Studentët: Evis Kushi të japë dorheqjen

657
Sigal

Pas deklaratës përccmuese së Ministres së Arsimit, aktivistët e Lëvizjes për Universitetin deklarojnë se do tu bashkohen protestave duke kërkuar dorëheqjen e saj. Ministrja  të shqetësohet për përdorimin e nxënësve dhe mësuesve në fushata elektorale dhe jo për protestuesit e dhununar që duan drejtësi.

Deklarata e ministres së MASR: Të rinjtë në protestë kanë nevojë për psikolog

Lëvizja për Universitetin: Kërkojmë e ministres Evis Kushi

Pas deklaratave të ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi mbi identifikimin dhe ndjekjen nga shërbimi psikosocial të fëmijëve pjesëmarrës në protestat për vdekjen e 25-vjeçarit nga Lapraka, Klodian Rasha, aktivistët e Lëvizjes për Universitetin kërkuan dorëheqjen e saj.

Lëvizja për Universitetin ka reaguar në lidhje me deklaratat e Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, e cila pas protestave të javës së fundit është shprehur publikisht se të miturit që kanë marrë pjesë nëpër protesta dhe që kanë qenë pjesë e akteve të dhunshme, do të identifikohen dhe do të ndiqen me psikologë nëpër shkolla.

“Ministrja Kushi duhet të shqetësohej për fëmijët dhe mësuesit që përdoren për fushata elektorale dhe propaganda mediatike, si edhe për raportet e Bankës Botërore, ku gjysma  e 15-vjeçarëve në Shqipëri janë analfabetë funksionalë për shkak të hendekut të madh të pabarazisë sociale,” tha Lëvizja për Universitetin në një deklaratë për shtyp.

Mijëra të rinj, shumë prej tyre adoleshentë, kanë protestuar për 5 ditë me radhë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, duke sulmuar me gurë dhë mjete të forta institucioneve shtetërore dhe efektivëve të policisë. Qindra protestues janë arrestuar ose ndjekur penalisht në gjendje të lirë.

Sipas një raporti të Avokatit të Popullit, deri me 11 dhjetor 124 protestues janë shoqëruar nga policia, nga të cilët 57 rezultojnë të jenë të mitur.

Në një intervistë në televizion, Kushi deklaroi se të miturit që marrin pjesë në protesta po përdoren politikisht – duke reflektuar deklarata të ngjashme nga deputetë socialistë.

“Ngjarjet do të hetohen për të gjetur cilët i kanë ngritur këto fëmijë,” tha ajo, duke theksuar se sipas ligjit fëmijët nuk duhet të marrin pjesë në protesta të pashoqëruar.

“I bëj thirrje të gjithë prindërve të mos lejojnë fëmijët e tyre të përdoren për qëllime politike dhe për qëllime dhune,” shtoi Kushi

Ajo shtoi se këto akte nuk kanë lidhje me edukimin e fëmijëve, por me keqpërdorimin e tyre.

“Unë si ministre e MASR kam një shqetësim shumë të madh për këta fëmijë, prandaj mbasi e gjithë kjo të mbarojë do të interesohemi me të gjithë specialistët e arsimit që të identifikojmë emrat e këtyre nxënësve që i përkasin dhe shkollave të ndryshme, në mënyrë që të ndihmohen nga shërbimi psikosocial,” tha ajo.

“Kur bëjnë krime të tilla në një moshë kaq të vogël imagjinoni më vonë”, shtoi ajo.

Aktivistët e Lëvizjes për Universitetin theksuan se deklarata e Kushit ishin përçmuese për të rinjtë.

“Deklarata të tilla përçmuese, janë të denja vetëm për regjimet diktatoriale,” përfundoi deklarata e Lëvizjes për Universitetin.