Skandali, ARRSH 19,5 mln euro tender për monitorimin e trafikut për 200 km rrugë kombëtare

344
Sigal

Në një kohë kur qytetarëve po i shtrëngohet gjithnjë e me shumë rripi nga çmimet e larta, paratë shtesë që po merr qeveria nga rritja e arkëtimeve nga TVSH-ja pikërisht nga rritja e çmimeve, nuk po shkon për zbutjen e impaktit të krizës, por për tendera të dyshimtë. Së fundmi ARRSH e drejtuar nga Evis Berberi ka hapur një tender prej 19,5 milion euro për ngritjen e qendrës së monitorimit të trafikut rrugor, për një gjatësi 200 km. Kjo fazë parashikon monitorimin e trafikut të rrugëve nacionale nga Tirana deri ne Vlorë, si dhe akset Tiranë-Elbasan dhe Tiranë- Rinas.

Firma kontraktuese duhet të ndërtojë një rrjet kamerash në këto rrugë, të cilat do të pasqyrojnë ecurinë e trafikut në qendrën e kontrollit. Puna për ngritjen e rrjetit duhet të zgjasë 2 vite dhe paratë do të jepen nga buxheti i shtetit.

Sipas studimit të fizibilitetit rrjeti rrugor shqiptar ku trafiku rrugor do të monitorohet ka një gjatësi prej 784 kilometrash, ndërsa 19,5 milion euro do të përdoren vetëm për fazën e parë që ka një gjatësi prej 200 km. Kjo do të thotë se për 584 kilometrat e mbetura do të duhet të shpenzohen së paku edhe 58 milion euro të tjera nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Nuk dihet se si ka dalë kosto për ngritjen e rrjetit të kamerave të monitorimit në rrugë, por këto tendera të fryrë të ARRSH po ecin paralelisht me skemën e ashtuquajtur të “Rrugëve të florinjta, ku kostot për kilometër janë disa herë më të larta se ato të rrugëve që ndërtohen sot në Bashkimin Europian. Ndërkohë shpenzimet nuk përfundojnë këtu pasi 1,7 milion euro shtesë të tjera do të shpenzohen po nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për godinën ku do të instalohet qendra e monitorimit të trafikut në Tiranë.