PËR 9 MUAJ, 957 MILIONË EURO ABUZIME

708
Sigal

Shkeljet financiare arrijnë 957 milionë euro në periudhën janar-shtator

Sipas auditimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit dëmet më të mëdha janë shkaktuar në pjesën e shitjeve, qirasë, koncesioneve dhe PPP-ve

Shkeljet e konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit përgjatë auditimeve të periudhës janar-shtator kanë kapur vlerën e përgjithshme 957.3 milionë euro. Nga këto 917 milionë euro janë shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara të lidhura me fushën e të ardhurave respektivisht me shumën 351.1 milionë euro dhe në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve në nivelin 566.5 milionë euro. Nga ana tjetër parregullsitë shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, kanë rezultuar me dëm ekonomik në shumën totale prej 4,993,758 mijë lekë ose 39.7 milionë euro. Në raportin e tij KLSH rendit edhe fushat ku është konstatuar edhe dëmi më i madh. Në fushën e të ardhurave rekordin e mban pjesa e shitjes, qirasë, koncesioneve dhe Partneriteve Publike Private me 2.1 miliardë lekë pasuar nga Doganat me më shumë se 1 miliardë lekë e më pas vijnë me radhë grupi “Të tjera” me 295 milionë lekë dhe Tatim Taksa 223 milionë lekë. Tek shpenzimet është konstatuar që në fushën e prokurimeve dëmet e konstatuara kapin vlerën 974 milionë lekë, paga e shpërblime 22 milionë lekë dhe shpenzimet operative 55 milionë lekë. Edhe tek grupi i shkeljes së disiplinës financiare në fushën e të ardhurave sërish PPP, Koncesionet dhe qiradhënia apo shitja e pronës shtetërore zë një vend të konsiderueshëm. Në total nga auditimet janë konstatuar shkelje në shumën 12.1 miliardë lekë në këtë fushë, pasuar nga grupi të tjera me 17.7 miliardë lekë dhe në sistemin tatimor me 14.2 miliardë lekë. KLSH ka nënvizuar se në kahun e shpenzimeve tek shkelja e disiplinës financiare janë konstatuar pagesa të kundërligjshme në vlerën 62 miliardë lekë, procedura prokurimi kontrata dhe zbatim punimesh 3.5 miliardë lekë, shpenzime operative 4.7 miliardë lekë dhe paga shpërblime 264 milionë lekë. Për periudhën janar-shtator KLSH ka planifikuar 148 auditime nga të cilat 102 janë të evaduara dhe rezultatet janë bërë publike ndërkohë që pjesa tjetër janë në përpunim.

  1. Rezultatet e auditimeve

Nga auditimet e realizuara gjatë periudhës Janar – Shtator 2018 janë konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare. Indikatori i dobisë së auditimit si një nga treguesit më domethënës të performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit, për periudhën Janar – Shtator 2018 rezulton 18,5 lekë. Pra për çdo një lekë të shpenzuar për KLSH-në nga Buxheti i Shtetit për periudhën Janar – Shtator 2018, janë zbuluar nga auditimet e kryera në këtë 9 mujor 18,5 lekë.

  1. Rekomandimet për masat administrative dhe disiplinore

Bazuar në Ligjin nr. 154, datë 27.11.2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, KLSH, për të metat dhe shkeljet e konstatuara ka adresuar rekomandimet për masat disiplinore dhe administrative, subjekteve të audituara dhe ka bërë publike rezultatet e auditimeve në media-n e shkruar dhe atë elektronike. Gjithashtu, për shkeljet e konstatuara në bazë të ligjit të mësipërm, Ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, neni 58 dhe Kodin e Punës, KLSH u ka kërkuar organeve respektive shqyrtimin dhe marrjen e 691 masave disiplinore dhe administrative. Gjatë periudhës janar – shtator 2018 janë rekomanduar gjithsej 66 propozime për ndryshime ligjore, ndryshime që prekin rekomandime për përmirësime në korniza ligjore, në kuadrin të brendshëm rregullativ të institucioneve me synim forcimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe rritjen e efektivitetit të përdorimit të fondeve publike.

