Edhe sot e kësaj dite, unë kam mall për aromën e barit, të manushaqes, të lulekaçeve dhe për hijen e lisave ku rritej pjergulla e rrushi me nam.
“Për mua, një kafe në Shqipëri me miqtë e mi, më e mirë se një drekë të famshme në botë!”
Intervistë me shkrimtarin e njohur Agim Cerga
Nga Kastriot Caka
Agim Cerga është një shkrimtar i suksesshëm, ndër më të rëndësishmit e brezit të tij në gjininë e romanit, i cili me artin elitar, fton lexuesin t’i bashkëngjitet ëndrrës së tij, për një shoqëri të çliruar nga komplekset, nga deliri i madhështisë së rreme dhe instinktet sindromatike të pronësisë mbi ndjenjat njerëzore, mbi iluzionin dhe dashurinë.
Ç’është fëmijëria, a mbani gjë mend prej saj, mos vallë fëmijëria është shumë e lidhur me vendlindjen?
Një pyetje e thjeshtë që përmban esencën e njeriut. Njeriu pa fëmijërinë dhe adoleshencën e tij do të kishte një zhgënjim të madh në jetë që nuk do ta mbushte asnjë pasuri dhe as një lavdi. Besoj dhe për këtë jam i sigurt që në fëmijërinë time dhe në adoleshencën janë futur vitet më të gjelbra dhe më me ndjenjë të jetës sime, që më kanë ushqyer në mënyrë të pandërprerë tërë aktivitetin tim krijues. Edhe sot e kësaj dite, unë kam mall për aromën e barit, të manushaqeve, të lulekaçeve dhe për hijen e lisave ku rritej pjergulla e rrushit me nam. Çdo vit unë i kaloja pushimet verore në Skrapar dhe në këto muaj pushimesh, kam thithur dhe kam rrënjosur thellë në shpirt ndjenjën e dashurisë së jashtëzakonshme të skraparlliut, që shfaqet aq qartë në këngët e tij, ku janë ngjeshur jo vetëm mbresa historike, por dhe frymëmarrja e kohës. Skrapari i vogël është shumë i madh në shpirt! Atje ku lind dielli që mban mbi kurriz hijen madhështore të Tomorrit, me kanionet e famshme në botë, me përqafimin aq miqësor, kur të hedh në qafë krahun duke të dhënë kështu edhe besën që nuk ka forcë në botë ta shkulë. Unë jam krenar që jam nga Skrapari, jo vetëm sepse ai lindi burra të mëdhenj si: Riza Cerova, Kahreman Ylli, Xhelal Koprëncka, Zylyftar Veleshnja, Estref Caka etj., por sidomos për mënyrën se si në kulmin e ekstazës kur ngrenë dollinë ai fut gjithmonë në mënyrën më të natyrshme dhe të besueshme përmallshëm gotën e fundit për Atdheun që është gjëja më e madhe, vërtet më e madhe në Botë. Se çfarë force ka ndjenja e mallit për Skraparin, unë do e mbyll me një episode të shkurtër:
– Po bëj 10 vjet që jetoj në Kanada dhe kur kam dëgjuar një ditë interpretimin e këngëtares së madhe botërore Ermonela Jaho që jepej në sallën e koncerteve mbretërore në Angli kam qarë si fëmijë.
Ç’mund të na thoni për krijimtarinë tuaj?
Kam dhe 6 libra të tjerë gati në botim. Tani që jam gjallë për arsyen pse më dhëmb shpirti do ta them, libri ka degraduar në shkallën që nuk mban më. Libri nuk qarkullon, libri letrar artistik, libri me vlera të vërteta edhe, në qoftë se qarkullon ka shumë vështirësi për ta shkuar te lexuesi. Arsyeja është se nuk ka një qendër shtetërore që të merret me shpërndarjen e librit në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Libraritë nuk pasurojnë librin me vlerë por i ka mbytur libri mediokër.
Ju dikur kini qenë Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve, si e shikoni sot këtë institucion?
Është një fatkeqësi e madhe që në Shqipëri sot nuk ekziston asnjë lloj institucioni sado i vogël që të mblidhte shkrimtarët në një klub. Ka klube gjuetarësh, invalidësh, veteranësh, pleqsh, e çfarëdo lloj klubesh, por nuk ka një klub sado të vogël për shkrimtarët. Shkatërrimi, asgjësimi i institucionit të Lidhjes së Shkrimtarëve ka qenë një gabim shumë i madh. Bashkim shkrimtarësh apo vëllazërim shkrimtarësh, apo shtëpi shkrimtarësh, gjen sa të duash në botë, kurse në Shqipëri nuk ekziston asnjë. Mendoj dhe dëshiroj që t’i vijë dikujt ndërmend për ta kthyer këtë institucion, sepse dobia do të ishte shumë e madhe jo vetëm për shkrimtarët, por për vetë prestigjin e shtetit. Libri nuk vdes, asnjë teknologji sado e zhvilluar të jetë nuk e zëvendëson librin, sepse librin e bëjnë krijuesit. Të mos harrojmë dobinë e jashtëzakonshme, të pazëvendësueshme në histori që dhanë rilindësit tanë me baballarët tanë shpirtërorë, artistikë, mëmëdhetarë të famshëm si Naim Frashëri, De Rada, Çajupi, Asdreni e të tjerë, prandaj të krenohemi për këtë vend, për këtë histori që kemi, për këta njerëz të mëdhenj, por duhet të jemi të thjeshtë, sepse këtu qëndron edhe madhështia e njeriut. Unë do të thosha se për mua një kafe në Shqipëri me miqtë e mi, është më e mirë se një drekë të famshme në botë.
Faleminderit dhe ju urojmë jetë të gjatë!
(Poezi nga Agim Cerga)
Skrapari
Midis maleve dhe honeve
Rrugëve dhe shtëpive të gurta
Rrit pjergullën
Me rrushin e verdhë
Të ëmbël si mjalta
Që pikon, pikon rakinë e famshme
Skrapari ka shumë vrima plagësh
Ku janë mbjellë
Kujtime të paharruara
Dhe e çon ison e dridhur
Lart në qiell.
Mbushur mall dhe dritë
Për të arritur majën e Tomorrit
Dhe për të pushuar tek retë.
BOTIME TË AUTORIT:
Tregime: Njeri i Zakonshëm, Dritë në Fushë, Bukuria e Jetës, STZ (seria e tregimit të zgjedhur), Fëmijëria, Përtej Dashurisë.
Novela: Mëngjesi i Largët, Borë e pashkelur, Erë e fortë, Mjeshtër Danoi, Dashuri buzë shtratit të vdekjes, Tri novela. Drama: Vitet, Bodrumi, Fanitja Romane: Gjurmë në kohë, Legjenda e Vadave, Vëllezërit, Shtëpia, Diploma, Burgu pa hekura, Syri i Natës, Korniza, Tinguj.