Nga tjetërsimi tek privatizimi / Edhe pse SPAK ka nisur disa hetime, privatizimi i pronave dhe trojeve të Ushtrisë Shqiptare me procedura të dyshimta dhe sfond korruptiv nuk ka të ndalur. Mbi 95 mijë metra katrorë prona të Rezervave në Lundër janë marrë në administrimin e FSHZH-së e më tej, po synohet privatizimi i saj. I gjithë “projekti qeveritar” synon ndërtimin e një kompleksi argëtimi dhe sportive për pasanikët që kanë vilat luksoze në periferinë e Tiranës
Mbi 95 mijë metra katrorë prona të Rezervave në Lundër në administrimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit e, më tej, po synohet privatizimi i saj. I gjithë “projekti qeveritar” synon ndërtimin e një kompleksi argëtimi dhe sportive për pasanikët që kanë vilat luksoze në periferinë e Tiranës.
Privatizimi i pronave të Ushtrisë Shqiptare është shndërruar në një lloj “El Doradoje” për biznesmenët e fuqishëm që kanë akses të drejtpërdrejte në zyrat e larta të shtetit dhe qeverisë. Megjithëse disa prej këtyre procedurave u ka dalë tymi dhe janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, duket se asgjë nuk e ndal qeverinë e Edi Ramës të vijojë procedura të dyshimta, me sfond korruptiv, të tjetërsimit të trojeve me vlera të çmueshme, në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Një situatë e tillë po zhvillohet gjatë muajve të fundit me pronat e Rezervave të Shtetit, një strukturë në varësi të Ministrisë së drejtuar nga Niko Peleshi. Qeveria, me firmën e zv.kryeministres, kaloi mbi 95 mijë metra katrorë prona të Rezervave në Lundër në administrimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit e, më tej, po synohet privatizimi i saj. I gjithë “projekti qeveritar” synon ndërtimin e një kompleksi argëtimi dhe sportive për pasanikët, që kanë vilat luksoze në periferinë e Tiranës.
Skandali me tjetërsimin e pronës
Diku nga pranvera e vitit 2022, Fondi Shqiptar i Zhvillimit i dërgon një kërkesë Ministrisë së Mbrojtjes, ku i kërkon miratimin e tjetërsimit të truallit të Rezervave të Shtetit në Lundër. Në këtë kërkesë, e cila iu dërgua për dijeni edhe kryeministrit, Edi Rama, Fondi Shqiptar i Zhvillimit konstatonte se gjendja e godinave të Rezervave është e mjerueshme. Po ashtu, Fondi parashikonte që në atë zonë të ndërtonte një pol rekreativ, që përfshin një kompleks argëtimi dhe sportive. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në 6 tetor 2022, ia përcjell këtë kërkesë për mendim Drejtorit të Përgjithshëm të Rezervave Materiale të Shtetit. Në atë shkresë, Peleshi kërkonte informacion për situatën e godinave dhe nëse ishte i pranueshëm tjetërsimi i tyre. Në të njëjtën ditë, Drejtori i Përgjithshëm i Rezervave të Shtetit ia dërgon shkresën e Peleshit drejtorit të Rezervave të Tiranës. Ky i fundit, po në 6 tetor 2022, kthen përgjigje, duke shprehur mendimin që projekti i ri, nëse realizohej, të parashikonte edhe ndërtimin e një infrastrukture të re për Rezervat e Tiranës. Në të njëjtën ditë, edhe Drejtori i Përgjithshëm i Rezervave të Shtetit, i kthen përgjigje Ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, duke shprehur dakordësinë e tij në parim raporton gijotina. Pra, duket që Ministria e Mbrojtjes dhe vartësit e tij kanë treguar shpejtësi rrufe në këtë komunikim administrativ, megjithëse vendimmarrja e tyre ishte e një rëndësie shumë të veçantë.Pas këtij komunikimi, Ministri Peleshi shprehet dakord me projektin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe çështja kalon për miratim në Këshillin e Ministrave. Në vijim, në muajin dhjetor 2022, është miratuar VKM nr. 808, datë 12.12.2022 “Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit, të pronës me emërtim “Agjencia Lundër….për ta përdorur për ngritjen e një kompleksi argëtimi dhe sportive”.
Nga tjetërsimi tek privatizimi
Por, kjo lëvizje e qeverisë duket se fsheh pas saj qëllimin e vërtetë-atë të privatizimit të një prone, e cila gjendet në një vend shumë të lakmuar. Detajet mbi veprimet e dyshimta qeveritare jepen në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, mbi një audit të zhvilluar së fundmi pranë Rezervave Materiale të Shtetit. Vendimi i qeverisë parashikonte se Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të merrte në dorëzim pronat e Rezervave të Shtetit në Lundër, gjithsej 95 mijë metra katrorë, pasi ai institucion të nënshkruante Marrëveshje për ndërtimin e infrastrukturës së re për rezervat. Në Shkurt të vitit 2023, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, urdhëron ngritjen e komisionit për dorëzimin e pronave të Rezervave të Shtetit, në favor të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ndërkohë që ky i fundit nuk ka nënshkruar ende asnjë marrëveshje për të përmbushur detyrimet e tij, atë të projektimit dhe ndërtimit të godinës së re për vartësit e Peleshit. Por, përtej këtij “mos-kuptimi” institucional, i gjithë qëllimi i tjetërsimit të pronës në Lundër është privatizimi i tij. Këtë ka zbuluar Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili, gjatë auditimit tek Rezervat e Shtetit, ka zhvilluar komunikim edhe me Ministrinë e Financave.
KLSH shkruan në raport se: “Referuar shkresës së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë lidhur me mendimin për projektvendimin e propozuar, trajtohet se kjo pronë është pjesë e listës së pronave për të cilat nga Ministria e Mbrojtjes është shprehur dakordësia për vijim e procedurave të privatizimit, por shkresa citon se, nga ana e MFE nuk është miratuar fillimi i këtyre procedurave”.
Në vijim, raporti thekson se “Agjencia Lundër, e cila me një sipërfaqe truall prej 95,320 m2 dhe pozicionim mjaft të mirë, është parashikuar edhe më parë për t’u privatizuar pavarësisht se ajo zë peshën kryesore në magazinimin e mallrave ushqimorë rezervë materiale e shtetit në rang kombëtar, çka tregon një qasje të paqartë të hallkave institucionale në drejtim të zhvillimit të aktivitetit të rezervës materiale në tërë”.

Rezervat e shtetit bosh, nuk ka grurë, asnjë litër ujë e karburant
Në rezervat e shtetit në fund të vitit të shkuar nuk pati asnjë kilogram grurë dhe asnjë litër ujë e karburant. Në një raport auditi me titull “Rezervat materiale të shtetit në shërbim të qytetarit”, Kontrolli i Lartë i Shtetit tregon se ndonëse sasia minimale rezervë e grurit duhej të ishte 300 tonë, karburantit 100 mijë litra dhe ujit 3 mijë litra, në magazina nuk kishte asnjë nga këto produkte. Mesa duket arsyeja e kësaj, pa përgjegjshmëria e kësaj katrahure ka pas prapaskena për tjetërsimin e pronave të rezervave shtetërore në komplekse argëtimi dhe sportive për pasanikët, që kanë vilat luksoze në periferinë e Tiranës.



















