Sulmet digjitale në 2025/ Më të sofistikuara dhe më të organizuara, Shqipëria ende e papërgatitur

Nga dezinformimi apo manipulimi zgjedhor te mashtrimet financiare online, sulmet digjitale targetuan një numër të konsiderueshëm qytetarësh shqiptarë gjatë vitit që po lëmë pas, ndërkohë që vendi duket i papërgatitur për mbrojtjen kibernetike.

Sulmet digjitale në Shqipëri kanë ardhur duke u sofistikuar përgjatë 12 muajve të fundit. Shpeshherë ato ndodhin në forma të fshehta, por pasojat në integritetin e të dhënave apo sigurinë e qytetarëve janë të dukshme dhe problematike.

NOA

Një monitorim i BIRN për hapësirën digjitale në Shqipëri për periudhën kohore shtator 2024-gusht 2025 identifikoi 115 shkelje në total, ku kryesojnë përmbajtjet e dëmshme dhe sjelljet kërcënuese, të ndjekura nga shkeljet e të drejtave ekonomike dhe aseteve digjitale.

Më të prekurit nga këto shkelje janë qytetarët dhe grupet e aktivistëve, ndërkohë që autorët e këtyre sulmeve janë një pjesë të paidentifikuar.

Transferimi i pothuajse të gjitha shërbimeve publike në platformën digjitale qeveritare “e-Albania” përgjatë viteve të fundit është shoqëruar jo vetëm me avantazhe për qytetarët, por edhe me rrisqe përsa i përket mbrojtjes së të dhënave të tyre personale.

Sipas ekspertëve, shkeljet digjitale më të rrezikshme janë përqendruar në sulmet ndaj infrastrukturave kritike të vendit, dezinformimin dhe manipulimin zgjedhor, mashtrimet financiare digjitale, si edhe sulmet online ndaj aktivistëve dhe gazetarëve.

Daniel Prroni, hulumtues pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) shtoi më tej se një tjetër trend shkeljesh digjitale në 2025 konsiston pikërisht në përhapjen e dezinformimit gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.

“Një tjetër rrezik gjatë këtij viti ka qenë përhapja e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore përmes përmbajtjeve të gjeneruara me AI, pa etiketime apo transparencë, dhe përdorimin të bot-eve për të amplifikuar mesazhe politike”, i tha BIRN Daniel Prroni.Fushata zgjedhore e zgjedhjeve parlamentare të Majit 2025 u karakterizua nga një sërë shkeljesh etike në hapësirën online.

“Mashtrimet digjitale dhe sulmet ‘phishing’ janë bërë gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar nga komunikimet legjitime të institucioneve apo operatorëve ekonomik legjitim përmes imitimit të domain-eve të institucioneve shtetërore dhe kompanive private”, i tha BIRN hulumtuesi i IDM, Daniel Prroni.Të njëjtën gjë konfirmon edhe ekspertja Xhaferaj, sipas të cilës skemat e mashtrimit financiar kanë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.“Shitja apo rrjedhja e të dhënave personale nga sulmet phishing ndaj qytetarëve rrit vulnerabilitetet për sulme të tjera ndaj tyre”, i tha BIRN Orkidea Xhaferaj.

Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar disa herë qytetarët të tregohen të kujdesshëm ndaj këtyre tentativave të mashtrimit që targetojnë të dhënat dhe financat e tyre.

Një kategori tjetër që janë prekur nga shkeljet në sferën digjitale janë aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarët, apo anëtarët e komuniteteve vulnerabël, që vijojnë të jenë shënjestër e sulmeve të cilat jo pak herë konsistojnë edhe në kërcënime me jetë apo fushata linçimi që ndikojnë ndjeshëm në mirëqënien e këtyre personave.Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit, Shqipëria renditet e 80 nga 180 vende, duke u theksuar se gazetarët janë viktima të akteve të indimidimit nga politikanët dhe krimi i organizuar.Prroni i tha BIRN se këto sulme ndaj aktivistëve apo gazetarëve vijojnë të mbeten një shqetësim për lirinë e shprehjes.