Më 15 Tetor 1944, është dita e çlirimit të qytetit të Fierit prej pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Kjo datë, sjell çdo vit tek ne, përjetime të thella krenarie dhe dinjiteti të ligjshëm për heroizmin e pashembullt dhe gjakun e derdhur nga të parët tanë.
Populli i Fierit, Myzeqesë dhe Mallakastrës, ashtu si mbarë populli ynë liridashës është ballafaquar me fashizmin që në orët e para të pushtimit të vendit. 100 burra e djem vullnetarë fierak, u nisën më 7 prill të vitit 1939, në dy drejtime; Vlorë dhe Seman, për të pritur armikun me grykën e pushkës sapo ai të shkelte tokën shqiptare. Ata zhvilluan përpjekje të ashpra në kodrat e Bestrovës, ku mbeti i vrarë Hamdi Metaj nga fshati Peshtan duke shënuar kështu dëshmorin e parë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për rrethin e Fierit.
Mbas pushtimit të vendit, ashtu si kudo, edhe në Fier filloi organizimi ilegal i rezistencës popullore. Pak ditë më vonë dhe pikërisht më 26 maj 1939 shënohen fillesat e para të aksioneve popullore me thyerjen e izolatorëve të linjave telefonike Fier – Vlorë dhe Fier – Lushnje.

Më 26 maj 1941 në Fier u ndërmor aksioni i parë për thyerjen e izolatorëve të linjave telefonike Fier –Vlorë dhe Fier – Lushnje.
Më 27 qershor 1941, nga Tirana dërgohet në Fier trakti i pare, i cili denonconte sulmin e Gjermanisë hitleriane ndaj Bashkimit Sovjetik. Ky trakt u shoqërua me punë të gjithanëshme agjitativo – propagandistike dhe po ato ditë, nëpër muret e dyqaneve, shtëpive dhe institucioneve shtetërore të qytetit, u shfaqën të shkruara, parrullat e para kundër armikut. Ky aksion bëri që Françesko Jakomoni, mëkëmbësi i Mbretit Viktor Emanueli III, të urdhëronte urgjent formimin e një komisioni për marrjen e masave të “internimit të disa njerëzve të rrezikshëm që prishnin qetësinë në vend.”
Fieri është radhitur gjithashtu edhe ndër qytetet e parë të vendit, që filloi ngritjen e strukturave të veta politike, të cilat u shoqëruan me veprime të menjëhershme luftarake.
Më 8 shkurt 1942, në lagjen Shkozë, në shtëpinë e Jorgji Kovaçit u formua celula e parë e PKSH-së për Fierin me sekretar politik Rafael Petron. Më vonë në qytetin e Fierit u formua edhe celula e PK me pjesëmarrjen e grave. Sekretare e kësaj celule u zgjodh Shpresa Hoxha (Fuga).

Fill mbas kësaj date, më 10 shkurt, guerilasit e qytetit kryen me sukses aksionin e parë të zgjeruar me ambicie serioze i cili rezultoi me lirimin nga burgu të 5 jugosllavëve emigrantë antifashistë të burgosur në Fier. Po këtë muaj, në Çeligrad, instalohet baza e parë e teknikës së PKSH për Fierin.
Më 16 prill në Mbyet, në vendin e quajtur “Pylli i Zog Naçit” u formua Organizata e Rinisë Antifashiste me sekretar politik Rauf Nallbanin. Pak ditë më vonë, i alarmuar nga këto lëvizje të papritura, armiku ndërmori kundërveprime të egra.
Më 20 maj, u zbulua vendi sekret i instalimit të teknikës ilegale dhe u arrestuan 23 vetë, të cilët u dërguan menjëherë në burgjet e Tiranës. Por kjo masë repressive e armikut nuk i ndërpreu dhe as i fashiti përpjekjet e guerilasve të qytetit, për të organizuar aksione të tjera të suksesshme. Sepse tashmë, lëvizja e rezistencës antifashiste kishte arritur të merrte përmasa të gjera popullore, aq sa të angazhonte në radhët e saj edhe fëmijët, të cilët më 10 nëntor 1942, tek ara e Papuçinjve ku sot është parku “Rinia”, formuan organizatën e DEBATIK – ut (Djemtë e bashkuar, anëtar të ideve komuniste). Përgjegjës i kësaj organizate ishte Vasillaq Ikonomi dhe Sokrat Bele.
Më 20 tetor formohet Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar, i cili nisi si një aksion i zgjeruar për krijimin e kësaj strukture në çdo fshat të rrethit duke marrë mbi vete autoritetin e pushtetit të ri popullorë. Për qytetin e Fierit kryetar i këtij Këshilli u zgjodh Xoxi Xaxa, ndërsa në krahinën e Cakranit Nuredin Aliu, të Roskovecit Rrapo Kuka, të Libofshës, Zoi Ndreko, të Frakullës Dalip Troka dhe të Semanit Nuri Çuçi.
Më 25 tetor, në shtëpinë e Xhemil Muços, u formua Këshilli i Gruas Antifashiste Shqiptare. Kryetare e këtij forumi u zgjodh në fillim Shpresa Hoxha e më vonë Refije Muço.
Mbas krijimit të këtyre strukturave kudo punohej për organizimin e kryengritjes së armatosur. Tashmë qellimi kryesor ishte formimi i formacioneve ushtarake dhe zgjerimi i tyre me luftëtarë të rinj.
Lëvizja e forcave çlirimtare po merrte përpjestime aq të mëdha sa pushtuesi Italian në përpjekje për të përballuar situatën aktuale angazhoi kundër tyre bashkëpunëtorët e tij më kriminal. Më 26 nëndor 1942, Komandanti i Karabinerisë Mbretërore Marshall Martini Antonio, në mënyrë paradoksale gradon gjeneral kriminelin Isa Toska.
