Shqiptarët shpenzojnë në një vit 750 milionë USD nga xhepi për shëndetin, ndërkohë koncesionet ‘gllabërojnë’ edhe 200 mln euro në 5 vite

32

Shqipëria ka shpenzime të ulëta për frymë për shërbimet shëndetësore, përfshi edhe ilaçet, por pagesat nga xhepi janë në nivele shumë të larta për një vend që ofron shëndetësinë falas, edhe pse qytetarët, të cilët paguajnë 3.4% të pagës si tatim për sigurimet shëndetësore, kanë paguar gjithnjë e më shumë nga xhepi.

Sigal

Info

  • Të dhënat të përpunuara nga bilancet zyrtare bëjnë të ditur se qarkullimi vjetor i pesë spitaleve kryesore private në vend në vitin 2021 ishte 120 milionë dollarë.
  • Vetëm në 5 vitet e fundit, rezulton se për koncesionet e cilësuara abuzive nga Prokuroria, janë dhënë plot 200 milionë euro

Si një vend në zhvillim, Shqipëria ka shpenzime të ulëta për frymë për shërbimet shëndetësore, përfshi edhe medikamentet, por pagesat nga xhepi janë në nivele shumë të larta për një vend që ofron shëndetësinë falas. Sipas të dhënave nga databaza e Bankës Botërore në vitin 2021, shpenzimet për frymë për shëndetin në Shqipëri ishin 465 dollarë. Nga kjo shumë, po sipas BB, 59.7%, ose 277 dollarë për frymë janë shpenzime për frymë nga xhepi.Në total për një popullsi prej rreth 2.7 milionë banorësh, shpenzimet nga xhepi për vitin 2021 ishin rreth 750 milionë dollarë. Nëse do të llogarisim një popullsi rezidente rreth 2.5 mln banorë, sërish shpenzimet nga xhepi për shëndetin nuk janë më pak se 700 milionë euro në vit. Sipas metodologjisë së Bankës Botërore, Shpenzim nga xhepi është çdo shpenzim i drejtpërdrejtë nga familjet, duke përfshirë shpërblimet dhe pagesat në natyrë, për praktikuesit shëndetësorë dhe furnizuesit e produkteve farmaceutike, pajisjeve terapeutike dhe mallrave dhe shërbimeve të tjera, qëllimi kryesor i të cilëve është të kontribuojnë në rivendosjen ose përmirësimin e gjendjes shëndetësore. të individëve ose grupeve të popullsisë. Këto janë pjesë e shpenzimeve private për shëndetin. Këto shpenzime maten përmes pyetësorëve kombëtarë më familjet. Pagesat neto nga xhepi po rriten vitet e fundit për shkak se gjithnjë e më shumë po shtohet popullsia që ka nevojë për mjekim. Plakja e popullsisë dhe pandemia Covid-19 kanë rritur numrin e të sëmurëve kronikë, të cilat kanë nevojë për më shumë se një trajtim. Medikamentet shpesh blihen nga xhepi në farmaci. Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se importet e ilaçeve janë rreth 26-28 miliardë lekë në vit, duke u shtuar dhe marzhin e shpërndarjes me shumicë dhe pakicë (25%) vlera finale arrin në 35 miliardë lekë. Nga kjo shumë, rreth 12 miliardë lekë rimbursohet nga shteti (kryesisht për pensionistë, apo të sëmurë kronikë), ndërsa qytetarët mbulojnë me shpenzimet e veta rreth 23 miliardë lekë në vit (rreth 230 milionë dollarë). Ka dhe medikamente që hyjnë kontrabandë dhe janë të shtrenjta, që nuk regjistrohen në shifrat zyrtare. Në listat e rimbursimit shpesh janë medikamente, që nuk janë efektive, duke bërë që shumë qytetarë t’u drejtohen farmacive. Gjithashtu për shërbimet shëndetësore në spitalet publike qytetarët paguajnë nga xhepi. Kjo shumë është praktikisht e pamatshme, teksa pagesa nga xhepi është kthyer në një kulturë në sistemin shëndetësor, me perceptimin se përndryshe nuk e merr shërbimin e kërkuar. Hetimet e fundit të Prokurorisë së Tiranës madje zbuluan raste kur pacientët orientoheshin të blinin ilaçe që duhet t’i merrnin në spital, apo detyroheshin që të kuroheshin në klinika private. Një pjesë tjetër e popullsisë, që ka mundësi financiare i drejtohet spitaleve private, të cilat dekadën e fundit u shtuan me shpejtësi, pasi panë shpenzimet e larta të shqiptarëve për t’u kuruar jashtë vendit, kryesisht në Turqi apo Greqi. Të dhënat e tjera të Monitor, të përpunuara nga bilancet zyrtare bëjnë të ditur se qarkullimi vjetor i pesë spitaleve kryesore private në vend në vitin 2021 ishte 120 milionë dollarë, të nxitura nga pandemia, për të rënë më pas në rreth 100 milionë dollarë në 2022.

Fatura e spitaleve dhe propaganda e Rilindjes

Kryeministri Edi Rama tentoi që përgjegjësinë e degradimit të shëndetësisë ta lërë vetëm tek mjekët, duke shfajësuar politikat qeverisëse të ndjekura në këto 11 vite. Por shifrat tregojnë të kundërtën e asaj që deklaroi kryeministri, pasi fondet për shëndetësinë në vend të investimeve të drejtëpërdrejta për shëndetësinë, janë dhënë për koncesione. Vetëm në 5 vitet e fundit, rezulton se për koncesionet e cilësuara abuzive nga Prokuroria, janë dhënë plot 200 milionë euro, e sot Kryeministri Rama në vend të një përgjigjeje për këto abuzime tentoi sërish largimin e përgjegjësive. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë periudhës 2018-2023, për 4 koncesione janë paguar me rreth 215 miliardë lekë të vjetra ose më shumë se 200 milionë euro. Këto shifra, gjithsesi, nuk janë të plota, pas dy prej këtyre koncesioneve janë paguar që prej vitit 2016. Në raportin për ecurinë e kontratave koncesionare të hartuar nga Ministria e Financave, rezulton se koncesioni i pajisjeve kirurgjikale, ka përfituar në 5 vitet e fundit 84 miliardë lekë të vjetra ose mbi 80 milionë euro. Koncesioni i kontrollit bazë shëndetësor, i njohur si “Check Up”, në të njëjtën periudhë kohore, ka marrë mbi 40 miliardë lekë të vjetra ose rreth 40 milionë euro. Shërbimi i Hemodializës është paguar nga Buxheti i Shtetit në vitet 2018-2023 është paguar në shumën mbi 46 miliardë lekë të vjetra ose rreth 45 milionë euro. Edhe koncesioni i Laboratorëve, megjithëse është aktivizuar më vonë se tre të tjerët, gjatë periudhës 2020-2023 është paguar nga buxheti i shtetit në një shumë mbi 44 miliardë lekë të vjetra ose rreth 44 milionë euro.