Show me skenar/ Mirel Mërtiri tenton të lajë veten dhe arkitektët e inceneratorëve nga llumi ku janë zhytur nga Agaçi tek pagesat

41
Sigal

 

Ai  tentoi t’ia faturojë këtë skandal Arben Ahmetaj. Po ashtu ai mori në mbrojtje një nga arkitektët e inceneratorëve, Engjëll Agaçin, Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë. Mirel Mërtiri akuzoi SPAK se është kjo prokurori që ka stisur dosjen. Pra zotëria në fjalë vetë nuk ka bërë asnjë shkelje.

Ashtu sikundër pritej, një prej kokave të aferës së inceneratorëve ka dalë në media duke tentuar të nxjerrë veten të larë nga ky skandal. Bëhet fjalë për Mirel Mërtirin, arkitektin kryesor të tre inceneratorëve, që gllabëruan miliona e miliona euro.

Ai foli nga arratia te “Syri TV”, i njohur tashmë si televizioni i familjes Berisha, ku gjatë gjithë intervistës në asnjë moment nuk pranoi asnjë akuzë të ngritur ndaj tij. Gjatë gjithë intervistës, Mirel Mërtiri akuzoi SPAK se është kjo prokurori që ka stisur dosjen.

Sipas tij ka qenë Klodian Braho që ka manipuluar gjithçka. Pra zotëria në fjalë vetë nuk ka bërë asnjë shkelje, por SPAK paska faturuar dokumente për të goditur këtë individ. Po ashtu ai nxori dhe qeverinë të larë, duke bërë fajtor SPAK.

Është një dosje e bërë në mënyrë fiktive dhe jokorrekte. Provat janë vendosur ashtu siç ka dashur prokurori i SPAK-ut me qëllim që të godisnin familjen time dhe mua për arsye ndoshta personale të dikujt tjetër që nuk ishte në dosje, apo për arsye personale dhe politike të dikujt tjetër që kallëzoi që kjo dosje të ishte në SPAK”,- tha Mërtiri.

Ai  tentoi t’ia faturojë këtë skandal Arben Ahmetaj, individi i cili në fakt ndryshe nga të tjerët, nuk ka firmosur dokumentet. Po ashtu ai mori në mbrojtje atë që përflitet në media si një nga arkitektët e inceneratorëve, Engjëll Agaçin, Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë.

Të jetosh në Shqipëri, patjetër që do kesh marrëdhënie me politikanë shqiptarë, sepse është jeta specifike, sepse jemi njerëz, jemi qenie njerëzore. Zoti Këlliçi, ju po i filloni bisedën me emra të përveçëm, gjë që të cilën unë nuk kam për ta bërë sonte. Nuk flas me emra të përveçëm për një arsye. Nuk është korrekte kur ka hetime të caktuara, të devijuara, nga SPAK kundër familjarëve të mi, nuk mund të ndodhë. Po ju jap përgjigje tani për zotin Agaçi, as nuk e njoh, as nuk e kam takuar dhe as nuk e di se çfarë bën në jetën e tij”,- tha Mërtiri në “Syri TV”.

Gjatë gjithë kohës, Mirel Mërtiri tentoi të tregojë se nuk është ai pronari i inceneratorëve. Sipas tij, ai është pronar i firmës që e ndërtoi për 6 apo 7 vite.