“Siç keni marrë dhe urdhrin e maparshëm se si mbas propozimit tonë, mëkëmbësi i Përgjithshëm i Naltmadhnisë së tij Viktor Emanuelit III në Shqipëri e Mbret i Italisë, Shqipërisë dhe Perandor i Etiopisë, jini falur dhe emnue me gradën general, që të punoni me fuqitë civile, tue mbajt dhe ruajt si vendin tuaj ashtu pritet nga ju dhe ruajtja e gjithë Prefekturës Beratit, për të mos u shkelur nga disa të poshtër dhe të ashtuquajtur komunista.”
Më 10 janar 1943 në Jagodinë u formua çeta e parë partizane në zonën e Roskovecit me komandant Sotir Kola dhe komisar Miti Bozo. Ndërkohë filluan aksionet e rëndësishme kundër forcave pushtuese dhe bashkëpunëtorëve të tyre dhe pikërisht një muaj më vonë, më 10 shkurt forcat partizane sulmuan forcat e garnizonit fashist në Patos duke i shkaktuar armikut 20 të vrarë e të plagosur.
Më 3 mars 1943, në Kraps u formua çeta partizane “Ismail Qemali”. Në fillim të qershorit, armiku ndërmori një operacion ndëshkimor në fshatrat Mbyet, Plyk, Kraps, Seman etj. U dogjën lagje të tëra, u rënuan shtëpi, të mbjella, u shfarosën bagëti dhe u kryen raprezalie të papara në popull. Por popullsia, këtyre masakrave ju përgjigj me shtimin e radhëve partizane me luftëtarë të rinj.
Më 25 gusht 1943, në Suk formohet Batalioni “Tofik Lapani”, me komandant Hysen Velmishi dhe komisar Tako Baçi. Ky ishte batalioni i parë partizan në rrethin e Fierit. Më 23 shtator të këtij viti në pyllin e Lili Stefit në Seman u krijua batalioni “Semani”, me komandant Halit Kaçanollin dhe komisar Andon Profka.
Më 8 shtator Italia fashiste kapitullon në mënyrë të turpshme dhe më 10 shtator, në Fier, Lushnje dhe Berat futet ushtria gjermane. Më 13 shtator në përpjekje për t’u lidhur me pushtuesit e rinj vritet krimineli Isa Toska dhe popullsia fierake njohu masakrën e dytë civile nga ushtria gjermane ku ngelën të vrarë 13 qytetarë të pafajshëm.
Të nesërmen e kësaj date, më 14 shtator 1943, në Fier ndodh një nga ngjarjet më të rëndësishme të kësaj periudhe. Brenda një dite dualën partizane 68 vajza fierake. Me aktin e tyre heroik, këto vajza, i dhanë qytetit të tyre të lindjes një emër të nderuar, duke e konsoliduar atë në mënyrë të pashlyeshme në faqen historike të kësaj lufte.
Më 20 tetor në Symizë të Fratanit formohet Grupi i Tretë Fier – Mallakastër me komandant Ferrik Hado dhe më vonë Qamil Hamzo ndërsa komisar Gjon Banushi e më vonë Bexhet Mema.
Më 4 nëntor në Zharrez krijohet një tjetër formacion luftarak, Batalioni “Petro Sota” me komandant Çelo Arrëza dhe komisar Josif Pogaçe. Ndërkohë, në 20 fshatra, u krijuan çetat territorial, të cilat përfshinin rreth 638 forca rezervë të prapavijës.
Pushtuesi gjerman erdhi me urën e zjarrit në dorë dhe dogji, vrau, internoi e masakroi qindra e mijra njerëz.
Organizimi dhe sakrifica vetmohuese e forcave partizane u shfaq dukshëm në luftën e Kalasë së Margëlliçit dhe Kasnicës më 29 mars 1944. Në këtë betejë dhëmb për dhëmbë me armikun, mbetën të vrarë edhe katër Heronjtë e Popullit, komisarët e komandantët trima: Mustafa Matohiti, Meleq Gosnishti, Lefter Talo dhe Dino Kalenja.
Ndërkohë, pushtuesit nazistë dhe bashkëpunëtorët e tyre ndërmarrin Operacionin e Qershorit 1944, i cili përfshiu në zjarrin e armëve territore të tëra të kësaj krahine. Por forcat partizane ishin në aktivitet të vazhdueshëm e tepër intensiv.
Më 13 – 14 tetor 1944, Grupi i Tretë Fier – Mallakastër dhe Brigada XVI – S, kryen sulmin përfundimtar mbi armikun. Qafa e Koshovicës u bë varri i nazistëve gjermanë. Në këto luftime ranë heroikisht 13 dëshmorë, midis të cilëve Kili Daullja, Avni Muharremi, Ndin Vita, etj.
Më 15 tetor, ditën e dielë, forcat partizane të Grupit Tretë Fier – Mallakastrës dhe Brigadës së XVI –S, hyn fitimtarë në qytetin e Fierit. Në ikje e sipër gjermanët hodhën në erë dy urat e mëdha të këtij qyteti; Urën e gurtë të tipit venecian që lidhte qendrën e tij me lagjen “Shkozë”, ndërtuar në vitin 1777 dhe Urën e Sheqit.
Më 18 tetor në sheshin para godinës së bashkisë ku sot është Prefektura e Qarkut u organizua festa e çlirimit të qytetit.





















