Për tre milionë ton naftë, shteti nuk merr asnjë taksë

1234
Sigal

Skandali/ Shqipëria 910 mijë ton naftë vetëm për 2018-n dhe tre milionë ton në tre vitet e fundit, por oligarkët, të favorizuar me kontrata nga qeveria, edhe pse qarkulluan mbi 3 miliardë USD, nuk i paguan asnjë qindarkë buxhetit të shtetit. Ndërkohë që qytetarët burgosen për një faturë dritash apo uji dhe shqiptarët paguajnë çmimin më të shtrenjtë të karburanteve. Ja investigimi

910 mijë ton naftë u prodhuan në 2018-n, asnjë kompani nuk pagoi tatim fitimi

 

Shqipëria prodhoi 910.000 ton naftë bruto në vitin 2018 dhe rreth 5 për qind krahasuar me 2017 d.m.th., 956,000 ton naftë bruto më pak dhe 47 për qind më pak në krahasim me prodhimin pik të vitit 2014 prej 1.36 milionë ton, sipas një analize të Altax, që i referohet të dhënave zyrtare.

Ekspertët nga industria nxjerrëse thonë, se kompanitë që investojnë në industri nuk kanë arritur të mbulojnë kostot përkatëse dhe, rrjedhimisht, Shqipëria ka përfituar më pak se 2 për qind të vlerës së prodhimit deri tani.

Prodhimi më i lartë i naftës në Shqipëri daton që nga viti 1974, kur shteti i atëhershëm komunist prodhoi 2.25 milionë tonë të barabartë me rreth 38,408 fuçi naftë në ditë në një industri që përfshinte 34 ndërmarrje shtetërore dhe punësonte rreth 25,000 njerëz. Industria e prodhimit të naftës është eksportuesja e dytë më e madhe në Shqipëri dhe punëson më shumë se 3,000 vetë.

Qeveria shqiptare merr nga eksporti vetëm rentën [1], si taksë kombëtare me normën 10 për qind, pasi asnjë kompani aktualisht nuk paguan normën e tatimit mbi fitimin që aplikohet në nivelin 50 për qind të fitimit që deklarohet në pasqyrat financiare vjetore, sipas Altax. Sipas kontratave aktuale, koncesionarët duhet të fillojnë të paguajnë tatimin mbi fitimin, pasi të kenë përmbushur kostot e investimeve. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) përfundoi një auditim të performancës për “Procedurat dhe Rezultatet e Marrëveshjeve të Naftës në Shqipëri” në fillim të vitit 2017, duke vënë në dukje se ndikimi në ekonomi prej përdorimit të aseteve nëntokësore ka qenë minimal, si në aspektin e efektit mbi punësimin dhe në të ardhurat buxhetore.

Shqipëria vlerësohet si një nga vendet më të pasura të Evropës në rezervat hidrokarbure në shelfin kontinental me një rezervë deri në 220 milionë fuçi dhe 5.7 miliard metra kub gaz natyror. Sipas Shoqatës Shqiptare të Energjisë (AEA), Shqipëria vlerësohet të ketë rezerva deri në 277 milionë fuçi. Zona e naftës Patos-Marinëz-Kolonjë njihet si fusha më e madhe naftëmbajtëse në Evropën kontinentale. Në total, janë nënshkruar 16 marrëveshje për eksplorimin e naftës dhe gazit me ndarje prodhimi (MNP), nga të cilat 7 kompani janë angazhuar në nxjerrjen e naftës bruto në pjesën jugore të Shqipërisë dhe 4 kompani të angazhuara në aktivitete eksploruese.

Investimi gjithsej në kërkimin dhe eksplorimin e naftës dhe gazit në të paktën vitet e fundit llogaritet të jetë realizuar deri në 1.25 miliardë euro, ku 1/3 e tij është investuar direkt nga Shell Company, e cila është aktive në tregun shqiptar në 6 vitet e fundit, duke synuar për investime të tjera shtesë që planifikohen në shumën prej 42.5 milion € duke filluar nga 2018 pas një zbulimi shumë pozitiv në fushën e naftës Shpiragu-2.

Sipas të dhënave zyrtare, Bankers Petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend, i cili në mesin e vitit 2016 u ble plotësisht nga kompania Geo Jade e Kinës, përbën shumicën dërrmuese prej 89 për qind të prodhimit të përgjithshëm vendas, ndërsa Albpetrol sh.a. prodhimi (kompania shtetërore) përbën rreth 6% të prodhimit vendor.

Pjesa më e madhe e naftës së nxjerrë në Shqipëri eksportohet e papërpunuar, duke e bërë atë një produkt me vlerë të shtuar të ulët dhe vetëm një pjesë e saj shkon në rafinerinë lokale, Ballsh dhe Fier, e cila ka ndryshuar pronësi disa herë pas privatizimit të dështuar të vitit 2008, duke falimentuar dhe mbyllur disa herë në dekadën e fundit

[1] Renta minerare llogaritet si detyrim mujor i subjektit taksapagues, zotërues i lejes së shfrytëzimit, në çastin kur ai shet apo eksporton mineralin apo nënproduktin e prodhuar. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nxjerrë për konsultim publik në 6-mujorin e parë 2019 një projektligj mbi regjimin fiskal në sektorin e hidorkarburëve, duke përcaktuar sesi do të funksionojë përllogaritja dhe mbledhja e taksës së rentës minerare, duke e zhvendosur në këtë mënyrë nga ligji i taksave kombëtare. Sipas projektligjit, renta do të llogaritet duke aplikuar një normë prej dhjetë për qind të vlerës së tregut të naftës së nxjerrë.