Rikthehet shitja e aboneve në tregun e zi

348
Sigal

 

 Operatorët e transportit urban ende në vështirësi financiare nga Covid-19 dhe informaliteti

Rikthehet problematika me shitjen e aboneve në tregun e zi në sektorin e transportit urban në kryeqytet.

Pas vendimit të disa javëve më parë të Bashkisë të Tiranës për heqjen e aboneve mujore, disa linja urbane në Tiranë “për t’i shpëtuar” krizës nga Covid-19 po shesin abone me çmime të lira.

Vendimi i bashkisë për pezullimin e aboneve erdhi pas ankesave të operatorëve të transportit urban për shitjen e tyre në tregun e zi. Kompanitë pohojnë se problematika është rikthyer sërish dhe disa linja kryeqytetase po tregtojnë abone me çmim 500 deri 600 lekë kur nga Bashkia dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë çmimi i vendosur për shitje është 1,600 lekë.

Kompanitë e transportit urban thonë se situata është shqetësuese dhe shitja e aboneve në tregun e zi nuk ndihmon qytetarët, por përkundrazi ndikon te përkeqësimi i shërbimit ndaj tyre.

Drejtori i transportit urban në kompaninë “Shega Trans” për linjat Kombinat-Kinostudio-Tufinë, z. Kostandin Foni tha se problematika e krijuar me abonetë po përkeqëson treguesit e kompanisë. “1 muaj pas vendimit të Bashkisë të Tiranës për ndalimin e aboneve, deri në gjetjen e një zgjidhje që do të ofrohej pas një studimi të tregut, nga disa operatorë ka nisur shitja e aboneve mujore me çmim 500 lekë nga 1,600 që është çmimi i përcaktuar nga Ministria e Financave. Këto abone të shitura në tregun e zi nuk lehtësojnë aspak lëvizjen e qytetarëve me autobusë, pasi kjo situatë po ndikon negativisht të operatorët e rregullt. Nëse gjendja do të vazhdojë ne do të jemi të detyruar të reduktojmë numrin e autobusëve të venë në dispozicion për qytetarët, pasi po thellohen humbjet”.

Sektori i transportit urban vjet ishte i fundit që rinisi aktivitetin pas rihapjes së ekonomisë. Edhe me nisjen e punës operatorët patën rënie të numrit të pasagjerëve në autobusë për shkak të frikës së infektimit dhe orareve kufizuese të lëvizjes. Drejtori i transportit urban në kompaninë “Shega Trans” thotë se nga 5 korriku 2020 (kur u rihap aktiviteti i transportit) deri në fund të muajit maj 2021 humbjet e kompanisë nga kriza e Covid-19 janë 1 mln euro.

Shitja e aboneve në tregun e zi është shqetësuese edhe për kompaninë tjetër të transportit urban në kryeqytet, “Alba Trans”. Drejtori i linjës linja e Tiranës së Re dhe ish-Uzinës Së Autotraktorëve, z. Rixhin Qoshja nënvizon se edhe pse ka rritje të numrit të pasagjerëve në raport me 2020, kjo nuk justifikon punën, pasi nga ana tjetër aboneja po shitet me humbje të madhe jashtë çdo logjike ekonomike.

Shitja e aboneve nën kosto po ndodh në një situatë krize, pasi ky sektor ende nuk e ka rimarrë vetën nga kriza e Covid-19. Me abonetë që shiten nën kosto dhe dublimin e linjave të autobusëve nga Bashkia e Tiranës, kur për të njëjtën destinacion ka më shumë se 2 autobusa drejtori i transportit urban në “Alba Trans” z. Qoshja thotë se është e pamundur që numri i pasagjerëve të arrijë shifrat e 2019-s.

Situata për numrin e pasagjerëve paraqitet e njëjtë edhe për operatorin tjetër të transportit urban “Shega Trans”. Përfaqësuesi i kompanisë z. Kostandin Foni pohon se pas rënies së numrit të pasagjerëve në muajin korrik-gusht 2021 nga temperaturat e larta, situata është kthyer në normalitet. Ndonëse shifrat janë më të larta se e njëjta periudhë e 2020, edhe për këtë operator nuk është arritur niveli i frekuentimit sa në periudhën para pandemisë.