste mbetet e kufizuar, pra njerëzit konsumojnë lajme, por jo gjithmonë i analizojnë si duhet. Sot ekzistojnë media serioze që ruajnë profesionalizmin, por një pjesë e tregut mediatik vuan nga: Varësia ekonomike ndaj reklamave ose financimeve të lidhura me pushtetin; Mungesa e gazetarisë investigative të thellë, për shkak të presioneve ose mungesës së burimeve; -Sensacionalizmi dhe publikimi i lajmeve pa verifikim të mjaftueshëm, për të tërhequr klikime (sidomos në portalet online). Ndikimi në opinionin popullor ( masa shpesh- herë e merr të mirëqënë lajmin e serviruar, me apo pa vërtetësi. Pra shtypi shqiptar ndikon ndjeshëm në opinionin publik, por ndikimi shpesh është i polarizuar. Shumë njerëz formojnë qëndrime politike ose shoqërore bazuar në burimet që ndjekin, të cilat shpesh kanë qasje të njëanshme. Megjithatë, ekziston edhe një rritje e ndërgjegjësimit të qytetarëve, që po mësojnë të dallojnë mes informacionit të manipuluar dhe atij të verifikuar. A shihet informacioni si domosdoshmëri në popull? Në dekadën e fundit, ndjeshmëria ndaj informacionit të saktë është rritur, veçanërisht tek të rinjtë dhe profesionistët urbanë. Megjithatë, kultura mediatike në shumë raste mbetet e kufizuar, pra njerëzit konsumojnë lajme, por jo gjithmonë i analizojnë si duhet! Kjo tregon se informacioni shihet si i nevojshëm, por jo gjithmonë si instrument për qytetari aktive. Gazeta Telegraf ka frymë atdhetare dhe realiste. E ndjek dhe shpesh gjejë veten.






