 

  1. Kallëzimet për ndjekje penale

Gjatë kësaj periudhe, nga ana e KLSH-së janë bërë 34 kallëzime dhe indicie penale, për drejtues kryesisht të rangut të mesëm dhe të lartë, konkretisht në këto institucione:

  • Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit (Titullari i Institucionit);
  • Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Kamëz – Vorë (Ish-përgjegjës i sektorit të legalizimit, Përgjegjës i sektorit të legalizimit, Specialist i sektorit të hartografisë, Ish-përgjegjës i sektorit të hartografisë, Ish-përgjegjës i sektorit të hartografisë, Ish-përgjegjës i sektorit të hartografisë, Specialiste në zyrën e legalizimit);
  • ZVRPP Malësi e Madhe (Ish-regjistrues, Ish regjistrues, Ish specialist);
  • ZVRPP Elbasan (Specialiste, Specialist, Ish-regjistrues, Ish-regjistrues, Ish-regjistrues, Ish-regjistrues, Ish-regjistrues, Ish-regjistrues, Ish-regjistrues, Ish-regjistrues, Specialist, Specialist, Ish-specialist);
  • Enti Rregullator i Energjisë (ERE) (Kryetar i Entit Rregullator të Energjisë);
  • Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar (Drejtor i AAC);
  • Bashkia Belsh (Kryetar i Bashkisë, Drejtor i Bujqësisë, Ish – përgjegjës i Urbanistikës, Ish-juriste) {Në cilësinë e anëtarëve të KVO-së};
  • Bashkia Belsh (Kryetar i Bashkisë, Mbikëqyrës i Kontratës, Kolaudatore, Kolaudator);
  • Bashkia Rrogozhinë;
  • Bashkia Rrogozhinë (Mbikëqyrës i punimeve në shoqërinë “C..” sh.p.k);
  • Bashkia Rrogozhinë (Ish-Kryetar i Bashkisë në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Qiradhënies së Tokës Bujqësore të Pandarë).
  • Universiteti Fan S. Noli Korçë (Inxhinier Ndërtimi, më cilësinë e Mbikëqyrësit të Punimeve);
  • Spitali Universitar i Traumës;
  • ZVRPP Fier (Ish Regjistrues, Përgjegjës Zone, Jurist, Specialist, Zv/Regjistrues, Ish-Regjistrues, Specialist);
  • ZVRPP Tiranë (Ish Regjistruese, Specialist dhe Ish Përgjegjës Zone, Ish Përgjegjëse e Sektorit të Legalizimeve, Specialist, Ish Specialist Hartograf, Përgjegjës Sektori);
  • Drejtoria Rajonale e Mjedisit Berat (Drejtor i DRM Berat, Tre Specialist të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis);
  • Hekurudha Shqiptare Sha Durrës;
  • Spitali Rajonal Shkodër (Ish-Drejtor i Spitalit Rajonal Shkodër);
  • Bashkia Lezhë, ish-komuna Ungrej (Administrator, në cilësinë e titullarit të AK, Ish-përgjegjëse e Zyrës së Financës, në cilësinë e kryetarit të KVO, Nëpunës i Gjendjes Civile, Ish-sekretar i Këshillit të Komunës);
  • Bashkia Lezhë, ish-komuna Blinisht (Sekretar, në cilësinë e Kryetarit të KVO, Administrator, Specialiste në Zyrën e Tatimeve, Ish-Arkivist, Specialist pyjesh);
  • Bashkia Lezhë, ish-komuna Zejmen (Ish- Kryetar i Komunës, Ish-përgjegjës i Zyrës së Financës);
  • Bashkia Lezhë (Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit);
  • Bashkia Këlcyrë (Specialist i Kadastrës (në cilësinë e Kryetarit të KVO, Përgjegjëse e Zyrës së Taksave dhe Tarifave Vendore (Në cilësinë e anëtarëve të KVO-së), Inspektor i Taksave dhe Tarifave Vendore (Në cilësinë e anëtarëve të KVO-së);
  • Bashkia Konispol (Përgjegjësi i Zyrës së Financës, Drejtori i Urbanistikës, Specialiste Juriste, Specialist i Drejtorisë së Urbanistikës, Specialist i Drejtorisë së Urbanistikës, Ish-Zv/Kryetari i Bashkisë Konispol, Specialist i Drejtorisë së Bujqësisë);
  • Indicie për hetime të mëtejshme mbi veprime mashtruese në dëm të imazhit të KLSH-së, për Znj.I.K., për konsumimi e figurës së veprës penale të “Mashtrimit”, parashikuar në nenin 143 të Ligjit nr.7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, me ndryshimet përkatëse, dërguar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë;
  • ALUIZNI Lushnjë;
  • ALUIZNI Qarku Durrës (Ish-Drejtor i Drejtorisë Rajonale, Ish-Drejtor i Drejtorisë Rajonale, Specialist/Hartograf, Specialist/Juriste);
  • ZVRPP Sarandë (Ish-Regjistruese, Ish-Zv.Regjistrues, Specialist Hartograf, Përgjegjëse e Sektorit të Regjistrimit, Ish-specialist jurist, Ish- Specialist Jurist, Ish-specialist Jurist, Ish-Regjistruese, Ish Specialist Jurist, Ish Specialist Hartograf, Ish Regjistrues, Ish Regjistrues);
  • Bashkia Dibër (Ish-Kryetar i Bashkisë, Drejtor i zyrës së Financës (në cilësinë e Kryetarit të KVO), Ish-Përgjegjësit dhe Përgjegjësit e Sektorit (në cilësinë e anëtarit të KVO);
  • Bashkia Korçë (Ish-komunat Voskop dhe Bulagerc);
  • Bashkia Kolonjë;
  • Bashkia Gjirokastër;
  • Bashkia Gjirokastër;
  • Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (Indicie për dijeni, analizë dhe vlerësim të elementëve të veprës penale).

