Skandali- Rakip Suli/ Bashkia Kamzë gllabëron miliona, nëpërmjet 190 tenderëve në një vit, me vlerë gati sa dyfishi i buxhetit

207
Sigal

Bashkia e Kamzës ka realizuar në vitin e fundit tenderë me vlerë pothuajse sa dyfishi i buxhetit të kësaj bashkie. Një rol kyç në vlerën e lartë të parave të tenderuara ka luajtur rindërtimi, ndërkohë që shumë tenderë të zhvilluar nga bashkia Kamzë rezultojnë si të dyshimtë, sipas udhërrëfyesit të Bashkimit Europian mbi Mashtrimet në Prokurimet Publike.

Tenderët e dyshimtë

Gjatë vitit të kaluar, duke vlerësuar se sa tenderë janë realizuar nga Bashkia e Kamzës, një pjesë e tyre rezultojnë me një problematikë të caktuar. Nga analizimi i shifrave të publikuara nga openprocurement.al rezulton se gjatë vitit 2021, Bashkia Kamzë ka zhvilluar 190 tenderë, me fond limit rreth 4.1 miliardë lekë të reja.

Nga ky fond rezulton se rreth 3.6 miliardë lekë janë fituar nga 76 subjekte të ndryshme për 113 tenderë të shpallur fitues.

Por, pikërisht këtu nisin pikëpyetjet mbi tenderët e zhvilluar nga Bashkia e Kamzës, pasi rezulton se nga 113 tenderë të shpallur fitues nga Bashkia e Kamzë gjatë vitit 2021, 16.8%, ose 19 prej tyre hyjnë në kategorinë “RedFlag” (flamur i kuq), sipas udhërrëfyesit të BE-së mbi Mashtrimet me Prokurimet Publike, për shkak të informacioneve që sjellin dyshime për realizimin e tyre.

Konkretisht, një shënim me RedFlag është një fakt, ngjarje, ose grup i rrethanave ose informacione të tjera që mund të tregojnë një shqetësim apo ekspozim dhe mbi rrezik potencial të pajtueshmërisë ligjore për sjellje të paligjshme ose jo etike të biznesit, veçanërisht në lidhje me praktika korruptive dhe mosrespektimit të ligjeve antikorrupsion. BE ka parashikuar në kategorinë RedFlag shumë forma për ekspozimin e parregullsive të mundshme, duke filluar që nga mungesa e konkurrencës; mungesa e garës, nëpërmjet negocimit të drejtpërdrejtë; shtesa kontrate pa përfunduar ende faza e parë e kontratës, skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit dhe anulim i tenderit dy ose më shumë herë. Madje, këto janë theksuar edhe nga projekti openprocurement.al sa i përket tenderëve të zhvilluar nga pushteti vendor.

Në 15 prej 19 tenderëve rezulton që ose janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit, ose ka pasur mungesë konkurrence, pasi ka konkurruar vetëm një subjekt i vetëm. Konkretisht, në 5 të tillë është kualifikuar vetëm fituesi, ndërkohë që në 10 tenderë të tjerë ka konkurruar vetëm një subjekt.

Po ashtu, 4 prej 19 tenderëve të dyshimtë janë zhvilluar me negocim pa njoftim dhe përpos kësaj janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit. Pra bëhet fjalë për tenderë, që sipas përcaktimeve të Agjencisë së Prokurimeve Publike realizimi i tyre me negocim të drejtpërdrejtë bëhet vetëm në raste të veçanta, të përcaktuar qartë në ligjin për Prokurimet Publike, por edhe në udhëzimin e nxjerrë nga APP më 8 janar 2018. Por çfarë kanë qenë këto raste të veçanta për Bashkinë e Kamzës?! Nga verifikimi rezulton se 4 procedurat e identifikuara janë realizuar nga Bashkia e Kamzës për ndërhyrje në banesa të familjeve në nevojë dhe kolaudim punimesh për ndërtimin e një rruge. Madje, në 2 raste, tenderët janë fituar në vlerën mbi 90% të fondit limit, ndërsa në 2 rastet e tjera mbi 88% të fondit limit dhe sipas dokumenteve, në dy raste e ka fituar e njëjta kompani.

Përpos të gjitha shkeljeve, një tjetër fakt që dallohet në analizimin e 19 tenderëve është fakti se kompanitë që janë shpallur fituese pa konkurrent ose a garë, kanë paraqitur oferta që janë mbi 90 për qind të fondit limit. Vetëm në pak raste vihet re se ka pasur oferta më të vogla se 90 për qind e fondit limit.

Bashkia Kamzë, shpenzime më shumë se buxheti i vitit 2021

Në analizën e shpenzimeve, vërejmë se Bashkia Kamzë ka investuar më shumë se sa ka pasur buxhetin për vitin 2021. Në planin e shpenzimeve të vitit të kaluar, kjo bashki parashikonte të kishte 2,207,134,229 lekë të reja. Por shpenzimet e Bashkisë Kamzë për 2021-in kapin shifrën e 3,616,984,465 lekëve të reja, pra 1,409,850,236 lekë të reja më shumë nga sa ishte parashikuar.

Nga analiza rezulton se shpenzimet janë shtuar për shkak të programit të rindërtimit, pasi kjo bashki ishte e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Sipas openprocurement.al, Bashkia e Kamzës ka përfituar nga Programi i Rindërtimit rreth 1,533,671,177 milionë lekë të reja. Shuma është ndarë në 23 procedura tenderuese dhe kanë përfituar 16 operatorë ekonomikë. Ndërsa vlera totale e shpallur fituese është 1,434,265,633 lekë të reja.

23 procedurat e shpallura nga Programi i Rindërtimit janë realizuar nga Bashkia e Kamzës për ndërhyrje në 4 shkolla, 2 njësi administrative, 4 çerdhe, 5 kopshte dhe 4 banesa dhe objekte që janë klasifikuar me dëmtime të mëdha. Pavarësisht se procedurat janë zhvilluar në mënyrë të rregullt, edhe në tenderët e Programit të Rindërtimit, kompanitë që janë shpallur fituese kanë paraqitur oferta që janë mbi 93 për qind të fondit limit. Xhesian Shazimani, Porta Vendore

Analiza e tenderëve të vitit 2021, Bashkia Kamzë

Kontrata të shpallura në lekë: 4,122,395,463 lekë të reja

Kontrata të lidhura: 3,616,984,465 lekë të reja

Tendera në total: 190

Kontrata të lidhura: 113

Kontrata vetëm të shpallura: 58

Kontrata të anuluara: 19

Kompani që kanë fituar kontrata: 76

Tender me RedFlag: 19

Tender ku janë skualifikuar konkurrentët përveç fituesit: 5

Tender me vetëm një konkurrent: 10

Tender me negocim pa shpallje: 4