Skandal, Greqia mban të burgosur mijëra pensionistë shqiptarë

1613
Sigal

Shpëtim Zinxhiria

Një problem mes shumë problemeve të tjera të emigrantëve tanë, që askush nuk dëshiron ta prekë sado pak për të nxjerrë në sipërfaqe këtë padrejtësi që u bëhet bashkatdhetarëve tanë. Bëhet fjalë për mijëra pensionistë shqiptarë që në mënyrë arbitrare mbahen të burgosur brenda territorit grek, duke mos pasur të drejtë që prej më se 15 vitesh të shkojnë në atdheun e tyre. Janë ligjet absurde këto që i mban të burgosur këta shqiptarë të moshuar, kur dikur ishin të aftë për punë dhe që me djersën e tyre kontribuan në ndërtim dhe ngritjen ekonomike të Greqisë. Janë ish-kuadro të rëndësishëm si ushtarakë, diplomatë, agronomë, artistë dhe punëtorë krahu apo gratë heroina që flasin për këtë padrejtësi që u bëhet nga një vend i BE-së.

Padrejtësia ka nisur 15 vite më parë ku autoritetet vendore greke u merrnin lejet e qëndrimit emigrantëve shqiptarë që mbushnin moshën 70 vjeç duke i detyruar ata nga ish-emigrantë të legalizuar në atë klandestinë. Të dëshpëruar por me kokën lart këta disa herë kanë ngritur problemin në të shkuarën pranë Ambasadës sonë në Athinë, por deri më sot, këta qëndrojnë klandestinë në vendin ku punuan dhe jetuan prej shumë vitesh. Sikur të mos mjaftojë mosnjohja e punës së tyre në vite për pension të pjesshëm, këta po ndeshen edhe me burgosjen e tyre në Greqi. Shteti shqiptar duhet të ndërhyjë për të zgjidhur këtë padrejtësi që u bëhet shtetasve të tij, nëse e do këtë komunitet ashtu siç duhet të dojë e t’i mbrojë secili shtet shtetasit e tij kudo që ndodhen…