Numri i personave të kallëzuar arrin në 98.

  1. Komunikimi me publikun

Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë periudhës janar – shtator 2018 ka vijuar të trajtojë me korrektesë dhe profesionalizëm letrat dhe ankesat e qytetarëve, të cilët në çdo rast kanë marrë përgjigje, edhe kur çështja e ngritur prej tyre ka qenë jashtë kompetencave të institucionit. Megjithatë, edhe në këto raste KLSH i ka orientuar qytetarët, nëpërmjet përgjigjeve zyrtare se cilit institucion duhet ti drejtohen për të marrë përgjigje për shqetësimet e tyre. Gjatë 9 mujorit KLSH ka trajtuar 314 letra dhe ankesa, nga të cilat 111 jashtë kompetencës dhe juridiksionit të institucionit. Nga 203 ankesa në kompetencë të KLSH, 77 prej tyre janë verifikuar dhe u është dhënën përgjigje, ndërsa 126 janë në proces verifikimi.

Trajtimi i kërkesave për të drejtën e informimit

E drejta e informimit si një e drejtë kushtetuese dhe tanimë e parashikuar qartazi në një legjislacion të veçantë është e drejtë elementare e çdo individi në një shoqëri demokratike. Që me miratimin e ligji të ri nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka pasur një numër në rritje kërkesash për informacion nga viti në vit, të ardhura nga individë, subjekte të ndryshme dhe OJF. Vetëm gjatë periudhës janar – shtator 2018 janë trajtuar dhe u është përcjellë informacioni i kërkuar 24 kërkesave, të ardhura në adresën e koordinatorit të informimit të KLSH-së, të cilat përfshijnë 76 raporte auditimi.